Histori e diturisë në Islam

Histori e diturisë në Islam

Falënderimi i plotë i qoftë Allahut, i Cili në Kur’anin famëlartë ka thënë: “Më shumë e kanë frikë Allahun dijetarët.” Salavatet dhe selam, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë për mbi të Dërguarin tonë, i cili ka thënë: “Kërkimi i diturisë është detyrë për çdo mysliman.” Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë edhe për mbi familjen e tij, shokët dhe të gjithë ata që ecin në rrugën e tij të diturisë deri në ditën e gjykimit.

Nuk ka aspak dyshim se dituria në Islam është e shenjtë dhe zë një vend të rëndësishëm. Për këtë Allahu (xh.sh) ka bashkuar dëshminë e Tij dhe të engjëjve me dëshminë e dijetarëve duke thënë:

شَهِدَ اللَّهُ أَنَّهُ لا إِلَهَ إِلاَّ هُوَ وَالْمَلائِكَةُ وَأُوْلُوا الْعِلْمِ قَائِماً بِالْقِسْطِ لا إِلَهَ إِلاَّ هُوَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ

“Allahu dëshmoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, edhe engjëjt dhe dijetarët me drejtësi dëshmuan se nuk zot tjetër përveç Tij, Fuqiplotit, të Urtit.” (Ali Imran: 18)

Myslimanët e parë, duke u motivuar nga fjalët e Zotit (xh.sh) dhe të Dërguarit të Tij për mirësinë dhe vlerën e diturisë, i hynë rrugës së kërkimit të saj duke u bërë udhëheqës të botës në të gjitha fushat e diturisë. Rrezet e diturisë së tyre nuk mbeten vetëm në trojet islame, por i dhanë dritë gjithë botës, sa që luteshin dhe shpresonin që drita e kësaj diturie të ndriçonte edhe vendet e tyre, të cilat ishin zhytur në errësirën e injorancës. Mbretërit e Evropës dërgonin bijtë dhe bijat e tyre për tu shkolluar nëpër universitet e botës islame. Gustav Lebon me bindje të thellë thoshte: Ah, sikur myslimanët të kishin sunduar edhe Parisin, që edhe ai të bëhej sikur Kordova, prandaj është shprehur: “Evropa për qytetërimin e saj i ka borxh shumë myslimanëve.”

Vëllezër dhe motra besimtarë, kjo gjendje krenare e myslimanëve ka qenë atëherë kur ata e kuptuan dhe e zbatuan drejtë Islamin, duke mos dalluar mes diturisë fetare të sheriatit dhe diturisë njerëzore që Zotit (xh.sh) ia mësoi babait tonë të parë Ademit (a.s).

) وَعَلَّمَ آدَمَ الأَسْمَاءَ كُلَّهَا ثُمَّ عَرَضَهُمْ عَلَى الْمَلائِكَةِ فَقَالَ أَنْبِئُونِي بِأَسْمَاءِ هَؤُلاء إِنْ كُنتُمْ صَادِقِينَ (31) قَالُوا سُبْحَانَكَ لا عِلْمَ لَنَا إِلاَّ مَا عَلَّمْتَنَا إِنَّكَ أَنْتَ الْعَلِيمُ الْحَكِيمُ

“Dhe Ia mësoi Ademit të gjithë emrat, pastaj ua prezantoi engjëjve dhe u tha: “Më tregoni për emrat e tyre nëse e thoni të vërtetën? Thanë: “Lavdi të qoftë Ty, ne nuk kemi dituri tjetër përveç atë që Ti na e mësove. Vërtetë, Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti!” (Bekare: 31-32)

Të vërtetat historike tregojnë se myslimanët të etur dhe të uritur për dituri u futën në çdo fushë të saj duke dhënë kontribute të pa çmueshme në mjekësi, astronomi, filozofi, matematikë, fizikë, kimi etj, etj. Që në shekullin e parë të hixhretit, gjatë dinastisë së Emevitëve filluan përpjekjet për themelimin e kulturave shkencore duke u ngjitur pastaj në majat e piedestaleve botërore gjatë periudhës së dinastisë së Abasitëve.

