Përballja ideore, doktrinore apo filozofike ndërmjet besimit në Zot dhe jobesimit është, që prej fillimit, pjesë e çdokohëshme e historisë së njerëzimit. Ajo ka qenë dhe do të jetë e pranishme, ashtu, dallgë-dallgë, herë e nxehtë, e ashpër dhe agresive, herë e qetë, por gjithmonë e atyshme mbi Tokën e Ademit dhe Havasë. Këtë e vërtetojnë gjetjet arkeologjike, dokumentet historike që na vijnë deri më sot, ashtu edhe Librat e besimeve fetare. Edhe opinionisti Mustafa Nano ka qenë mjaft aktiv në kësi debati publik, sidomos në hapësirën mediatike shqiptare. I pozicionuar qartë si ateist, në një shkrim të tijin në fillim të shtatorit 2016, ai rreket të trajtojë çështje që i adresohen posaçërisht fesë islame dhe myslimanëve. (shkrimi “Çfarë ka që nuk shkon me Islamin në ditët e sotme?” botuar fillimisht në gazeta “Panorama”, 08 shtator 2016).
Trazimet e Mustafait qytetar, teza e Nanos jofetar dhe “myslimani” Islamreformues tinëzar
Duke lexuar shkrimin e Mustafa Nanos, të përftohet në mendje imazhi i një opinionisti të dyzuar, emër dhe mbiemër, eklektik, mes Mustafait (i zgjedhur, i nderuar) si qytetar dhe Nanos (shumë shumë i vogël përballë Islamit) si jofetar. Reagimi dhe opinionet e Mustafait si qytetar janë të mirëkuptuara nga besimtarët myslimanë, sepse e mira dhe e keqja sot janë globalizuar, ndaj edhe pasojat që ato prodhojnë në shoqëri emocionojnë, ngacmojnë apo shqetësojnë çdokënd, myslimanë e jomyslimanë, fetarë e jofetarë.
Qytetari Mustafa e nis shkrimin e tij me përshtypjet që i janë ngulitur nga vizita e bërë në një zonë të lagjes Molenbek të Brukselit. Edhe pse e ka dëgjuar, ai duket si i befasuar nga realiteti i “prekur me duar” dhe i parë me sy në atë geto myslimane në zemër të kryeqytetit të Evropës zyrtare. Vizitori evidenton problemet e një komuniteti të vetizoluar, pisllëkun (“si këtej nga anët tona” shkruan ai në mënyrë ironike dhe jo pa qëllim), të rinjtë përtacë që qëndrojnë rrëmujshëm dhe zhurmshëm nëpër rrugë, burra që veç llafosen në gjuhët e tyre turke apo arabe, apo tek-tuk edhe gra të veshura sipas traditës. Nxitimthi e quan “myslimane” atë botë paralele e të kundërt me jetën e metropoleve perëndimore. “Nuk ka asnjë diskutim që këto geto janë ndërtuar prej myslimanëve. Dhe jo prej hallit, por prej qejfit…” shprehet opinionisti kalimtar.
Mendoj se është joserioze për një analist, për të mos thënë manipulative e djallëzore për një ateist, të arsyetojë dhe nxjerrë përfundime mbi të vërteta të pjesshme. Ashtu siç ka komunitete myslimanësh që jetojnë si i ka parë Mustafai, ka edhe shoqëri myslimanësh që kanë arritur nivele jetese nga më të lartat në botë. Gjithashtu duhet theksuar se ata njerëz myslimanë, marokenë, tunizianë, sirianë, afganë etj., etj., që jetojnë në ato kushte, jo prej qejfit (si ia ka ënda Nanos), por se ashtu janë gatuar, janë bulmeti i staneve kolonialiste qindravjeçare, janë kallëpe me karakter të deformuar të regjimeve totalitare, janë viktima të politikave hibride, klanore e farefisnore, laike, ideologjike e nacionaliste, që s’kanë të bëjnë fare me Islamin dhe dimensionin qytetërues të tij. Edhe ne shqiptarët, si popull, po e vuajmë një deformim të tillë, prandaj shfaqim shpesh të njëjtat simptoma, që Mustafait i pëlqen ta shkruajë “si këtej nga anët tona”. Sidomos moshat mbi 40 vjeç jetojnë me një karakter të dyfishtë, herë sipas traditës fetare stërgjyshore, e herë sipas kallëpit të njeriut të ri ateist. Prandaj përditshmëria jonë është e mbushur me devijanca shoqërore, me sjellje të rëndomta, sa të çuditshme, aq edhe paradoksale. Çuditërisht, ndikimet e sistemit ateist në sjelljet dhe dukuritë sociale të sotme në shoqërinë tonë, nuk janë studiuar nga sociologë, psikologë etj.
