Dhjetë gënjeshtrat e mëdha të marketingut në shumë nivele (MLM)

0
496

Dhjetë gënjeshtrat e mëdha të marketingut në shumë nivele (MLM)

Robert Fitzpatrick*

Fusha e marketingut të kompanive që operojnë me sistemin Multi-Level, po shtohet vazhdimisht dhe numri i bashkëpunëtorëve të tyre po rritet. Kërkesat për t’iu bashkuar kësaj lëvizjeje, duket sikur gjenden ngado. Nga ana tjetër, përshtypja rreth këtij trendi, që duket sikur vërtet përbën “valën e së ardhmes”, po rritet me vrull, në pranim dhe legjitimitet, dhe ashtu siç promotorët e saj shprehen, ajo do të zëvendësojë me sukses shumicën e formave të tjera të marketingut dhe shitjeve! Duket sikur suksesi mund të gjendet tek çdonjëri që beson në këtë sistem dhe i përshtatet metodave të tij, dhe se me kalimin e kohës, të gjithë ne do të bëhemi distributorë të tij!

Analizat e mia rreth biznesit të MLM-ve (marketingu në shumë-nivele) bazohet në një eksperiencë 14 vjeçare në konsultimin e korporatave, veçanërisht në fushën e shpërndarjeve dhe me më shumë se dhjetë vjet hulumtime dhe shkrime, rreth modelit të MLM-ve. Këtu përfshihet edhe shërbimi si ekspert dëshmitar në çështje të gjykatave federale dhe shtetërore, korrespondenca me më shumë se 1500 bashkëpunëtor të MLM-ve, autorësia e një libri, të qenit i intervistuar nga radio lokale dhe kombëtare, gazeta, revista dhe studimi i një numri të pafund planesh marketingu dhe pagesash të MLM-ve.

Ky hulumtim tregon se modeli i biznesit MLM, ashtu siç praktikohet nga shumica e kompanive, është një treg mashtrues shitjesh. Në këto raste, biznesi së pari është një skemë që synon të përfshijë sa më shumë shpërndarës, ndërkohë që shumë pak produkte iu jepen konsumatorëve, të cilët nuk janë të përfshirë si shpërndarës.

Në përgjithësi, industria MLM-ve ngre pretendime mbi potencialin që mbart çdo shpërndarës dhe e shpjegon modelin e biznesit të saj si një rrjet, duke profetizuar madje, për fatin e suksesshëm mbretërues të saj në të ardhmen, në shpërndarjen e produkteve. Megjithatë, këto pretendime të fundit kanë po aq vërtetësi, sa ç’ka fenomeni i UFO-ve në territorin e shkencës.

Financiarisht, në këto rrethana, probabiliteti që një individ i MLM-së të ketë sukses financiar, konkurron me probabilitetin e të fituarit në një tavolinë loje në Las Vegas.

Vetë ligjshmëria e sistemit të MLM-së mbështetet në një vendim të dobët e të vetëm të 1979-s, për një kompani. Rregullat e legjitimitetit injorohen në mënyrë të vazhdueshme nga kjo industri. Mungesa e legjislacionit ose e mbikëqyrjes nga autoritetet e caktuara, i mundëson kësaj industrie vazhdimësinë, pavarësisht ndjekjeve penale që bëhen nga Prokurori i Përgjithshëm ose FTC (Këshilli Federal i Tregtisë).

MLM-ja nuk është e përcaktuar dhe e rregulluar me ligj, siç janë p.sh. ekskluzivitetet tregtare. MLM-të mund të krijohen me ose pa miratimin e shtetit. Nuk ka ligj federal specifik kundër këtyre skemave piramidale. Shumë shtete kanë ligje anti-piramidale të vakëta dhe të dobëta. Ligjet federale ose ligjet e shteteve të veçanta (në SHBA) kërkojnë fillimisht prova se kompania është një skemë piramidale. Ky proces mund të zgjasë për vite të tëra, dhe gjatë kësaj periudhe dëmi i tyre tashmë është bërë. Në të vërtetë, edhe kur skemat piramidale mbyllen, shpesh promotorët e tyre menjëherë krijojnë kompani të reja, nën emra të tjerë, dhe rifillojnë të mashtrojnë publikun.

