Një i ri mysliman vendosi të studiojë jashtë shtetit të tij dhe si vend për studimet e tij të ardhshme e zgjodhi Gjermaninë. Pasi që arrin në Gjermani, vendoset me një banesë ku si fqinj e kishte një të ri gjerman. Lidhja mes tyre ishte vetëm një lidhje fqinjësie, jo më tepër.
Pas një periudhe, i riu gjerman udhëton papritmas, kurse shpërndarësi i gazetave për çdo ditë ia vendoste gazetën para derës së tij. I riu mysliman, kur e vërejti se gazetat shtohen për çdo ditë para derës së fqinjit të tij, u interesua për të dhe u lajmërua se ai kishte udhëtuar.
I mori gazetat dhe i palosi në një raft të posaçëm. Për çdo ditë e merrte gazetën dhe e paloste në raft dhe i tubonte në një vend. Kur u kthye fqinji i tij pas dy apo tre muajve, i riu mysliman e përshëndeti dhe e përgëzoi për arritjen e tij me shëndet të mirë dhe ia dorëzoi të gjitha gazetat e tubuara dhe i tha:
– U frikova se je duke e përcjellë ndonjë artikull apo merr pjesë në ndonjë kuis dhe doja që të mos humbë asgjë nga informatat.
I riu gjerman filloi ta shikojë habitshëm dhe të çuditet nga përkujdesja e tij dhe i tha:
– A do të shpërblehesh apo do ndonjë shërbim për këtë vepër që e bëre?
I riu mysliman iu përgjigj:
– Jo. Neve feja na urdhëron në mirësi ndaj fqinjit, e ti je fqinji im dhe unë e kam patjetër të të bëj mirë!
Ky i ri mysliman e vazhdoi bamirësinë e tij ndaj fqinjit të vet edhe më tutje, derisa i riu gjerman e pranoi Islamin dhe u bë mysliman.
E tha të vërtetën Omer ibën Abdulazizi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, kur tha:
Bëhuni thirrës të fesë së Allahut duke qenë të heshtur! I thanë: E si është e mundur kjo? U përgjigj: Me moralin dhe sjelljen tuaj.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU