Do të pyetesh në varr: “Kush është Zoti yt?”; “Cila është feja jote?”; “Kush është Profeti yt?”, ashtu siç thuhet në hadithin të cilin e transmeton Imam Ahmedi e të tjerë.
Në Ditën e Gjykimit do të pyeten të parët dhe të fundmit: “Çfarë keni adhuruar?”; “Si i jeni përgjigjur të Dërguarve?”; ashtu siç thuhet në ajetet 62-65 të Sures Kasas, si dhe në tefsirin e Ibni Kethirit.
Do të pyetet çdo njeri në Ditën e Gjykimit për jetën dhe rininë e tij si e ka kaluar, për pasurinë e tij, si e ka fituar dhe ku e ka shpenzuar, dhe për dijen e tij, si ka punuar me të. Ka thënë i Lartësuari: “…me të vërtetë që të dëgjuarit, të shikuarit dhe zemra, secila prej tyre do të pyetet (nga Allahu në Ditën e Llogarisë).” (Isra, 36)
Gjithashtu ka thënë i Lartësuari: “Kështu pra për Zotin tënd (o Muhamed), Ne padyshim që do t’i marrim ata të gjithë në pyetje e në llogari për gjithçka që kanë punuar.” (Hixhr, 92- 93)
Shkaqet që të çojnë për të dhënë përgjigje të saktë janë:
Besimi i sinqertë;
Puna e mirë;
Devotshmëria;
Pendimi i çiltër;
Kërkimi i faljes.
Kështu pra, vëlla dhe motër muslimane, përgatit për këto pyetje përgjigjen e duhur, duke llogaritur vetveten në atë që thua dhe vepron, që të jesh prej atyre që e kalojnë me sukses këtë provim.
“Atë ditë as pasuria dhe as fëmijët nuk do të vlejnë, përveç atij që vjen tek Allahu me zemër të pastër.” (Shuara, 28- 29)
Allahu na ruajtë dhe na përfshiftë në mbrojtjen e Tij!