Një tipar ekonomik i MLM-së është padyshim, shkalla masive e dështimit dhe humbjet financiare për miliona konsumatorë. Struktura e MLM-së, në të cilën ekzistojnë një numër i pafund shitjesh zinxhir, është matematikisht e paqëndrueshme dhe vetë sistemi i saj, me një numër të palimituar shpërndarësish, e bën tregun të paqëndrueshëm.

Vetë themeli i MLM-së, shitja me pakicë, shkon në kundërshti me trendet e teknologjisë së komunikimit, me shpërndarjen me kosto efektive dhe preferencat e blerjes së konsumatorëve. Shitja me pakicë është në të vërtetë, thjesht një pretekst për qëllimin e vërtetë të këtij lloj marketingu, i cili është tërheqja e sa më shumë investitorëve në këto organizata piramidale, të cilat premtojnë rritje gjithnjë e më të mëdha e të shpejta të ardhurash.

Si në të gjitha skemat piramidale, të ardhurat e këtyre shpërndarësve dhe përfitimet e sponsorëve, vijnë nga investitorët (blerësit), të cilët ndodhen në fund të skemës piramidale. E parë në mënyrë sipërfaqësore, fitimet e kompanive dhe të ardhurat e atyre që janë në majën e industrisë MLM, mund të duken një model i shëndetshëm për të painformuarit, ashtu siç duken në fakt të gjitha firmat piramidale, para se të rrëzohen apo demaskohen nga autoritetet.

Rritja e MLM-ve vjen më së shumti nga marketingu mashtrues, i cili shfrytëzon më shumë besimet kulturore, sociale dhe nevojat personale, sesa aftësinë e tyre për të përmbushur nevojat e konsumatorit. Ky marketing karakterizohet për mungesën e vlerësimeve profesionale dhe investigimeve të duhura. Rrjedhimisht, lindin iluzione prej të cilave MLM-të duken si një investim i mirë biznesi, ose si një mundësi karriere për të gjithë, ku mundësitë e suksesit në këtë fushë duken shumë më të mira sesa profesionet dhe mundësitë e tjera të biznesit.

Qëndrueshmëria e vërtetë e MLM-ve nuk vjen prej konsumit publik, por prej investitorëve (blerësve) të mundshëm. Tregu për këta investitorë rritet në mënyrë të dukshme në periudha tranzicioni ekonomik, nga globalizimi dhe nga qarkullimi i të punësuarve. Premtimet, për një përmirësim të shpejtë dhe të lehtë të gjendjes financiare dhe lidhja e ngushtë e mirëqenies ekonomike me të qenit përfundimisht i lumtur, luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Rrjedha e marketingut të MLM-së është e drejtuar kah shpërndarësit e ardhshëm, në vend të promovimit të produktit tek blerësit. Produktet e vërteta të MLM-së nuk janë shërbimet e largëta telefonike, vitaminat, barnat shëndetësore ose kremrat e trupit, por investimet proporcionale të shpërndarjes, të cilat në dukje portretizojnë imazhin e të ardhurave të larta, kundrejt një kohe minimale trajnimi, investimi kapitali të vogël dhe suksesi të menjëhershëm.

Fjala “gënjeshtër” është provokuese dhe përdoret në këtë material, po për këtë arsye. Në një mënyrë ose në një tjetër, gjithkush që merr pjesë në shpërndarjen me pakicë të MLM-së, gënjen veten e tij në mënyrë të pavetëdijshme. Shumë nga ata që janë në krye të këtyre organizatave janë të vetëdijshëm që po i gënjejnë të tjerët. Mashtrimi është një tipar i qenësishëm në këto skema (piramidale) të MLM-së dhe në marketingun e saj. Më poshtë, do t’iu njohim me 10 gënjeshtrat e mëdha që kam hasur në çdo MLM.

