SHTATË SHPËRBLIME RRJEDHËSE PËR NJERIUN EDHE PAS VDEKJES

0
217

Falënderimi i takon vetëm Allahut për çdo gjendje. Ai është i plotë dhe pa të meta, Ai është i falënderuari i parë dhe i fundit, tek Ai do kthehemi dhe para Tij do dalim.

Mirësia më e mirë e Allahut për robërit e Tij besimtarë është se ua la të hapura dyert e veprave të mira që bënë, që do të thotë se atyre u shkon shpërblimi edhe pas vdekjes, ngase banorët e varreve janë pengje, të shkëputur prej obligimeve. Për veprat e tyre në këtë botë ata ose shpërblehen ose ndëshkohen, ndërsa ata që kanë lënë disa gjëra, edhe pse janë në varr, shpërblimi i tyre rrjedh duke i ngritur ata në shkallë të larta dhe duke u shtuar shpërblimet. A ka gjëra më të mira dhe a ka gjendje më të kënaqshme se kjo?

Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka treguar shtatë gjëra për të cilat rrjedhin shpërblime gjatë kohës që muslimani është në varr. E gjithë kjo është transmetuar nga Bezari në “Musnedin” e tij, hadithin e transmeton Enes Ibën Maliku, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Shtatë gjëra janë rrjedhëse në varr për robin pas vdekjes së tij; kush ka mësuar dikë, apo ka lëshuar ujin, apo ka hapur pus, apo ka mbjellë fidanë hurme, apo ka ndërtuar xhami, apo ka shpërndarë Kur’anin apo ka lënë fëmijë që kërkojnë falje për të tek Allahu pas vdekjes së tij.”[1]

Pra, musliman i nderuar, medito për këto vepra, bëhu i kujdesshëm që të kesh pjesë në to, shpejto në praktikimin e tyre para se të të kalojë jeta e të mos arrish asgjë.

Në vazhdim do japim disa sqarime rreth këtyre veprave.

E para: Nxënia e dijes dhe shpërndarja e saj.

Qëllimi me dije është dija e dobishme e cila ua mëson njerëzve fenë e tyre, i afron ata tek Zoti, i vetmi që e meriton adhurimin, dije që i udhëzon në rrugën e vërtetë, dije përmes së cilës ndahet udhëzimi nga devijimi, e vërteta nga e kota, hallalli nga harami. Këtu rezulton edhe mirësia e dijetarëve këshillues dhe thirrësve të sinqertë, të cilët realisht janë ndriçuesit e njerëzimit, udhërrëfyesit e shtetit, burimet e urtësisë, jeta e tyre është pasuri, vdekja e tyre është fatkeqësi, ata e mësojnë injorantin, e kujtojnë harruesin, e udhëzojnë të humburin. E, kur vdes ndonjëri prej tyre, dija e tij mbetet trashëgimi për njerëzit, shkrimet, punimet dhe fjalët e tij kalojnë mes tyre, prej tyre përfitojnë të tjerët, ndërsa atij i shkojnë shpërblimet edhe kur është banor i varrit.

Më herët kanë thënë vdes dijetari, por dija e tij mbetet nëpër njerëz, ndërsa sot edhe zëri dhe pamja e tij mbetet në mesin e njerëzve, e kush shpenzon pasuri në botimin e librave të dobishme, shpërndarjen e kasetave apo CD, pa dyshim se ka arritur një shpërblim të madh.

E dyta: Lëshimi i ujit

Me këtë është për qëllim rregullimi i kanaleve nga burimet deri te vendbanimet e njerëzve apo kopshtet e tyre. Uji do të shërbejë për pirje dhe ujitje dhe mban gjallë çdo gjë që ka shpirt dhe jeton, ngase uji është gjëja elementare për jetë. Këtu hyn edhe rregullimi i çezmave dhe vendosja e mjeteve për ftohjen e ujit në vende publike.

E treta: Shpimi i puseve

Është pothuajse e njëjta gjë me të dytën. Në një hadith nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thuhet: ”Derisa një njeri udhëtonte në rrugët e nxehta i etur për ujë, gjen një pus, nxjerr ujë nga ai dhe pi, pastaj hetoi se një qen ishte lodhur dhe kishte nevojë të madhe për ujë. Pastaj ai tha: “Këtë qen e paska goditur etja ashtu si më pat goditur mua”. Ai nxori ujë duke përdorur këpucët e tij, i dha ujë qenit dhe atë e falënderoi dhe e fali Allahu.” Thanë: “O i Dërguar i Allahut, edhe në shërbimin ndaj kafshëve kemi shpërblim?” Tha “Për çdo veprim ka shpërblim.”[2]

E si të mos ketë për atë që hap puse dhe bëhet shkaktar për ekzistimin e tyre?

