Përse gjithë këto katastrofa dhe sëmundje?

0
182

Falënderimi i plotë i takon Allahut Fuqiplotë, Zotëruesit të qiejve dhe të tokës, Krijuesit të njeriut në formën më të mirë. Salavatet dhe selamet, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë përmbi mëshirën e njerëzimit, Muhammedin (a.s), familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ecin në rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.

Katastrofa, zjarre, përmbytje, tërmete, sëmundje të pashërueshme, masakra e të tjera gjëra të dhimbshme janë panorama e botës në të cilën po jetojmë.

Njeriu i mençur dhe i drejtë pyet se: Përse po ndodhin të gjitha këto dukuri jo të mira? Cili është shkaku dhe burimi i tyre? A ka dorë njeriu në këto shkatërrime?

Besimtari, i cili beson te Zoti e kupton menjëherë se ku e kanë prejardhjen shkatërrimet në tokë, sepse ai ka lexuar fjalën e Allahut (xh.sh) në Kur’an, i Cili thotë:

ظَهَرَ الْفَسَادُ فِي الْبَرِّ وَالْبَحْرِ بِمَا كَسَبَتْ أَيْدِي النَّاسِ لِيُذِيقَهُمْ بَعْضَ الَّذِي عَمِلُوا لَعَلَّهُمْ يَرْجِعُونَ (41)

“Shkatërrimi është përhapur në det dhe në tokë si pasojë e veprave që njerëzit i kanë bërë me duart e tyre. Për ta shijuar atë që vetë po e veprojnë se ndoshta kthehen (pra ndalen nga shkatërrimi).” (Rrum: 41)

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë, për çdo ditë jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve të hidhura që po ndodhin anekënd globit tokësor. Tërmete, vullkane, zjarre, përmbytje, tornado, vrasje makabre e të tjera duke marrë jetën e qindra dhe mijëra njerëzve në botë. Dhe këto dukuri duket se nuk kanë të ndalur, por kalojnë nga një vend në tjetrin dhe shtohen prej vitit në vit.

Vërtet të vjen keq për humbjen e jetëve të pafajshme të shumë njerëzve dhe çdo njeri i mëshirshëm bashkohet dhe solidarizohet me dhimbje ne tyre, por nga ana tjetër duhet të përpiqemi dhe të sakrifikojmë që ta ndalim shkatërrimin e tokës në të cilën jetojmë dhe të cilën Zoti ynë e rregulloi në formën më të mirë.

Njeriun ka filluar ta mashtrojë zhvillimi i teknologjisë dhe mendon se mund të nxjerrë ligje, apo të zbulojë forma të tjera të jetës jo në atë formë që Krijuesi e ka vendosur për të jetuar. Por, është e pamundur dhe kurrë nuk do të mund t’ia arrijnë as xhindet dhe as njerëzit që të sjellin diçka më të mirë se sa Zoti e ka vendosur për ne.

أَلا يَعْلَمُ مَنْ خَلَقَ وَهُوَ اللَّطِيفُ الْخَبِيرُ (14) هُوَ الَّذِي جَعَلَ لَكُمْ الأَرْضَ ذَلُولاً فَامْشُوا فِي مَنَاكِبِهَا وَكُلُوا مِنْ رِزْقِهِ وَإِلَيْهِ النُّشُورُ (15) أَأَمِنتُمْ مَنْ فِي السَّمَاءِ أَنْ يَخْسِفَ بِكُمْ الأَرْضَ فَإِذَا هِيَ تَمُورُ (16) أَمْ أَمِنتُمْ مَنْ فِي السَّمَاءِ أَنْ يُرْسِلَ عَلَيْكُمْ حَاصِباً فَسَتَعْلَمُونَ كَيْفَ نَذِيرِ (17) وَلَقَدْ كَذَّبَ الَّذِينَ مِنْ قَبْلِهِمْ فَكَيْفَ كَانَ نَكِيرِ (18)

“A nuk e di Ai që krijoi? Dhe Ai është i Gjithëdituri. Ai është që juve tokën ua nënshtroi, ecni nëpër të dhe hani prej furnizimit të Tij, e tek Ai do të ringjalleni. A u siguruat ju prej Atij që është në qiell, që të mos ju shembet toka kur ajo është duke lëvizur? A u siguruat ju prej Atij që është në qiell, që të mos lëshojë kundër jush rrebesh gurësh? Do ta kuptoni, do ta kuptoni se si është ndëshkimi Im! Edhe ata që ishin para tyre përgënjeshtruan, por si ishte dënimi Im!?” (Mulk: 14-18)

O njerëz, Krijuesi ynë na ka ndaluar të bëjmë shkatërrime. Ai na ka ndaluar disa gjëra, sepse ato shkaktojnë dëme dhe shkatërrime në tokë, në det dhe në njerëz. Ai i ka ndaluar gjërat e këqija, sepse ato e prishin rendin e jetës shoqërore mes njerëzve dhe e prishin ekuilibrin e vendosur nga Krijuesi i Gjithëditur dhe Fuqiplotë. Prandaj edhe Ai thotë:

