ROLI I FAMILJES NË EDUKIMIN E FËMIJËVE

0
250

Morali i mirë i personit është reflektim i edukimit, mendimit dhe besimit të tij. Nëse ndonjëra prej tyre humb, humb morali dhe largohet nga udhëzimi e urtësia.

Edukimi familjar luan një rol të rëndësishëm në rritjen, drejtimin dhe formimin e një personaliteti të rregullt te djemtë dhe vajzat. Allahu i Madhëruar thotë: “Toka e mirë i jep frutat me lejen e Zotit të saj, ndërsa toka e keqe, zor se jep gjë.” (El-A’raf: 58)

Në “Sahihun” e Buhariut dhe të Muslimit transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:
“Secili njeri lind në natyrshmëri (në njohjen e Allahut si një e të vetëm), por prindërit e tij e bëjnë atë çifut, të krishterë ose adhurues zjarri.”

Roli i familjes në edukimin e djemve dhe vajzave përmban disa pika.

Së pari, zgjedhja e saktë e gruas sipas rregullave të sheriatit, duke vënë në zbatim fjalën e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Gruaja merret për katër cilësi: për pasurinë e saj, për bukurinë e saj, për prejardhjen e saj, për fenë e saj. Zgjidh fetaren, t’u mbushçin duart me pluhur (shprehje arabe që përdoret për të nxitur për një punë të mirë).”

Për shkak se gruaja është themeli kryesor i familjes, e nëse përmirësohet themeli përmirësohet edhe ndërtesa. Në lidhje me këtë poeti thotë:

Nëna është një shkollë që nëse e përgatit atë.

Ke përgatitur një brez me vlera.

Nuk mjafton që gruaja të jetë vetëm fetare, por duhet që feja e saj të jetë e ndërtuar mbi dije të saktë dhe metodologji të pastër. Nga mësimet që përmendin historianët nga poeti Imran ibën Hat-tani është se në fillim ishte në rrugën e Ehlu Sunnetit dhe Xhematit, por kur u martua me një grua havarixhe (havarixhët janë grup që i konsiderojnë jobesimtarë muslimanët që bëjnë gjynahe të mëdha), u ndikua nga ajo dhe hyri në rrugën e havarixhëve për shkak të saj (Allahu na ruajttë).

Së dyti, mbjellja e besimit të saktë te fëmijët dhe forcimi i parimit të dashurisë dhe urrejtjes për hir të Allahut në zemrat e tyre sipas Kur’anit, Sunnetit dhe kuptimit të paraardhësve tanë të devotshëm.

Së treti, mbjellja e koncepteve të rëndësishme te fëmijët, të marra nga metodologjia e selefëve, e kjo që në vogëli, si për shembull: rëndësia e të përmbajturit pas xhematit (grupit të muslimanëve), bindja ndaj prijësve në ato gjëra ku nuk kundërshtohet Allahu, ndalimi i gjakderdhjes etj.

Së katërti, lidhja e fëmijëve me dijetarët (hoxhollarët) edukatorë e me dije të thellë, ata të cilët ua mësojnë atyre fenë, ua sqarojnë gjërat të cilat nuk i kanë të qarta dhe ua largojnë dyshimet.
Ibën Mes’udi radijAllahu anhu ka thënë: “Njerëzit do të vazhdojnë të jenë në hajr përderisa e marrin diturinë nga të mëdhenjtë, e nëse fillojnë të marrin diturinë nga të vegjlit, do të shkatërrohen”.
Kurse Hasan el Basriu thotë: “Kur vjen fitneja (sprova), e njohin dijetarët, e kur largohet e njeh çdo injorant (i paditur).”

Së pesti, mbushja e fëmijëve me dashuri e ngrohtësi aq sa kanë nevojë për të arritur qetësinë shpirtërore.

Së gjashti, nxitja e shpirtit të dialogut të qetë e që kërkon zgjidhje mes prindërve dhe fëmijëve, që prindërit të dinë se çfarë fshihet në mendjet e fëmijëve e pas kësaj përkrahin të saktën dhe përmirësojnë të gabuarën.

Së shtati, ndër rolet e rëndësishme që luan familja ndaj fëmijëve është gjithashtu mbikëqyrja e mirë e fëmijëve në moshën e adoleshencës, duke u kujdesur se çfarë të lexojnë, nga kush të lexojnë dhe me kë të shoqërohen. Transmetohet në hadith: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, prandaj le të shikoj se me kë shoqërohet.”

Nuk ka dyshim se shoqërimi i fëmijëve tanë me rininë fetare është diçka e mirë, por duhet që kjo fe (që ka kjo rini) të jetë në përputhshmëri me Kur’anin, Sunnetin dhe kuptimin e selefëve (paraardhësve tanë të devotshëm); në një rrugë të qartë, që është rruga e mesatares, se kjo është feja e lavdëruar.

Ndërsa feja e havarixhëve është ajo fe për të cilën i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:”Ju e nënçmoni namazin dhe agjërimin tuaj para namazit e agjërimit të tyre.” Pra ka për qëllim se ata do të jenë më të devotshëm në pamje të parë.

Kjo është fe e nënçmuar sepse ata dalin nga feja ashtu siç del shigjeta nga harku (siç është transmetuar në hadith). Si pasojë e këtij teprimi ata arritën t’i nxjerrin muslimanët nga Islami dhe të bëjnë të lejuar gjakun e tyre (Allahu na ruajttë).

Së teti, kujdesi për plotësimin e nevojave ekonomike të fëmijëve në mënyrë që mos t’i përdorin duart mashtruese, të cilat kanë mendime të devijuara dhe besime të prishura.

Lusim Allahun e Madhëruar që të udhëzojë rininë muslimane, që ta ruajë atë nga sprovat e dyshimeve dhe epsheve dhe të ruajë vendet tona nga kurthet.

Shkroi: Emel bint Muhamed ibën Abdul-Aziz er-Rashid
Përshtati: Ardit ULQINAKU

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here