Një herë dëgjova një të moshuar duke treguar një shembull në formë dialogu…
Tha i pari: -Sa e shite shokun tënd?
Iu përgjigj tjetri: -E shita për 90 gabime.
I pari tha: -Ia paske humbur vlerën. Pra e paske shitur me një çmim shumë të ulët!!
Shumë u mendova në këtë shembull…
U çudita nga ai shok i cili i fali shokut të tij 89 gabime, e në gabimin e 90 e braktisi atë!
U çudita më shumë nga ky tjetri i cili e fajësoi për shitjen e shokut të tij për 90 gabime… sikur do që t’i thotë se akoma të kishe duruar, sepse 90 gabime nuk janë çmim i përshtatshëm për shokun tuaj, kështu ia ke ulur vlerën atij.
Si mendon sa gabime kushton shoku im apo yti?!
Sa kushton nëse është i afërm, apo vëlla, bashkëshort apo bashkëshorte?!
Me sa gabime e shet nënën e babanë ndonjëri prej nesh…?!
Sa?!!
Po të mendojmë në gjendjen tonë aktuale dhe kemi sado pak dijeni për gjendjen e njerëzve në shoqëri dhe ndarjet që janë përhapur, do të shikojmë se ndonjëri prej nesh e ka shitur shokun apo vëllanë, ndoshta edhe nënën e babanë për një gabim të vetëm.
Jo një gabim të vetëm, por ka prej atyre që e kanë shitur njëri-tjetrin pa asnjë gabim e pa faj, vetëm se dëgjoi ç’i thotë ndonjë thashethemexhi shpifës.
Nëse do t’i kthenim shitjet tona të mëparshme nga shoqëria apo të afërmit, do të shikonim sesa lirë i kemi shitur ata dhe sa shumë ua kemi humbur vlerat e tyre.
A do ta ngremë cakun e çmimeve të atyre që kemi akoma përreth?!
Vlerën e çdokujt që ke afër kurrë nuk do ta kuptosh, vetëm atëherë kur t’i japësh atij lamtumirën e fundit për në jetën e varrit. Prandaj mos i shit marrëdhëniet e tua me asnjë gabim, sado që të rritet numri i tyre.
Kujto thënien e Allahut:
“…dhe (ata) që e frenojnë mllefin, që u falin (të keqen) njerëzve, e Allahu i do bamirësit” Al Imran, 138.
O Allah, zbuti zemrat tona dhe përmirëso gjendjen tonë! Amin!
Përktheu: F. Gurra