Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë) sepse vërtet është vepër e shëmtuar dhe rrugë shumë e keqe.”[2]
Ndalesa e të afruarit tek imoraliteti është më përfshirëse sesa vetë ndalesa nga veprimi i tij për arsye se kjo ndalesë përfshin çdo rrugë që mund të shpjerë tek imoraliteti. Siç thuhet “kush sillet rreth një ndalese, ai bie në të”, sidomos kur bëhet fjalë për një çështje si zinaja, e cila për shumë njerëz është dëshira më e flaktë.[3]
Në lidhje me imoralitetin, Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk njoh gjynah më të madh pas vrasjes (së njeriut) sesa imoraliteti.”
Ndërsa Ibnul Kajimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Veset e këqija që rezultojnë nga imoraliteti janë shkatërruese të mirëqenies së mbarë njerëzimit. Kur femra bën zina, ajo turpëron familjen e saj, burrin dhe mbarë farefisin. E nëse mbetet shtatzënë si pasojë e imoralitetit, i bën ata të nënçmuar para njerëzve. Nëse ajo vendos ta vrasë fëmijën e saj, bashkon dy mëkate të mëdha- zinanë dhe vrasjen. Nëse e çon atë fëmijë te burri i saj, atëherë ka futur në sojin e tij dhe të familjes së saj një fëmijë të huaj, i cili nuk është prej tyre, i trashëgon ata duke mos qenë prej tyre, identifikohet tek ata kur nuk është gjak i tyre si dhe shumë vese të tjera të shëmtuara si pasojë e imoralitetit të saj. Imoraliteti i burrit, nga ana tjetër, shkakton përzierje të përkatësisë farefisnore. Po ashtu nga kjo rezulton shkatërrimi i gruas së ndershme, pastaj prishje dhe çrregullime të rolit të saj në shoqëri. Në veprimin e këtij mëkati shkatërrues qëndron humbja e mirësive të kësaj bote dhe humbja e fesë. Kështu që bëhet shkak për dënimin në jetën e varrit dhe në botën tjetër. Sa dëme ka shkaktuar imoraliteti dhe sa humbje të drejtash rrjedhin prej këtij mëkati, sa e sa padrejtësi janë bërë si pasojë e tij?”
Imoraliteti sjell varfërinë, shkurton jetën, zinabërësit i nxihet fytyra dhe qëndron i përbuzur në mesin e njerëzve. Si pasojë e kësaj vepre është edhe fakti se ajo turbullon zemrën, e bën atë të sëmurë ose e bën të vdesë. Ajo sjell gjithashtu brenga, mërzi dhe frikë. E largon njeriun nga melekët dhe e afron tek shejtani. Kështu që nuk ka gjynah më të madh pas vrasjes sesa ky mëkat dhe pikërisht për këto arsye është e ligjshme vrasja e vepruesit të tij në mënyrën më të shëmtuar dhe më të vështirë. Dhe sikur t’i thuash njeriut se gruaja e tij është vrarë, do të ishte më e lehtë për të se t’i thuhet atij se ajo ka bërë imoralitet.
Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Laviren dhe lavirin i rrihni secilin prej tyre me nga njëqind të rëna (me kamxhik) dhe në zbatimin e dispozitave të Allahut mos u tregoni zemërbutë ndaj atyre dyve, nëse jeni që i besoni Allahut dhe botës tjetër. E gjatë zbatimit të ndëshkimit ndaj tyre, le të jenë të pranishëm një numër besimtarësh.”[4]
Në lidhje me këtë ajet, shejh Sa’di (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ky është gjykimi për zinaqarin dhe zinaqaren e pamartuar, që të rrihen me nga njëqind të rëna, ndërsa ndëshkimi për të martuarin është “rexhmi”, ashtu siç na është transmetuar nga Sunneti i saktë i të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Gjithashtu na është ndaluar të tregohemi zemërbutë ndaj atyre të dyve në zbatimin e dispozitave të Allahut, në mënyrë që mos jetë mëshira ndaj tyre shkak për anashkalimin e zbatimit të këtij ligji hyjnor. Po ashtu thotë: “I Lartmadhërishmi ka urdhëruar që gjatë zbatimit të ndëshkimit ndaj tyre të jenë të pranishëm dhe të dëshmojnë një grup besimtarësh, në mënyrë që të frikësohen nga kjo dhe t’i largohen këtij mëkati të tmerrshëm.”[5]
Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Edhe ata që përveç Allahut, nuk lusin ndonjë zot tjetër dhe nuk e vrasin njeriun që e ka ndaluar Allahu vrasjen e tij, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto ai e gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi Ditën e Kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë.”[6]
Nën komentin e fjalës së Allahut “ndërsa kush i punon këto ai e gjen ndëshkimin”, ibnu Kethiri (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Bëhet fjalë për një luginë në xhehennem ku ndëshkohen zinabërësit”. Na është transmetuar se Lukmani thoshte: “O biri im, largoju imoralitetit, fillimi i të cilit është vetëm frikë (pasiguri) dhe fundi pikëllim.”
