Pse thotë Allahu i Lartësuar: “Agjërimi është për Mua” ?

0
211

Fjalët e Allahut të Madhërishëm: “Përveç agjërimit, i cili është për Mua.”

Nga të gjitha adhurimet, Allahu i Lartësuar vetëm agjërimin ia ka dedikuar (adresuar) Vetes. Është folur shumë për këtë nga fukahatë, sufinjtë etj., dhe kanë dhënë shumë interpretime.

Prej të gjitha interpretimeve dy janë më të goditurat:

I pari: Gjatë agjërimit, për hir të Allahut braktisen ato hise dhe dëshira thelbësore të nefsit, drejt të cilave priret të anojë njeriu. Këtë nuk e hasim te ndonjë adhurim tjetër përveçse te agjërimi. Kur njeriu hyn në ihrām (gjatë haxhit apo umres) i largohet marrëdhënieve intime me gruan dhe disa gjërave të tjera, si, për shemebull, parfumit; por, jo se i braktis të gjitha dëshirat dhe kënaqësitë e tjera, si, fjala vjen, ushqimin e pijen. Po kështu edhe gjatë ʿitikāf-it,ndonëse ky lidhet me agjërimin.

Për sa i takon namazit, personi që fal namazin, edhe në qoftë se u largohet të gjitha kënaqësive e dëshirave, këtë e bën për një kohë të shkurtër. Namazfalësi nuk e ndien mungesën e ushqimit dhe pijes në namaz; për më tepër që është ndaluar të falet ndërkohë që ndien shumë uri dhe ushqimi është gati (i shtruar). Kështu që, fillimisht duhet të hajë, në mënyrë që të shuajë urinë dhe ta qetësojë veten. Për këtë arsye, kur thirret ezani për namaz (akshami) dhe darka është shtruar, urdhërohemi t’i japim përparësi darkës.

Kjo gjë ndryshon gjatë agjërimit; sepse agjërimi zgjat përgjatë gjithë ditës dhe, për tërë këtë kohë agjëruesi ndien mungesën e këtyre kënaqësive; nefsin e merr malli për to, sidomos gjatë ditëve të verës, për shkak të vapës së madhe dhe ditës së gjatë. Dhe kur dëshira e nefsit rritet për gjërat që do, si: ushqimi, pija e me radhë, duke qenë se ka mundësi t’i konsumojë, por, i braktis për hir të Allahut në një vend ku nuk e pikas askush tjetër përveç Tij, atëherë kjo është një provë për vërtetësinë e besimit të tij. Agjëruesi e di se Zoti i tij, i Cili e sheh kur është vetëm, ia ka ndaluar t’i shfrytëzojë ato kënaqësi drejt të cilave është brumosur të anojë. Por, ai i bindet Zotit të vet, i përmbahet urdhrit dhe i shmanget ndalesës së Tij duke pasur frikë ndëshkimin e Tij dhe duke synuar shpërblimin e Tij. Allahu i Lartësuar e vlerëson për këtë, dhe veprën e tij e ka veçuar për Veten; ndryshe nga veprat e tjera. Për këtë arsye (në vijim të hadithit) lexojmë: “…sepse vërtet ai ka braktisur për Mua kënaqësitë (marrëdhëniet intime me gruan), ushqimin dhe pijen.” Disa prej të parëve tanë kanë thënë: “Përgëzimi është për atë që lë një kënaqësi të pranishme për shkak të një takimi që nuk është i pranishëm dhe nuk e ka parë.”

