Mos vallë, ti je Abdul-Mexhidi?!

0
218

Ngjarjen në vazhdim na e tregon dijetari i nderuar Muhammed el-Hudejri nga Arabia Saudite, Allahu e ruajttë!

“Një nxënës imi studionte në fakultetin e mjekësisë dhe njëkohësisht merrte pjesë edhe në mësimet që i mbaja në xhami. Ishte shumë i zellshëm, si në mësimet e fakultetit po ashtu edhe në mësimet që i merrte nga unë, saqë nganjëherë vinte në xhami për të mësuar edhe me rroba të punës. Pas përfundimit të fakultetit u dërgua për t’i vazhduar studimet në Kanada. Në një nga pushimet e tij erdhi dhe më vizitoi. Unë kërkova prej tij të më tregojë diçka nga ajo që kishte parë. Më tha: “Do të ta tregojë një ngjarje të çuditshme.” Pastaj, nisi ta tregojë atë ngjarje: “Me mua në spital punojnë dy mjekë kanadezë muslimanë. Një ditë prej ditësh i ftova në shtëpinë time dhe filluam të bënim muhabet. Unë kërkova prej tyre të më tregonin se si e kishin pranuar Islamin. Njëri nga ta filloi tregimin e tij, duke thënë: “Ngjarja se si e kam përqafuar unë Islamin është e çuditshme! Një ditë, përderisa isha duke ecur në një rrugë, e cila është e mbushur përplot me dyqane dhe me njerëz të shumtë, pashë një njeri të zi, i cili mbante disa libra në dorë dhe i shpërndante në një mënyrë të çuditshme. Gjithsecilit që kalonte pranë tij ia lëshonte si me forcë nga një libër në dorë dhe në mënyrë paksa të ashpër i thoshte: “Merre! Merre! Mëso! Njihe të vërtetën! Kjo është feja e Allahut!” Edhe mua ma lëshoi një libër në dorë, në të njëjtën mënyrë. Posa e mora librin e hodha në shportën më të afërme që e kisha. Por, para se ta hidhja, lexova titullin “The holy Quran (Kurani i shenjtë)”. Më pas, u ktheva në shtëpi. Në mbrëmje, kur rashë për të fjetur, thashë me vete: “Ai njeri pretendonte një gjë, pos kësaj më paraqiti edhe dëshmi, duke thënë se ai ishte libri i së vërtetës, ndërsa unë jam njeri që di të logjikojë, andaj përse nuk e mora atë libër ta lexoja! Në qoftë se do të kisha gjetur diçka të mirë në të do ta kisha marrë, e në qoftë se do të kisha gjetur diçka të keqe do ta kisha lënë. Unë mund ta dalloj të vërtetën nga e kota. Është e vërtetë se ai nuk u soll mirë ndaj meje, por një gjë e tillë nuk do të duhej të më shtynte ta bëja atë gabim. Atë natë, mezi e prita mëngjesin që ta gjeja atë njeri dhe t’ia merrja një kopje të atij libri. Kur zbardhi mëngjesi dola në atë vend dhe po kërkoja njeriun që shpërndante libra, por për fat të keq nuk e gjeta. Kërkova librin në shportë, por shporta ishte zbrazur. Pastaj, vazhdova ta kërkoj atë njeri në të gjitha rrugët e asaj lagjeje, por askund nuk e gjeta. E kërkova të nesërmen nuk e gjeta. Të pasnesërmen e kërkova gjithashtu, por prapë nuk e gjeta. Kureshtja ime për ta lexuar atë libër shtohej gjithnjë e më tepër. Prandaj, së paku dy herë në javë kaloja asaj rruge me shpresë se do ta takoja atë njeri. Por, kjo gjë zgjati plot tre muaj. Pas tre muajsh, prej së largu, pashë një njeri duke shpërndarë libra. Shkova me shpejtësi tek ai dhe e pashë se me të vërtetë ai ishte njeriu që po e kërkoja. Por, kësaj radhe në dorën e tij kishte ca fletushka. Ai i shpërndante ato si herën e kaluar, duke ia lëshuar njerëzve me forcë në duar dhe duke iu thënë: “Merre! Merre! Lexo! Njihe të vërtetën. Kjo është e vërteta! Kjo është feja e Zotit!” Madje, hynte edhe nëpër dyqane dhe ua shpërndante ato në atë mënyrë dhe me plot vullnet, mburrje dhe krenari. E ndala atë dhe i thashë: “Ma ke dhënë një libër, i cili titullohet “The holy Quran”, por më ka humbur, andaj a ke mundësi të ma japësh një libër të tillë? I thashë ashtu pasi nuk doja ta dinte se e kisha hedhur librin në shportë. Më tha: “Nuk më kanë mbetur më! Po deshe merre këtë fletushkë, gjë tjetër nuk kam.” Por, unë i thashë se patjetër më duhej ai libër. Më tha: “Mirë, pasi po ngul këmbë, atëherë pritmë derisa t’i mbaroj këto fletushka, mandej shkojmë së bashku në shtëpinë time dhe ta jap kopjen time personale.” Kur mbaroi shpërndarjen e fletushkave shkuam në shtëpinë e tij. Ma solli librin dhe më tha: “Kjo është kopja ime personale, por unë po ta jap ty!” E mora atë, me kujdesin më të madh që kisha. Menjëherë shkova në shtëpi dhe gjëja e vetme me të cilën u angazhova ishte leximi i këtij libri. Fillova ta lexoj që nga faqja e parë. Një javë të tërë nuk lexova gjë tjetër, pos këtij libri. Kur e përfundova leximin e kuptova se, vërtet, kjo është feja e drejtë! Atëherë, shkova në qendrën islame që gjendej në qytetin tim, Toronto dhe ua tregova ngjarjen time. Ata më sqaruan se si të hyja në fenë islame dhe falë Allahut u bëra musliman.”

