Mëngjesi… përsëri

0
214

Dr. Selman AUDE
 
Nuk nevojitet të jem një shkrimtar profesional për të vargëzuar rrëfimin e jetës sate.
Prej teje e mësova gjuhën e thjeshtësisë, së thellësisë… gjuhën e lotëve!
Allahu nuk e ka krijuar lotin për njeriun së koti,
Zjarrminë e pikëllimit nuk e njeh tjetërkush veç Zoti.
Nuk është syri ai që e derdh lotin, por shpirti. Që të mos vazhdojë pikëllimi të qëndrojë deri në përfundim. Imani krijon kënaqësinë dhe derdh qetësinë dhe i shtrin urat e lidhjes me të ikurit.
Do t’i rikthehem jetës, shpresës, buzëqeshjes, nuk do ta lejoj pikëllimin që të shndërrohet në një dëshpërim të thellë depresiv dhe ta vrasë bukurinë e jetës.
Vdekja yte m’i ka hapur sytë për fundin. Më ka bërë që t’i kapërcej orët përpara se ato të ndalojnë. Vdekja nuk është thirrje për tërheqje, për dezertimin e jetës apo ngacmim zemërimi me Caktimin Hyjnor.
Vdekja në hidhtinën e saj, nuk është reduktim i numrit. Sepse pema familjare ka mbetur ashtu sikur që ishte. Babai, nëna, vajza dhe shtatë djemtë. Dy prej tyre kanë ikur. Të tjerët vijojnë të jenë nën pemën e jetës. Më duhet t’i tregoj ndjenjat e tua kundrejt fëmijëve tu, që kanë mbetur. Ta pikturoj urtinë dhe vizionin tënd dhe të jem për ta, hem nënë, hem baba dhe hem shok!
Do t’i shqyrtoj leksionet e mia, së bashku me ty.
Do të frymëzohem me jetëpërshkrimin dhe ndjenjat e tua, me përgjegjësinë për të nxjerrë mësimin e dobishëm. Po edhe nëse, ai është i vonuar!
Miku im m’i përkujtoi vargjet, të cilat i kam pasë përsëritur shpesh, nga poeti Abdurrahman Barud:
“Do të kthjelltësohet për ty koha, dhe do t’i rikthej të dashurit e munguar,
Pikëllimet e netëve do të largohen, se ato ngjajnë si përgjigjet e udhëtarëve.”
Por ama, për sa i përket udhëtimit të të dashurve tanë të munguar, tashmë, nuk ka shpresë për rikthyerjen e tyre. Prandaj do të bashkohemi, ne me ta. Më është mundësuar ta shoh vdekjen se ajo është lidhje dhe takim. Të dashurit tuaj, e fituan garën, drejt asaj bote, ikën para jush.
E meritoj që të optimizohem me konceptin e Muadh Ibn Xhebelit: “Nesër do t’i takojmë të dashurit tanë.”
Por ja! Ky është shpirti im i cili orvatet që të përqafojë shpirtin tënd, dhe dëshiron të të sheh ty shpend të gjelbërt, që fluturon në pemët e parajsës, pa zinxhirë robërues. Duhen më, netët e dhembshura, të ikin andej. Ngase Allahu i Lartmadhërishëm dëshiron prej nesh që ta jetojmë jetën me shpresë dhe kënaqësi. Madje, edhe të ikurit tanë, dëshirojnë të dëgjojnë, atje tek varret e tyre, se ne jemi në mirëqenie të kënaqshme. Vazhduam rrugën, ashtu siç ata urojnë. Deri në përjetësi, në fundin e shpirtit tonë, i kemi vizatuar kujtimet me ta. Poashtu i kemi bërë ata pjesëmarrës në çdo punë që bëjmë. Nuk i kemi pushuar së menduari dhembjet dhe tragjeditë tona. Nuk i kemi harruar. Po si mund ta harrojë njeriu copën e shpirtit? Apo disa pjesëza të trupit?
I kemi përpjestuar me ta pikëllimet, ndërsa tash, trishtimin e ndarjes së tyre të befasishme, e kemi ndarë me shpirtërat besimtarë, të pastër dhe të sinqertë, përkrahës dhe mbështetës.
E kanë përjetuar trishtimin tonë, sikur dhembja t’u ketë rënë atyre. Është dyfishuar besimi im, me sinqeritetin tuaj, o të dashurit e mi, me dëlirësinë e zemrave dhe fisnikërinë tuaj të madhërishme. Unë, në të vërtetë, jam i pazoti për t’ju falënderuar të gjithë juve.
Të uroj ty për numrin e madh të vizitorëve, të cilët kanë ardhur, mbështetur dhe ngushëlluar. Aq sa i them vetes sime: “Nëse do ta përmbylli, sikur kjo ditë, ikjen time për në atë botë, do të jetë me të vërtetë një gjë e lartësishme.”
