Përsiatje mbi psikologjinë kuranore

0
525

Refleksione mbi gjuhën kuranore/psikologjike.

“Ai i Cili zbriti qetësinë në zemrat e besimtarëve, që ta shtojnë besimin (e freskët) së bashku me besimin që kanë.” (Fet’h, 4) Ky citat kuranor e vlerëson qartazi mirëqenien psikologjike, emocionale të njeriut. Për më tepër, ai e kushtëzon pjesën e dytë me praninë e të parës. Pasi truri i katandisur s’është në gjendje t’i qaset një orientimi që kërkon vetëdije të gdhendur për t’u përfshirë në të. Kësisoj edhe eruditi i moçëm islam Ibn Kajim el-Xheuziu e theksonte mjaft të rëndësishëm humorin psikologjik për atë besimor, shpirtëror. Ai besonte se ‘pikëllimi, brengat e shumta, shkaktojnë rënie të besimit dhe pezullim të tij, përtaci në adhurime dhe ftohje prej tyre’. Ndaj, nga citati i mësipërm kuptojmë se shëndeti psikologjik është hap me rëndësi për kredhje në botën e dëlirë e të natyrshme besimore, shpirtërore. Pokështu, shpallin edhe citatet e tjera kuranore: “Nuk ka trysni në fè!” (el-Bekare, 256) që do të thotë se liria mendore, ndërgjegjësore, emocionale e natyrshme dhe e pandrydhur është e rëndësishme për sukses në botën besimore, dhe se pa të, besimi është i gjymtë dhe i pa lëvdatë. Një besim i cili praktikohet nga një krizë psikike, emocionale është praktikim i çalë, thuajse, një talisman i pakuptueshëm.

Andaj: “A nuk ta çliruam ne ty (O Muhamed) gjoksin tënd?” (Inshirah,1) Po! Ta çliruam si përgatitje për atë që do bartësh, O Muhamed, më vonë mbi supet e tua. “Dhe Ne hoqëm prej teje barrën tënde.” (Inshirah, 2) Hoqëm, që të jesh më i qetë, më i gatshëm, më i freskët, më i dëlirë, më energjik, më aktiv. Hoqëm çdo emocion negativ. “E cila shtypte shpinën tënde.” (Inshirah, 3) Shtypte, për shkak se ishe jetim, i pambrojtur, zemërpaqtë i hutuar dhe i pasigurt për ato që të rrethonin. Por Ne e hoqëm atë, sepse po të mos e hiqnim, ti nuk do të mundje të bashkoje të Mirën e ta themeloje Atë në mesin e më të keqes. Poashtu: “Nuk ta kemi zbritur ne ty (O Muhamed) këtë Kuran për të të përvujtnuar.”(Tâha’ 2) Nuk ta kemi zbritur për këtë qëllim, sepse ti i tëri je botë psikologjike. Pa shëndetin e të cilës nuk mund të kthehesh në origjinën tënde (insan) e as nuk mund të kesh një devotshmëri e thellim të lëvduar. Madje, Kuranin dhe Fjalët e Mia, ua dërgova për t’iu lumturuar, për t’iu pasuruar, për t’iu bërë të ndjeheni të sigurtë, të përmbushur, pa frikë e pa pikëllim. Qetësia, rehatia dhe qendërzimi i monoteizmit në zemër, janë binjakë të ngushtë. Jo vetëm me qetësinë psikike, por edhe me rehatinë shpirtërore.

“Mos u ligështoni e as mos u pikëlloni, ju jeni më të lartët po qe se jeni besimtarë.” (Ali Imran, 139) Nga citatet e mësipërme dhe nga ky i fundit kuptojmë se ‘qetësia është rruga drejt besimit dhe se besimtari është meritor për qetësi të vërtetë.’