Gënjeshtra #1: MLM-ja është një biznes që ofron mundësi të mira për të bërë shuma të mëdha parash, në krahasim me format e tjera të bizneseve tradicionale dhe modeleve profesionale të tyre.

E vërteta: Pothuajse për të gjithë, investimi në MLM kthehet në një humbje proporcionale financiare. Ky nuk është thjesht një opinion, por më së shumti një fakt historik. Le të shqyrtojmë disa shembuj të MLM-ve më të mëdha.

Tek MLM-ja më e madhe, “Amway”, vetëm 0.5% e të gjithë shpërndarësve arrijnë nivelin e shpërndarësve të drejtpërdrejtë, dhe e ardhura mesatare e të gjithë shpërndarësve është 40 dollarë në muaj. Kjo është e ardhura totale, pa llogaritur taksat dhe shpenzimet. Por, kur llogariten kostot, është evidente se gati të gjithë vuajnë nga humbjet. E thënë më thjesht, ky biznes nuk është një biletë drejt fitimit, por një rrugë drejt humbjeve më të mëdha.

Kur Prokurori i Përgjithshëm i Wisconsit ngriti akuza kundër “Amway”, deklaratat tatimore nga të gjithë shpërndarësit në këtë shtet, zbuluan një humbje mesatare neto prej 918 dollarë për çdo shpërndarës “të drejtpërdrejtë” të atij shteti.

Pengesat e jashtëzakonshme që hasen gjatë shitjeve dhe marketingut, përbëjnë pjesën më të madhe të këtij dështimi, por edhe nëse vetë ky biznes është më i suksesshëm, një matematikë e thjeshtë e kufizon shumë mundësinë e fitimit.

Struktura e MLM-së është e tillë që mund të mbështesë vetëm suksesin financiar të një numri të vogël njerëzish. Nëse 1 në 1000 persona, ia del me sukses të arrijë të ardhura të qëndrueshme, atëherë për këta 1000 veta, do të duhen 1 milion (1000 x 1000) persona të tjerë për të përsëritur suksesin. Sa është numri i njerëzve që mund të përfshihen realisht këtu?! Shumica e asaj që duket si sukses, është në fakt thjesht një rritje e numrit të shpërndarësve. Paratë për fituesit e pakët, vijnë nga rritja konstante e ushtrisë së humbësve.

Shumica e humbësve të MLM-së e braktisin atë, brenda vitit të parë. Në 1999 në një çështje ligjore kundër “Melaleuca”, një prej MLM-ve më të mëdha në vend, kjo kompani pretendoi se kishte normën më të madhe të “ruajtjes” së shpërndarësve në të gjithë industrinë e MLM-ve. Përqindja e lënies së punës nga ana e shpërndarësve të saj ishte 5.5% në muaj dhe kjo është e barabartë me 60% në vit, nëse të gjitha largimet zëvendësohen brenda muajit.

Në raportet e saj vjetore për SEC (Securities and Exchange Commission), “Pre-Paid Legal”, një tjetër MLM e madhe, zbuloi se më shumë se gjysma e klientëve dhe shpërndarësve të saj heqin dorë çdo vit dhe zëvendësohen nga një grup i ri investitorësh që shpresojnë.

Ky model prej 50-70% e të gjithë shpërndarësve, të cilët heqin dorë çdo vit, është i vërtetë edhe për “NuSkin”, kompania e dytë më e madhe MLM në vend. NuSkin gjithashtu ilustron faktin se vetëm një përqindje shumë e vogël e shpërndarësve në kompaninë e saj, arrijnë të marrin shumicën e të gjitha zbritjeve tregtare (rebate) të kompanisë. Në 1998 NuSkin pagoi 2/3 e të gjitha zbritjeve tregtare për vetëm 200 persona të niveleve të larta, nga 63.000 shpërndarës “aktivë” që ajo kishte. Paratë e marra vinin direkt nga investimet pa fitim të 99.7% të shpërndarësve të tjerë.

