SUNETET E FITRES (NATYRSHMËRISË)

0
524

Me termin “Sunetet e fitres” kuptohen disa veprime të cilat kanë qenë të njohura te të gjithë Profetët dhe pasuesit e tyre. Me fjalë të tjera, është fjala për disa praktika me të cilat nuk është specifikuar në kryerjen e tyre vetëm umeti i Muhamedit salallahu alejhi ue selem. Edhe Profetët e tjerë i kanë urdhëruar pasuesit e tyre t`i kryejnë ato, prandaj edhe u quajtën tradita të natyrshmërisë, pasi përputhen me natyrën e pastër të njeriut.[1]

Hadithet në të cilat përmenden këto natyrshmëri janë:

1. Transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë se Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë:
“Pesë sende janë nga natyra e fitres (natyrshmërisë së pastër):
1. Pastrimi i vendeve të turpshme (mënjanimi i qimeve),
2. Bërja synet (rrethprerja),
3. Shkurtimi i mustaqeve,
4. Mënjanimi i qimeve nga nënsqetullat,
5. Shkurtimi i thonjve.”[2]

2. Transmeton Zekerija ibën Ebi Zaide, nga Musab ibën Shejbe, nga Talk ibën Habib, nga Abdullah Ibn Zubejri, ky nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Dhjetë gjëra janë prej fitres:
1. Shkurtimi i mustaqeve,
2. Lëshimi i mjekrës,
3. Përdorimi i misvakut
4. Larja e hundës me ujë,
5. Pastrimi i ndërmjet gishtërinjve,
6. Prerja e thonjve,
7. Shkulja e qimeve nga sqetullat,
8. Mënjanimi i qimeve nga vendet e turpshme,
9. Pastrimi me ujë pas kryerjes së nevojës së madhe.”
Transmetuesi thotë se e ka harruar të dhjetën, por, ka mundësi të jetë shpëlarja e gojës.[3]

Në vazhdim do t`i shtjellojmë dispozitat që kanë të bëjnë rreth këtyre veprimeve që janë të përmendura në këto dy hadithe.[4]
1. BËRJA SYNET

Me bërjen synet është për qëllim prerja e lafshës që mbulon organin e mashkullit dhe kjo është vaxhib (obligative) sipas mendimit më të saktë të dijetarëve[5], ngase është simbol prej simboleve të Islamit. Muhamedi salallahu alejhi ue selem një njeriu që sapo e kishte pranuar Islamin i ka thënë:
“Pastroji nga trupi yt qimet e kufrit dhe bëhu synet.”[6]
Bërja synet gjithashtu është prej miletit të Ibrahimit alejhis-selam dhe Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ibrahimi alejhis-selam është bërë synet pasi i ka mbushur 80 vjet.”[7]
Allahu i Lartësuar i është drejtuar Resulullahut salallahu alejhi ue selem duke i thënë:
{ ثُمَّ أَوْحَيْنَا إِلَيْكَ أَنْ اتَّبِعْ مِلَّةَ إِبْرَاهِيمَ حَنِيفًا وَمَا كَانَ مِنْ الْمُشْرِكِينَ} (النحل: 123)
“E pastaj ty të shpallëm. Ndiqe fenë e pastër të Ibrahimit dhe ai nuk ka qenë nga idhujtarët.”[8]

Koha e bërjes synet

Shumica e ulemave janë të mendimit se bërja synet nuk ka kohë të caktuar, por dijetarët që e konsiderojnë atë vaxhib kanë arritur në përfundim se afati më i largët për bërjen synet është puberteti (mosha madhore), pasi atëherë njeriu ngarkohet me dispozitat islame. Por preferohet që përgjegjësi ta kryejë këtë proces kur fëmija është i vogël, pasi kjo është më lehtë dhe më mirë për të.[9]
Imam Neveviu thotë se është e preferuar bërja synet kur foshnja mbush shtatë ditë, duke aluduar për hadithin e Xhabir bin Abdullahut, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku thuhet: “Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka prerë kurban për Hasanin dhe Husejnin, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, dhe i ka bërë synet në ditën e shtatë.” [10]
Nëse foshnja është e dobët dhe nuk mund ta përballojë, atëherë më mirë është të shtyhet derisa të forcohet. Dispozita mbetet si e preferuar derisa të arrijë afër kohës së pubertetit, nëse nuk bëhet sunet para pubertetit, atëherë ajo kalon në vaxhib.
Dr. Muhamed Ali el Barri thotë se studimet mjekësore vërtetojnë dobitë e shumta të bërjes së hershme synet të fëmijës, duke filluar që nga ditët e para të lindjes së tij, derisa t`i mbushë të dyzetat. Sa më shumë që të vonohet bërja sunet, aq më shumë është i mundshëm infektimi në organ dhe në kanalet urinare.

