RREGULLAT E LUTJES DHE KUSHTET E SAJË NË SUNET

0
259

Nga rregullat dhe kushtet e lutjes janë edhe këto:

Shmangia nga asonanca: Lutësi duhet të ketë kujdes që lutja e tij të jetë e zhveshur nga asonanca (rima) e stërngarkuar, e cila bie ndesh me përuljen dhe nënshtrimin dhe nuk është transmetuar nga i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Në “Sahihun e Buhariut”, nga Abdullah ibën Abbasi në porosinë që i dha Ikrimes transmetohet: “Shiko (me kujdes) asonancën në lutje dhe largohu nga ajo. Unë kam jetuar me Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe shokët e tij, ata e bënin këtë, d.m.th. i shmangeshin asaj.”[1] Por kjo nuk bie ndesh me disa lutje që gjenden në hadithe të vërteta, të cilat përfundojnë me rimë, ngase kjo ka ndodhur pa qëllim dhe pa përpjekje të tepruar dhe vjen në kulmin e harmonisë, siç është lutja e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “ALLAHUMME MUNZILE L-KITAB, VE MUXHRIJE SEHAB, VE HAZIME L-AHZAB”. [O Zot, (Ti je) zbritësi i librit, lëvizësi i reve, mposhtësi i grupeve armike!][2] Apo: “ENXHEZE VAHDEH, VE NESARA A’BDEH, VE HEZEME L-AHZABE VAHDEH”. [E përmbushi premtimin e Vet, e ndihmoi robin e Vet, i mposhti grupet armike, Ai është i Vetëm].[3]Apo: “ALLAHUMME INNI EUDHU BIKE MIN ILMIN LA JENFA’, VE MIN KALBIN LA JAHSHA’, VE MIN NEFSIN LA TESHBA’.” [O Zot, unë kërkoj mbrojtjen Tënde nga dituria që nuk ka dobi, nga zemra që nuk ka frikë (prej Teje) dhe nga nefsi që nuk ngopet!][4]
Përzgjedhja e lutjeve të transmetuara (nga i Dërguari) dhe të përgjithshme: Për lutësin është e preferuar që gjatë lutjes të përzgjedhë lutjet e përgjithshme dhe të transmetuara, duke ndjekur shembullin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Aishja radijAllahu anha thotë: “I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i ka preferuar lutjet e përgjithshme, kurse të tjerat i ka lënë.”[5]
Këmbëngulja në lutje dhe përsëritja e saj: Preferohet që lutësi të këmbëngulë në lutjen e tij, ta përsërisë atë sa më shpesh dhe ta shtojë sa më shumë, pasi në këtë shfaqet robëria, varfëria dhe përulja para Allahut azze ve xhel-le. Aishja radijAllahu anha thotë: “I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet, Allahu i do ata që janë këmbëngulës gjatë lutjes.”[6] Abdullah ibën Mesu’di radijAllahu anhu tregon: “Kur i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u lut kundër kurejshëve, kur u ofendua prej tyre teksa ishte në sexhde, tha: “O Zot, dënoji kurejshët! – tri herë”.[7] Muslimi shotn: “… Kur është lutur, është lutur tri herë dhe kur ka kërkuar diçka, ka kërkuar tri herë”. Enesi radijAllahu anhu thotë: “Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dërgoi në një detyrë shtatëdhjetë burra që u thuhej kurra, lexues. Atyre tek një pus që quhej Bi’ru Meuneh u dolën në pritë dy lagje nga fisi Benu Sulejm: Ri’l dhe Dhekvan. Këta burra thanë: “Pasha Allahun, nuk ju patëm ju për qëllim (t’ju luftojmë), ne vetëm jemi duke kryer një detyrë të Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Por këto dy lagje i mbyten ata njerëz. Atëherë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u lut kundër tyre një muaj rresht në namazin e sabahut. Ai ishte fillimi i duasë së kunutit, ngase më herët nuk bënim dua të kunutit”.[8] Transmeton Ebu Hurejra radijAllahu anhu, se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem për njeriun e fundit nga banorët e zjarrit që do të hyjë në xhennet ka thënë: “Dhe nuk pushon duke u lutur derisa qesh Allahu, e kur të qeshë me të, i jep leje për të hyrë në xhennet”.