Tashti, dëgjojeni çështjen më të çuditshme! Kur përfundoi së treguari ngjarjen se si e kishte pranuar Islamin, mjeku tjetër e pyeti atë: “Mos është emri i këtij njeriu Abdul-Mexhid?!” Tha: “Po! Abdul-Mexhid!” Tha: “Subhanallah! I njëjti njeri është bërë shkaktar edhe për udhëzimin tim!” Por, miku im (mjeku nga Arabia Saudite) nuk më tregoi se si e kishte përqafuar fenë islame ky i fundit. Mbase mund ta ketë marrë prej tij ndonjë libër a fletushkë dhe ajo të jetë bërë shkak për ta pranuar Islamin.

Tregimi ende nuk ka mbaruar! Përkundrazi, tash ka filluar!

Në vitin 2005, unë bashkë me një grup njerëzish të tjerë shkuam në haxh, nëpërmjet një shoqate humanitare. Të gjithë njerëzit e grupit ishin saudianë. Por, ditën e Arafatit, përderisa ishim duke qëndruar nën tenda, në mesin tonë, vërejta një njeri të zi të veshur me ihram, të cilin nuk e kisha parë në ditët e mëparshme të haxhit. Por, nuk ia vura shumë mendjen, ngaqë isha i zënë me dhikër (përmendje të Allahut), pasi që ishte dita e Arafatit, ditë kjo, të cilën të gjithë hanxhinjtë e kalojnë duke e përmendur Allahun dhe duke e lutur Atë sa më shumë. Kur erdhi mbrëmja dhe deshëm të largohemi nga Arafati, i bëmë gati ushqimin dhe gjësendet për tu nisur për në Muzdelife. Por, një kohë të gjatë pritëm autobusin. Mandej, kur e pamë se autobusi u vonua shumë dhe nuk dihej se edhe sa do të duhej të pritnim, u kthyem dhe u ulëm në tendë në formë rrethi. Njeriu i zi u ul përballë meje. Unë, meqë që doja ta thyeja mërzinë e cila mbretëronte aty, pyeta: “Ai vëllai aty, prej nga është?” Njëri nga fqinjët e mi ia përktheu atij, sepse ai nuk dinte arabisht. Më tha: “Jam nga Kanadaja”. Thashë: “Masha-Allah, më vjen mirë!” Mandej e pyeta se si po shkonte puna e thirrjes islame në Kanada? Ai m’i dha ca përgjigje të shkurtra. I thashë: “Do ta tregoj një ngjarje që i ka ndodhur një njeriu në Kanada dhe ia tregova këtë ngjarje në mënyrë të plotë, madje duke e imituar njeriun që shpërndante libra, edhe pse nuk e dija se kush ishte njeriu që po qëndronte përballë meje. Por, subhanallah, kur tregova se mjeku pasi kishte lexuar librin kishte shkuar në qendrën islame dhe ishte bërë musliman, njeriu që qëndronte përballë meje uli kokën dhe filloi të qante! Papritmas, mu duk sikur dikush më zgjoi nga gjumi dhe më tha: “Mos vallë, ky është ai njeriu për të cilin je duke folur!” Në atë moment e pyeta: “Mos vallë, ti je Abdul-Mexhidi?!”

“Po, unë jam Abdul-Mexhidi!!!” – ma ktheu ai. Thashë: “Ti je burri nga Kanadaja, i cili fton njerëzit në Islam?!” Tha: “Po, unë jam ai!”

Mjeku saudian më kishte treguar se ky njeri, rregullisht i ndan nga tri orë në ditë vetëm për të thirrur njerëzit në fenë e Allahut.

Ia thashë këto fjalë dhe e pyeta se a është e vërtetë kjo. Ai e pohoi atë. Mandej, vazhdoi duke thënë: “Unë nuk di arabisht, madje as që kam njohuri të shumta për fe, e as Kuranin nuk e kam mësuar, sepse nuk kam pasur edhe aq mundësi. Por, unë vazhdimisht shpërndaj libra dhe fletushka rrugëve dhe nuk e di kush bëhet musliman e kush jo. Ja, tani e mora vesh nga ti, se dy mjekë qenkan bërë musliman, duke qenë unë shkaktar!”

Kështu pra tregimi u shndërrua në aktualitet. Dikur thashë me vete: Subhan-Allah! Ndoshta, Allahu deshi ta nderojë këtë njeri ditën e Arafatit, e ta gëzonte duke e përgëzuar për atë që kishte bërë Allahu nëpërmjet tij.

Ky njeri mund të mendonte se puna që po e bënte është e vogël, por kush e di se sa e sa vetë mund ta kenë pranuar Islamin, duke qenë ai shkaktar!

Prandaj, vëllezër të nderuar! Ftoni njerëzit në rrugën e Allahut, në fenë e Krijuesit, në fenë e vërtetë!

Shikojeni këtë vëlla! Edhe pse i mungonin disa nga metodat e thirrjes, siç janë butësia, buzëqeshja, dhe fjalët e ëmbla, por pasi qëllimin e kishte të pastër dhe të sinqertë, Allahu bëri që prej punës së tij të rezultojnë këto fryte madhështore!”

Përktheu: Jusuf Kastrati

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here