I ngulisja sytë në fytyrën e ngushëlluesve, dhe përkujtova se i ngushëllova ata një ditë për ikjen e të dashurit. Belatë nuk e përjashtojnë askë. E as që janë ndodhi të rastësishme sikur që kemi pasë menduar ne. Ato janë ndodhina të rendituna! Ata i ka mbuluar fshehtësira e depozituar në Botën e Fshehtë–Hyjnore. “Nuk godet asnjë fatkeqësi, përpos se me lejen e Allahut. Kush i beson Allahut, Ai do ta udhëzojë zemrën e tij.” (Tegabun; 11). Secili prej tyre më thoshte se jeta duhet të rrjedhë. Fati ynë është që të durojmë, të pajtohemi me ndodhinë dhe të përpiqemi për të rivazhduar rrugën. Të mos e lejojmë trishtimin që ta shndërrojë jetën tonë në një farkëtar, që godet hekurin, pambarimisht!
Nuk jam i vetëm… Abdulvehabi, që nga çasti i parë, i referohej me dorën dhe shpirtin e tij vazhdimit të rrugës. Udhëzonte në injorimin e furtunës së pyetjeve të papritura dhe inkurajonte në mendimin e obligimeve të menjëhershme dhe t’i lihet çështja Allahut, se çdo gjë ka për t’u lehtësuar me lejen e Tij.
Në zemrën time ka qenë ndjesia për Allahun, Ai I Cili merr diç për të dhënë diç tjetër. Ka marrë mëshirë dhe ka dhënë begati. Ndjesitë e mia që nga fillimi ishin, afri me Allahun, ngutje në pendesë, dhe kryerjen e asaj, që mundej të kryhej, pa u vonuar.
Ikja e befasishme më mësoi që të kthej kokën ndaj atyre që janë përreth meje, e as të mos e zgjasë syrin larg tek ato gjëra që nuk i posedoj. Do t’iu kushtoj vëmendje detajeve të vogla, dhe do t’i jetoj ato, çast pas çasti, përpara se të rritet dhe të brumoset prej tyre dhembja.
Dhembja është zjarr, por zjarr që i pjek ndjenjat tona, që i ndërton unët tanë, dha që na edukon me ndjeshmërinë sublime ndaj dhimbjeve të të tjerëve dhe vuajteve të tyre. Na inspiron për të qëndruar me ta.
Pyesja: “Si do t’i tregoj Ledenit për dhembjet e saja?” Por morra guximin për t’ia sqaruar dhe shpjeguar asaj lajmin, m’i pa lotët e mi që rrjedhnin, dhe ajo me dhembshurinë femërore, shpejtoi t’i fshijë me faculetë! Nuk e pashë atë duke qarë. Kur Allahu është me ty; nuk përjeton as frikë e as pikëllim.“Mos u frikësoni, e as mos u pikëlloni, përgëzohuni..!” (Fussilet;30)
E vërtetë. U tregova i dobët. Nuk u përmbajta ashtu sikur që duhej. I kam ngushëlluar fëmijët për të progresuar në jetë, ndërsa unë u ktheva në fëmijë, i cili nuk turpërohet nga mërzia dhe lotët e tij!
Detyra ime është që të mos e ngurtësoj veten time. Allahu nuk e llogaritë mërzinë e zemrës dhe lotin e syrit. Por atë, që kullon në gjuhë!
Më janë radhitur trishtimet, palë-palë, njëra pas tjetrës. Shuhet njëra, për të filluar tjetra. Sikur ajo mua m’i këndon vargjet e zisë dhe shashtisjes. Dhe ma pikturon një imazh parafatyrues për ato që ndodhën. Si ndodhi? Pse ndodhi? Dhe vazhdon djalli të më fryjë ‘po sikur, po sikur…?’
A shpëton kujdesimi nga Caktimi Hyjnor? Caktimi i Allahut – ç’dëshiron Ai bëhet!
Nuk është gjë e keqe që të ndjej faj kundrejt të ikurve. Ka qenë, sigurisht, në mundësinë time që të isha akoma më i mirë se ç’isha. Nuk e kam ndjerë, siç po e ndjej tani, vleftën e pranisë së tyre. Tanimë, teksa janë bartur në bregun tjetër!
Çdo gjë është me caktim. Megjithatë gjërat e bukura na braktisin më shpejt se sa të tjerat.
Ata që na kanë lënë, janë më të mirë se ne. Me iman më të sinqertë, me zemra më të paqta, me durim më të fortë, më me bujari në dhënie, dhe ata janë tek Allahu, më afër, se sa mendojmë ne.
Madje me vdekjen e tyre, ata më kanë dhuruar mua mësime të thella, të cilat këtë radhë nuk guxoj që t’i harroj. E kanë bërë vdekjen të vërtetë të freskët, të afërt, dhe më kanë ftuar për të garuar me kohën dhe të investoj në jetë.
Mua më duket sikur po i shoh ata duke më thirrur mua nga larg, nga atje: ‘Ji siç deshëm ne, dhe mos e harro besën!’
 
Përktheu: Agron Islami

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here