Në 1995, “Exel Communications”, një tjetër kompani MLM me “rritje të shpejtë”, raportoi një normë prej 86% të qarkullimit të shpërndarësve dhe një normë prej 48% të heqjes dorë nga ana e të gjithë konsumatorëve.

Për të fshehur shifrat e tyre të zymta, disa MLM i klasifikojnë shpërndarësit e tyre si “aktivë” dhe “joaktivë”. Grupi aktiv përfshin vetëm pjesëmarrësit e rinj dhe ata që vazhdojnë të blejnë produkte dhe të përfitojnë nga zbritjet tregtare (rebate). Shpërblimet dhe statistikat e tjera u bëhen të ditura vetëm grupit “aktiv”.

Nëse përfshihen të gjithë shpërndarësit që marrin pjesë, atëherë norma e humbjeve dhe të ardhurave të ekspozuara do të ishin shumë më të këqija. Dhe nëse do të përfshiheshin të gjithë shpërndarësit e regjistruar ndër vite, të cilët kanë hequr dorë më pas, atëherë shanset e suksesit për shpërndarësit/investitorë do të ishin absolutisht të ulëta. Megjithatë, këto kompani vazhdojnë akoma të reklamojnë biznesin e tyre si “shansin e jetës” me “mundësi të panumërta potenciale”.

Gënjeshtra #2: Marketingu në rrjet është mënyra më popullore dhe efektive e re për të sjellë produkte në treg. Konsumatorët pëlqejnë të blejnë produkte në këtë mënyrë prej rrjeteve MLM.

E vërteta: Nëse do t’a zhveshim MLM-në nga i gjithë aktiviteti i saj i vazhdueshëm i shpërndarjes dhe do të shqyrtojmë bazën e saj, shitjet e drejtpërdrejta te konsumatorët, atëherë do të vërejmë një sistem shitjesh tërësisht jo praktik dhe jo produktiv, mbi të cilin supozohet të mbështetet struktura. Shitjet e tilla me pakicë janë një gjë e së shkuarës dhe jo më një valë e së ardhmes. Shitja me pakice te të afërmit ose shokët, i bën njerëzit të ndryshojnë në mënyrë drastike metodën e tyre të të bërit pazar. Ata duhet të kufizojnë zgjedhjet e tyre, shpesh të paguajnë më shumë seç duhet për mallra, të blejnë në mënyrë të papërshtatshme, dhe të përfshihen në transaksione biznesi të sikletshme me miqtë dhe afërmit. Shitja e bezdisshme me pakice e MLM-ve është në të vërtetë një biznes që vazhdon të shesë mundësinë e përfshirjes të sa më shumë shpërndarësve.

Gënjeshtra #3: Me kalimin e kohës të gjitha produktet do të shiten nga MLM, një formë e re marketingu. Dyqanet me pakicë, qendrat tregtare dhe shumica e formave të tjera të reklamimit së shpejti do të zbehen nga MLM-ja.

E vërteta: MLM nuk është diçka e re. Ajo ka ekzistuar përreth nesh që në fundin e viteve ’60. Megjithatë, sot ajo prezanton më pak se një për qind të të gjithë shitjeve me pakicë në SHBA. Në vitin 2000, numri total i shitjeve me pakicë në SHBA ishte 3.232 trilion dollarë dhe sipas departamentit të tregtisë, shitjet totale të MLM-së ishin 10 miliard dollarë. Kjo përbën një të tretën e 1% dhe shumica e këtyre shitjeve vinte nga blerjet e shpërndarësve të rinj, të cilët janë të gatshëm të paguajnë çmimin e përfshirjes në një biznes prej të cilit më vonë do të duan të dalin. Jo vetëm që shitjet e MLM-së janë të parëndësishme në treg, por dështimet e saj si një model shitjesh ndikojnë edhe tek ruajtja e klientelës. Shumica e klientëve të MLM-së jo vetëm që heqin dorë prej blerjes së mallrave, por ata gjithashtu heqin dorë edhe nga “shansi për biznes”. Rrjedhimisht nuk ruhet besnikëri ndaj markës.

