SIKUR…!!!

0
218

Kjo fjalë është e rëndë,
Kjo fjalë të sëmur…
Vëlla,
Historia e jetës,
Nuk bëhet me “Sikur…

Njeriu nga vetë natyra e tij është një qenie e pakënaqur, e pangopur plotësisht. Ai nuk kënaqet lehtë në jetën e kësaj bote; është i pangopur dhe i pakënaqur me gjithçka që i fal jeta, me gjithçka që arrin të realizojë në këtë jetë, natyrisht me caktimin e Fuqisë Hyjnore. Ai shpesh nuk kupton dhe nuk pajtohet; nuk kupton ndryshimin, nuk dallon, por ai që nuk dallon, nuk përparon, se Zoti e ka bërë ndryshimin natyrë thelbësore të njeriut dhe botës.

Njeriu nuk kënaqet me pasurinë që ka, me të mirat materiale që zotëron, qofshin këto në formë parash apo mallrash; pasuri e luajtshme apo e paluajtshme. Ai nuk kënaqet edhe me pozitën shoqërore që ka, me vendin që zë në shoqëri. Pretendon se meriton të ketë më shumë nga këto gjëra në jetën e kësaj bote.

Aq e theksuar është kjo dukuri thelbësore te njeriu, saqë të duket, të krijohet përshtypja se diçka e rëndësishme tek ai është bosh, zbrazëti në zmadhim e sipër, që patjetër duhet mbushur. Duhet mbushur me diçka të mirë. Kjo është gjithnjë e më e dukshme tek ata që nuk besojnë, tek ata njerëz që nuk e njohin Krijuesin dhe që nuk pajtohen me caktimin e Tij. Njerëz të tillë kujtojnë se kjo botë nuk merret vesh, nuk ka drejtësi, nuk ka ligje e rregulla, nuk ka zhvillim logjik e bashkërendim të përpiktë të gjërave nga një i Gjithëdijshëm dhe i Gjithëfuqishëm. Këta njerëz mendojnë se në këtë botë ecet kuturu, në kaos të plotë, pa llogari, në mosdije dhe moskuptim, në disharmoni. “Kush dha, dha; Kush mori, mori”, thonë ata.

Por e vërteta është krejt ndryshe për ata që mendojnë dhe kanë dijeni të thella. Dëshira, vendimi dhe urdhri i Krijuesit të Gjithësisë mbështetet në urtësinë e përsosur, në një urtësi të thellë që lë gjurmë kuptimplote, të cilat pikasen, ndjehen, evidentohen dhe analizohen nga dijetarët e pajisur me arsye e frymë besimi; nga ata që besojnë, mësojnë dhe përpiqen pareshtur. Rrethi i këtyre njerëzve duhet të shtohet nga dita në ditë, që shoqëria njerëzore të bëhet më e mirë, më e denjë, më e devotshme e më falënderuese.

Jeta jonë drejtohet nga ligje fizike dhe jofizike dhe këto janë vendime, caktime e ndërtime mbi të cilat qëndron bota dhe shoqëria.

Në të vërtetë njeriu u krijua i pangopur, i pakënaqur. Duhej të vinte Shpallja Hyjnore që njeriu të paralajmërohej e këshillohej se si të ndjehet i ngopur, i kënaqur e falënderues, teksa beson dhe pranon caktimin e Zotit; të këshillohej se si të mos zemërohet dhe të bëjë durim, se si të mos ngutet duke thënë orë e çast “Sikur…”.

Feja, pra, është sistem ligjesh hyjnore për qeniet e arsyeshme tokësore.

Sikur…

Si shenjë pakënaqësie, mosbindje, mosnënshtrimi, zemërimi, inati, proteste e rebelimi ndaj caktimit të Zotit.

Një sjellje e tillë është shkatërrimtare për njeriun. I shtyrë nga mendime të errëta për jetën, fatin e vet, njeriu mund të ndërmarrë veprime të rrezikshme si ndaj të tjerëve, ashtu edhe ndaj vetes. Në këto kushte, zemra dhe mendja e tij, si enë komunikuese të shpirtit njerëzor, mbushen me helmin vdekjeprurës të urrejtjes njerëzore; urrejtja zë vendin që ka lënë bosh dashuria njerëzore, në të gjitha dimensionet e kuptimit të saj.

Dyshimi, mospranimi, pakënaqësia nga caktimi i Zotit ia shton hallet dhe problemet njeriut; e ngatërron, e mbingarkon, e dëshpëron, e fut në ngasje zilie e urrejtje.

