Era dhe shiu, dy argumente që flasin për Madhështinë e Zotit

0
235

Ebu Hurejrah ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – të thotë: “Era është prej mëshirës së Allahut të Lartësuar. Ajo vjen me mëshirë dhe vjen me dënim. Prandaj kur ta shikoni atë mos e shani, por kërkojini Allahut të mirën e saj dhe kërkojini mbrojtje Atij prej të keqes së saj” Transmeton Ebu Daudi, Nesai, Ibn Maxheh etj.[1]

Nuk lejohet të shahet era sepse ajo është prej argumenteve të fuqisë së të Plotfuqishmit, siç thotë i Lartësuari: “Dhe prej argumenteve të Tij është se Ai i dërgon erërat si përgëzim (për ardhjen e shiut)” (Rum/Romakët: 46)

Dhe na ka mësuar të lutemi konkretisht në këtë formë:

Aishja – Allahu qoftë i kënaqur prej saj – përcjell se kur frynte erë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – thoshte: “O Allah unë të kërkoj të mirën e saj, të mirën që gjendet tek ajo dhe të mirën me të cilën është dërguar. Dhe të kërkoj mbrojtje nga e keqja e saj, nga e keqja që gjendet në të dhe nga e keqja me të cilën ajo është dërguar.”

Transmeton Bukhariu (3206) dhe Muslimi 15/899 dhe kjo është shprehja e tij.

E mira e saj është: Freskimi në ditët e nxehta dhe largimi i erërave të këqia që përhapen ndonjëherë për shkaqe të ndryshme, ajo i largon ato. Ajo shtyn retë që sjellin shiun e dobishëm.

Dhe e keqja e saj është e qartë, nëse ajo fryn me shpejtësi të madhe shkakton tragjedi dhe fatkeqësi të shumta tek çdo gjë që kalon mbi të. Të cilat njerëzit i quajnë me emra të ndryshëm: Tajfune, ciklone, tufane, stuhi (kur shoqërohet me rrebeshe shiu), tornado, uragane, etj.

Dhe me to Allahu i Madhëruar ka dënuar disa popuj: “… ajo është një erë në të cilën ka dënim të dhembshëm. Ajo shkatërron çdo gjë me urdhër të Zotit të saj, saqë nuk u duk më asgjë prej tyre veç banesave të tyre, kështu e shpërblejmë Ne popullin kriminel” (Ahkaf: 24-25).

Dhe në ato që ndodhin sot nëpër botë ka goxha mësim për popullin që mendon! Allahu na ruajtë!

Dhe tek “Suneni i Ebu Daudit” nga Aishja – Allahu qoftë i kënaqur me të – përcillet se ka thënë: Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – kur shikonte në qiell re të paformuara mirë (që akoma nuk ishin grumbulluar) e linte çdo gjë – edhe nëse ishte në namaz – dhe thoshte: “Allahumme inni eudhu bike min sherriha” (O Allah unë të kërkoj mbrojtje nga e keqja e saj), e nëse binte shi thoshte: “Allahumme sajjiben henijen”[2] (O Allah bëje këtë shi të bollshëm, të shumtë, me bereqet (të begatë, të dobishëm që sjell të mira të shumta)

Sh.p.: Nga kjo nuk kuptohet domosdoshmërisht se ai e linte namazin fare dhe bënte atë dua, por duanë mund ta bënte edhe duke qenë në namaz, siç ka ardhur prej tij – sal lall llahu alejhi ue sel lem – tek Ebu Daudi, ligjshmëria e thënies: “Elhamdu lilah” nëse teshtin gjatë namazit. Dhe Allahu e di më së miri.

[1]Ka thënë Ibn Haxheri – Allahu e mëshiroftë – në “Netaixhul efkar” siç përmendet në “EL futuhat er Rabbanijeh” (4/272) : Hadith i mirë ,i saktë. Dhe e ka konsideruar hasen edhe shejkh Albanij në: “Sahih el kelimit tajjib”fq. 87. Shiko: “El uabilus sajjib minel kelimit tajjib” fq. 267.

[2]Ebu Daudi, Nesai, Ibn Maxheh, etj. Ka thënë Shejkh Albanij në “El kelimut tajjib” (88/155) : “Me zinxhir të saktë sipas kushteve të Muslimit”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here