Dobitë e bërjes synet

Sa i përket urtësisë së bërjes synet, Ibën Kajimi thotë: “…Allahu i Lartësuar e obligoi bërjen synet si pasim i praktikës së fesë së Ibrahimit alejhi selam.” Kjo është jashtë dobive të tjera që ka bërja synet, si: pastërtia, rregullimi, zbukurimi dhe përmirësimi i sistematizimit të epshit, pasi nëse njeriu nuk e korrigjon epshin e tij, atëherë bie në rang me shtazët. Njeriu i cili nuk është bërë synet nuk ka mundësi të ngopet gjatë marrëdhënieve.

2. MËNJANIMI I QIMEVE NGA PJESËT INTIME

Kjo është sunet me unanimitet të ulemave, ashtu si tregon Irakiu dhe Neveviu. Sa i përket mënyrës së mënjanimit, është e lejuar të përdoret çfarëdo forme vetëm që të arrihet qëllimi dhe mos të jetë e dëmshme për trupin, prandaj lejohet shkulja, prerja, rruajtja ose ndonjë formë tjetër.
Fukahatë kanë parapëlqyer që mënjanimi i qimeve të bëhet çdo javë, më saktësisht ditëve të xhuma, por e kanë ndaluar që të kalojë më shumë se dyzet ditë pa i mënjanuar ato. Për këtë argumentojnë me hadithin e Enes Ibën Maliku, ku thuhet: “Na ka kufizuar Resulullahu salallahu alejhi ue selem në shkurtimin e mustaqeve, në rruajtjen e qimeve nga pjesët intime, në shkuljen e qimeve nga sqetullat dhe në prerjen e thonjve që të mos i lëmë ato më shumë se dyzet ditë.”[11]

Është e urryer shkulja e qimeve të thinjura

Transmeton Amër Ibn Shuajbi nga babai i tij, e ai nga gjyshi i tij, i cili thotë se Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos i shkulni qimet e thinjura (bardha), sepse çdo muslimani që i zbardhet një qime në Islam, ajo do t’i bëhet dritë në ditën e Kiametit.”[12]
3. SHKULJA E QIMEVE TË SQETULLAVE

Kjo çështje është e njëjtë sikurse ajo e mëhershmja (mënjanimi i qimeve nga pjesët intime), vetëm se në hadith përmendet shkulja e këtyre qimeve (nga sqetullat), kurse për qimet e vendeve të turpshme përmendet rruajtja e tyre. Sido që të jetë, përmendja e mënyrës së caktuar në hadith nuk nënkupton domosdoshmërinë e kësaj mënyre. Prandaj dijetarët, në përgjithësi, kur flasin për këtë, thonë se preferohet shkulja e këtyre qimeve, por nëse kjo bëhet me ndonjë formë ose mjet tjetër është e lejuar dhe në të nuk ka ndonjë të keqe.

4. PRERJA E THONJVE

Edhe prerja e thonjve konsiderohet prej natyrshmërisë së pastër të njeriut dhe kjo është e kërkuar si nga meshkujt, ashtu edhe nga femrat. Kurse sa i përket kohës se kur preferohet, dijetarët kanë thënë se çdo javë, më saktësisht çdo xhuma, e nuk lejohet të tejkalohet dyzetëditëshi, duke argumentuar me hadithin e lartpërmendur.

