Ngjarjen në vijim na e rrëfen familja e një plake, e cila në atë kohë i kishte arritur të tetëdhjetat dhe jetonte në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite. Plaka një ditë nga ditët ulet me disa gra, mirëpo e vërejti se ato kohën po e kalojnë në muhabete e thashetheme, në përgojim e bartje të fjalëve, filania e gjatë e tjetra e shkurtër, njëra e bukur e tjera e shëmtuar, njëra e martuar e tjetra e ndarë etj. Plaka e vërejti se aty ska fare dobi dhe u largua në shtëpinë e saj për ta përmendur Allahun, ashtu siç edhe vepronte gjithmonë.
E mori sixhadenë dhe filloi të falë namaz nate, ashtu siç e kishte traditë edhe netëve tjera, mirëpo kjo natë do të dallohet nga ato tjerat me diçka. Duke u falur plaka nxjerrë një zë dhe kjo ia tërhoqi vëmendjen birit të saj, të cilin e kishte të vetëm dhe e respektonte nënën shumë. I biri hyri në dhomë dhe e pa nënën se kishte ra në sexhde dhe kishte mbetur në atë gjendje. Plaka e thirri duke i thënë:
– O biri im, në këtë moment nuk më lëviz nga trupi asgjë, përveç gjuhës.
I biri i tha:
– Nëna ime, do të dërgoj shpejt në spital.
Plaka ia kthehu:
– Jo, o biri im, më lër këtu.
– Jo, pasha Allahun, do të shkojmë në spital, – i tha djali.
Mjekët mblidhen shpejt të shohin se çfarë të bëjnë, mirëpo e shohin se janë të pafuqishëm për të bërë ndonjë gjë. Plaka i drejtohet të birit dhe i thotë:
– O biri im, për hir të Allahut, të lutem më dërgo në shtëpi dhe te sixhadeja ime.
Kthehet plaka në shtëpi, i biri i jep abdes dhe e vendos mbi sixhadenë e saj, dhe në atë gjendje që ishte fillon të falet.
I biri vazhdon me rrëfimin.
Pas një kohe të shkurtër, para sabahut, nëna ime më thirri dhe më tha: O biri im, të lë në mbrojtje të Allahut, i cili i mbron robërit e Tij dhe nuk i humb dhe tha: Esh-hedu en la ilahe il-lAllah ue esh-hedu en-ne Muhameden resulullah. Pastaj i mori frymëmarrjet e fundit dhe ndërroi jetë.
Nuk i mbeti të birit tjetër, përveç se t’ia lajë xhenazen, ta qefinosin, ta bartin për t’ia falur namazin, e pastaj ta dërgojnë deri te varrezat dhe t’ia zgjerojnë varrin më shumë që ta varrosin duke qenë në atë gjendje në sexhde.
Njeriu sikur vdes, ashtu do të ringjallet në Ditën e Kiametit para Allahut, e kjo plakë vdiq në sexhde dhe në sexhde do të ringjallet para Allahut, Ditën e Kiametit, me lejen e Allahut!
Nga arabishtja: Irfan JAHIU