Në të dy librat e saktë shënohet një hadith i Himan Ibn Munebuhit, që transmeton nga Ebu Hurejre, se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë:
“Ne do të jemi të hershmit dhe të parët në Ditën e Gjykimit. Atyre u është dhënë libri para nesh, kurse neve na është dhënë pas tyre.” Kjo do të thotë se ata kanë qënë para nesh vetëm në këtë aspekt.
Te libri i saktë i Muslimit shënohet hadithi i Ebu Salihut, i cili transmeton nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë:
“Ne do të jemi të parët që do të hyjmë në Xhenet. Atyre u është dhënë libri para nesh, kurse neve na është dhënë pas tyre, ata patën konflikte, kurse Allahu me lejen e Tij na udhëzoi ne tek e drejta, për të cilën ata ranë në konflikte.”
Në të dy librat e saktë shënohet hadithi i transmetuar nga Tavusi, që transmeton nga Ebu Hurejre, e ky nga i Dërguari i Allahut (a.s.), se ka thënë:
“Ne do të jemi të fundit dhe të parët Ditën e Gjykimit, ne jemi të parët prej njerëzve që do të hyjnë në Xhenet. Atyre u është dhënë libri para nesh, kurse neve na është dhënë pas tyre.”
Ed-dar el-Kutni transmeton një hadith të Zuhejr Ibn Muhamedit, që transmeton nga Abdullah Ibn Muhamed Ibn Akili, e ky nga El-Zehri, ky nga Seid Ibn Musejibi, ky nga Omer Ibn Hatabi, e ky nga i Dërguari i Allahut (a.s.), se ka thënë:
“Xheneti është privuar për të gjithë profetët, derisa të hyj unë në të. Ai është privuar për të gjithë popujt, derisa të hyjë populli im në të.”
Ed-dar el-Kutni ka thënë: “Ky është një hadith i panjohur për El Zuhrin dhe nuk e di nëse është transmetuar nga Abdullah Ibn Muhamed Ibn Akili dhe nga El Zehri ndonjë hadith tjetër përvec këtij, të cilin e ka transmetuar vetëm Amër Ibn Ebu Seleme nga Zuhejri.”
Ky është populli më i hershëm që ka dalë prej tokës, më i hershmi drejt vendit më të lartë në ditën e qëndrimit para Allahut, më i hershmi drejt hijes së Arshit, më i hershmi për t’u gjykuar mes tyre, më i hershmi me praninë e tij te Sirati dhe më i hershmi për të hyrë në Xhenet, sepse Xheneti është privuar për profetët, derisa aty të hyjë i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe është privuar për popujt e tjerë, derisa të futet populli i tij (a.s.)
Për sa i përket popullit të parë që do të hyjë në Xhenet, Ebu Daudi në “Sunenin’ e tij thotë se na ka treguar Hinad Ibn el-Siri nga Abdurrahman Ibn Muhamed el-Muharebi, e ky nga Abdusalam Ibn Harbi, e ky nga Ebu Halid Dalani, e ky nga Ebu Halidi – shërbëtori i Xhadetit, – që transmeton nga Ebu Hurejre, se i Dërguari I Allahut (a.s.) ka thënë:
“Më erdhi Xhibrili, më mori prej dore dhe më tregoi derën e Xhenetit, nga e cila do të hyjë populli im.”
Ebu Bekri tha: “O i Dërguari i Allahut, do të doja të kisha qënë bashkë me ty që ta shikoja.” Profeti (a.s.) tha: “Kurse ti, o Ebu Bekër, do të jesh i pari që do të hysh në Xhenet prej popullit tim.”
Thënia: “…do të doja të kisha qënë bashkë me ty” tregon dëshirën e Ebu Bekrit r.s. për të shtuar sigurinë e besimit të tij, duke parë me sy atë cfarë përshkruhej me fjalë, ashtu sic veproi Ibrahimi (a.s.), miku i Allahut (xh.sh.), kur tha:
“O Zoti im, më trego si i ngjall të vdekurit. (Zoti) Tha: A nuk ke besuar? Tha: Si jo, por vetëm që të më qetësohet zemra.”
Kurse në hadithin e shënuar nga Ibn Maxhe në “Sunenin” e tij thuhet se na ka treguar Ismail Ibn Umer el-Tahli nga Daud Ibn Ata el-Medini, e ky nga Salih Ibn Kisani, ky nga Ibn Shihabi, ky nga Seid Ibn Musejibi, e ky nga Ebu Ibn Kabi, se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë:
“I pari që do ta takojë e vërteta është Umeri, i pari që ajo ( e vërteta) do t’i japë selam, i pari që ajo do ta marrë prej dore dhe do ta fusë në Xhenet.”
Në fakt, ky është një hadith fund e krye i sajuar.
Imam Ahmedi ka thënë: “Daud Ibn Ataja nuk është asgjë.” Kurse Buhariu thotë se hadithi i ardhur prej tij është i sajuar dhe i paprnueshëm.
Marë nga libri: Udhërrëfyesi i shpirtrave drejt vëndit të gëzimeve.
Ibn Kajjim el-Xheuzije.