RËNDËSIA E TEVHIDIT

RËNDËSIA E TEVHIDIT

1. Teuhidi shtylla më madhështore islame

Teuhidi është shtylla kryesore e Islamit dhe njeriu nuk mund të hyjë në fenë islame pa e dëshmuar atë, gjegjësisht pa ia kushtuar tërë adhurimin vetëm Allahut dhe askujt tjetër.

I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se askush dhe asgjë përveç Allahut nuk meriton të adhurohet dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, pastaj falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit dhe kryerja e haxhit.” 1

2. Teuhidi gjëja më e rëndësishme dhe obligimi i parë

Për shkak të rëndësisë së tij, teuhidit duhet t’i jepet përparësi ndaj të gjitha çështjeve tjera të rëndësishme.
Teuhidi është çështja e parë në të cilën duhet ftuar njerëzit, siç i tha i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, Muadhit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur e dërgoi për në Jemen: “Ti po shkon te një popull që janë ithtarë të librit, prandaj le të jetë gjëja e parë në të cilën do t’i thërrasësh dëshmia se askush dhe asgjë përveç Allahut nuk meriton të adhurohet”, ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “që ta veçojnë Allahun në adhurim”2 .

3. Pa teuhid nuk pranohen ibadetet

Teuhidi është kusht për vlefshmërinë e ibadeteve dhe bazë për pranimin e tyre. Ibadetet nuk mund të quhen ibadete pa teuhid, sikundërqë namazi nuk mund të quhet namaz pa pasur abdes. Pra, shirku3 , që është e kundërta e teuhidit, shkatërron çdo ibadet që e shoqëron ai, sikurse hadethi4 që e prish abdesin. Ibadeti që bëhet pa teuhid shndërrohet në shirk, i cili i shkatërron të gjitha veprat, madje atë që bie në shirk e bën prej banorëve të përhershëm të zjarrit të xhehenemit.

4. Teuhidi shkak për siguri dhe udhëzim në këtë dhe botën tjetër

Argument për këtë është fjala e Allahut: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (zullum), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.”5

Fjala padrejtësia që përmendet në këtë ajet nënkupton shirkun, siç na e ka sqaruar këtë i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të.

Ibën Kethiri, në komentimin e këtij ajeti, thotë: “Domethënë ata që ia kushtojnë tërë adhurimin vetëm Allahut, i Cili është i Vetëm dhe s’ka rival, duke mos i shoqëruar Atij asgjë në adhurim do të jenë të sigurt në Ditën e Kijametit dhe të udhëzuar në dunja dhe ahiret. Ai që e jetëson teuhidin në mënyrë të plotë do të ketë siguri dhe udhëzim të plotë dhe do të hyjë në xhenet pa u ndëshkuar.”

Shirku pra është padrejtësia më e madhe, kurse teuhidi është kulmi i drejtësisë.

5. Teuhidi shkak për të hyrë në xhenet dhe për të shpëtuar nga zjarri

I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush dëshmon se askush dhe asgjë përveç Allahut nuk meriton të adhurohet, i Cili është i Vetëm, pa rival dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, dhe njëherazi dëshmon se Isa është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij, se është fjala e Allahut që ia dërgoi Merjemes dhe një prej shpirtrave që i krijoi Ai dhe dëshmon gjithashtu se xheneti është i vërtetë dhe se xhehenemi është i vërtetë do ta fusë Allahu në xhenet me aq vepra që ai i ka bërë.”6

I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, po ashtu ka thënë: “Allahu ia ka ndaluar zjarrit ta djegë atë që thotë “la ilahe il-lallah” duke kërkuar kënaqësinë e Allahut.”7

6. Teuhidi shpëtim nga brengat e dunjasë dhe ahiretit

Ibën Kajjimi ka thënë: “Teuhidi është strehimi i miqve dhe armiqve të vet”.

a. Është strehim për armiqtë e vet, sepse i shpëton ata nga brengat dhe vështirësitë e kësaj dunjaje, siç thotë Allahu në Kuran:

“Kur hipin në anije, ata i luten Allahut me devotshmëri të sinqertë, por kur Ai i sjell në tokë shëndoshë e mirë, menjëherë ata i veshin Atij ortakë (në adhurim).”8

b. Ndërsa miqtë e vet i shpëton nga brengat dhe vështirësitë e kësaj bote dhe të botës së amshueshme. Ky është ligj i Allahut për robërit e Tij. Asgjë nuk i largon vështirësitë e dunjasë sikurse teuhidi, për këtë arsye duaja e vështirësisë është e lidhur drejtpërdrejt me teuhid dhe po ashtu duaja e Junusit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, me të cilën kushdo që lutet kur gjendet në vështirësi Allahu do t’ia largojë vështirësinë.9

Asgjë nuk e çon njeri në vështirësi të mëdha përveç shirkut dhe asgjë nuk e shpëton atë nga to përveç teuhidit, ngase teuhidi është strehimi, mburoja dhe shpëtimi i të gjitha krijesave.

7. Teuhidi urtësia e krijimit të njerëzve dhe xhinëve

Allahu i Madhërishëm thotë:

“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.”10

Domethënë për të Më veçuar në adhurim.

Nuk u dërguan pejgamberët, as nuk zbritën librat, as nuk u bënë kushtetutat e as nuk u krijuan krijesat për tjetër përveçse për ta veçuar Allahun në adhurim, duke mos adhuruar askënd tjetër.

Marrë nga libri “Et-Teuhijd el-mujesser” i autorit Abdullah El-Huvejl
Përktheu: Jusuf Kastrati