Presidenten e zarrfit e rrezikon vetëm koalicioni PDK-AAK

0
238

Presidentja Atifete Jahjaga ende mund të rrijë e qetë në zyrë.

Partitë politike as që po merren me reformën kushtetuese, e cila e prek mandatin e saj.

Madje, disa zyrtarë të subjekteve kryesore kanë filluar të flasin edhe kundër zgjedhjes së drejtpërdrejtë të kreut të shtetit.

Në PDK, LDK dhe AAK pohojnë se prioritet e kanë vetëm përfundimin e reformës zgjedhore.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka deklaruar se çështja e reformës për postin e Presidentes nuk është në agjendë.

“Reforma kushtetuese sa i përket çështjes së zgjedhjes së Presidentit mund të diskutohet më vonë për shkak se kjo çështje është më e komplikuar pasi kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Grabovci.

Për dallim prej zyrtarëve të PDK-së, në LDK deklarojnë se Presidentja duhet të lëshojë postin dhe t’iu hapë rrugë reformave presidenciale.

Haki Rugova ka deklaruar se pavarësisht lojërave të partive tjera, LDK do të vazhdojë të kërkojë largimin e Jahjagës për të mundësuar zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale.

“Ne ende mbetemi në qëndrimin që Presidentja duhet të largohet në mënyrë që t’i lëshojë rrugë reformave. Kjo është paraparë në marrëveshjen e liderëve. Ajo duhet të largohet dhe të japë hapësirë reformave”, ka thënë Nënkryetari i LDK-së.

Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani ka thënë se ka nevojë të pastrohen kompetencat e Presidentit dhe të mos përzihen me ato të Kryeministrit. Por, ky zyrtar ka pohuar se personalisht është kundër zgjedhjes së drejtpërdrejtë të Presidentit në këtë kohë.

“Është çështje e cila nuk është diskutuar në substancë, por personalisht besoj se ka qenë e ngutshme hapi që të mendohet që Presidenti të zgjidhet në formë direkte e jo në Kuvend. Kjo çështje do të shihet në të ardhmen nëse do të ketë ndryshime apo jo”, ka thënë Ramadani.

Ndërkohë Koalicioni mes PDK-së dhe AAK-së mund ta rrezikojë postin e Presidentes Atifete Jahajaag.

Burime të Express kanë thënë se largimi i Jahjagës nga Presidenca do të bëhet vetëm nëse arrihet marrëveshje për ndarjen e posteve që Lideri i PDK’së, Hashim Thaci, të bëhet President, ndërsa Ramush Haradinaj Kryeministër.

“Krejt kjo pritet të ndodhë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, ka thënë një burim

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here