Sigurisht që Mustafa Nano ka lexuar mbi fenë islame, e, edhe Kur’anin. Në rolin e opinionistit mediatik ka takuar, biseduar dhe është konsultuar me besimtarë myslimanë. Në shkrimin e tij, ai i mëshon tezës se Islami sot po përjeton një krizë të madhe, prandaj për ta shpëtuar duhet ndërmarrë një aksion reformimi. Për këtë citon një myslimane ugando-kanadeze Irshad Manji, e cila shprehet: “Ne myslimanët jemi në krizë, dhe me këtë jemi duke tërhequr pas vetes edhe pjesën tjetër të botës. Nëse ka pasur ndonjëherë një moment për të ndërmarrë aksionin për reformimin e Islamit, ai moment është tani. Kuptojeni këtë, në keni Perëndi!” Me entuziazmin e përftuar nga këto rreshta, ai nxiton të caktojë edhe kohën e aksionit reformues. Ja si shkruan: “… Me sa duket, çdo fe ka kohën e vet rrezikzezë… Islami e ka këtë kohë tani. Pse tani? Kjo është një pyetje e madhe, të cilën, për të mos e pasur si gjyle nëpër këmbë me këto arsyetime që po bëj, po e anashkaloj me një pohim të thjeshtë: Është një kontekst i caktuar historik, e disa faktorë të natyrës jofetare që e inkurajojnë dhe e legjitimojnë këtë shkumëzim të Islamit pikërisht tani…” Dhe më tej shpalos disa prej ideve të reformatorëve të Islamit për ta bërë atë të puqshëm me modernitetin si: 1. Terroristët dhe xhihadistët janë myslimanë, dhe ky fakt përbën një problem për Islamin; 2. Kur’ani, ashtu si edhe Libra të Shenjtë të feve të tjera, është kontradiktor, dykuptimësh, i dhunshëm etj., e prandaj nuk mund të lexohet germë për germë; 3. Problemi i Islamit sot janë vetë myslimanët, dhe me këtë kam parasysh myslimanët normalë, paqësorë, të cilët nuk janë në gjendje të vrasin qoftë dhe një mizë…
“Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe!” (Kur’an, 5/3)
Këto ide janë shigjeta që, gjoja në emër të dashamirësisë e paqes, synojnë të godasin zemrën e Islamit. Se kush janë reformatorët myslimanë të Islamit nuk e mësojmë dot nga artikulli i jofetarit Nano. Si i lëçitur që është, ai e ka mësuar mirë se Kur’ani është Libri i Islamit, që udhëzon njeriun në besimin e drejtë e të pastër monoteist. Dhe myslimani e ka pjesë të rëndësishme të fesë besimin në plotësinë dhe pandryshueshmërinë e Kur’anit dhe Islamit. Kur’ani është mbrojtur dhe ruajtur i pandryshuar për mbi 14 shekuj, germë për germë, siç ka zbritur. Prandaj nuk mund të quhesh mysliman nëse pretendon se Kur’ani është kontradiktor, dykuptimësh, i dhunshëm, apo pjesë-pjesë i vlefshëm. Islamreformues që mbrojnë ide të tilla (nëse ekzistojnë) nuk mund të quhen myslimanë, ata janë tinëzarë, me punë jobesimtari. Në Islam ka vetëm ripërtëritje dhe ripërtëritës. Islami nuk njeh reformim dhe reformator. Kush e pretendon këtë, e ka të kotë, sepse Zoti ua ka përplasur dhe mbyllur këtë derë përgjithmonë: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe!” (Kur’an, 5/3) Islami dhe Kur’ani janë Mirësi e Zotit. Kur’ani është mbrojtur dhe mbartur në zemrat e miliona hafizëve, këtyre bibliotekave të gjalla dhe, nanoduart reformatore nuk mund ta arrijnë dritën e tyre.
Reagimi dhe opinionet e Nanos si ateist duken sa paradoksale, aq edhe djallëzore. A nuk është paradoksale që një jofetar i deklaruar të angazhohet dhe të sugjerojë reformimin e besimit fetar?! A nuk është djallëzore që ateisti t’i ofrojë besimtarit mysliman një fe islame sipas kornizës së kundërshtarit doktrinor, ashtu siç bënte ujku dredharak me kaun, të cilit synonte t’i hiqte brirët për ta ngrënë më lehtë?!