Për këtë arsye, vlen të theksohet se shumica e muslimanëve, nëse do të rriheshin për ta prishur agjërimin e muajit të ramazanit pa ndonjë arsye, nuk do ta bënin; për faktin se besimtari e di se Allahu e urren ngrënien në këtë muaj. Një ndër shenjat e imanit është kur njeriu i qorton dëshirat/epshet[1] e veta kur e kupton se Allahu i urren ato. Ai gjen kënaqësi te ato gjëra të cilat kënaqin Zotin, edhe nëse janë në kundërti me dëshirat e tij. Njëherësh ndien dhimbje te ato gjëra që Zoti i tij i urren dhe nëse janë në pajtim me dëshirat e tij. Nëse këto bëjnë pjesë te gjërat e ndaluara për shkak të agjërimit, siç është rasti me ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet intime me gruan, atëherë, për sa i përket atyre ndalesave që shtrihen në çdo kohë, si: zinā-ja, pirja e alkoolit, rrëmbimi i pasurisë ose i nderit të tjetrit, vrasja etj., atëherë ndalesa si e tillë është edhe më e ashpër. Rënia në këto gjynahe e hidhëron Allahun në çdo gjendje, në çdo kohë e në çdo vend. Kur imani i besimtarit plotësohet, ai i urren këto veprime më shumë se vrasjen dhe rrahjen. Nisur prej kësaj, i Dërguari i Zotit (salallahu alejhi ue selem!) e konsideroi shenjë të ëmbëlsisë së besimit gjendjen “kur njeriu urren të kthehet në mosbesim (kufr) – pasi Zoti e ka shpëtuar – ashtu siç do ta urrente rënien në zjarr.”[2] Jusufi (alejhis-selam!) ka thënë: “O Zoti im, më shumë dua burgun se atë drejt së cilës më shtyjnë ato.” (Jusuf, 33)

I dyti: Agjërimi është një sekret midis robit dhe Zotit të tij, dhe nuk mund të zbulohet prej dikujt tjetër; sepse është i lidhur/kombinuar me nijet (qëllim) të brendshëm, i cili dihet vetëm nga Allahu. Këtu bën pjesë edhe lënia e disa kënaqësive, që zakonisht konsumohen jashtë vëmendjes/syve të njerëzve, veprimi i të cilave konsiderohet diçka e lehtë tek të tjerët. Për sa më lart, është thënë se këtë adhurim nuk e shënojnë as engjëjt që regjistrojnë veprat e njeriut. Po ashtu, është thënë se te ky adhurim nuk ka hipokrizi – kësisoj është shprehur imam Ahmedi dhe disa të tjerë.

Allahu i Lartësuar do nga robërit e Tij që këtë fshehtësi midis tyre dhe Atij ta trajtojnë siç duhet. Në këtë mënyrë, edhe ata që e duan Allahun dëshirojnë që këtë fshehtësi midis tyre dhe Allahut ta trajtojnë në atë formë që në këtë adhurim të mos ndërhyjë dikush tjetër përveç Allahut; aq sa, disa prej tyre do dëshironin të kryenin një adhurim të cilin nuk do e merrnin vesh as engjëjt që regjistrojnë veprat e njeriut. Braktisja e këtyre kënaqësive gjatë agjërimit ka disa dobi, si:

1. Zbutja e nefsit; meqë ngopja, pirja, marrëdhëniet intime me gratë e kështu me radhë, e shtyjnë nefsin drejt kryelartësisë, mburrjes dhe përhumbjes.

2. Lirimin e zemrës për meditim dhe dhikr; meqë dhënia pas kënaqësive e ashpërson dhe e verbon zemrën, dhe ndërhynë midis njeriut dhe dhikrit e meditimit duke e çuar kështu drejt përhumbjes (gafle). Çlirimi (zbrazja) i brendësisë nga ushqimi dhe pija ndriçon zemrën, e zbut atë; largon ashpërsinë prej saj dhe i hapet udha dhikr-it dhe meditimit.

3. I pasuri vlerëson begatinë që i ka dhuruar Allahu, prej së cilës ka privuar shumë të varfër, të cilët nuk kanë më shumë se sa duhet nga ushqimi, pija apo martesa.

4. Agjërimi i ngushton rrugët e qarkullimit të gjakut, nëpër të cilat lëviz shejtani brenda birit të Ademit; dhe për rrjedhojë fashiten vesveset e shejtanit dhe thyhet/zbutet epshi dhe zemërimi.

Ibn Rexhep në “Letaif el-Mearif”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here