[9] Sa’d ibën ebi Vekkasi radijAllahu anhu transmeton se “i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem hyri tek ai në Mekë për ta vizituar, kurse Sa’di qau. “Pse qan”- e pyeti i Dërguari. Ai tha: “Frikësohem se po vdes në tokën (Mekë) nga e cila migrova, ashtu siç vdiq Sa’d ibën Havleh.” Atëherë, i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u lut: “O Allah, shëroje Sa’din! O Allah, shëroje Sa’din!” – tri herë”.[10] Transmeton Enesi se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush i kërkon Allahut xhennetin tri herë, xhenneti thotë: -O Zot, fute atë në xhennet! Dhe kush kërkon mbrojtje nga zjarri tri herë, zjarri thotë: -O Zot, ruaje atë nga zjarri!”[11] Umer ibën Hattabi thotë: “Ditën e Bedrit, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem pa idhujtarët se ishin një mijë, kurse numri i shokëve të tij ishte treqind e nëntëmbëdhjetë burra. Atëherë u kthye nga kibla, i ngriti duart lart dhe vazhdoj t’i lutet Zotit: “O Allah, përmbushe atë që më ke premtuar! O Allah, më jep atë që më ke premtuar! O Allah, nëse Ti e shkatërron këtë grup muslimanësh, nuk do të adhurohesh në Tokë.” Dhe kështu vazhdoi t’i lutet Zotit, me duart lart i drejtuar nga kibla, derisa i ra pjesa e epërme e rrobës (ridaja) nga krahët e tij…”[12]
Lutja të bëhet me vendosmëri, me vëmendje dhe me shpresë në pranimin e saj: Lutësi duhet të bëjë përpjekje në lutje, të jetë i përqendruar në të, të jetë i bindur në përgjigje, të jetë i vendosur dhe të ngulë këmbë në kërkesën e tij, pa kurrfarë hamendjeje dhe pa e ndërlidhur lutjen me dëshirën e Allahut. Po ashtu duhet të ketë mendim të mirë për Allahun dhe dëshira për atë kërkesë të jetë sa më e madhe. Ebu Hurejra përcjell se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos të thotë ndonjëri: -O Zot, më fal, nëse Ti dëshiron! O Zot, më mëshiro, nëse Ti dëshiron! Le të jetë i vendosur në kërkesën e tij, ngase askush s’mund ta detyrojë Allahun.”[13] Në transmetimin e Muslimit thuhet: “Kur dikush prej jush lutet, të mos thotë: -O Zot, më fal mua, nëse Ti dëshiron! Por le të jetë i vendosur në kërkesën e tij dhe dëshira e tij për të le të jetë sa më e madhe, ngase për Allahun nuk është e rëndë ajo që jep.” Transmeton Ebu Hurejra se i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Luteni Allahun duke qenë të bindur në përgjigje dhe dijeni se Allahu nuk i përgjigjet një lutjeje që vjen nga një zemër e pavëmendshme dhe e papërqendruar.”[14] Enesi transmeton se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur ndokush prej jush lutet, le të jetë i vendosur në kërkesën e tij e të mos thotë: -O Zot, më jep, nëse Ti dëshiron! Ngase për Të nuk ka detyrues”.[15] Allahu thotë: “Me të vërtetë, ata (Pejgamberët) nxitonin në vepra të mira dhe Na luteshin, duke shpresuar (mëshirën Tonë) dhe duke druajtur (nga dënimi Ynë) dhe ishin të përulur ndaj Nesh.” (El-Enbija: 90)
Lutësi të mos veçojë veten në lutje nëse është imam: Transmetohet se është e ndaluar për imamin ta veçojë veten në lutje, d.m.th. të bëjë lutje në njëjës. Kjo ka të bëjë me ato lutje që me’mumi (xhematliu) nuk e shoqëron imamin, siç është duaja e kunutit e të tjera. Nga Thevbani radijAllahu anhu transmetohet se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Tri gjëra nuk i lejohen asnjërit t’i punojë: të mos bëhet njeriu imam i të tjerëve e pastaj ta veçojë veten me lutje; nëse e bën, veçse i ka tradhtuar ata; të mos shikojë në brendësinë e një shtëpie pa kërkuar leje; nëse këtë e bën, veçse ka hyrë (pa leje në atë shtëpi); dhe të mos falet duke qenë nën presion të jashtëqitjes derisa të lirohet nga ajo”.