5. LËNIA E MJEKRËS

Nga simbolet e natyrshmërisë së njeriut është lënia e mjekrës nga ana e meshkujve. Kjo është vaxhib dhe rruajtja e saj nuk është e lejuar, pasi është ndryshim i krijimit të Allahut të Lartmadhëruar, që është nga veprat e shejtanit. Në Kuran, Allahu i Lartësuar tregon se si është përbetuar shejtani: “Do t’i urdhëroj njerëzit që ta ndryshojnë krijaturën e Allahut.”1

Argumente për lënien e mjekrës janë një numër hadithesh të sakta dhe të qarta që kanë ardhur nga Muhamedi salallahu alejhi ue selem në formën urdhërore. Nga ato hadithe veçojmë:
Transmetohet nga Ibn Omeri, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kundërshtoni mushrikët (idhujtarët), shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat.”2
Transmetohet nga Ebu Hurejra, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Shkurtoni mustaqet dhe lini mjekrat. (E me këtë) Kundërshtoni zjarrputistat.”3
Transmetohet nga Ebu Umameh, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat. (E me këtë) Kundërshtoni ehlul-kitabët (është fjala për hebrenjtë dhe të krishterët).”4

Gjithë këto citate që u përmendën kanë ardhur në mënyrën urdhërore dhe parim i përgjithshëm te usulistët5 është se urdhri i Profetit, bekimi dhe paqja e Allahu qofshin mbi të, aludon për obligueshmëri (vaxhib), nëse nuk gjendet ndonjë citat tjetër që e zbut këtë urdhër në preferim (sunet). Për çështjen në fjalë nuk ekziston ndonjë citat tjetër që e zbut këtë dhe atëherë nuk kalohet në thënien se kjo është sunet, por mbetemi në thënien e obligueshmërisë.

Thëniet e dijetarëve rreth mjekrës

Disa nga fukahatë kanë thënë se lënia e mjekrës është nga sunetet e natyrshmërisë dhe nuk e quajnë vaxhib, megjithëkëtë ata janë rigoroz në ndalimin e rruajtjes së saj. Shumica (xhumhuri) e ulemave kanë deklaruar se rruajtja e mjekrës është haram, kurse disa prej tyre kanë thënë se është mekruh (e urryer), duke pasur parasysh mekruhin që arrin shkallën e haramit. Ja disa nga thëniet e tyre:

1. Dr. Abdulvehab Havasi6 në librin e tij7 sjell thëniet e fukahave rreth lënies së mjekrës. Ai thotë: “Kurse sa i përket dijetarëve hanefi në këtë çështje, në librin ‘Ed-deru Muhtar’ (i dijetarit të njohur hanefi Ibën Abidin) thuhet: “Meshkujve u ndalohet prerja e mjekrës”, domethënë rruajtja e saj. Gjithashtu, në kapitullin e agjërimit thuhet: “Kurse marrjen prej saj”, d.m.th. marrjen prej mjekrës më shumë se një grusht, si praktikojnë disa prej magribianve dhe burrave që u ngjasojnë femrave, nuk e lejoi askush. Kurse marrja e tërë mjekrës (rruajtja) është nga veprat e çifutëve të Indisë dhe e zjarrputistëve.”8
2. El-Adeviju, njëri prej dijetarëve të njohur malikitë, thotë: “Është transmetuar nga Imam Maliku se e ka urryer aq shumë rruajtjen e mjekrës, saqë ka thënë se kjo është prej veprave të mexhusive (zjarrputistëve)…”9
3. Shejh Ahmed bin Kasim el Abadi, nga dijetarët e shafive, thotë si vijon: “Ibn er Rrif`eh në “Hashijetul-l Kafijetu” thotë: “Imam Shafiu ka thënë në “El Um” se është haram rruajtja e mjekrës. Këtë thënie të imam Shafiut e ka cekur edhe ez Zerkeshiju dhe el Hulejmiju në “Shubel Iman”. Gjithashtu kjo ceket edhe nga profesori el Kafal esh-Shashi në ”Mehasinu esh-Sheriati” për ndalimin e rruajtjes së mjekrës.”10
4. Ibn Tejmija në “el Ihtijarat” thotë: “Ndalohet rruajtja e mjekrës”11
5. Ibn Hazmi thotë: “Dijetarët kanë rënë në ujdi se rruajtja e mjekrës është deformim, që nuk lejohet.”12
6. Ibn Abdil Berri thotë në “Et-Temhid”: “Ndalohet rruajtja e mjekrës dhe nuk e bën këtë vepër askush përveç atij i cili dëshiron të marrë cilësi grash.”
Përveç këtyre dijetarëve të hershëm, edhe shumë dijetarë të tjerë e kanë ndaluar rruajtjen e mjekrës. Prandaj nuk do të zgjerohemi më shumë në këtë, por dëshirojmë të bëjmë të ditur se muslimani i cili dëshiron të jetë i përkushtuar ndaj besimit të tij nuk bën të heqë dorë nga kjo praktikë, edhe nëse gjendet dikush nga dijetarët, posaçërisht disa bashkëkohorë, të cilët njihen për më shumë liberalizëm në dispozita, që mbajnë mendimin se kjo gjë është sunet.