Ndërsa kur Musai a.s. ndjeu frikë e panikë në përballje me magjistarët e faraonit, Ai i frymëzoi me Psikologjinë Hyjnore duke i thënë: “Mos u frikëso! Se vërtet ti je më i larti!” (Taha, 68) Ndërsa kur atë së bashku me vëllain e tij i nisi për ta qortuar despotizmin faraonit i pa që ishin të trembur, I Frymëzoi: “Mos u frikësoni! Shkoni se unë Jam me ju, ju dëgjoj dhe Ju shoh” (Taha, 46) Përforcim psikologjik ky, emocional, shpirtënor i tyre për ta realizue teuhidin e tyre dhe për ta kryer misionin për të.

Poashtu Allahu i Madhërishëm respektoi mundësitë emocionale njerëzore duke i mësuar që në lutjet e tyre të citonin: “Zoti ynë! Mos na ngarko me diçka për të cilën ne nuk kemi energji (tàkatun)!” (Bekare, 286) Poashtu për hir të kësaj Ai tha: “Jini të devotshëm për Allahun, sa mundshit!” (Ali Imran, 102)

Për gjoksngushtinë e njeriut pati konsideratë dhe mëshirë, andaj dhe shpalli: “…dhe shërim për ç’kanë kraharorët” (Junus, 57)

Në Kuranin fisnik poashtu gjejmë citate si: “Lajmëroji robtë e Mi se Unë Jam mëkatfalës dhe Mëshirues. Por edhe se dënimi Im është shumë I Ashpër.” (Hixhr, 48,49) Porse gjejmë si në citate kuranore ashtu edhe në hadithe të ndershme profetike se mëshira, dhembshuria dhe parajsa përmenden më shumë se sa qortimi dhe dënimi. Pasi për njeriun nuk nevojiten trishtime rresht, sepse ai është i ligësht dhe emotiv, i ndjeshëm dhe krijesë e Mëshiruesit. Ndërsa qortimet dhe vërejtjet kanë ardhur si edukim pedagogjik për të mbajtur ekuilibrin në mes zemrës dhe egocentrizmit dhe instiktualizmit – vetëm kur njeriu familjarizohet me të keqen, e përhapë atë, infekton brezat që vijnë dhe njëllosë tokën. Qortimet kanë ardhur për ta penguar faraonizmin dhe hamanizmin.

Për shkak se profeti Muhamed ishte jetim Ai e imunizoi me Dritën e Tij: “A nuk të gjeti jetim dhe Ai të dha përkrahje? (Duha, 6) “Dhe Zoti yt nuk të ka lënë pas dore e as nuk të ka përbuzur.” (Duha, 3) “Zoti yt do të të japë e ti do të mbetesh i kënaqur.” (Duha, 5)

Për nevojën motivuese, mburrëse, trimëruese që ndjen lloji njerëzor në esencën e tij Ai dëftoi duke shpallur: “Ti (o Muhamed) je në një shkallë të madhnueshme të moralit!” (Kalem, 4) “Të mjaftojmë ne ty (o Muhamed) kundër tallësve.” (Hixhr, 95) “Allahu është I Butë, i Dashur për robtë e Tij.” “Ne e dimë se gjoksi yt është ngushtuar. Por ti madhëroje dhe lavdëroje Zotin tënd!” (Hixhr, 97,98)

“Dhe Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të, dhe mbështeti atë me një ushtri që nuk e shihte, ndërsa fjalën e mohuesve e poshtësoi, ngase Fjala e Allahut është më e Larta.” (Teube, 26)

“Allahu zbriti Qetësinë e Tij mbi të dërguarin e Tij dhe mbi besimtarët. Dhe ua përkushtoi atyre Fjalën e Devotshmërisë, sepse ata ishin më meritorë për të dhe më të zotët e saj.” (Feth, 26)

“Ua zbriti qetësinë atyre, dhe i përforcoi me një çlirim të afërt (çlirimin e Hajberit).” (Feth, 18)

Pos që pamë se qetësia është në rend të parë para përcorcimit imanor dhe dhuntisjes me çlirim dhe fitore e triumf, pamë se qetësia (es-sekine) është Pronë ekskluzive Hyjnore.

Vazhdon…/

Agron Islami