Këto fakte të thjeshta tregojnë se si modeli i marketingut MLM nuk po zëvendëson format e tjera ekzistuese të marketingut. Mbi të gjitha, MLM nuk po konkurron në mënyrë legale me format e tjera të marketingut. Për më tepër, MLM-ja paraqet një skeme të re investimi që përdor gjuhën e skemave të marketingut dhe të shitjes së produkteve. Produkti i saj të vërtetë janë shpërndarësit, të cilët blihen nga keqkuptimi i tyre dhe premtimet e fryra për fitime. Njerëzit po blejnë produkte në mënyrë që të sigurojnë vendin e tyre në këtë skeme piramidale shitjesh. Mundësia për të fituar nuk varet më nga aftësitë e tua, por nga persona të tjerë të panjohur, të cilët mund të të bashkohen ty në këtë skemë (piramidale fitimi), ose siç quhen ndryshe “peshqit e mëdhenj”.

Rritja e MLM-së nuk është një manifestim i vlerës së saj ekonomike, i konsumatorëve apo i shpërndarësve, por shfaqje e frikës ekonomike në nivele të larta, e pasigurisë dhe rritja e pritshmërisë për një arritje të shpejtë dhe të lehtë të mirëqenies. MLM po rritet në të njëjtën mënyrë si tregu i aksioneve (letrave me vlerë), kumari i legalizuar dhe lotaritë.

Gënjeshtra #4: MLM-ja është një mënyrë e re jete që të ofron lumturi dhe vetëplotësim. Ajo është një ndër mënyrat e të arriturit të të gjitha gjërave të mira në jetë.

E vërteta:  Ajo çka e bën më tërheqëse industrinë e MLM-ve në literaturën e industrive, por edhe në prezantimet që i bëhen asaj në takimet rekrutuese, është forma e saj e pastër materialiste. Njëqind kompani të lojërave të fatit do të qeshnin me shumicën e premtimeve për luks dhe pasuri që thuhen nga agjentët e MLM-ve. Këto premtime duken si bileta drejt përmbushjes personale. E gjithë kjo tërheqje e MLM-ve drejt luksit dhe pasurisë bie ndesh me dëshirat e vërteta të shumë njerëzve, të cilët kërkojnë një punë që i përmbush dhe është kuptimplotë në përputhje me vlerat e tyre personale, dëshirat dhe talentet e tyre të veçanta.

Gënjeshtra #5: MLM-ja është një lëvizje shpirtërore

E vërteta: Përdorimi i koncepteve shpirtërore, si vetëdija e prosperitetit dhe imagjinata kreative, për të përshkruar përfshirjen në MLM, përdorimi i fjalëve “bashkësi” për të përshkruar organizatën e shitjeve dhe pretendimet se MLM-ja është përmbushja e principeve të krishtera dhe profecive të shkrimeve të shenjta, janë thjesht shtrembërime të mëdha të praktikave shpirtërore. Ata që përqendrojnë shpresat dhe ëndrrat e tyre për pasuri si përgjigje për lutjet e tyre, humbin thelbin e përshpirtjes së vërtetë, ashtu siç na kanë mësuar të gjitha fetë dhe besimet e njerëzimit. Keqpërdorimi i këtyre principeve shpirtërore duhet të jetë një sinjal se investimet në këtë industri janë mashtruese. Kur një produkt ambalazhohet me një simbol ose me një fe, klientë kini kujdes! “Komuniteti” dhe “mbështetja” e ofruar prej organizatave MLM kundrejt rekruteve të rinj bazohet drejtpërsëdrejti në blerjet e tyre. Nëse blerjet dhe pjesëmarrjet pësojnë rënie, e njëjta gjë ndodh dhe me “bashkësinë”.

Gënjeshtra #6: Suksesi në MLM është i garantuar. Miqtë dhe të afërmit janë perspektiva natyrale. Ata që të duan dhe të mbështesin do të behën patjetër konsumatorët e tu të përjetshëm.