Po ashtu i Lartmadhëruari thotë: “Laviri nuk do të duhej të martohej me tjetërkënd pos me ndonjë lavire ose idhujtare, kurse me laviren nuk do të duhej të martohej kush pos ndonjë lavir o idhujtar. Ajo (kurvëria ose martesa me të) është e ndaluar për besimtarët.”[7]
Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na e bën të ditur se zakonisht dëshirës së zinaqarit për të bërë imoralitet i bashkohet vetëm një zinabërëse ose një idhujtare, e cila nuk e sheh si të ndaluar këtë veprim. Kështu e ka komentuar këtë ajet edhe ibnu Abasi, Allahu qoftë i kënaqur më të.
Ndërsa Pejgamberi i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, është pyetur se cili është mëkati më i madh dhe ka thënë: “T’i bësh Allahut ortak, ndërsa Ai të ka krijuar.” Pastaj cili? Tha: “Ta mbytësh fëmijën tënd nga frika se nuk do të mund ta ushqesh.” Pastaj cili? Tha: “Të bësh zina (imoralitet) me gruan e fqinjit tënd.”[8]
Në lidhje me këtë mëkat, i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Nuk është besimtar zinabërësi në ato çaste kur bën zina, nuk vjedh hajduti duke qenë besimtar dhe nuk pi alkool duke qenë besimtar.[9]
Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: ”Kur robi bën zina, del nga ai imani dhe qëndron mbi kokën e tij si hije e kur të ndalet nga binaja, përsëri kthehet imani tek ai.”[10]
Gjithashtu transmetohet se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Kush bën zina ose pi alkool, Allahu do t’ia largojë atij imanin (besimin), ashtu sikurse njeriu e zhvesh këmishën e tij nga koka.” [11]
Ndërsa në një tjetër hadith, i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: ”Tre personave Allahu nuk u flet në Ditën e Kiametit dhe nuk i shikon dhe nuk do t’i pastrojë ata (nga mëkatet) dhe për ata ka dënim të dhimbshëm: plaku zinaqar, udhëheqësi gënjeshtar dhe i varfri mendjemadh.”[12]
Po ashtu i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Shenjtëria e nderit të grave të muxhahidinëve për ata të cilët rrinë prapa (që nuk janë duke luftuar) është si shenjtëria e nënave të tyre. E nëse njeriu i cili nuk është duke luftuar kujdeset për gruan e një burri nga muxhahidinët dhe pastaj e tradhton atë, në Ditën e Gjykimit muxhahidi do të qëndrojë para tij dhe do t’i marrë çfarë do prej veprave të tij të mira. Andaj çfarë mendoni për këtë (a mos vallë nuk është ky gjynah shkatërrues)?”[13]
I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Katër lloje njerëzish Allahu i urren; shitësin mashtrues (i cili betohet rrejshëm), të varfrin kryelartë, plakun lavir dhe imamin e padrejtë.”[14]
Imoraliteti më i tmerrshëm për njeriun është zinaja me nënën e tij, pastaj me motrën e tij, pastaj me gruan e babait të tij dhe pastaj me ato femra me të cilat nuk mund të martohet.[15]
“Kitabul kaba’ir” i Hafidh Edh-Dhehebiut, me verifikime të haditheve nga Mesh’hur ibën Hasen Al Selman
Përshtati: Muhamed Jakubi
Revista: “KESHILLA”
_____________________________________________________________________
[1] Shënim i përkthyesit: Përkufizimi i imoralitetit (zinasë) nga ana fetare është: zinaja është kryerja e marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore (pa praninë e një akti martesor të saktë, qoftë ai edhe i dyshimtë), me një femër e cila nuk është bashkëshortja e tij dhe nuk është në pronën e tij. Për këtë përkufizim dijetarët islamë janë dakord në përgjithësi.” Shiko librin “Bidâjetul muxhtehid ve nihâjetul muktesid” të Ibnu Rrushdit, nënkapitullin e zinasë. Gjithashtu duhet ditur se fjala “zina” nuk kufizohet vetëm në kryerjen e marrëdhënieve seksuale me një femër jashtë aktit martesor, sepse zinaja e syrit është shikimi, zinaja e gjuhës është të folurit dhe zinaja e dorës është prekja dhe të gjitha këto janë të ndaluara sepse nxitin tek zinaja e madhe e lartpërmendur.
[2] El-Isra: 32
[3] “Tejsirul Kerim Er-Rahman, fî tefsir kelâmul man-nân”, të shejh Abdurrahman ibën Nasir es-Sa’di, Allahu e mëshiroftë.
[4] En-Nur: 2
[5] “Tejsirul Kerim Er-Rahman, fî tefsir kelâmul men-nân”
[6] El-Furkan:68-69
[7] En Nur: 3
[8] Trans Buhariu dhe Muslimi
[9] Trans Buhariu në Kitabul madhalim, Muslimi në Kitabul iman, nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.
[10] Trans Ebu Davudi në “Sunen” dhe El-Hakim në “Mustedrek”, zingjiri i hadithit është i saktë sipas kushteve të Muslimit.
[11] Trans El-Hakim me sened të mirë, sipas kushteve të Muslimit.
[12] Trans Muslimi në “Kitabul iman” nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të.
[13] Trans Muslimi në “Kitabul imarah” nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të.
[14] Transmeton Nesaiu në “Muxhtaba” dhe Ibnu Hibani nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij. Senedi i hadithit sahih.
[15] Mahremet-dmth femrat që e ka të ndaluar martesën me to; shiko në suren En-nisa, ajeti 23