Përsosmëria e legjislacionit islam (Sheriatit)

0
239

download

download
Prof.Dr. Shefqet Krasniqi

Njerëzimi që nga fillimi i historisë ka përjetuar shumë legjislatura dhe ligje, që nga ato të xhunglës deri tek ato më bashkëkohore. Kjo për faktin se, siç shprehet themelvënësi i sociologjisë Ibën Khaldun, njeriu si qenie sociale ka nevojë për ligj që t’i rregullojë çështjet e tij dhe t’i referohen atij në rast mosmarrëveshjeje, mospajtime apo grindje të natyrave të ndryshme.

Mu për këtë fakt Zoti i dërgoi njerëzimit profetë të shoqëruar me legjislacione, të cilat rregullonin marrëdhëniet njerëzore, dhe sa herë që njerëzit i ndryshonin ato legjislatura apo devijonin nga rruga e profetëve, Zoti u dërgonte sërish të dërguarë me legjislaturë të re, e cila përshtatej me atë popull, me kohën, rrethanat dhe natyrën e jetesës së tyre. Ky dërgim i profetëve vazhdoi për një periudhë të gjatë derisa erdhi koha për ta dërguar legjislacionin e fundit Sheriatin Islam, të cilin e barti profeti Muhamed alejhi selam, duke qenë profet për mbarë njerëzimin, Kur’ani sqaron këtë fakt duke pohuar:

“Thuaj (Muhamed): ”O njerëz! Unë jam i Dërguari i Allahut tek të gjithë ju. Allahu është ai që nuk ka të adhuruar përpos Tij dhe vetëm Atij i takon sundimi i qiejve e i tokës; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, pra besoni Allahun dhe të Dërguarin, Pejgamberin e Tij.” (A’raf: 158)

Për shkak të këtyre dimensioneve, këtë legjislacion e bëri edhe gjithëpërfshirës, siç thotë në Kur’an:

“Ne ty (Muhamed) ta shpallëm Librin sqarim për çdo send.” (Nahl: 89)

Çka do të thotë se kjo legjislaturë përfshin të gjitha segmentet e jetës së njeriut, qofshin ato shpirtërore-pra në raport me Zotin e tij, qofshin morale, etike, kulturore, sjellje e marrëdhënie në raport me njerëzit. Gjithëpërfshirës i jetës se njeriut që nga djepi deri në varr, gjithëpërfshirës edhe në spektrin e rregullimit të jetës së kësaj bote përfshirë fushën e arsimit, edukimit, ekonomisë, tregtisë, trashëgimisë etj.

Ndaj, si mos të jetë ky sheriat i tillë kur burimi i tij është nga vet Ai që di çdo gjë, siç ka thënë Zoti:

“A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai i njeh thellësisht sekretet dhe është hollësisht i njoftuar për çdo gjë.” (Mulk: 14)

Ai është i Gjithëdijshmi Absolut. Për shkak të këtyre veçorive dhe shumë të tjerave Sheriati është legjislatura më e përsosur që ka njohur ndonjëherë njerëzimi. Është i vetmi legjislacion që arriti të përshtatet dhe të kontribuojë në të gjitha kohërat dhe gjeneratat, pavarësisht rrethanave dhe kushteve që jetonin apo jetojnë njerëzit. Është sistemi i vetëm që arriti t’i përballojë të gjitha sfidat me të cilat u ballafaqua gjatë gjithë kohës, nga dita që zbriti në Mekë e deri më sot. Të gjithë njerëzit e mendjes dhe të logjikës së shëndoshë janë në ujdi rreth përsosmërisë dhe vazhdimësisë së këtij legjislacioni; i vetmi i cili ka aftësi të zgjidhë problemet me të cilat ballafaqohet njerëzimi nga koha në kohë, përfshirë edhe periudhën tonë bashkëkohore e post-moderniste, siç shprehet filozofi i njohur anglez Bernaço.

