Pyetje: A lejohet puna në polici?

0
536

Të punuarit në polici
Pyetje: A lejohet puna në polici?
Përgjigje: Forcat e Policisë janë një organ i përbërë nga persona të autorizuar nga shteti për të zbatuar ligjin, mbrojtur pronën, dhe kufizuar çrregullimet e rendit civil. Kompetencat e tyre përfshijnë përdorimin e forcës së legjitimuar nga shteti. Si e tillë puna në polici përfshin një gamë të gjerë veprimesh si: parandalimin dhe ndjekjen e krimit dhe kriminelëve, lufta ndaj trafikantëve të drogës, qenieve njerëzore dhe çdo gjëje tjetër që konsiderohet si e paligjshme nga ligjet në fuqi të shtetit, mbrojtja e objekteve shtetërore ose me rëndësi të veçantë, mbrojtja e individëve, ruajtja e rendit publik, mbikëqyrja e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor, ekzekutimi i vendimeve të gjykatave etj…
Padyshim që çdo punë në të cilën ka dobi për njerëzit, është e lejuar dhe njeriu madje shpërbehet nëse hynë në të me qëllim (nijet) të mirë, jo vetëm për të siguruar jetesën, por edhe për të kontribuar sadopak në vendosjen e drejtësisë, pakësimin e së keqes dhe shtimin e së mirës.
Në këtë rast personi i cili kërkon të punojë në forcat e policisë duhet të ketë parasysh dy gjëra:
Së pari, qëllimi i tij, veç atij për tu punësuar, duhet të jetë dhe vendosja e drejtësisë dhe pakësimi i dëmit dhe i së keqes, brenda mundësive që i jepen.
Së dyti, nëse nuk ka këtë qëllim apo e ka të pamundur të përmbush pikën e mësipërme në të gjitha raste ose në shumicën e tyre, duke u detyruar tu hyjë në hak njerëzve pa të drejtë, në jetën, nderin dhe pasurinë e tyre, edhe nëse këtë e bën i detyruar, atëherë puna në këtë organ nuk lejohet.
Ibn Tejmije për këtë thotë:
“Nëse pushtetari përfiton nëpërmjet vartësve të tij gjëra në interes të veçantë të tij dhe njerëzve të tij, atëherë askush prej tyre nuk duhet ndihmuar për të tilla gjëra, sepse çdo njëri prej tyre është zullumqar në këtë rast, njëlloj si hajduti që vjedh hajdutin, ose si dy klane që luftojnë për pushtet dhe fanatizëm klanor. Askujt nuk i lejohet të bëhet bashkëpunëtor në padrejtësi.
Bashkëpunimi është dy llojesh:
I pari: bashkëpunimi në mirësi dhe vepra devocioni, siç është përpjekja në rrugë Allahut, zbatimi i penaliteteve sheriatike, përmbushja e të drejtave, dhënia atyre që e meritojnë. Këto padyshim që janë gjëra që janë urdhëruar nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Kush tërhiqet nga këto vepra nga frika se do të jetë bashkëpunëtor i zullumqarëve, ai ka braktisur një detyrim individual (fard ajn) ose kolektiv (fard kifaje), me iluzionin se kështu bëhet njeri i devotshëm. E sa e sa herë frika dhe dështimi ngatërrohen me devocionin, sepse në praktikë që të dyja janë tërheqje dhe braktisje!
I dyti: bashkëpunimi në ligësi dhe padrejtësi, si p.sh. cenimi i jetës të një të pafajshmi, marrja e një pasurie padrejtësisht, rrahja e atij që nuk e meriton të rrihet etj… e këto janë ato që i ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij.” (Mexhmu el-Fetaua 28/283)
Po ashtu ai thotë:
“Muslimani e ka për detyrë të përpiqet në këtë drejtim sa të ketë mundësi, ndaj kushdo që merr si detyrë një përgjegjësi shtetërore dhe ka si qëllim me të t’i bindet Allahut dhe zbatojë sa të mund nga feja e Tij dhe tu bëj mirë muslimanëve, dhe ai bën aq sa mundet në zbatimin e detyrimeve dhe largohet sa të ketë mundësi nga të ndaluarat, ai nuk ka gjynah për atë që e ka të pamundur; sepse padyshim emërimi i njerëzve të mirë, në funksione pushteti, është më i dobishëm për popullin sesa emërimi i atyre që nuk janë të hajrit. Ai që e ka të pamundur ta zbatojë fenë me anë të pushtetit dhe përpjekjes për Allahun, dhe bën aq të mira sa mundet, dhe nuk ngarkohet me përgjegjësi për atë çka nuk mundet…” (Mexhmu el-Fetaua 28/396)
Dihet se Profeti Jusuf (alejhi selam) kur ju dha mundësia, kërkoi nga mbreti i Egjiptit ta vendoste atë, për shkak të dijes dhe aftësive të tij, në krye të administrimit të të ardhurave të tokës, me qëllim për të vendosur drejtësinë dhe për të bërë mirë sa të mundte. Ai nuk u tërhoq nga fakti se ligji dhe rendi me të cilin gjykohej në Egjipt nuk ishte ai i Zotit, por ai bëri sa mundi brenda këtij ligji dhe rendi në pushtet. Në mënyrë të ngjashme duhet të veprojë edhe një musliman që kërkon të punojë në polici, ose ndodhet në një pozitë të ngjashme.
Allahu e di më së miri.
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH