Shkatërrimet e Beni Israilëve në tokë! (Komentim i disa ajeteve të sures El-Isra)

0
224

Shkatërrimet e Beni Israilëve në tokë. (Komentim i disa ajeteve të sures El-Isra).

Nxitur nga ajo që po ndodh këto ditë në xhaminë Aksa dhe ndalimin e myslimanëve për tu falur në atë xhami, vendosa të shkruaj diçka në lidhje me këtë akt të dënuar i cili nuk është as i pari dhe as nuk do të jetë i fundit nga Beni Israilët siç na lajmëruar Allahu i madhëruar në librin e tij dhe profeti ynë Muhamedi -alejhi selam- në thëniet e tij.
Sipas këtyre lajmërimeve, shkatërrimet e Beni Israilëve në tokë janë të hershme dhe për dy prej më të mëdhave që kanë kryer jemi lajmëruar në suren El-Isra.

Ja çfarë thuhet në Kuran në suren El-Isra!

Allahu i madhëruar thotë: “I kishim njoftuar Beni Israilët në libër: Ju, do të shkatërroni dy herë në tokë dhe do të bëni padrejtësi të mëdha * Kur të vijë koha e së parës, ne do të çojmë kundër jush disa prej robërve tanë të fortë për t’ju ndjekur kudo mes shtëpive. Ky ishte një premtim i mbaruar * Pastaj, ne jua kthyem ju fitoren mbi ta (mbi armiqtë tuaj). U dhamë pasuri e fëmijë dhe ju bëmë më shumë në numër * Nëse silleni mirë, silleni mirë për vetën tuaj dhe nëse silleni keq gjithashtu për vetën tuaj. Kur të vijë koha e së dytës, (Ne do t’ju çojmë përsëri prej robërve tanë) për t’jua nxirë fytyrat. Për të hyrë në xhami siç hynë radhën e parë dhe për të shkatërruar krejtësisht atë që e rikthyet * Ndoshta Allahu do t’ju mëshirojë, por nëse ju ktheheni edhe ne do të kthehemi përsëri dhe xhehenemin do ta bëjmë rrethim për mohuesit” Suratu El-Isra: 4-8.

Në këto ajete shihet qartë se Allahu i madhëruar i njofton Beni Israilët për dy shkatërrime në tokë dhe mesa duket ata janë lajmëruar për to para se ata ta bëjnë atë gjë siç janë lajmëruar gjithashtu edhe për ndëshkimin që do të marrin për shkak të tyre.
Nuk bie në sy në këto ajete se çfarë pune prej punëve të tyre Allahu i madhëruar e ka quajtur shkatërrim në tokë dhe për ta mësuar këtë gjë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shohim përdorimin e fjalës shkatërrim në Kuran në mënyrë që pastaj të kuptojmë se çfarë ishte ai shkatërrim.

Fjala e përdorur në ajet për të treguar këtë gjë është fjala [fesad] dhe dijetari i madh i çështjeve të Kuranin dhe i gjuhës arabe Er-Ragib El-Asfahanij i cili ka vdekur në vitin 502 sipas hixhretit në lidhje me këtë fjalë thotë:
“[Fesad] do të thotë dalja e një gjëje nga gjendja e saj normale (në të cilën e ka vënë Allahu) qoftë ajo dalje pak apo shumë. Ajo është e kundërta e fjalës rregullim dhe përdoret për vrasjen e njeriut, dëmtimin e trupit të tij dhe për çdo gjë që është jashtë rrugës së drejtë (El-Istikame)”.
Pastaj ai shpjegon me shembuj konkretë përdorimin e saj në Kuran duke përmendur disa ajete prej tyre:
Ajeti i parë: “Nëse e vërteta do të ishte sipas qejfeve të tyre (njerëzve), do të shkatërroheshin qielli dhe toka dhe çfarë ka mes tyre” suretu El-Muminun: 71. Ajeti tregon se ndjekja e dëshirave dhe e qejfeve në kundërshtim të urdhrave dhe porosive të Allahut është shkatërrim në tokë.