E katërta: Mbjellja e hurmave

Dihet se hurma është pema më e mirë, më e dobishmja dhe kush mbjell hurma dhe muslimanët hanë nga ajo, shpërblimi arrin tek ai për frytet e saj. E dimë se nga hurmat përfitojnë njerëzit, shtazët, shpezët. Kështu është edhe me pemët e tjera dhe për dobinë prej tyre, por është përmendur hurma ngase është më e dobishmja, por shpërblimi arrihet edhe për mbjelljet e tjera.

E pesta: Ndërtimi i xhamive

Pa dyshimi se xhamitë janë vendet më të dashura të Allahut në tokë, në të cilat Allahu urdhëroi të përmendet dhe ngrihet emri i Tij. Këto xhami ndërtohen për faljen e namazit, leximin e Kur’anit, përmendjen e Allahut, përhapjen e dijes dhe bashkimin e muslimanëve e sa e sa dobi të shumta. Pa dyshim se ndërtuesi i saj apo ndihmësi për ndërtimin e saj ka shpërblim të madh tek Allahu. Është transmetuar nga Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem se ka thënë: “Kush ndërton xhami për të arritur kënaqësinë e Allahut, Allahu do ndërtojë për të një shtëpi në xhennet.”[3]

E gjashta: Shpërndarja e Kur’anit

Kjo arrihet duke botuar Kur’anin apo duke e blerë dhe duke e lënë nëpër xhami apo qendra islame, ku muslimanët përfitojnë prej tyre dhe pa dyshim se kushdo që lexon prej tyre, një pjesë e shpërblimit i takon edhe atij që e ka shpërndarë atë.

E shtata: Edukimi i fëmijëve

Përgatitja e tyre me moralin më të lartë, dhënia e dijes së dobishme, që ai pastaj të kërkojë falje për prindërit e vet duke kërkuar nga Allahu t’i mëshirojë e t’i lartësojë në shkalla të larta në xhenet. Pa dyshim se kjo është nga gjërat që i sjell dobi të vdekurit në varr.

Është transmetuar edhe një hadith tjetër me të njëjtin kuptim si i lartpërmenduri. Hadithin e nxjerr ibën Maxheh nga Ebi Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ajo që e përcjell muslimanin pas vdekjes së tij nga të mirat e tij është dija që mësoi dhe ua mësoi të tjerëve, fëmija i sinqertë, shpërndarja e Kur’anit, ndërtimi i xhamive apo ndërtimi i shtëpisë për udhëtarët dhe nevojtarët apo kanal ujitës, apo lëmoshë e dhënë nga pasuria e tij sa ishte gjallë. E gjithë kjo i takon edhe pas vdekjes së tij.”[4]

Transmeton Ahmedi dhe Tabaraniju nga Ebi Umame se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Për katër gjëra shpërblimi i tyre vjen edhe pas vdekjes; kush vdes duke luftuar për hir të Allahut, kush mëson dije dhe dija e tij vazhdon pas vdekjes së tij, kush jep lëmoshë dhe njeriu që lë pas një fëmijë të sinqertë që lutet për të.”[5]

Në “Sahihun” e Muslimit nga hadithi i Ebu Hurejrës transmetohet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur të vdesë biri i Ademit, i ndërpriten të gjitha punët, përveç tri punëve: lëmosha rrjedhëse, dija që kanë dobi prej saj dhe fëmija që kërkon falje për të.”

Shumë nga dijetarët e hadithit lëmoshën rrjedhëse e ka llogaritur pasurin që lihet vakëf

Ndërsa fjala “ndërtimi i shtëpisë për banimin e udhëtarëve apo nevojtarëve” ka për qëllimi ndërtimin e shtëpive prej të cilave përfitojnë muslimanët, qofshin ata udhëtarë apo nevojtarë apo konvikte për studentë ose shtëpi për jetim ose fukarenj.

Lusim Allahun e Madhëruar të na mundësojë veprimin e këtyre veprave dhe pas vdekjes të përfitojmë nga këto shtatë gjëra!

Dr AbduRrezak el Beder

Përshtati: Unejs Murati

____________________________________

[1] E ka bërë të mirë Albani në “Sahihul Xhami” 3596.

[2] Mutefekun alejhi.

[3] Mutefekun alejhi.

[4] Albani e ka bërë të mirë në “Sahih ibën Maxheh” 198.

[5] “Sahihul xhami” 890.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here