Mu për shkak të kësaj vazhdimësie e përsosmërie të legjislacionit islam, njerëzit e dijes dhe intelektit vazhdojnë ta pranojnë atë si sistem të përkryer vlerash që ofron zgjidhje të ndryshme për shoqëritë, madje qofshin ato edhe sekulare. Madje qeveri të ndryshme po shikojnë mundësitë që pjesë të këtij legjislacioni–Sheriatit Islam, të inkorporohen në ligjet e vendeve të tyre, siç ishte rasti i i fundit me ministrin e drejtësisë së Gjermanisë, apo më herët i një zyrtari të lartë anglez, pastaj norvegjez etj. Këto fakte jo që ia ngritin vlerën Sheriatit Islam, jo që e bëjnë Fenë Islame më madhështore se që është. Për të vërtetuar se dielli ndriçon dhe hëna rrezon, nuk ka nevojë për dëshminë e askujt. Por dëshmi të këtilla ua rikujtojnë neo-komunistëve tanë, një pjese të madhe të intelektualëve, qeveritarëve, liderëve politik, profesorëve e akademikëve, se tendenca e tyre për të ikur nga islami-si identitet fetarë është gabim dhe i panevojshëm.

Ne si shoqëri po të mburreshim me përkatësinë tonë islame dhe të punonim sipas vlerave të saj të mëdha, do të arrinim një kulturë e civilizim të lakmueshëm, ashtu që të na kishin lakmi të tjerët, pikërisht siç na e kishin lakmi dikur, madje edhe këta evropianët që pas kulturës së tyre ne pothuajse po ‘duam të çmendemi’. Mirëpo, me të drejtë ka thënë populli se njeriu është armik i asaj që nuk e njeh. E këta njerëz (natyrisht një pjesë e tyre), nuk e njohin këtë fe madhështore, nuk e kanë shijuar ëmbëlsinë e saj, andaj edhe mendojnë se është me kripë. Ndoshta pse kanë jetuar në një sistem, i cili ua ka shpërlarë trurin, apo se mos ndoshta po mundohen të bëhen ‘më katolikë se Papa”, nuk e di, mbase mund të ketë edhe arsye tjera, por një gjë është e qartë se këta njerëz nga mosnjohja e realitetit po paragjykojnë aq shumë ndaj këtij Islami sa që po frikësohen, madje edhe prej vet emrit të tij. Kështu urrejnë çdo gjë që ka të bëjë me Islam, madje qoftë edhe një leckë në kokë–shami, edhe pse shumica i përkasin vet kësaj feje, por nuk dinë thuajse asgjë në lidhje me të.

Mendoj se kam të drejtë t’i sfidojë të gjithë politikë-bërësit, që shpesh shesin mend mbi të ashtuquajturin ‘radikalizëm dhe ekstremizëm islamik’, që të citojnë në mënyrë adekuate qoftë edhe një libër të vetëm mbi Islamin si tërësi, e lërë më për temat dhe fenomenet që na flasin. Nuk e di se si ndihen dhe çfarë do të mund të sajojnë tashmë përfolësit dhe akuzuesit e ‘ekstremizmit islamik’ kur përballen me njerëz të këtij kalibri, si ministri gjerman i drejtësisë, mu në zemër të Evropës, të cilët kërkojnë që pjesë të Sheriatit të inkorporohen brenda sistemit juridik në shtetet e tyre.

Çfarë kontrasti!

A thua do të mbledhin mend ndonjëherë këta tanët, a do të ndihen të turpëruar për atë që padrejtësisht ia veshin Islamit-fesë së tyre, apo do të vazhdojnë edhe më tej me idetë komuniste të shekullit të kaluar!? Si do që të jetë, njerëzit e civilizuar e të shkolluar do të vazhdojnë ta vërtetojnë e ta dëshmojnë madhështinë dhe përsosmërinë e Sheriatit Islam, përshtatshmërinë e tij me çdo kohë dhe çdo vend.

E këta tanët Allahu i drejtoftë e i udhëzoftë, e i bëftë që ta kuptojnë hakun-të vërtetën. Të ndihen krenarë e të lumtur me përkatësinë e tyre fetare e kombëtare, të gjuhës e të fesë. Amin dhe deri në javën tjetër me një temë tjetër, selam alejkum.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here