Ajeti i dytë: “Nëse në ato të dyja (në qiell dhe në tokë) do të kishte të adhuruar të tjerë veç Allahut, do të ishin shkatërruar (qielli dhe toka)” suretu El-Enbija: 22. Ajeti tregon se prishja e besimit të drejtë dhe përzierja e tij me idhujtari është shkatërrim në tokë

Ajeti i tretë: “U përhap shkatërrimi në tokë dhe në det për shkak të asaj që bëjnë duart e njerëzve” suretu Err-Rrum: 42. Muxhahidi në komentimin e ajetit thotë: Shkatërrimi i tokës është vrasja e njeriut kurse shkatërrimi i detit është grabitja e anijeve.
Pra, ajeti tregon se vrasja e tjetrit pa të drejtë dhe grabitja e pasurisë së tij është shkatërrim në tokë.

Ajeti i katërt: “Atyre (hipokritëve) kur u thuhet mos prishni në tokë! Ata thonë: ne jemi duke rregulluar” suretu El-Bekara: 11. Kjo do të thotë se dyfytyrësia në besim është shkatërrim në tokë.

Pra, sipas këtyre përdorimeve është e mjaftueshme për të kuptuar se shkelja e rregullave të Allahut të ardhura nëpërmjet librave dhe profetëve të tij është shkatërrim në tokë sepse Allahu me to ka rregulluar tokën dhe e kundërta e tyre nuk është tjetër veçse shkatërrim.
Ky përfundim na jep të kuptojmë se shkatërrimi i Beni Israilëve në tokë është pikërisht thyerja e besës që kanë pasur me Allahun e madhëruar sepse në Kuran jemi njoftuar se mes Allahut dhe Beni Israilëve ka pasur një besë e cila përmbante si më poshtë:

Allahu i madhëruar në suren El-Bekare thotë: “Përkujto kur ne u morëm Beni Israilëve një zotim që të mos adhuroni tjetër veç Allahut, të silleni mirë me: prindërit, të afërmit, jetimët dhe të varfrit, tu thoni fjalë të mira njerëzve, të falni namazin dhe të jepni zeqatin pastaj ia kthyet shpinën veç një pakice prej jush dhe ishit të painteresuar * Gjithashtu ua morëm besën që të mos vrisni njëri-tjetrin dhe as mos e nxirrni njëri-tjetrin nga shtëpitë tuaja” suretu El-Bekara: 83-84.
Kjo besë veç atyre që përmenden në këto ajete gjithashtu përmbante edhe: kapjen fort pas librit të Allahut, qartësimin e librit të Allahut dhe mosfshehjen e tij dhe përkrahjen e profetëve të Allahut siç përshkruhet në ajetet e mëposhtme:
“Përkujto kur ua morëm besën tuaj dhe ngritëm mbi kokat tuaja malin e Turit: Kapeni fort atë që ju kemi sjellë (Teuratin) dhe binduni” El-Bekare: 93.
“Përkujto kur ua morëm besën ehli kitabit që ta qartësoni librin e Allahut dhe të mos e fshihni atë” Ali Imran: 187.
“Ne ua morëm besën Beni Israilëve duke ju dërguar dymbëdhjetë përfaqësuesit e tyre dhe Allahu u tha: Unë do të jem me ju, nëse e falni namazin, jepni zeqatin, besoni profetët e mi dhe i përkrahni ata dhe i jepni borxhe të mira Allahut (punë të mira)” El-Maide: 12.
Shkelja e secilës prej këtyre porosive është shkatërrim në tokë sipas sqarimit të lartpërmendur dhe duke pasur parasysh se Beni Israilët i kanë shkelur të gjitha dhe për këtë arsye janë edhe mallkuar siç thuhet në këtë ajet: “Ata për shkak se e thyen besën e tyre, ne i mallkuam dhe jua bëmë zemrat të ngurta duke ndryshuar fjalët nga vendi tyre. Ata kështu harruan një pjesë të asaj që u përkujtuan…” suretu El-Maide: 13. Kështu jemi përballë disa punëve të këqija ku secila prej tyre mund të quhet shkatërrim në tokë.
S’ka dyshim se jo të gjitha shkeljet janë të barabarta edhe pse secila prej tyre mund të quhet shkatërrim në tokë prandaj dhe komentuesit e kuranit duke parë se Allahu lajmëron se ata u ndëshkuan rëndë për to atëherë kërkojnë për shkeljet e tyre më të rënda. Ata mendojnë se shkeljet e tyre më të rënda janë vrasja e profetëve të Allahut sepse me vrasjen e tyre shuhet e vërteta në përgjithësi dhe ky është shkatërrimi më i madh që mund ti bëhet tokës prandaj dhe për këtë arsye ata i shpjegojnë dy shkatërrimet e përmendura në suren El-Isra me vrasjen e dy prej profetëve të Allahut.