[16] Për këtë arsye është e ligjësuar që të thuhet në duanë e kunutit: “O Zot, na udhëzo (ne) me të udhëzuarit…”, në trajtën e shumësit, edhe pse hadithi është përcjellë në trajtën e njëjësit: “O Zot, më udhëzo (mua) me të udhëzuarit”. Imami apo dikush tjetër mos ta veçojë lutjen vetëm për vete nëse gjendet në një tubim, përkundrazi lutja duhet të jetë e përgjithshme. Ebu Hurejra thotë: “U ngrit i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në namaz, edhe ne u ngritëm me të. Një beduin duke qenë në namaz tha: -O Allah, më fal mua dhe Muhamedin, e mos fal me ne askënd tjetër! Kur i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem përfundoi namazin, i tha beduinit: “Ke ngushtuar diçka shumë të gjerë (mëshirën e Allahut)”.[17] Në këtë hadith tregohet se është i ndaluar përkufizimi gjatë lutjes. Kjo do të thotë të kufizohet dhe të ngushtohet mëshira e Allahut duke e kërkuar vetëm për vete dhe duke përjashtuar prej saj besimtarët e tjerë. Kurse sa u përket lutjeve të tjera brenda namazit që i thotë edhe imami edhe me’mumi (xhematliu), siç janë duaja e hapjes së namazit (Subhanekeja), duaja mes dy sexhdeve, duaja pas salavateve etj., nuk ka asgjë të keqe të thuhen në njëjës.
Kur të lutet, të fillojë prej vetes, pastaj të lutet për prindërit dhe për vëllezërit e tij besimtarë: Nga tradita e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është që kur besimtari të bëjë lutje, të fillojë prej vetes. Transmeton Ubejj ibën Ka’bi se “i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem kur përmendte ndonjërin nga Pejgamberët, fillonte me vetveten dhe thoshte: “Mëshira e Allahut qoftë mbi ne dhe mbi filan vëlla tonin, mëshira e Allahut qoftë mbi ne”.[18] Allahu na rrëfen për Ibrahimin alejhi selam, i cili thotë: “O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në ditën kur do të jepet llogari!”(Ibrahim: 41). Po ashtu thotë: “Dhe thuaj: O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur kur unë isha i vogël!”(El-Isra: 24). “Kërko falje për mëkatin tënd dhe për besimtarët e besimtaret!”(Muhammed: 19). “Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!”(El-Hashr: 10). Duke rrëfyer për Nuhun alejhi selam, Allahu thotë: “O Zoti im, falëm mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret!”(Nuh: 28). Transmetohet nga Safvani, i cili thotë: “Hyra në Sham, pastaj shkova tek Ebu Derda në shtëpinë e tij, por nuk e gjeta. Aty ishte Umu Derda, e cila tha: -A doni të bëni haxh këtë vit? -Po, ia ktheva. – Ajo më tha: -Atëherë, lute Allahun për ne për çdo të mirë, ngase i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thoshte: “Lutja e besimtarit për vëllanë e tij, pa prezencën e tij, është e pranuar, dhe tek koka e tij është një melek i ngarkuar që sa herë ai të lutet për vëllanë e tij për të mirë, meleku thotë: -Amin, edhe ty gjithashtu!”[19]
Të mos ngrihet shikimi drejt qiellit gjatë lutjes në namaz: Transmeton Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Le të ndalojnë disa njerëz nga ngritja e shikimit drejt qiellit gjatë lutjes në namaz, ose do t’u rrëmbehet të parit e tyre.”[20] Pra, hadithi përmban ndalesë të rreptë dhe kërcënim të ashpër për namzliun që e ngre shikimin lart në qiell, duke qenë në namaz, ngase kjo është refuzim i të drejtuarit nga kibla dhe dalje nga forma e namazit.