6. SHKURTIMI I MUSTAQEVE
Edhe kjo praktikë konsiderohet prej natyrshmërisë dhe është një formë me të cilën dallohemi nga jobesimtarët, pasi i Dërguari, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, na ka urdhëruar të lëmë mjekër dhe të shkurtojmë mustaqet, si vërtetohet në hadithet e lartpërmendura.

7. PËRDORIMI I MISVAKUT

Misvaku është një lloj druri i cili përdoret për pastrimin e dhëmbëve. Lloji më i mirë është ai i pemës “Arak”, që rritet në krahinën e Hixhazit (vendndodhja e dy Haremeve). Aishja, Allahu qoftë e kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Misvaku është pastrim për gojën, kurse kënaqësi për Zotin.”13
Pastrimit i dhëmbëve me misvak vërtetohet me dhjetëra hadithe dhe kjo nxjerr në pah atë që dëgjojmë shpesh nga mjekët bashkëkohorë për rëndësinë e mirëmbajtjes dhe të pastrimit të dhëmbëve. Përdorimi i misvakut është i preferuar në çdo rast, mirëpo rekomandimi i tij del në pah edhe më shumë në këto raste:
Gjatë marrjes së abdestit- sepse i Dërguari i Allahut, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Sikur mos ta rëndoja umetin tim, do t’i urdhëroja ta përdorin misvakun para çdo abdesti.”14
Gjatë namazit- I Dërguari i Allahut, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Sikur mos t’ia vështirësoja umetit tim, do t’i urdhëroja ta përdorin misvakun para çdo namazi.”15
Gjatë leximit të Kuranit- Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Na urdhëroi i Dërguari, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ta përdorim misvakun e pastaj tha: “Kur njeriu ngrihet për të falur namazin, vjen meleku që të dëgjojë Kuran, të cilin e lexon ai, dhe vazhdimisht i afrohet, saqë vendos gojën e tij në gojën e atij, kështu që çdo ajet që ai thotë, shkon në fytin e melekut.”16
Kur hyhet në shtëpi- Mikdam Ibn Shurejhu transmeton nga babai i tij, i cili thotë: “E kam pyetur Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Kur hynte i Dërguari, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në shtëpi, çfarë bënte së pari?’ Ajo më tha: “Përdorte misvakun.”17
Kur zgjohesh natën- Hudhejfeja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Kur zgjohej Muhamedi, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për të falur namaz nate, i fërkonte dhëmbët me misvak.”18

Dijetarët janë pajtuar se nëse në vend të misvakut përdorët ndonjë mjet tjetër, si brusha, që realizon atë që bën misvaku (d.m.th. pastron dhe largon mbeturinat), atëherë ajo lejohet dhe e zëvendëson atë.

