Sprovat në jetën e njeriut

0
254

Përkohësia është bashkëshoqëruesja e përhershme e njeriut mbi sipërfaqen e tokës. Edhe pse njeriu është i sigurt së është i përkohshëm mbi këtë nënqiell, një nga përfytyrimet më tipike që e karakterizon është shpresa se horizonti i fundmë i jetës mbi tokë është tepër larg dhe duhet një kohë e gjatë për të mbërritur atje. Madje ndonjëherë mund t’i duket sikur nuk do ta mbërrijë këtë horizont për shumë e shumë kohë. Kjo ndodh, sepse njeriut gjërat që nuk i pëlqejnë apo i urren kërkon t’i shohë sa më larg prej vetes së vet, mirëpo nëse ka ngjarje në jetën e përditshme që mund edhe të evitohen, mbërritja në horizontin e fundmë të përkohësisë është ngjarje e pashmangshme, sado të largët ta përfytyrojë apo konsiderojë njeriu.

Përgjatë jetës së vet njeriu ndeshet me realitetin që e rrethon, të cilit shpeshherë mund t’i kundërvihet me realitete paralele të krijuara në përfytyrimet e veta. Sado realitete paralele të ngrejë njeriu në përfytyrimet e tij, ai që e rrethon qëndron aty, para tij, me gjithë të mirat apo të ligat e veta.

Qysh nga momenti kur njeriu plotëson moshën për t’u konsideruar i përgjegjshëm për fjalët dhe punët që do të kryejë më pas, para tij shtrihet sfida e të qenit njeri, sfida e të qëndruarit në kufijtë e natyralitetit njerëzor, për të mos u deformuar nga realitete paralele apo nga pjesa e vorbullave të së keqes të realitetit që e rrethon. Pikërisht këtu qëndron dhe sfida më themelore e njeriut, të mbetet njeri përtej të gjithave ngjarjeve që e mbushin jetën e tij në kufijtë e përkohësisë. Të mbetesh njeri, për njeriun e ditëve të sotme, i rrethuar nga një realitet i ashpër, nuk është dhe aq e lehtë sa mund ta konsiderojnë shumë syresh. E megjithatë, çdokush bën llogaritë e tij, edhe pse në shumë raste bëjmë llogaritë e të tjerëve, duke harruar që më së pari të jemi hanxhinj të veteve tona.

Përtej dëshirave dhe realiteteve paralele të ndërtuara në përfytyrimet e njeriut, rendi natyror e ka vulosur fatin e njeriut me sakrificën për të qenë njeri, për të dalë përtej horizontit të fundmë të përkohësisë mbushur më këtë sakrificë dhe jo me përfundjen ndaj shtjellave të humnerave të fundbotshme. Kësisoj, jeta e njeriut është arena ku vazhdimisht ai duhet të mposhtë vetveten për të qenë vetvetja, pra ajo autentikja, origjinalja, dhe jo ajo e përfytyrimeve dhe dëshirave opake. Sado kohë të zgjasë përkohësia, është e pamundur shmangia për të qenë autentikë. Për të mbërritur pikërisht këtu, njeriu nuk mund të luftojë i vetëm në këtë arenë, ku egërsia, dredhia, hilja, mashtrimi, arroganca, krenaria e sëmurë, narcizmi, pamëshirshmëria, mburracakëria, dozat dhe nuancat e mendjemadhësisë janë kundërshtarët që presin rastin më të parë për ta përfundur njeriun nën thundrën e tyre.

Vështirësitë e të qenit njeri janë një realitet që nuk mund të shpërfillet e as të lihet jashtë vëmendjes. Kushdo që e lë këtë jashtë vëmendjes, do t’i duhet të provojë shijen e hidhur të disfatës, shkaktuar prej atyre që presin rastin më të parë për ta përfundur nën thundrën e tyre. Askush nuk ka dëshirë të përballet me vështirësi, vuajtje, sfida, probleme, prandaj sikur të ishte për njeriun do ta kishte shmangur prezencën e këtyre nga jeta e vet. Por përtej asaj çfarë mendon apo planifikon njeriu për jetën e tij, ndodhet fati i tij, që i rezervon vështirësi dhe sfida të paracaktuar prej tij, por të panjohura për njeriun.