Dy shkatërrimet e Beni Israilëve të përmendura në ajetet e sures El-Isra dhe ndëshkimet e tyre.

Shkatërrimi i parë i Beni Israilëve.
Imam i madh i historisë profetike Muhamed bin Is’hak i vdekur në vitin 150H tregon se shkatërrimi i parë i tyre në tokë ishte kur vranë profetin Esh’ija -alejhi selam-.
Muhamed bin Is’haku gjithashtu thotë se kjo ka ndodhur në kohën e Bukhatnasrit mbretit të Babilonisë. Të njëjtën gjë e pohon edhe imam Es-Sem’ani në tefsirin e tij dhe po ashtu i këtij mendimi është edhe sheik-ul-islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- në librin e tij “El-Xheuab Es-Sahih”.

Ndëshkimi i parë i Beni Israilëve.
Said bin El-Musejib thotë: “Bukhatnasri e pushtoi Shamin, prishi xhaminë e Aksasë dhe vrau shtatëdhjetë mijë veta prej besimtarëve”.
Ibn Kethiri thotë: “Kjo thënie është e saktë nga Said bin El-Musejib dhe kjo është ajo që njihet nga historia e Bukhatnasrit sepse ai vrau parinë e Beni Israilëve dhe dijetarët e tyre derisa nuk mbeti njeri që dinte Teuratin dhe ka marrë prej tyre shumë skllevër prej bijve të profetëve dhe të tjerë.”
Ibn Tejmije thotë: “Shkatërrimi i parë i xhamisë së Aksasë ka ndodhur kur erdhi Bukhatnasri i cili i mori Beni Israilët për skllevër në Babiloni dhe ajo në atë kohë ka qëndruar e shkatërruar plot shtatëdhjetë vjet”.

Kthimi i bëni Israilëve në Palestinë dhe në xhaminë e Aksasë.
Pas shkatërrimit të parë në tokë dhe ndëshkimit të tyre për të, Allahu i kthen Beni Israilët në vendin e tyre dhe ata e rindërtojnë xhaminë e Aksasë. Allahu i madhëruar më pas u jep begati Beni Israilëve duke u shtuar pasurinë dhe fëmijë dhe gjithashtu duke u dërguar edhe profetë për t’ju mësuar mësimet e Teuratit. Mendohet se për këtë gjë flitet në ajetin 259 i sures bekare ku Allahu tregon për një njeri që kalon pranë një fshati të shkatërruar. Këtë njeri Allahu i madhëruar e vuri në gjumë për 100 vjet dhe kur e zgjoi pa se çdo gjë kishte ndryshuar dhe vendi ishte ripopulluar. Ky njeri mendohet të jetë ose profeti Irmija ose Uzeiri dhe fshati i shkatërruar është xhamia e Aksasë dhe vendi rreth tij siç tregon Ibn Kethiri Allahu e mëshiroftë!
Kështu beni Israilët vazhduan të jenë në vendin e tyre dhe pranë xhamisë së Aksasë deri në vrasjen e Jahjës alejhi selam.

