Pyetje që u ndaluan t’i bëhen Profetit alejhi selam

0
206

Allahu i madheruar na meson dhe thote: “A doni ta pyesni të Dërguarin tuaj ashtu si u pyet Musai?” – Allahu i Lartësuar i ndaloi besimtarët muslimanë, ose çifutët, që të pyesnin Profetin (a.s.) ashtu sikurse u pyet Musai më përpara. Po cilat janë ato pyetje që u ndaluan t’i bëhen Profetit (a.s.), ose cilat pyetje, në përgjithësi, janë të ndaluara të bëhen?
Pyetjet dhe kërkesat e ndaluara janë ato që bëhen thjesht për të polemizuar dhe për të kundërshtuar të vërtetën, domethënë ato që nuk drejtohen për të mësuar të vërtetën, por për të polemizuar rreth saj dhe për ta hedhur poshtë atë.
Ja një shembull në Kur’ân: “Ithtarët e Librit kërkojnë prej teje (o Muhamed) që t’u zbresësh një libër prej qielli. Në fakt, ata i kërkuan Musait diçka edhe më të madhe (duke i thënë): “Na trego Allahun haptazi!” Atëherë i shkatërroi rrufeja, për shkak të poshtërsisë që bënë. Pastaj zgjodhën viçin (për adhurim), pas shenjave të qarta që iu patën ardhur. Ne ua falëm atë dhe i dhamë Musait pushtet të dukshëm.” [Nisa 153].
Ose nje shembull tjeter: “O ju besimtarë! Mos pyesni për gjëra që, sikur t’ju kthehej përgjigjja e drejtpërdrejtë, nuk do t’ju pëlqente, e nëse do të pyesnit për to kur shpallej Kur’âni, ato do t’ju bëheshin të qarta. Allahu jua ka falur kërshërinë. Allahu është Falës dhe i Butë. Të tilla pyetje i ka bërë edhe një popull para jush, por pastaj u bënë jobesimtarë.” [Maide 101, 102].
Pra, këto lloj pyetjesh e kërkesash janë të ndaluara, ndërsa pyetjet dhe kërkesat nëpërmjet të cilave synohet udhëzimi dhe e vërteta janë të pëlqyeshme të bëhen. Madje, Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që t’i bëjmë të tilla pyetje: “Pyesni përkujtuesit (dijetarët), nëse nuk dini”. [Nahl 43].
Po ashtu, Allahu i Lartësuar i ka miratuar besimtarët muslimanë në shumë pyetje e kërkesa të drejtuara Profetit të Tij dhe nuk i ka qortuar për të tilla pyetje, si për shembull, në suren Bekare: “Të pyesin ty për alkoolin dhe bixhozin. Thuaju …”. Ose: “Të pyesin ty për jetimin…” etj., që tregojnë se të tilla pyetje a kërkesa nuk janë të qortueshme.
Pyetjet dhe kërkesat e ndaluara mund të çojnë edhe në mohim. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar ka tërhequr vërejtjen dhe ka thënë: “Ai që e ndërron besimin me mosbesim, e ka humbur rrugën e drejtë.”

[Tefsiri i Sa’dit]

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here