E vërteta: Komercializimi i lidhjeve familjare dhe shoqërore ose përdorimi i “udhëheqjeve të ngrohta”, të përdorura nga programi i marketingut të MLM-së është një element shkatërrues, i cili prish lidhjet e shëndetshme familjare. Ai krijon stres aty ku dikur ka ekzistuar dashuria, besnikëria dhe mbështetja. Përtej elementit të saj shkatërrues në shoqëri, eksperienca ka treguar se gjithmonë e më pak njerëz pëlqejnë të blejnë produkte prej të afërmve të tyre.

Gënjeshtra #7: Ju mund të merreni me MLM-në në kohën tuaj të lirë. Si mënyrë e të bërit biznes, MLM, ofron një fleksibilitet të madh dhe liri personale të kohës. Pak orë pune në javë mund të të sjellin të ardhura suplementare të konsiderueshme dhe mund të të rrisin mirëqenien, të cilën me një punë tjetër nuk do të mund ta arrinit.

E vërteta: Dekada vite eksperiencë, ku janë përfshirë me miliona njerëz, kanë provuar se të bërit para me MLM-të kërkon një kohë dhe një përkushtim goxha të madh, ashtu siç kërkon dhe një vullnet të jashtëzakonshëm personal, këmbëngulje dhe dinakëri. Përtej punës së tmerrshme, ky model biznesi të konsumon një pjesë të madhe të kohës, duke e bërë kohën goxha të fragmentuar. Në MLM kushdo është një perspektivë. Çdo çast zgjimi është një mundësi potenciale për marketing. Nuk ekzistojnë limite kohore, të vendit apo të njerëzve. Rrjedhimisht, çdokush që përfshihet në industrinë e MLM-ve nuk ka më kohë të lirë.

Poshtë petkut, të një mënyre që të krijon para në kohën e lirë dhe në mënyrë të pavarur, fshihet një sistem që fiton kontroll dhe dominancë mbi kohën e lirë të njerëzve dhe kërkon rigorozitet në programin e saj. Kjo është parë në shumë njerëz, të cilët janë përfshirë aq shumë në program saqë kanë krijuar një lloj varësie totale ndaj MLM-së. Rrjedhimisht ata kane braktisur çdo lloj marrëdhënie tjetër jetëdhënëse përveç kësaj industrie.

Gënjeshtra #8: MLM-ja është një mënyrë e re, pozitive dhe mbështetëse e të bërit biznes, që afirmon shpirtin njerëzor dhe lirinë personale

E vërteta: Materialet e marketingut të MLM-së zbulojnë se shumica e mesazhit tejçohet nëpërmjet frikës dhe bazohet në mashtrimin për sa i përket të ardhurave. Joshjet përgjithësisht përfshijnë parashikime rreth falimentimit të formave të tjera të shpërndarjes, dezintegrimin ose tkurrjen e korporatave në Amerikë, si dhe mungesën e mundësive në profesionet dhe shërbimet e tjera. Profesionet tradicionale, tregtia dhe bizneset e tjera trajtohen si forma qesharake, të cilat nuk janë të afta të sjellin të ardhura të palimituara. Punësimi i hedh të “humburit” në skllavërinë e pagës! Ndërkohë MLM reklamohet si shpresa e më e mirë e fundit për njerëzit. Kjo qasje, përveç se është mashtruese, ka dhe një efekt dekurajues mbi njerëzit, të cilët duan të ndjekin vizionet e tyre drejt suksesit dhe lumturisë. Për më tepër, një formë e sigurt biznesi nuk ka pse të promovojë vlerat e saj duke bërë parashikime negative për format e tjera të biznesit.

Gënjeshtra #9: MLM-ja është mundësia më e mirë për të qenë vetë zot i punës tende dhe për të arritur pavarësinë reale ekonomike.