Në kohën e kalifit Me’mun, 215h-830 në atë periudhë të lulëzimit të diturisë dhe shkencës, çdo libër i përkthyer në gjuhën arabe paguhej me ari aq sa e kishte peshën e tij.

Bibliotekat. Në atë periudhë të civilizimit islam kishte tre lloje bibliotekash:

Biblioteka të përgjithshme, të xhamiave dhe të shkollave. P.sh Biblioteka e Basrës, indeksi i të cilës ishte 10 vëllime. Në Bagdad kishte 36 të tilla.

Biblioteka personale, të cilat njerëzit i kishin krijuar nëpër shtëpitë e tyre.

Biblioteka gjysmë personale dhe gjysmë të përgjithshme, të cilat përdoreshin prej dijetarëve dhe studentëve. Këto lloj bibliotekash kishin libra të rrallë dhe shumë të vlefshëm, që nuk mund t’i zotëronin njerëzit e thjeshtë.

DARUL HIKME – KAJRO shek. IV, të cilën Ibn Halduni e quan DARUL MEARIFE, apo DARUL ILM kishte 100.000 vëllime. 600 dorëshkrime në Astronomi dhe matematikë. Gjithashtu kjo shtëpi (bibliotekë) ishte e pajisur me dy globe qiellore për të shpjeguar shkencën e astronomisë. Shpenzimet e saj mbuloheshin prej vakëfit të veçantë, që ishte caktuar për të.

MEKTEBETUL AZIZ – KAJRO, zotëronte 1.600.000 vëllime. 6000 vëllime në matematikë dhe 10.000 në filozofi.

MEKTEBETUL KURTOBA shek.IV, zotëronte 400.000 vëllime me 44 regjistra indeksi.

I gjithë ky civilizim dhe kjo kulturë në atë periudhë ku Evropa ishte e zhytur në errësirën e injorancës, periudha e mesjetës. Pra, në Kordovë biblioteka kishte 400.000 vëllime, ndërsa pas katër shekujsh, mbreti i Francës, Çarli V në bibliotekën e tij mbretërore kishte 1000 libra.

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë, historia e qytetërimit islam është e mbushur me krenari dhe kontribute të mëdha në fushën e diturisë fetare dhe jo fetare. Ata e kuptuan mirë çfarë do të thotë të jesh i ditur dhe çfarë rëndësie ka dituria në jetën e myslimanëve. Në atë periudhë myslimanët jo vetëm që kishin në dorë fatin e punëve të tyre, por edhe të mbarë botës. Sepse Allahu (xh.sh) ka premtuar në Kur’an duke thënë:

ولقد كتبنا في الزبور من بعد الذكر أن الأرض يرثها عبادي الصالحون إن في هذا لبلاغا لقوم عابدين

“Ne e ke shkruar në Libër, pas Leuhi Mahfudh-it se tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë. Në këtë ka kumtim për popullin e bindur.” (Enbija: 105-106)

Premtimi i Allahut (xh.sh) është i drejtë dhe i vërtetë, por a janë myslimanët sot robërit e mirë të Zotit? A e meritojnë myslimanët sot trashëgimin e tokës? Ose, le të themi se çfarë ndodhi atëherë me myslimanët kur ata u larguan nga dituria dhe feja e tyre?

(وما ظلمناهم ولكن كانوا أنفسهم يظلمون ) .

“Ne nuk u bëmë padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetës së tyre.” (Nahl: 118)

Ibn Xheuzij (r.h) në shekullin e VI-h ka thënë: “Duhet që myslimani i mençur të vendosë një synim, aq sa ka mundësi. Sikur të imagjinohet që njeriu të ngrihet në qiell, do ta konsideroja prej të metave më të këqija qëndrimin e myslimanit në tokë!.”

E ka thënë këtë shprehje, sepse ai ka lexuar dhe kuptuar ajetin:

يا معشر الجن والإنس إن استطعتم أن تنفذوا من أقطار السماوات والأرض فانفذوا‏,‏ لا تنفذون إلا بسلطان‏

“O turmë e xhindëve dhe e njerëzve, në qoftë se keni mundësi të dilni jashtë kufijve të qiejve dhe të tokës dilni, por nuk mundeni, përveç se me fuqi të mëdha.”