Të gjithë e dimë dhe e pranojmë që e ardhmja është e panjohur, dhe rrjedhimisht e paarritshme nga sfera e njohurive tona. Përtej kësaj pafuqie për të njohur atë që do të jetë pjesë e jetës sonë, ne ndërtojmë planet tona se si do të jetë e ardhmja, edhe pse për këtë nuk jemi aspak të sigurt. Edhe pse nuk e njohim të ardhmen, nuk do të thotë që të mos punojmë për të, por le të mos e lodhim veten me asilloj planesh, që ndoshta nuk do jenë kurrë pjesë e së ardhmes sonë, sepse fati do të na çojë në rrugët e tij, aty ku njeriu do të gjejë të realizuar atë çfarë në të vërtetë është dhe çfarë në të vërtetë mund të durojë dhe mbajë në zemrën e tij.

Sprovat që fati na ka rezervuar, nuk mund të jenë të njëjta për të gjithë njerëzit. Çdokush ka vështirësitë e veta, problemet e veta që duhet të zgjidhë, vuajtjet, dhimbjet e veta, gëzimet dhe haretë e veta, varfërinë apo pasurinë e vet, sepse të qenët në vështirësi nuk ka të bëjë vetëm me mospasjen por edhe me të qenët mirë materialisht.

Njeriu vazhdimisht punon që të përmirësojë kushtet jetësore dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Vazhdimisht përpiqet të lehtësojë jetën e tij duke konsumuar produkte të cilat lehtësojnë ndjeshëm jetën e përditshme. Nëse vazhdon për ndonjë kohë të caktuar të jetojë në këtë gjendje, pak a shumë të stabilizuar, fillon e krijon bindjen se punët e tij janë vendosur në vijë, dhe jeta e tij po rrjedh atje ku ka pasur gjithmonë dëshirë. Të jetuarit më këtë ndjesi i jep njeriut njëfarë sigurie në vetvete se deri diku, është i panevojshëm për ndonjë gjë tjetër në jetën e tij. Mirëpo fati nuk dëshiron që njeriu ta harrojë atë, prandaj dhe vazhdimisht rezervon vështirësi dhe probleme, për ta zgjuar njeriun nga gjumi i vetëmjaftueshmërisë dhe i letargjisë, për ta zgjuar dhe për t’i thënë se nuk mund të harrosh se për kë ke nevojë në kohë të vështira, për t’i thënë se nuk mund të ngjitesh në sferat e personaliteteve të larta, duke qëndruar në gjendjen e letargjisë për shkak të të mirave që të janë dhënë.

Në qoftë se vështirësitë dhe problemet do t’i shohim nga kjo optikë dhe jo nga ajo që njerëzit i shohin zakonisht (pse mua, ç’paskam bërë që të kem këtë apo atë vështirësi, etj.), do të bindemi se asnjë vështirësi, problem dhe sfidë nuk vjen së koti në jetën e njeriut, pavarësisht se e kuptojmë apo jo urtësinë e ngjarjeve të këtyre dimensioneve. Çdo ngjarje e këtyre dimensioneve i japin formë jetës së njeriut në atë lloj mënyre që ai gjithmonë të gjejë atë që kërkon, sepse ajo që je duke kërkuar është duke të kërkuar ty (Rumiu). Dhe ti nuk mund ta gjesh atë që kërkon vetëm duke qenë mes rehatisë dhe bollëkut, sepse për të marrë një trëndafil duhen duruar shpimet dhe çjerrjet e gjembave, përndryshe nuk do ta ndjesh kënaqësinë e aromës së trëndafilit, vetëm duke e vështruar së largu.

Të vështruarit e sprovave nëpërmjet kësaj optike ka një rëndësi të veçantë, sepse nuk e lë njeriun të përfundet nga pesha e dobësisë së tij, që nuk arriti të shmangë këtë apo të vështirësi, por i jep forcë për të vazhduar përpara, sepse fati në përfundim do t’i mundësojë të arrijë atë që është më e mira për jetën e tij në përkohësi.

Ky besim i thellë se sprovat do të përfundojnë atje ku është më e mira për njeriun, i jep qetësi dhe vizion të qartë edhe atëherë kur të tjerët shohin vetëm probleme pa fund dhe pa zgjidhje, dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe, kur të gjitha ngjarjet në jetën e njeriut nuk janë të lidhura pashmangshmërisht vetëm me optikën këtu dhe tani.

Nuredin Nazarko

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here