E vërteta: MLM-ja nuk është një formë e pastër e vetëpunësimit. Të qenit “pronar” i një pike shpërndarje MLM është thjesht një iluzion. Disa kompani MLM i ndalojnë shpërndarësit e tyre të mbajnë linja shtesë. Shumica e kontratave të MLM-ve me shpërndarësit e tyre janë ndërtuar në mënyrë të atillë që e bëjnë shumë të thjeshtë e të menjëhershme mbarimin e kontratës për kompaninë. Në rast mbarimi të kontratës, personat të cilët ke futur në skemën piramidale pas teje mund të të hiqen lehtësisht prej të ardhurave. Pjesëmarrja kërkon një aderim strikt ndaj modelit të “dublikimit” dhe jo pavarësi e individualitet. Shpërndarësit e MLM-ve nuk janë sipërmarrës, por thjesht pjesëmarrës në një sistem hierarkik kompleks ndaj të cilit ata kanë shumë pak kontroll.

Gënjeshtra #10: MLM-ja nuk është një skemë piramidale, sepse produktet e saj shiten.

E vërteta: Shitja e produkteve nuk përbën në asnjë rast një mënyrë mbrojtje kundrejt ligjeve anti-piramidale ose ndaj praktikave tregtare të padrejta, të dënuara nga ligji federal dhe ai shtetëror. Edhe MLM-të të cilat shesin produkte cilësore dhe të dobishme janë ndjekur penalisht me sukses nga ligjet federale për skemat piramidale. MLM-ja është një formë ligjore e të bërit biznes vetëm nën kushte të rrepta sigurie, të vendosura nga “Federal Trade Commission” dhe Prokurori i Përgjithshëm i shtetit. Shumë MLM janë momentalisht në shkelje të hapur ndaj këtyre ligjeve të vendosura dhe e vetmja arsye pse ato vazhdojnë akoma të operojnë në treg është sepse ato nuk janë ndjekur akoma penalisht nga shteti. Së fundmi ka dalë një ligj i ri i cili përdor një kriter prej 70% për të përcaktuar ligjshmërinë e MLM-ve. Pra, më së paku 70% e të gjitha produkteve që ofron çdo MLM duhet të shiten tek palët e treta, duke përjashtuar kështu shpërndarësit. Ky standard vendos shumë prej MLM-ve në një pozicion tepër të vështire, duke i bërë ato të paligjshme. MLM-ja më e madhe në botë pranon se vetëm 18% e shitjeve të saj kryhen me palët e treta, pra me jo-shpërndarësit.

Burimi: https://www.falseprofits.com/MLM%20Lies.html

*Robert Fitzpatrick është president i Pyramid Scheme Alert (Mbrojtja nga Skemat Piramidale) dhe bashkautor i librit: False Profits: Seeking Financial and Spiritual Deliverance in Multi-level Marketing and Pyramid Schemes (Fitimi i rremë: Duke Kërkuar Shpërblimin Financiar dhe Shpirtëror në Marketingun me Shumë Nivele dhe Skemat Piramidale). Ai është botuesi i THE EAGLE, një revistë tremujore mbi çështjet e lidhura me shpërndarjen në industrinë e shtypit dhe imazhit digjital, botuar që nga viti 1981. Ai është autor i artikujve dhe monografive të shumta në fushën e marketingut të shpërndarjes në industritë e maturuara si dhe ka ofruar shërbime konsultore të drejtpërdrejta për prodhues dhe shpërndarës të mëdhenj, duke përfshirë Du Pont, Fuji Film USA, Polaroid dhe shumë të tjerë. Ai është një ligjërues par ekselencë në konferencat e korporatave dhe organizatave tregtare në SHBA dhe jashtë saj. Ai ka shërbyer herë pas here si dëshmitar ekspert në rastet e sjella nga Prokurorët e Përgjithshëm të Shtetit ose nga shpërndarësit, kundër kompanive të marketingut në shumë nivele, të akuzuara se veprojnë si skema piramidale. Robert Fitzpatrick mund të kontaktohet në: 1522 LilacRd., Charlotte, NC 28209, Tel: (704) 334-2047, email: RFitzPatrick@pyramidschemealert.org,  faqet e internetit: http://www.pyramidschemealert.org dhe http://www.falseprofits.com