Si të bëj sehvi sexhdeh nëse gaboj në namaz?

0
205

Pyetje: Hoxh i nderuar dua te pys se si behet sehvi sexhde, pasi e di qe nese gabon gjat namazit duhet bere sehvi sexhde. Si behet ajo?

Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Sehvi sexhdeja (sexhdeja e harresës) bëhet në disa mënyra, varësisht prej gabimit që është bërë në namaz:

1-Nëse njeriu shton ndonjë gjë në namaz, (shton një ruku, një sexhde, apo ndonjë rukn apo vaxhib tjetër), atëherë duhet të bëjë sehvi sexhdeh pas selamit. Sikur që transmetohet nga Abdullah ibn Mes’udi (radijallahuanhu) se: “Pejgamberi (salallahualejhiveselem) e fali namazin e drekës pesë rekatë. I thanë: A është shtuar namazi? Tha: Pse? Thanë: Ke falur pesë rekatë. Atëherë u drejtua kah kibleja dhe bëri dy sexhde”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Kështuqë nëse njeriu gabon dhe shton ndonjë gjë në namaz, ai duhet të bëjë sehvi sexhdeh pas selamit (dy sexhdeh dhe pastaj të jep selam përsëri).

2-Nëse njeriu harron dhe mangëson ndonjë gjë në namaz, atëherë varet:

-Nëse ka harruar ndonjë rukn të namazit (si: rukunë, sexhden apo ndonjë rukn tjetër), atëherë ai atë rekatë që e ka harruar në të një rukn të namazit nuk e llogaritë fare dhe vazhdon namazin duke mos e llogaritur atë rekatë dhe duke e plotësuar atë dhe në fund bën sehvi sexhdeh pas selamit.

Psh: Nëse njeriu në rekatin e parë ka harruar njërën sexhdeh dhe i kujtohet pasi të arrijë në rekatin e dytë, atëherë ai e mangëson atë rekatë në të cilin e ka harruar sexhden, duke i llogaritur rekatet tjera pa atë rekatë dhe në fund bën sehvi sexhdeh pas selamit.

-Nëse harron ndonjë vaxhib të namazit, atëherë bën sehvi sexhdeh para selamit. Psh: Nëse ka harruar teshehudin e parë në namazet që kanë tri apo katër rekatë, atëherë para se të jep selam bën sehvi sexhdeh, e pastaj jep selam.

3-Nëse njeriu dyshon në namaz, se ka shtuar apo ka mangësuar ndonjë gjë, atëherë:

-Nëse anon më shumë në njërën anë, bazohet në atë në të cilën ka anuar më shumë, e pastaj bën sehvi sexhdeh pas selamit. Psh: Nëse është duke falur namazin e drekës dhe dyshon nëse ka falur tri apo katër rekatë dhe anon më shumë se ka falur tri rekatë, atëherë bazohet në të dhe e falë edhe një rekatë dhe bën sehvi sexhdeh pas selamit.

-Nëse nuk anon në asnjërën anë, atëherë bazohet në atë që është e sigurtë dhe bën sehvi sexhdeh para selamit. Psh: Nëse është duke falur namazin e drekës dhe dyshon nëse ka falur tri apo katër rekatë dhe nuk anon nga asnjëra anë, atëherë shkon në atë që është e sigurtë (e sigurtë është se i ka falur tri rekatë dhe dyshon për të katërtin), e vazhdon dhe një rekatë dhe pastaj bën sehvi sexhdeh para selamit.

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here