إِنَّمَا الْخَمْرُ وَالْمَيْسِرُ وَالأَنصَابُ وَالأَزْلامُ رِجْسٌ مِنْ عَمَلِ الشَّيْطَانِ فَاجْتَنِبُوهُ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ (90)

“Me të vërtetë alkooli, bixhozi, idhujt dhe hedhja e fallit janë vepra të pista nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre në qoftë se doni të shpëtoni”. (Maide: 90)

Sa aksidente rrugore, sa vrasje, sa krime familjare po ndodhin çdo ditë prej përdorimit të alkoolit! Sa çifte janë divorcuar, sa familje janë shkatërruar, sa vjedhje e sa grabitje janë rezultat i lojërave të bixhozit dhe të fatit! Përse njerëzit nuk e kuptojnë dhe nuk ndalen e të mendojnë pak se çfarë po u shkaktojnë këto vepra të pista. Përse nuk e kuptojnë, ose bëjnë se nuk e kuptojnë se shpëtimi prej tyre nuk është të kufizohet mosha, koha apo vendi ku pihet alkooli, droga dhe luhet bixhozi, por të ndalohen rreptësisht.

Sa humbje dhe sa vuajte është duke pasur rendi i ri botëror për shkak të përdorimit dhe konsumimit të atyre gjërave që feja e drejtë dhe e shpallur nga Zoti i ka ndaluar. Le ta dinë mirë njerëzit se nuk ka rrugëdalje prej këtyre sëmundjeve shoqërore, përveç se duke u kthyer te ligjet e Allahut (xh.sh), të cilat i ka vendosur për të jetuar të qetë, të lumtur dhe të shëndetshëm.

Le të dëgjojmë të Dërguarin tonë, Muhammedin (a.s), i cili ka paralajmëruar për vuajte dhe dënime të ashpra kur veprohen dhe shfaqen hapur punët e ndyta dhe të këqija dhe njerëzit tregohen indiferent në pengimin dhe ndalimin e tyre.

قال عبد الله بن عمر بن الخطاب : كنت عاشر عشرة رهط من المهاجرين عند رسول الله –صلى الله عليه وسلم – فأقبل علينا رسول الله – صلى الله عليه وسلم – بوجهه فقال : يا معشر المهاجرين خمس خصال أعوذ بالله أن تدركوهن : ما ظهرت الفاحشة في قوم حتى أعلنوا بها إلا ابتلوا بالطواعين والأوجاع التي لم تكن في أسلافهم الذين مضوا ، ولا نقص قوم المكيال والميزان إلا ابتلوا بالسنين وشدة المئونة وجور السلطان ، وما منع قوم زكاة أموالهم إلا منعوا القطر من السماء فلولا البهائم لم يمطروا ، ولا خفر قوم العهد إلا سلط الله عليهم عدوا من غيرهم فأخذوا بعض ما في أيديهم ، وما لم تعمل أئمتهم بما أنزل الله في كتابه إلا جعل الله بأسهم بينهم .

Abdullah ibn Umer ibnul Hatabi (r.a) tregon: Isha i 10-ti në mes të 10-të muhaxhirëve duke ndenjur me Pejgamberin (a.s), i cili na u drejtua duke thënë: “O muhaxhirin, pesë gjëra për të cilat e lus Allahun të mos i arrini:

1. Kur të shfaqet hapur imoraliteti në një popull, atëherë ata do të sprovohen me sëmundje dhe dhimbje që nuk ka qenë kurrë më parë.

2. Kur njerëzit të mashtrojnë në matje dhe në peshore, atëherë do të sprovohen me vite të vëshitra, mungesë ushqimi dhe diktatura.

3. Kur njerëzit të ndalojnë dhënien e zeqatit të pasurisë së tyre, atëherë do t’u ndalohet shiu prej qiellit dhe sikur të mos ishin kafshët kurrë nuk do tu binte shi.

4. Kur njerëzit thyejnë besën dhe premtimet, atëherë Allahu do tu çojë udhëheqës nga jashtë, të cilët do tu grabisin pasurinë e tyre.