8. PASTRIMI I VENDIT NDËRMJET GISHTËRINJVE

Vendi ndërmjet gishtërinjve është vendi ku mblidhen mbeturinat dhe ndyrësirat, prandaj është nga natyrshmëria e muslimanit kujdesi ndaj tyre. Pastrimi i këtyre vendeve është i preferuar gjithnjë, por gjatë marrjes së abdestit dëshmohet më mirë. Nga Ibën Abasi tregohet se i Dërguari i Allahut, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kur të marrësh abdest, fërko në mes të gishtave të duarve dhe të këmbëve!”19

 

9. LARJA E HUNDËS ME UJË

Pastrimi i hundës bëhet duke futur ujin në hundë (istinshak), pastaj duke e nxjerrë atë (istinthara). Nuk ka dyshim se edhe larja e hundës ka dobi të shumta, që realizojnë kujdesin dhe mirëmbajtjen e pastërtisë, pasi hunda është vend ku mblidhen shumë papastërti dhe konsiderohet si filtër i ajrit që thithim në mushkëri. Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur të marrë abdes ndonjëri nga ju, le të futë në hundë ujë, pastaj le ta pastrojë atë.”1
10. ISTINXHA- PASTRIMI PAS KRYERJES SË NEVOJËS

Me termin “istinxha” nënkuptojmë eliminimin e gjurmëve të papastërtisë nga trupi pas kryerjes së nevojës së madhe dhe të vogël. Edhe kjo praktikë llogaritet nga natyrshmëritë e pastra të njeriut, pasi ka të bëjë me mënjanimin e ndyrësirave nga trupi. Dhe kjo konsiderohet vaxhib te fukahatë.2

Normat që kanë të bëjnë me kryerjen e nevojës dhe të pastrimit pas saj

Normat e kryerjes së nevojës dhe rregullat që kanë të bëjnë me të mund të përmblidhen në këto pika:

1- Është e preferuar për atë që dëshiron të hyjë në nevojtore që të thotë:
(( بسم الله ، أللهم إني أعوذ بك من الخبث و الخبائ))

“BISMIL-LAH, ALL-LIAHUMME INNI E’UDHU BIKE MINEL HUBUTHI VEL HABAITH”.
“O Zot! Unë të kërkoj mbrojtje prej të ligëve dhe të ligave!”3

Kurse Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton nga i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, se ka thënë:
“Kur njeriu hyn në nevojtore, mbulesa e avretit të tij është thënia BISMIL-LAH.”4

2- Mustehab është që kur të dalësh nga nevojtorja të thuash “GUFRANEKE” -“Të kërkoj falje Ty, o Zot!”, ngase i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, kur dilte nga nevojtorja, thoshte kështu, e kjo transmetohet nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe gjendet në koleksionet e Ibn Maxhes dhe të Tirmidhiut.5

3. Është e preferuar që kur hyhet në tualet, në fillim të futet këmba e majtë, pastaj e djathta, ndërsa kur del nga ajo, të dilet me të djathtën para së majtës. Kjo sepse e djathta përdoret për vende fisnike, ndërsa e majta për në vendet që nuk janë fisnike. Argumentet për këtë janë të përgjithshme.

4- Nëse kryhet nevoja në ndonjë hapësirë, është mirë që njeriu të largohet prej njerëzve, që të mos shihet. Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Dolëm me Muhamedin, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, në rrugë dhe ai kur kreu nevojën, u largua aq shumë, saqë nuk shihej (e kështu vepronte gjithnjë).”6

5. Është e preferuar që të mos e ngresh (apo ulësh) rrobën derisa të afrohesh te toka: Transmetohet nga Ibën Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se: “Kur i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, donte të kryente nevojat e tij personale, ai nuk e ngrinte rrobën e tij, derisa të ulej dhe të afrohej te toka.”7

6- Nuk është e lejuar të kthyerit nga Kibla dhe as kthimi i shpinës nga ajo gjatë kryerjes së nevojave personale. Transmetohet nga Ebu Ejub el Ensari, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ka thënë: “I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kur të shkoni në vendin e kryerjes së nevojave personale, mos u ktheni nga Kibla gjatë kryerjes së nevojës së trashë apo të hollë dhe as mos i ktheni shpinën asaj, por kthehuni nga lindja apo nga perëndimi.” Ebu Ejubi thotë: “Kur shkuam në Sham, gjetëm që banjat (w.c.) ishin ndërtuar me drejtim nga Kibla, kështu që kur kryenim nevojat, ne ndryshonim drejtim dhe kur dilnim, i kërkonim falje Allahut.”8

