SHKRESË KONSUMUESIT TË ALKOOLIT

0
527

Ty,

Ty vëlla ta përkushtoj këtë shkresë duke t’u drejtuar me dashuri dhe vëllazëri, shkrese e mbështjellë me sinqeritet dhe dëlirësi…Dëshira ime është ta lexosh atë, madje më mban shpresa se do ta lexosh deri në shkronjën e fundit. Ndodhë që tani të mos pajtohesh me të por, më dëgjo, vendose në një sirtar dokumentesh me rëndësi, ndoshta një ditë e lexon atë dhe pajton me përmbajtjen e saj!

Vëlla!

Njeriu nga vet natyra e tij njerëzore e dëshiron të mirën dhe e urren çdo të keqe, po përse?

Për atë se bart mendje të çiltër dhe iman të pastër, të cilin nuk e kanë përbaltur dyshimet dhe as asgjë tjetër…All-llahu i Madhëruar e bëri të natyrshme këtë tek njeriu, sepse All-llahu është Zoti dhe Zotëria i tij.

Vëlla!

All-llahu e nderoi njeriun me mendje duke e dalluar edhe me obligime pikërisht për shkak të mendjes (intelektit). Të gjithë ne besojmë dhe pajtohemi se dallimi mes nesh dhe shtazëve është në faktin se ne posedojmë peshore me të cilën i peshojmë gjërat. Kjo peshore është mendja ose intelekti.

Pra, me mendjen tonë jemi ngritur, me mendjen tonë jemi lartësuar, atëherë sido të jetë puna nëse i bëjmë padrejtësi mendjes, e braktisim, e mbysim? Po, e mbysim. E mbysim me çdo gjë që e njollos atë apo e pengon nga funksionimi normal i saj.

Po, dhe njëmijë herë po, e mbysim me konsumimin e pijeve të ndaluara.

Vëlla!

Ithtarët e “gotave” duhen këshilluar.

Vëlla, nuk do të ndahem pa ta shpjeguar normën e All-llahut dhe të Dërguarit të Tij [lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] për këtë gjë, sepse e konsideroj obligim. All-llahu i Madhëruar ka thënë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. 91.Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedh armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?” (El-Maide: 90-91)

Ndërsa i Dërguari [lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: “Çdo gjë që të dehë, është e ndaluar të konsumohet!”, qofte pak apo shumë, sepse i Dërguari [lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: “Ndalohet konsumimi i sasive të vogla të asaj që po u konsumua në sasi të mëdha të deh.”

Vëlla!

Përse alkooli quhet “nëna e të këqijave”?

Sepse është baze apo shkak për çdo bela, është kokë e çdo të keqeje. Shumë rrallë ndodhë të dëgjosh për ndonjë fatkeqësi e të mos ketë qenë alkooli shkak prej shkaqeve të saj. Dëgjon se:

filani mbrëmë e ka keqtrajtuar nënën e vet, përse? Sepse ka konsumuar alkool.
filani kishte shitur tërë atë që posedonte, përse? Që të mund ta blej alkoolin.
i treti ishte larguar prej punës, përse? Sepse ai nuk kthjellej nga dehja e tij herët…
i katërti ishte divorcuar nga gruaja dhe e kishte shkatërruar familjen, përse? Sepse gruaja e tij nuk mund ta duronte në atë gjendje gjendje…
Kështu vazhdon edhe me të pestin, të gjashtin, e shumë të tjerë…

Ti mbase mund të dish më shumë se unë për raste e ngjarje të këtilla!

Vëlla!

Imagjino veten tënde duke vozitur veturën kur ja, për një moment, të humbet vetëdija me dëshirën tënde, a nuk do ta pyesje veten pasi që të kthjellesh:

si arrita shëndosh në shtëpi?
si shpëtova prej asaj të mete, meqë askush nuk më pa derisa isha në atë gjendje?
si do t’i shkoj Zotit tim nëse me vjen meleku i vdekjes ndërsa unë jam në këtë gjendje?
Po, çfarë do t’i thuash dhe me çfarë gjuhe do të flasësh?

Vëlla!

Përgjigju këtyre pyetjeve dhe bëhu korrekt me veten tënde. Thuaj: Mjere për ty, o shpirt! Bëhu kureshtar për kërkimin e sinqeritetit!

Vëlla!

Humbja e vetëdijes sate në këtë formë nuk është zgjidhje e problemeve por është dredhi e dështakut, i cili nuk mund ta udhëheq shpirtin e vet dhe të mbizotërojë mbi problemet e tij.

Dije vëlla se pirja e alkoolit në dynja ka pasoja të mëdha. Ka thënë i Dërguari [lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të], në hadithin, të cilin e transmeton Muslimi nga Xhabiri [All-llahu qoftë i kënaqur me të]: “Është e ndaluar të konsumohet çdo gjë që të dehë. Vërtet, All-llahu i Lartmadhërishëm është besatuar për t’i dhënë pije nga Tinetul Habal-i çdo kujt që pinë alkool. Thanë (të pranishmit): O i Dërguari i All-llahut! E Ç’është Tinetul Habal-i? Tha: Është djersa apo limfa e (ose gjërat e ndyta që rrjedhin prej) banorëve të Xhehennemit.”

Vëlla!

Kërkoj ndjesë për zgjatje, por të mjafton si argument për ta kuptuar ndyrësinë e alkoolit, sepse ajo në kohën tonë nuk quhet alkool, ngase besimtari i cili beson në takimin me All-llahun rrëqethet nga ky emër, por i shef duke e quajtur “pije e shpirtit”, ose me ndonjë emër tjetër…

Sido që të jetë e sido që ta quajnë, ai prapëseprapë mbetet alkool.

Vëlla!

Vëllazëria Islame dhe këshillat për besimtarët më nxitën që t’i rreshtoj këto fjalë, andaj nxito të pendohesh dhe të kthehesh tek All-llahu, sepse All-llahu thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” (Ez-Zumer: 53)

All-llahu “Shtrin dorën e Tij gjatë natës që ta fal mëkatarin e ditës, sikur që shtrin dorën gjatë ditës që ta fal mëkatarin e natës, dhe këtë derisa te lind dielli nga perëndimi.” (Muslimi)

Nga Ebu Hurejre [All-llahu qoftë i kënaqur me të] rrëfehet se i Dërguari [lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: “Ka thënë All-llahu i Madhëruar:…Pasha All-llahun! All-llahu është më i gëzuar me pendimin e robit të Vet sesa dikush prej jush ta gjej kafshën e humbur në shkretëtirë. Kush afrohet tek Unë një pëllëmbë, afrohem tek ai një krah, kush afrohet tek Unë një krah, afrohem tek ai një pash, ndërsa kush me drejtohet duke ecur, i drejtohem duke nxituar.” (Muslimi)

E lusim All-llahun e Madhëruar, Zotin e Arshit Fisnik që të ta bëjë të dashur imanin dhe ta zbukuroj atë në zemrën tende, sikur që e lusim të ta bëjë të urryer pabesimin, hipokrizinë dhe mëkatet si dhe të të bëjë prej të udhëzuarve!

Përshtati në shqip: Sedat Gani Islami

Muhammed Duvejsh