5. Dhe kur imamët të mos punojnë me atë që Allahu e ka zbritur në Librin e Tij, atëherë Allahu do tu hedhë mes tyre përçarje dhe armiqësi.” (Ibn Maxhe)

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë, shumë njerëz sot, duke u justifikuar me liritë dhe të drejtat e njeriut kanë kaluar çdo kufi të logjikshëm të moralit dhe sjelljes njerëzore. Ata mendojnë se njeriu është i lirë të bëjë dhe të veprojë çfarë të dojë, sepse ashtu i pëlqen atij, por ata harrojnë pasojat dhe ndikimet që do të kenë në jetën shoqërore mbi sipërfaqen e rruzullit tokësor. Madje me veprimet e tyre po ia kalojnë edhe kafshëve, ashtu siç na ka tregon Zoti (xh.sh) në Kur’an:

أَمْ تَحْسَبُ أَنَّ أَكْثَرَهُمْ يَسْمَعُونَ أَوْ يَعْقِلُونَ إِنْ هُمْ إِلاَّ كَالأَنْعَامِ بَلْ هُمْ أَضَلُّ سَبِيلاً (44)

“A mendon se pjesa më e madhe e tyre dëgjojnë, apo mendojnë? Ata nuk janë ndryshe, vetëm si kafshët, madje edhe më të humbur!” (Furkan: 44)

Më e keqja e kësaj është se një pjesë e myslimanëve, veçanërisht rinia, me pretekstin e qytetërimit, të përparimit dhe të modës, po i ndjekin disa sjellje dhe veprime të këtyre popujve.

Nuk ka për të përparuar asnjëherë myslimani, në qoftë se braktis mësimet e Zotit dhe pason të tjerët vetëm në mënyrën e ç’thurur të jetës së tyre. Nuk të bëjnë të qytetëruar dhe të përparuar droga, alkooli, bixhozi, imoraliteti, martesat brenda gjinisë, shkuarja nëpër klubet e natës e të tjera ç’thurje e devijime të qytetërimit modern. Ndërsa Pejgamberi ynë (a.s) na e tërheq vëmendjen duket thënë:

عن حذيفة قال قال رسول الله صلى الله عليه وسلم: ))لا تكونوا إمعة تقولون إن أحسن الناس أحسنا وإن ظلموا ظلمنا ولكن وطنوا أنفسكم إن أحسن الناس أن تحسنوا وإن أساءوا فلا تظلموا((

Transmeton Hudhejfe (r.a) se Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Mos u bëni të verbër e të thoni: Në qoftë se njerëzit bëjnë mirë edhe ne do bëjmë mirë dhe në qoftë se njerëzit bëjnë keq edhe ne do bëjmë keq, por bëhuni të qëndrueshëm dhe kur njerëzit bëjnë mirë edhe ju bëni mirë, por në qoftë se ata bëjnë keq ju mos bëni keq.” (Hadith hasen)

Pra, Pejgamberi (a.s) na thotë që të mos bëhemi njerëz pa personalitet dhe pa vlerë. Të jemi syçelur dhe jo symbyllur, apo edhe më keq sikur bagëtitë, të cilat shkojnë nga t’i çojë bariu.

Të mos mashtrojë asnjërin nga ne jeta me dëfrime e qytetërimit modern, sepse kjo mënyrë jetese nuk të jep lumturi dhe patjetër një ditë, sado gjatë që të jetojmë, do të vdesim dhe do të kthehemi te Krijuesi ynë dhe Ai do të na marrë në llogari të hollësishme se si e kemi kaluar jetën e kësaj bote.

Vëllezër dhe motra besimtarë Allahu i madhëruar na tregon duke thënë:

وَاتَّقُوا فِتْنَةً لا تُصِيبَنَّ الَّذِينَ ظَلَمُوا مِنْكُمْ خَاصَّةً وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ (25) وَاذْكُرُوا إِذْ أَنْتُمْ قَلِيلٌ مُسْتَضْعَفُونَ فِي الأَرْضِ تَخَافُونَ أَنْ يَتَخَطَّفَكُمْ النَّاسُ فَآوَاكُمْ وَأَيَّدَكُمْ بِنَصْرِهِ وَرَزَقَكُمْ مِنْ الطَّيِّبَاتِ لَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ (26) يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لا تَخُونُوا اللَّهَ وَالرَّسُولَ وَتَخُونُوا أَمَانَاتِكُمْ وَأَنْتُمْ تَعْلَمُونَ (27) وَاعْلَمُوا أَنَّمَا أَمْوَالُكُمْ وَأَوْلادُكُمْ فِتْنَةٌ وَأَنَّ اللَّهَ عِنْدَهُ أَجْرٌ عَظِيمٌ (28)

“Ruajuni nga e dënimi, i cili nuk i godet vetëm ata që bënë padrejtësi dhe ta dini se Allahu është ndëshkues i rreptë. Përkujtoni kur ishit pakicë e të dobët në tokë dhe frikësoheshit se njerëzit do t’ju përpinin, e Ai ju bëri vend të sigurt; ju përkrahu me ndihmën e Tij dhe ju furnizoi me të mira në mënyrë, që të falënderoni. O ju që besuat, mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin, e pastaj të tradhtoni amanetet tuaja me vetëdije. Dijeni se pasuria dhe fëmijët tuaj janë sprovë dhe te Allahu është shpërblimi i madh.” (Enfal: 25-28)

O Zoti ynë, na ruaj neve dhe familjet tona nga fitnet e kësaj kohe. Vel hamdu lil-Lahi rabbil alemin.

Nga: Imam Lavdrim Hamja – Kenosha,

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here