Të mos nxitojë në përgjigje: Nga rregullat e duasë është që lutësi të mos ngutet në lutje, por le të vazhdojë dhe të insistojë në të. Transmetohet se janë të ndaluara nxitimi në lutje, ngutja në përgjigje si dhe lënia e lutjes. Ebu Hurejra radijAllahu anhu transmeton se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Do të ketë përgjigje për secilin prej jush (në lutjen e tij) përderisa nuk ngutet, thotë: Unë u luta, por nuk ka përgjigje për mua”.[21] Buhariu kapitullin e këtij hadithi e ka emërtuar me këto fjalë: “Kapitulli: Për robin ka përgjigje përderisa nuk ngutet”[22]. Ibën Rexhebi thotë: “Ndalohet ngutja dhe lënia e lutjes për shkak të vonimit të përgjigjes. Kjo llogaritet nga pengesat në pranimin e lutjes, në mënyrë që robi të mos e këpusë shpresën e tij në përgjigje, edhe nëse ajo zgjat, se vërtetë Allahu i do ata që janë këmbëngulës në lutje.”[23] Ibën Haxheri thotë: “Në këtë hadith gjendet një rregull nga rregullat e lutjes, që është të mos i ndahet lutjes dhe të mos e humbë shpresën në përgjigje, ngase kjo përmban përulje dhe nënshtrim ndaj Allahut si dhe shfaq nevojën për Të. Disa nga selefët thanë: “Unë më shumë i frikësohem privimit nga lutja sesa privimit nga përgjigja.”[24] Mekkijj ibën Talib përmend se kohëzgjatja në mes lutjes së Zekrijait alejhi selam për fëmijë dhe mes sihariqit për të ishte dyzet vite.[25] Tregohet se disa prej selefëve kanë thënë: “Ka njëzet vite që unë e lus Allahun për një kërkesë e nuk më është përgjigjur, por unë shpresoj për përgjigje, e lus Allahun që të më japë sukses e të largohem nga gjërat që nuk më përkasin mua.”[26] Allahu i Lartësuar ka urdhëruar për lutje dhe ka premtuar përgjigje, pasi nuk e thyen premtimin e dhënë. Ebu Hurejra radijAllahu anhu transmeton se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk ka njëri që i drejtohet Allahut me ndonjë lutje, veçse do t’i përgjigjet atij; ose duke ia përshpejtuar përgjigjen në dunja, ose duke ia ruajtur për në ahiret ose duke ia shlyer me të gjynahet e tij në masën e lutjes që ka bërë, përderisa nuk lutet për të realizuar ndonjë mëkat apo për të shkëputur ndonjë lidhje farefisnore dhe përderisa nuk nxiton në përgjigje.” I thanë: “O i Dërguar i Allahut! Si është nxitimi në përgjigje?” Ai tha: “Thotë njeriu: -E kam lutur Zotin tim, kurse Ai nuk më është përgjigjur”.[27] Ibën Kajjimi, duke i përmbledhur këto rregulla dhe duke përmendur ndikimin e tyre në pranimin e lutjes, thotë: “Nëse lutjes i bashkohet vëmendja dhe përqendrimi i plotë, pastaj përkon me njërën nga gjashtë kohët kur pranohet lutja, që janë: pjesa e tretë e fundit e natës, koha e thirrjes së ezanit, koha mes ezanit dhe ikametit, koha pas namazeve obligative, koha kur imami hipën në minber ditën e xhuma derisa të falet namazi, çastet e fundit pas namazit të ikindisë po të kësaj dite, pastaj lutja has drojë në zemër, keqardhje para Allahut, butësi, përulje dhe nënshtrim ndaj Tij; duke qenë me abdest, i drejtuar nga kibla, me duar ngritur lart drejt Allahut (të Lartësuar); duke filluar me falënderim dhe lavdërim ndaj Allahut, pastaj me salavate mbi Muhamedin, robin e Tij; para lutjes ka shprehur pendim e kërkimfalje, pastaj shpreh kërkesën e tij dhe ngul këmbë në të, i lutet dhe i përgjërohet me shpresë e frikë, ndërmjetëson tek Ai me emrat, atributet dhe njësimin e Tij si dhe para lutjes ka dhënë sadaka, kjo lutje pothuajse nuk refuzohet kurrë, sidomos nëse përputhet me lutjet për të cilat njofton i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem se kanë gjasat më të mëdha për t’u pranuar apo të cilat përmbajnë Emrin më të madh…[28]
Përshtati: Bajram Sefedini