Sepse ka menduar se myslimanët do të ecin sipas porosive të Librit të tyre, por ku janë myslimanët që disa shekuj me rrallë?

Dëgjojini këto fjalë të cilat i ka thënë mendimtari i madh i Islamit shejkh Muhamed El-Gazali: “Sikur t’u thuhej gjërave që ndodhen në vendet islame: Kthehuni andej nga keni ardhur, do kisha pasur frikë se mos njerëzit do ecnin lakuriq e këmbëzbathur, nuk do gjenin, prej punimeve të duarve të tyre, çfarë të mbathnin ose çfarë të vishnin, në çfarë të hipnin dhe me çfarë të ndriçonin shtëpitë e tyre. Madje do isha frikësuar se mos pllakoste zija e bukës, sepse vendet e tyre nuk sigurojnë për vete as atë që u nevojitet për bukën e gojës”.

Vëllezër dhe motra besimtarë, i sollëm këto shembuj prej historisë krenare të qytetërimin të myslimanëve, jo thjesht për t’i lexuar dhe për t’i dëgjuar, por që të kuptojmë dhe të bindemi se rruga e lirisë, krenarisë, fuqisë, zhvillimit dhe përparimit kalon përmes diturisë, ashtu siç kanë vepruar të parët tanë. Dhe se, sa herë që të neglizhojmë dhe të lëmë pas kërkimin e diturisë Zoti i Madh nuk ka për t’i ndihmuar ata njerëz, sepse Ai (xh.sh) ka krijuar botën me dituri dhe me ligje të përpikta dhe kjo praktikë do të vazhdojë derisa të ekzistojë kjo botë.

Prandaj le t’i kthehemi kërkimit të diturisë, dashurisë për librin dhe leximin, kontributit në rrugën e diturisë, respektit të dijetarëve dhe njerëzve të ditur, sepse nuk ka gjë më të mirë në fenë tonë se sa dituria, e cila fillon me emrin e Zotit: “Lexo me emrin e Zotit, i Cili krijoi.”

Djemtë dhe vajzat myslimanë le t’i ecin me vendosmëri në rrugën e shenjtë të shkollimit dhe arsimimit dhe të mos ndalen prej kërkimit të diturisë në moshën më bukur të rinisë, por le të vazhdojnë me bindje në atë rrugë, sepse për çdo hap që hedhin për të shkuar në shkollë do të kenë falje dhe mëshirë, begati dhe mirësi, dritë dhe krenari, për vete dhe për fenë e tyre, madje ata llogariten si besimtarë të vërtetë me grada të larta shpërblimi.

I dashuri ynë, Pejgamberi (a.s) na ka thënë kështu:

))من جاءه أجله وهو يطلب العلم لقي الله ولم يكن بينه وبين النبيين إلا درجة النبوة) ((الطبراني عن ابن عباس(

“Kujt i vjen exheli (vdekja) dhe ndodhet duke kërkuar dituri, e takon Allahun duke mos pasur mes tij dhe Pejgamberëve, përveç gradën e pejgamberllëkut”. (Tabarani në Eusat dhe Dejlemiu nga Hasan Basriu)

Gjithashtu Pejgamberi (a.s) ka thënë:

” مَا اكْتَسَبَ مُكْتَسِبٍ مِثْلَ فَضْلِ عِلْمٍ يَهْدِي صَاحِبَهُ إِلَى هُدًى أَوْ يَرُدُّهُ عَنْ رَدًى ، وَلا اسْتَقَامَ دِينُهُ حَتَّى يَسْتَقِيمَ عَقْلُهُ “

“Askush nuk ka fituar gjë më të mirë se sa mirësia e diturisë, e cila udhëzon të zotin e saj drejt udhëzimit të vërtetë, ose e largon nga gjërat e ulëta. Askush nuk e ka fenë e drejtë, derisa të ketë punën e drejtë”. (Tabarani në Eusat dhe Sagir)

O Zoti ynë, na bë prej atyre që e duan, e kërkojnë dhe kontribuojnë për dituri. Amin