Shkatërrimi i dytë i Beni Israilëve.
Imam Taberiu thotë: shkatërrimi i dytë, nuk ka kundërshtim mes dijetarëve se ka qenë vrasja e Jahjës birit të Zekerijës alejhi selam.
Po ashtu edhe sheikhu islam Ibn Tejmije thotë: Shkatërrimi i dytë ka qenë pas Zekerijës, Jahjës dhe Mesiut kur vranë Jahjën birin e Zekerijës të cilin ehlu kitabi e quajnë Gjon pagëzori.

Ndëshkimi i dytë i Beni Israilëve.
Es-Sem’ani thotë: “Është thënë se armiku i herës së dytë ka qenë një mbret romak i cili erdhi dhe prishi xhaminë e Aksasë, vrau të mëdhenjtë që luftonin dhe skllavëroi të vegjlit”.
Ibn Tejmije thotë: Prishja e dytë e xhamisë së Aksasë ka ndodhur shtatëdhjetë vjet pas Mesiut.
Ky mbret romak që ka shkatërruar xhaminë e Aksasë 70 vjet pas Mesiut alejhi selam është mbreti Titus, kështu thotë Ibn El-Ethir dijetari i madh i historisë islame i vdekur në vitin 630H.
Ibn Tejmije thotë: “Pas këtij shkatërrimi të dytë bëni Israilët i shpërndanë në tokë dhe nuk kanë pasur më pushtet”.
Beni Israilët pas këtij ndëshkimi u larguan për në Irak dhe ne gadishullin arabik dhe ky është edhe shkaku që në kohën e profetit alejhi selam ata gjendeshin në Hajber dhe në Medine.

Beni Israilët pas dy ndëshkimeve.
Thamë më lart se Beni Israilët pas shkatërrimit të dytë u shpërndanë tokë dhe ajetet në vazhdim të sures El-Isra tregojnë se Allahu u ka thënë: [Ndoshta Allahu do t’ju mëshirojë, por nëse ju ktheheni edhe ne do të kthehemi përsëri dhe xhehenemin do ta bëjmë rrethim për mohuesit].
Në këto ajete shohim se Allahu u jep një tjetër mundësi Beni Israilëve për pendim duke u thënë: [Ndoshta Allahu do t’ju mëshirojë].
Ed-Dahaku në kuptimin e kësaj pjese ajeti thotë: “Mëshirimi që u premtoi Allahu në këtë ajet është dërgimi i profetit Muhamed alejhi selam”.
Pra, Allahu i madhëruar u jep Beni Israilëve një mundësi të fundit për tu penduar dhe që është besimi në profetin Muhamed të cilën prapë nuk e shfrytëzuan dhe përsëri e bënë objekt ndëshkimi.
Katade rreth kuptimit të pjesës tjetër të ajetit [nëse ju ktheheni edhe ne do të kthehemi përsëri] thotë: Beni Israilët u kthyen në shkatërrim dhe Allahu dërgoi kundra tyre Muhamedin alejhi selam duke i bërë ata ti japin atij xhizjen të përulur (shih. Suren Et-Teube: 29).

Së fundi mund të themi se mosshfrytëzimi i mundësisë së fundit për pendim nga ana e Beni Israilëve tregon se ata do të vazhdojnë në shkatërrim sikurse edhe Allahu do të vazhdojë në ndëshkimin e tyre sepse fjala Allahut: [nëse ju ktheheni edhe ne do të kthehemi përsëri] lë të kuptosh për të dyja mundësitë: mundësinë e shkatërrimit nga ata dhe mundësinë e ndëshkimit të tyre nga Allahu prandaj dhe Katadja -Allahu e mëshiroftë- e shpjegon ajetin me ngjarje nga koha e profetit -alejhi selam-.