_____________________________________________________________________________________________

[1] Buhariu (6337).

[2] Buhariu (2933), Muslimi (1741).

[3] Muslimi (1218).

[4] Muslimi (2722).

[5] Ebu Davudi (1482), Ahmedi (148/6), Ibën Hibani në “El ihsan” (867), Taberaniu në “Ed Dua” (50), Hakimi në “Mustedrek” (723/1) dhe e ka cilësuar hadithin të vërtetë.

[6] Taberaniu në “Ed-Dua” (20). Ibën Haxheri në “Fet’hu l-Barij” (95/11) thotë: “Njerëzit e këtij zinxhiri transmetuesish janë thikatë -të besueshëm dhe të përpiktë në transmetim-, mirëpo nuk dihet Bekijje a e ka dëgjuar këtë nga Aishja”.

[7] Buhariu (240), Muslimi (1794).

[8] Buhariu (4088), Muslimi (677).

[9] Buhariu (6574), Muslimi (182).

[10] Buhariu (56), Muslimi (1628).

[11] Tirmidhiu (2572), Nesaiu (5521), Ibën Maxheh (4331), Ahmedi (208/3), Hakimi (717/1) dhe e ka cilësuar të vërtetë.

[12] Muslimi (1763).

[13] Buhariu (6339), Muslimi (2679).

[14] Tirmidhiu (3479), Taberaniu në “Ed dua” (62), Hakimi në “Mustedrek” (493/1). Në zinxhirin e transmetuesve është edhe Salih ibën Beshir el Murrijj, që është i dobët, por ka një hadith dëshmues për të tek Imam Ahmedi (177/2)

[15] Buhariu (6338), Muslimi (2678).

[16] Ebu Daudi (90), Tirmidhiu (357), Ahmedi (280/5). Tirmidhiu thotë: “Hadithi është i mirë”.

[17] Buhariu (6010).

[18] Muslimi (2380).

[19] Muslimi (2733).

[20] Muslimi (429).

[21] Buhariu (6340), Muslimi (2735).

[22] Buhariu me Fet’hu l-Barij (140/11).

[23] “Xhamiu’ l-Ulumi ue l-Hikem” (2/403).

[24] “Fet’hu l-Bari” (141/11).

[25] Shiko “Silahu l-Mu’min” fq.157.

[26] Shiko “Ihjau Ulumi Din” e Gazalit (475/1), “Silahu l-Mumin”

[27] Tirmidhiu (3968). Në këtë zinxhir gjendet El Lejth ibën Sulejmi, që është i dobët, mirëpo ekzitojnë hadithe dëshmuese për këtë hadith.

[28] “El Xhevabu El-Kafi”, fq. 17.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here