Kur nuk na ecën në jetë, kur nuk na realizohen ëndrrat dhe synimet tona, ne shpesh nuk bindemi në caktimin e Zotit dhe ua vëmë fajin për këtë njerëzve të tjerë, familjes, shoqërisë, pa na shkuar në mendje të fajësojmë në radhë të parë veten tonë. Përse nuk themi: “Sikur…” përpara se të veprojmë, duke peshuar të mirën e të ligën që vjen nga veprimet ose mosveprimet tona?! Dështaku shfajësohet deri diku me caktimin e Zotit, me veprimin e ndikimin e njerëzve të këqij në ecurinë e jetës së tij. Ndryshe ndodh me besimtarin e devotshëm, i cili thotë: “Caktimi i Zotit është me mua. Zoti ka caktuar gjithçka të mirë për mua dhe për këto të mira do të më përdorë mua dhe njerëzit e tjerë, si shkak për të bërë realitet, për të nxjerrë në dritë mirësitë e fshehura në rrugën e jetës sime.”

Në të vërtetë caktimi i Zotit është njëtrajtësisht i ekuilibruar për të gjithë. Prandaj nuk duhet fajësuar kurrë për gjithçka fati. Jeta e njeriut është baraspeshë. “Fati mund të vendosë për gjysmën e veprimeve tona, duke lënë gjysmën tjetër në dorën tonë”, ka thënë një i mençur.

Transmetohet nga Ebu Hurejra se Profeti a.s. ka thënë: “Interesohu për atë që të bën dobi, kërkoji ndihmë Zotit dhe mos trego paaftësi. Nëse të godet diçka, mos thuaj: “Sikur të bëja ashtu, nuk do të ndodhte kështu…”, por thuaj: “Ishte caktimi i Zotit, i Cili atë çfarë e deshi, u bë”, sepse fjala “sikur” i hap rrugën djallit”.

Ka shumë gjëra në këtë jetë me të cilat njeriu duhet të pajtohet. Në radhë të parë ai duhet të pajtohet me vetveten.

Kjo nënkupton pranimin e caktimit të Zotit dhe harmonizimin e mendimeve dhe veprimeve të veta me ketë proces të pafund. Pastaj njeriu duhet të pajtohet edhe me të tjerët; kjo nuk do të thotë pajtesë vetëm kur me ata njerëz është grindur, por pajtim në formën dhe trajtën e harmonisë, bashkërendimit mes njerëzish të së njëjtës shoqëri. Së treti, lind domosdoshmëria që ne të këshillojmë, të ndihmojmë njëri-tjetrin për pajtim, harmonizim të gjithmbarshëm të jetës sonë shoqërore.

Sikur…

Kur thotë këtë fjalë njeriu mohon, refuzon, përgënjeshtron domosdoshmërinë e provës, në të cilën Zoti i Gjithëfuqishëm e vë njeriun. Nuk duhet të harrojmë se jeta e kësaj bote në fund të fundit është një provë, një ballafaqim me vështirësi e pengesa të panumërta e të panjohura.

Kjo fjalë është ankesë e protestë. Po kundër kujt? Si? Pse?

Sikur…

Është shenja e parë e mosbesimit, mosmirënjohjes, mosbindjes; shenja e parë se mëkati ka filluar të të pëshpëritë premtime mashtruese.

Sikur…

Është shenja e parë e pesimizmit pa shkak, e mbushjes së njeriut me ndjenja e mendime të zymta, me frikë. Frika e madhe, përveç asaj ndaj të Plotfuqishmit, është mjerim i madh për njeriun. Ajo e çon njeriun në humbje.

Sikur…

Shenjë që vë në pikëpyetje të drejtën e njeriut për të siguruar një jetë shpirtërore e materiale më të mirë, një gëzim të përjetshëm. “Kush është ai që i ndalon zbukurimet dhe furnizimet e pastra që Zoti i krijoi për njerëzit e Tij?!” (A’raf, 32)

Sikur…

Mohon fuqinë shpëtuese të besimit dhe shpërblimit për veprat e mira; vë në dyshim besimin dhe shpresën te Mëshirëploti. “… mos harro pjesën tënde nga bota, bëj mirë, siç të ka bërë Allahu ty…” (Kasas, 77)

Sikur…

Vë në dyshim fuqinë e pendimit. Gjithkush e ka të drejtën e pamohueshme të pendimit. Të pendohesh, do të thotë të largohesh nga të gjitha premtimet mashtruese të mëkatit; të besosh, do të thotë të pranosh Zotin dhe të kënaqesh me gjithçka që Ai premton. Pas pendimit, shpërblimin dhe shpëtimin e kërkojmë të gjithë, por në fund të fundit ato na jepen, na dhurohen falë besimit. Duket sikur e mira vjen nga s’e pandeh. Por dihet mirë se nga vjen.

O Zot, na i mbush duart plot me çka na ke caktuar; sytë na i mbush me Dritën Tënde; mendjen na e ndriço me dritën e diturisë Sate; shpirtin me besim, mirësi e dashuri; krahët me pasuri, me të cilat të marrim e të japim me gëzim e bekim prej Teje.

Hysen Kobellari

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here