Ruaju prej të keqes së atij që i ke bërë mirë…!

0
296

Kuptimi i kësaj shprehje, siç mund ta keqkuptojnë një pjesë e njerëzve, nuk është që të ruhesh prej atyre të cilëve u ke bërë mirë, kur u bën mirë.
Kjo shprehje duhet kuptuar drejt dhe kuptimi i saj është se n.q.s të vjen ndonjë e keqe prej dikujt të cilit i ke bërë veç mirë, bëj kujdes prej të keqes që mund të vijë prej tij. Kjo për shkak se e keqja që të vjen nga persona të tillë, do të ndikojë tek ty më shumë se në raste të tjera.

Kjo shprehje kurrsesi nuk fton që të pakësohet bamirësia dhe ndihma ndaj njerëzve, por ajo tërheq vëmendjen se duhet pasur kujdes në marrëdhëniet që krijohen me disa lloje njerëzish. Shprehja na sinjalizon se duhet të jesh i vetëdijshëm, pasi të tilla reagime ndodhin ndonjëherë.

Mund të ndodhë që personi të cilit i ke bërë mirë, nuk e ka merituar mirësinë tënde, dhe ajo që ke bërë të kthehet me mosmirënjohje. Në përgjithësi kjo lloj sjellje vërehet tek njerëz zemërngushtë, të ligj, të paarsimuar, të paedukuar dhe pa kulturë e horizont. Në një pjesë të mirë të rasteve, mirësia e treguar ndaj këtyre personave, kuptohet prej tyre si formë nënçmimi që ju bëhet atyre. Dhe reagimi vjen në formën e kundërvënies më të keqe.

Ne raste të tjera vjen në formën e smirës, ndjenjë e cila për t’u shuar, e shikon të nevojshme dëmtimin tënd me ç’të mundet.

Në raste të tjera vjen në formën e urrejtjes dhe, mirësia sado e madhe qoftë, nuk arrin ta mposhtë masën e akumuluar në njerëz të tillë. Në përgjithësi kjo formë shfaqet tek persona që fajin e shikojnë veç tek të tjerët, kanë mungesë respekti dhe ndjenjash dashurie reale për ata që i rrethojnë. Këta persona nuk i karakterizon asgjë fetare, kulturore apo qoftë edhe tipar njerëzillëku. Me këta persona nuk është çudi të arrijnë deri aty sa të mburren me të keqen që kanë arritur të të bëjnë, dhe kështu bashkojnë njëherazi veprën e keqe dhe mburrjen me të.

Padyshim se përdorimi i kësaj shprehjeje nuk gjen mbështetje apo argument në fenë islame; ajo përdoret prej njerëzve për të treguar një realitet i cili jo pak haset ndër njerëz në jetën e përditshme. Udhëzimet që feja islame jep lidhur me shprehjen e mirësisë janë krejt ndryshe; Islami fton e nxit në mirësi dhe tërheq vërejtje e ndalon nga të gjitha format e mosmirënjohjes. Bile Islami fton në sjellje shumë më të ndryshme; Islami fton që edhe të keqes t’i kthehemi me të mirë.
Allahu në Kuran thotë: “Largoje të keqen me të mirë…”

Është fakt se, të ta kthejnë të mirën me të keqe, është më e rëndë se sa vetëm të të bëjnë keq. Kur një person të bën keq pa i pas bërë mirë atij më parë, rëndon vetëm e keqja, ama kur atij personi i ke pas bërë mirë më parë, të keqes i shtohet edhe mosmirënjohja. Kjo situatë bëhet edhe më e rëndë kur e keqja dhe mosmirënjohja i drejtohen një personi të afërt që ka bërë shumë për ty, jo vetëm financiarisht por edhe në trajta të tjera, siç mund të jetë prindi, gruaja, vëllai apo motra, mësuesi etj.

Shprehja “ruaju të keqes” absolutisht nuk nënkupton që ta kthesh të keqen me të njëjtën formë apo edhe më egër…, kjo shprehje thjesht paralajmëron të jesh i kujdesshëm prej një kategorie njerëzish. Dikush këtë e ka zgjidhur duke shtuar dozat e mirësisë ndaj këtyre personave ose fjalët e mira rreth tyre. Një muslimani nuk i takon të heqë dorë nga mirësitë për shkak të ekzistencës së këtyre lloj njerëzve, sepse mirësia është një formë adhurimi të cilën e shpërblen shumë Allahu xhele shanuhu.

Allahu në Kuran thotë: “Allahu i do ata që dhurojnë mirësi”
Si mundet që muslimani ta privojë veten nga kjo dashuri dhe mirësi kur vetë mirësia që ai bën ndaj njerëzve i kthehet me shpërblime dhe dashuri nga Allahu?! Ai që bën mirë për hir të Allahut, nuk ka si të presë ndryshe veçse të mira; duhet të presë mirë edhe kur njerëzit ia kthejnë me mosmirënjohje apo me të keq.

Allahu thotë për bamirësit ndaj të varfërve në Kuran: “Ne ju japim juve ushqim për hir të Allahut, e nuk presim prej jush as shpërblim e as falënderim…”
Ai që bën mirë dhe nuk shpërblehet me atë që ka pritur, ta dije se tek Allahu ka për të gjetur shumë më mirë dhe shumë më shumë nga sa kishte pritur…

Bëj të mira pareshtur, njëra pas tjetrës… një dite ndoshta mirësia jote e bën tjetrin të ndihet i turpëruar… A nuk u bënë me turp kurejshët ditën kur u çlirua Meka, kur Profeti alejhi selam i tha: -Shkoni, jeni të falur!

Me rëndësi është të përmendim edhe se, një pjesë e njerëzve presin që për mirësinë që i kanë bërë dikujt, të marrin falënderime dhe mirënjohje verbale. Kjo lloj pritshmërie edhe pse mund të duket normale, nuk është e tille n.q.s mendohet se mungesa e falënderimeve me fjalë do të thotë mosmirënjohje nga personi që i ke bërë mirë. Bëje të mirën për Zotin që ta gjesh shpërblimin tek Ai. Mos prit me ngulm falënderimet e njerëzve, sepse mund të bëhesh pre e dyfaqësisë apo e vetëkënaqësisë.

I drejtohem gjithë atyre që të mirën e kthejnë me të keqe:

– Kijeni frikë Zotin, A nuk është më e drejtë që e mira të kthehet me të mire?! Mos harroni se qëndrimet flasin për formimin dhe mençurinë e gjithkujt. Njeriut pas vdekjes nuk i mbetet tek njerëzit asgjë veç kujtimeve dhe mendimeve të mira për të.

Në mbyllje them: dhurojuni mirësi të gjithëve; të mirëve dhe jotëmirëve!
E n.q.s nuk do shohësh asnjë të mirë prej atyre të cilëve u bëre mirë, kjo tek Allahu nuk pakëson prej mirësisë tënde asgjë…

Përktheu: B. Kasemi

___________

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here