Ballina Zgjodhëm për ju. Si ndodh smira (hasedi)

Si ndodh smira (hasedi)

Si ndodh smira

Disa dijetarë thonë se tek ai që merret mësysh përmes smirës mund të vijnë dhe të ndikojnë edhe xhindet (shejtanët), pa u thirrur fare prej mësyshmarrësit; më konkretisht Ibn El-Kajimi thotë: “Shejtani rri përkrah magjistarit dhe smirëziut; ai flet me ta dhe i shoqëron ata, por në rastin e smirëziut shejtanët e ndihmojnë atë pa u kërkuar ai ndihmë, sepse smirëziu është i ngjashëm me Iblisin (kryedjallin) dhe në realitet është prej pasuesve të tij; pasi smirëziu synon njëjtë si shejtani, të keqen e njerëzve dhe prishjen e mirësive që Allahu u ka dhënë atyre.”

Gjithashtu (siç u cek në hyrje të këtij shqyrtimi) dijetarët theksojnë se personi mund të marrë mësysh veten, pasurinë dhe fëmijën e tij, apo dashamirin e tij. Ata e bazojnë këtë në transmetimin profetik: “Nëse dikush nga ju sheh tek vetja, pasuria apo vëllai i tij [nga gjaku ose besimi] diçka që i pëlqen, le të lutet për bereqet të kësaj, pasi syri (dëmtimi prej mësyshit) është realitet.

Pra marrja mësysh jo domosdoshmërisht është tregues i ligësisë së personit, pasi siç thotë Ibn AbdulBeri: “Mund të marrë mësysh edhe njeriu i mirë dhe personi mundet që ta marrë mësysh edhe vetveten.”