Rëndësia e moralit dhe familjes në shoqëritë Shqiptare

0
541

Mendoj se më parë duhet të meremi vesh me lexuesin mbi një sërë çështjesh, sepse mendoj që, po të mos merremi vesh mbi një sërë çështjesh themelore morali, nuk do të jetë e lehtë që ai të përfitojë nga ky shkrim modest. Me të vërtetë, duke trajtuar cështjet mbi edukimin në familje, a mund të arrihet marrveshje me ata që nuk shqetësohen nga grumbulli i madh i imoraliteteve që përjëtohen sot në të katër anët e vendit tonë, në fshat e në qytet, në mjedisin e jashtëm e në familje?

Ç`është e drejta, ç`mund të thuhet po qe se ne jemi të kënaqur me gjendjen dhe po qe se fëlliqësitë e mjedisit tonë nuk na prekin? A mund të mendohet se diskutimi mbi çështjet morale do të ketë ndonjë dobi po qe se nuk na dridhet zemra përballë rrënimit moral të fëmijëve, nipërve e mbesave apo të të afërmve e fqinjëve tanë?

Historia na tregon se asnjë shoqëri nuk ka qëndruar në këmbë me anë të imoralitetit. Nuk e di a ka ndonjë përjashtim kjo, por nuk ka dyshim se popujt që kanë mundur të mbeten për një kohë të gjatë në këmbë pa u rrëzuar nga historia, janë ata që kanë respektuar vlerat morale!

Ç`të jetë kanceri në trupin e individit, është dhe imoraliteti i te gjitha formave në jetën e shoqërive. Po qe se drejtuesit e shtetit, pastaj kryetarët e familjeve, edukatorët, mësuesit dhe shoqëria janë indiferentë ndaj një shthurjeje morale të tillë, kombi shembet me zhurme e potere pa e marrë vesh kush këtë gjë  e pa i rënë kujt në sy gërmadhat. Kush e di, mbase disa, ashtu si qëniet që e bëjnë strehimin nën gërmadha, e shohin këtë si dicka të natyrshme duke menduar se ja, kësaj i thonë jetë!

Familja është shtylla më e rëndësishme e shoqërisë. Fortësia dhe qëndrueshmëria e saj është edhe fortësia dhe qëndrueshmëria e kombit dhe e shtetit. Atëherë, kjo shtyllë themelore e kombit dhe e shtetit nuk duhet lënë kurrsesi pa palë dhe pa projekt. Sepse një nënvleftësim në këtë cështje  konsiderohet nënvleftësim në emër të të gjithë një kombi. Prandaj ne besojmë se duhet qëndruar me seriozitet mbi cështjen e familjes duke e parë këtë si shumë të rëndësishme dhe dëshirojmë ta theksojmë edhe një herë besimin tonë se shoqëria merr plagë nga bashkimet jo të ligjshme e të shëmtuara larg natyrës së përshtatshme të njerëzimit.

Sigurisht, një fole familjare pa synim, e ngritur mbi dëshira, pasione, qejfe, jo vetem që nuk do të premtojë të ardhme, por do të mbetet në trup të popullit si një element potencial negativ.

Indiferenca morale është fatkeqësia më e frikshme. Prandaj mendojmë se parimet morale te Kur`anit janë burimi i shërimit më me rëndësi për njerëzit që përjetojnë sot një krizë morale. Dua ta mbyllë këtë shkrim me fjalën e Zotit ku thotë: “Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur, pastaj e shtymë atë në nivelin më të ulët!”. Ky ajet na jep neve krahë për tu ngjitur në nivelin më të lartë të të qenit njeri. Por duhet të tregohemi të kujdesshëm si individ e si shoqëri sepse nëse nuk tregojmë qëndrueshmëri ne parimet e moralit njerëzorë, individi dhe shoqëria zbret në nivelin më të ulët ashtu si e thekson edhe Zoti në ajetin e sipër përmendur. ZOTI e ruajt Shoqërinë Shqipëtare nga cdo lloj rreziku dhe rrënimi moral!
Përgatitur nga Tauland BICA, Myftiu i Fierit

Xhamite e Tiranes