7- Ndalohet kryerja e nevojës në rrugë dhe në vendpushim, sepse Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Frikësohuni dy të mallkuarve.” Thanë: “E cilët janë ata?” E ai, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, tha: “Ata që e kryejnë nevojën në rrugë (vendkalime të njerëzve) dhe në vendpushime (nën hije).”9

8- Është e urryer derdhja e urinës në banjë, duke u bazuar në transmetimin e Humejd ibn Humejrit, i cili ka thënë: “E takova një person i cili kishte takuar të Dërguarin, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ashtu siç kishte takuar Ebu Hurejrën, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: “I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka ndaluar të krihemi për çdo ditë dhe të derdhim urinë në vendin e larjes (banjë).”10

9. Ndalohet urinimi në ujë të ndenjur. Transmetohet nga Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se: “I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka ndaluar nga të urinuarit në ujë të ndenjur.”11

10- Lejohet derdhja e urinës në këmbë, posaçërisht nëse jemi të sigurt nga mosspërkatja, mirëpo të ulurit është më mirë. Por nëse nuk jemi të sigurt nga kjo, atëherë obligohemi të ulemi. Hudhejfeja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë:
“I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, shkoi te hedhurinat e një populli dhe derdhi urinën duke qenë në këmbë, e unë dëshirova të largohem, kurse i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, më tha: “Afrohu!” Unë u afrova dhe u ndala pas tij e ai mori abdest dhe i dha mes’h mesteve.”12
Thamë se derdhja e urinës ulur është më mirë, ngase i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, më shpesh kështu vepronte. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Kush thotë se Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka derdhur urinën në këmbë, mos i besoni.”13
Kjo thënie e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, nuk është në kontradiktë me hadithin që transmeton Hudhejfeja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ngase ajo ka folur atë që ka parë dhe Hudhejfeja atë që ka parë. Por është e ditur se pohimi ka përparësi ndaj mohimit, ngase ai që pohon di më tepër se ai që mohon.

11- Është detyrë që të pastrohet organi prej urinës. Transmetohet nga Abdull-llah Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka kaluar pranë dy varreve dhe me këtë rast ka thënë: “Që të dy këta janë duke u dënuar, jo për një gjë të madhe. Njëri prej këtyre të dyve nuk pastrohej prej urinës, kurse tjetri barte fjalët në mes njerëzve.”14

12- Ndalohet të prekurit e organit me dorë të djathtë duke urinuar, e gjithashtu ndalohet përdorimi i dorës së djathtë gjatë pastrimit prej nevojës së madhe. Ebu Katadeja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Kur ndokush prej jush urinon, le të mos e prekë organin me dorën e djathtë të tij e as mos ta përdorë për pastrimin nga nevoja.”15

13- Pastrimi prej nevojës së madhe mund të bëhet me ujë, me gurë ose me diçka të ngjashme, mirëpo përdorimi i ujit është më i mirë.
“Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, shkonte në nevojtore, kurse unë dhe një djalosh i dërgonim ujë dhe i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, pastrohej nga nevoja e madhe me ujë.”16
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Kur ndokush prej jush shkon të kryejë nevojën e tij, le të marrë me vete tre gurë, këto i mjaftojnë nga uji.”17

14. Nuk lejohet që të përdorësh më pak se tre gurë. Transmetohet nga Selam el Farisi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se dikush i tha atij: “I Dërguari juaj ju ka mësuar çdo gjë, madje edhe mënyrën e kryerjes së nevojave personale.” Selmani i tha: “E vërtetë. Ai, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, na ka ndaluar që të drejtohemi nga Kibla kur kryejmë nevojën e trashë apo të hollë, na ka ndaluar nga të pastruarit me dorën e djathtë, nga të pastruarit me më pak se tre gurë, nga të pastruarit me jashtëqitje kafshe apo me eshtra.”18

15- Nuk lejohet të pastruarit me eshtra apo me jashtëqitje kafshësh pas kryerjes së nevojave personale. Transmetohet nga Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka ndaluar nga të pastruarit me eshtra apo me jashtëqitje kafshësh.”19

Alaudin Abazi