Shkatërrimi i radhës nga Beni Israilët.
Thamë më lart se shkatërrimet e Beni Israilëve në tokë do të vazhdojnë dhe një prej këtyre shkatërrimeve që po ndodh në këto ditë është pengimi i myslimanëve për tu falur në xhaminë Aksa. Ska dyshim që pengimi i besimtarëve nga xhamitë e Allahut është shkatërrim në tokë sidomos kur bëhet fjalë për xhamitë e mëdha që janë simbole të adhurimit të Allahut dhe të përkujtimit të tij siç janë: xhamia e Qabesë, xhamia Aksa, dhe xhamia e profetit Muhamed -alejhi selam- në Medine.
Allahu i madhëruar kur përmend pengimin e njerëzve nga xhamitë në Kuran thotë: “E kush është më zullumqar se ata që pengojnë njerëzit nga xhamitë e Allahut dhe përpiqen ti shkatërrojnë ato. Atyre nuk u takon të futen në to veçse të frikësuar. Për ta është poshtërimi në dynja dhe në ahiret do të kenë dënim të madh” suretu El-Bekara: 114.
Fjala xhami në këtë ajet edhe pse ka ardhur në shumës dhe përfshin çdo xhami mirëpo komentuesit e kuranit janë të mendimit se shkaku i zbritjes së ajetit ka lidhje me njërën prej dy xhamive të mëdha: ose xhaminë Aksa ose xhaminë e Qabes.
Mendimi i parë: Bëhet fjalë për xhaminë e Aksasë dhe se ata që penguan njerëzit për të adhuruar Allahun në të janë: ose persët në kohën e Bukhatnaserit i cili rrënoi xhaminë e Aksasë, ose romakët që e rrënuan atë në kohën pas vrasjes së Jahja bin Zekeria -alejhima selam-, ose të krishterët të cilët në nga inati që kishin me hebrenjtë e mbulonin Aksanë me pisllëqe e ngordhësira për shkak se ata vranë Mesiun –sipas pretendimit të tyre-.
Mendimi i dytë: Bëhet fjalë për xhaminë e Qabes kur idhujtarët e Mekës penguan profetin -alejhi selam- për të hyrë në të në vitin e gjashtë të hixhretit.
Pavarësisht se cili është shkaku i zbritjes së ajetit, prej tij përfitohet se pengimi i besimtarëve nga xhamitë është padrejtësia më e madhe dhe njëkohësisht sipas trajtimit të lartpërmendur është edhe shkatërrimi më i madh në tokë çka do të thotë se kem të bëjmë me një tjetër shkatërrim të Beni Israilëve.
Dikush mund të pyes dhe të thotë: Meqenëse Beni Israilët janë ndërtuesit e parë të xhamisë së Aksasë, a nuk u takon atyre kujdestaria e kësaj xhamie?
Përgjigja: Jo. Atyre sot nuk u takon më kujdestaria e saj. Atyre mund tu takonte ajo gjë nëse ata do të qëndronin në fenë e pastër të ndërtuesit të saj Sulejmanit -alejhi selam- dhe të pranonin udhëzimet e Allahut të ardhura nga profetët e tjerë pas tij si Isa -alejhi selam- dhe Muhamedi -alejhi selam-. E përderisa Beni Israilët e kanë ndryshuar fenë e tyre me devijime dhe kanë refuzuar udhëzimet e mëvonshme atëherë kjo e drejtë nuk u takon më siç nuk u takoi as arabëve idhujtarë kujdestaria e Qabes në kohën e profetit Muhamed -alejhi selam- edhe pse ata ishin pasardhësit e Ibrahimit -alejhi selam- ndërtuesit të parë të saj dhe ja çfarë thotë Allahu i madhëruar në lidhje me këtë të fundit: “Nuk u takon idhujtarëve të frekuentojnë xhamitë e Allahut ndërkohë që ata njollosin vetët e tyre me mohim” Et-Teube: 17.

Shkroi: Dr Abdullah Nabolli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here