Idetë për reformimin e Islamit nuk janë të reja. Gjithmonë ka pasur njerëz dhe grupime që nuk i kanë pëlqyer, apo i kanë kontestuar parimet dhe mësimet themelore të fesë islame. Madje, që në kohën e të Dërguarit Muhamed, gjoja në emër të shuarjes së konflikteve, janë kërkuar kompromise për adhurimin me radhë të Zotit dhe të idhujve. Ndonjëherë është kërkuar heqja e namazit, e ndonjëherë mosdhënia e zekatit… Tani na sugjerohet djallëzisht që, për shkak të kontradiktave e dhunës që nxit, ta lexojmë Kur’anin hop këtu e hop aty. Por, falë mbrojtjes hyjnore, mes sfidash e intrigash, Islami dhe Kur’ani kanë mundur të ruajnë origjinalitetin, pastërtinë, paprekshmërinë. “(Ky është) Ligj i Allahut, që është i kahershëm edhe ndër të parët. Në ligjin e Allahut nuk do të gjesh ndryshime.” (Kur’an, 48/23) Është i njëjti Islam dhe Kur’an që u përjetua në kohën e të Dërguarit Muhamed. Është i njëjti Islam dhe Kur’an që frymëzoi sahabet, imamët e mëdhenj të shkollave juridike islame, Gazaliun, Ibni Haldunin, Farabiun, Abbas ibn Fernas, Musa ibn Shakirin, Ibrahim Zurkalin, Bettanin, Ibn Hejthemin, etj. etj., që kontribuuan në të gjitha fushat e dijes shoqërore dhe natyrore. Është i njëjti Islam dhe Kur’an që ndiqet sot nga afro çereku i banorëve të planetit, të cilët përbëjnë mbi 95% të myslimanëve, që jetojnë e punojnë të qetë, të matur, të moralshëm e të përkushtuar në veprimtarinë e tyre të përditshme materiale e shpirtërore. E, pas kësaj, si mund të të shkojë mendja të përdorësh si argument për reformimin e Islamit, punët e një pakice të korruptuar e karakterdeformuar disa përqindëshe të ashtuquajtur myslimane? Të paktën rregulloni termin “reformim të Islamit”, nëse dëshironi të jeni seriozë në idetë tuaja. Pra, do të ishte më e arsyeshme të kërkoni një të kuptuar të drejtë të Islamit nga shtresat e ndryshme të shoqërisë. “… Sepse duhet pranuar një gja, që nuk ka religjione destruktive, por ka njerëz destruktivë që e përdorin religjionin…” (Kim Mehmeti)
Vetë Mustafai e pranon natyrën jofetare, por politike, sociale dhe ekonomike të çështjeve të myslimanëve, kur shkruan se “është një kontekst i caktuar historik, e disa faktorë të natyrës jofetare që inkurajojnë dhe e legjitimojnë këtë shkumëzim të Islamit pikërisht tani”. Atëherë, çfarë keni me Islamin? A nuk ju duket absurde të ndërhyni për të reformuar fenë për arsye jofetare e politike?
Islami është i plotësuar nga Krijuesi dhe Sunduesi i botëve. Ai nuk ndryshon, nuk njeh dialektikë. Ateistët pandehin se mund të bëjnë me Islamin atë që kanë bërë me doktrinën e tyre. Kujtojmë që një nga bazat (shkencore!) të materializmit është teoria e evolucionit. Në afro 150 vjet teori, ndjekësit e saj, shkencëtarë e filozofë, janë detyruar që të ndërhyjnë të paktën dy herë, për ta përmirësuar, por më shumë telashe i kanë hapur vetes. Në çerekun e parë të shekullit XX, për të arnuar rrobën e grisur shpejt të darvinizmit, shpikën neo-darvinizmin. Por brenda gjysmë shekulli, sërish rroba po nxirrte në mejdan lakuriqësinë e materializmit, ndaj duhej riarnuar. E kështu, nga neo-darvinizmi u kalua në formulimin e modelit të ekuilibrit të ndërprerë. Për kësi lloj “rrobaqepësish shkencorë e filozofë” mençuria popullore thotë “qep një pëllëmbë e shqep një pash”. I nderuar Mustafa, kjo nuk ka ndodhur e nuk do të ndodhë me Islamin. Njeriu është i pafuqishëm dhe nuk ka kompetenca të ndërhyjë në Kur’an dhe Islam.
Përkundër dogmës së evoluimit të njeriut, që besojnë ateistët, shkencëtari francez Henri Simle, duke studiuar vizatimet e shpellave të neandertalit, ka arritur në përfundimin se jeta psikike e njerëzve të shpellave ka ndryshuar fare pak nga jeta psikike e njeriut të sotëm. “Edhe njerëzit e shpellës së 70000 viteve para erës së re vuanin nga “marramendja metafizike”, nga sëmundja e njeriut të sotëm” – pohon ai në një kongres arkeologësh. Materialistët i karakterizon një lloj botëkuptimi njëdimensional i historisë. Ato, me histori nënkuptojnë zhvillimin e riprodhimit material të jetës së njeriut, pra historinë e sendeve dhe jo historinë e njeriut vetë. Kjo s’është historia e kulturës njerëzore, por historia e civilizimit. Njeriu detyrohet të “krijojë” civilizimin, sikurse detyrohet të marrë frymë dhe ushqim. Civilizimi njeh kohën e vet të gurit dhe kohën e atomit. Ndërsa kultura nuk njeh zhvillim të tillë. Konfuçi, Sokrati, Isai, Muhamedi, Kanti, Tolstoi, Gandi e Martin Luteri – të gjithë këta edukatorë të mëdhenj të njerëzimit – predikonin në esencë të njëjtin moral. Tragjeditë e Sofokliut dhe të Eskilit mund të vendosen në çdo kohë, vetëm duhen ndërruar kostumet. (“Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” Alija Izetbegoviç, f. 33-49) Domethënë, në njëfarë mënyre, kultura qëndron jashtë kohës, jashtë historisë. Ajo ka ngritjet dhe rëniet e veta, por nuk ka zhvillim dhe histori në kuptimin e zakonshëm të fjalës. Të gjitha dilemat dhe pikëpyetjet e sotme, etika i ka njohur që herët. Prandaj edhe Islami, si sistem hyjnor i administrimit njerëzor, është i plotësuar dhe qëndron jashtë kohës, jashtë historisë, nuk njeh zhvillim. Çdo tentativë për reformim të tij, është devijim fatal nga natyrshmëria, është tejkalim i kufijve e, për rrjedhojë, do ta çojë njeriun, pashmangshmërisht, nga shiu i gafletit në breshrin e dëshpërimit. Dështimi i kurtheve dhe intrigave të islamreformuesve është thjesht çështje kohe. “Është e vërtetë se ai (Kur’ani) është një fjalë që dallon – gjykon. Nuk është ai i parëndësishëm! Ata vërtetë bëjnë kurthe. Po edhe Unë përgatis dështimin e kurtheve të tyre!” (Kur’an, 86/13-16)
“Mendjeshkurtësia e njeriut bashkëkohor vërehet më së tepërmi kur mbron bindjen se të gjitha gjërat i ka të qarta.” – na mëson A. Izetbegoviç (“Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” f. 62), duke na ndihmuar të kuptojmë më lehtë absurditetin dhe marrëzinë ideore të Nanos opinionbërës. Atij, mbase, i është mbushur mendja se të japësh mendime e të shkruash për besimin, të hedhësh teza e të formulosh ide për fenë, është njësoj dhe aq e lehtë sa të flasësh në televizione, apo të shkruash në faqe gazetash e portale, për lojërat dhe intrigat e klasës politike shqiptare. Ja si e përkufizon fenë jofetari Nano “… sepse rëndom feja kjo është, d.m.th. mënyra se ndjekësit e saj e interpretojnë atë… Për të vijuar me shpjegimin, po kthehem tek ideja se është marrëdhënia që besimtarët kanë me fenë e tyre, mënyra se si ata lexojnë librat e tyre të shenjtë, mënyra se si ata e praktikojnë fenë, që e përkufizon atë, fenë pra. Sigurisht, doktrina është e rëndësishme, sepse prej saj nxirren të gjitha motivimet për t’u hedhur në aksion…” Edhe në përkufizimin e fesë ai zhonglon me të vërteta të pjesshme. Pranon si të rëndësishme doktrinën, “librat e shenjtë”, por fenë e definon sipas mënyrës së të kuptuarit dhe praktikuarit nga individët. Kjo logjikë është njësoj sikur të thuash se “rëndom kushtetuta është mënyra se si politikanët tanë, shtetarët dhe qytetarët e interpretojnë dhe e zbatojnë atë!” A nuk është mendjeshkurtësi kjo?
“Feja është njohja e ekzistencës dhe njehsimit të së Zotit, arritja e kthjelltësisë shpirtërore duke vepruar në rrugën e Tij, harmonizimi i marrëdhënieve me njerëzit në emër të Tij dhe sipas urdhrave të Tij, madje edhe të ndjerët, për llogari të Tij, e një interesimi dhe dashurie të thellë ndaj të gjithë ekzistencës.” (“Kriteret”, Prizmi, Tiranë 2003, f. 33)
“Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre, por Allahu e plotëson dritën e Vet, edhe pse e urrejnë jobesimtarët” (Kur’an, 61/ 8).
Blerim Lazimi
/Revista ‘Drita Islame’ – qershor 2017/