Ballina Blog Faqe 843

A E DINI SE CILA ISHTE LUTJA e Davudit Alejhi Selam

Thuhet se Davudi alejhi selam lutej:”O Zoti im më furnizo ashtu siç e furnizon zogun e Korbit (Sorrës) .
A e dini përse pikërisht zogu i Korbit!!?
“Zogjtë e korbit, kanë një karakteristikë që nuk gjendet tek asnjë zog tjetër. Kur zogjtë e korbit dalin nga vezët, janë pa pupla. Me t’i parë në atë gjendje, prindërit e tyre i braktisin, pasi u duken si zogj të huaj. Zogjtë, duke mos pasur mundësi të fluturojnë, nuk kanë mundësi të ushqehen dhe mund të ngordhin nga uria. Por Er-Rezzaku nuk braktis askënd. Nga trupi i zogjve të sapolindur, del një aromë që është tërheqëse për një lloj krimbi. Me të ndierë këtë aromë, krimbat fillojnë të afrohen tek foleja ku ndodhen zogjtë. Kështu, ata kthehen në burim ushqimi për zogjtë e braktisur. Me të filluar t’u dalin puplat dhe t’u ndryshojë ngjyra në të zezë, prindërit kthehen përsëri dhe e habitshme është se krimbat tashmë fillojnë të largohen dhe fshihen.
Era e cila bëhet e dashur për krimbat vjen direkt nga sqepi i zogut gjë që i bën krimbat të shkojnë direkt në gojë.

Kjo punë është dyfytyrësi

Prej formave të rijas (dyfytyresise) janë: që njeriu ta hijeshojë adhurimin, në mënyrë që të shihet nga adhuruesit e tjerë, si p.sh. ta zgjasë namazin e tij, rukun apo sexhden, apo të lexojë gjatë namazit më shumë sesa që e ka shprehi, në mënyrë që të shihet (vërehet) se ai po bën diçka të tillë.

Apo të falet natën, për shkak se njerëzit do të thonë për të: ai falet natën. Tërë kjo është shirk i vogël.

Ndodh që shirku i vogël – që është rijaja – ta asgjësojë (zhvlerësojë) veprën me të cilën njeriu e adhuron Allahun dhe ndodh që e asgjëson vetëm shtojcën e cila është shtuar gjatë saj (veprës).

Ai (shirku i vogël) e asgjëson bazën e veprës me të cilën njeriu e adhuron Allahun, kur nijetin e fillon me rija, si ai që e fal sunetin e namazit, në mënyrë që të shihet se ai e fal atë, edhe pse nuk ka vullnet që ta falë atë, mirëpo, pasi që e di se shihet (nga të tjerët), ai e fal që të lavdërohet, për shkak se njerëzit e shikojnë. Andaj, ky namaz i tij është i asgjësuar (zhvlerësuar që në fillim) dhe ai nuk ka në të asnjë sevap.

Mirëpo, nëse rijaja i shfaqet gjatë adhurimit, atëherë ajo çfarë ka shtuar për shkak të shikimit të njerëzve asgjësohet.

Shejkh Salih Alu Shejkh.

Xhamiambret

Toleranca fetare në Vilajetin e Kosovës dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (1908-1912)

Instituti Albanologjik – Prishtinë

Prizren

Është mendim i përbashkët i studiuesve vendas e të huaj, se epiqendra e kryengritjeve shqiptare të viteve 1908-1912 ishte në Vilajetin e Kosovës. Si prijës të këtyre kryengritjeve dallohen disa figura udhëheqëse si; Idriz Seferi, Isa Boletini etj., të cilët ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë kishin prijësit fetarë të kohës, si bie fjala Idriz Seferi, kishte sekretar personal të tij hoxhën e njohur nga rrethina e Gjilanit Mulla Halimin, kurse me disa prijës islam bashkëpunoi ngushtë duke i angazhuar drejtpërsëdrejti edhe në luftime kundër xhonturqve si: Mulla Sinan Maxheren nga rrethina e Preshevës dhe Mulla Idrizin nga Gjilani, hoxhallarë të cilët kishin një bashkëpunim të qëndrueshëm edhe me priftërinjtë shqiptarë të asaj ane Dom Mikel Tarabulusin, Dom Tadej Ivanaj etj., me qëllim të mbarëvajtjes sa më të mirë të Lëvizjes Kombëtare dhe qëllimeve të tyre. Karakteristikë në këtë periudhë kohore në Vilajetin e Kosovës është se shënohen edhe disa fërkime ndërfetare si në Prizren dhe Gjakovë, p.sh. në ditët e caktuara islame koka e derrit të therur hidhet në xhamia, me qëllim të futjes së përçarjes ndërmjet popullatës myslimane dhe katolike, e gjithë kjo evitohet në mënyrën më të mirë nga prijësit fetarë të kohës.

Më këtë vështrim mëtojmë që përmes dokumenteve dhe literaturës relevante të vëmë në pah rolin e tolerancës ndërfetare në njërën anë dhe kontributin e prijëseve fetare në Lëvizjen Kombëtare në Vilajetin e Kosovës gjatë viteve 1908-1912.

“Kristianë e myslimanë janë vëllezër shqiptarë të pandarë. Të kemi dashuri edhe për bashkatdhetarët e krishterë, sepse edhe ata i kemi vëllezër e s’kemi si ndahemi. Të përpiqemi edhe për të mirën e tyre si për veten tonë… të ndjekim një rrugë të përbashkët… t’i tregojmë botës mbarë se shqiptarët pa dallim feje, janë vëllezër si bijë të njëshëm të së dashurës sonë Shqipëri.”

(Haxhi Vehbi ef. Dibra).[1]

Hyrje

Tematika e tolerancës fetare në shoqërinë shqiptare është një ndër problematikat e trajtuara mjaft në historiografinë shqiptare, veçanërisht pas viteve ’90 të shekullit të kaluar. Ky fenomen te shqiptarët, nga shumica e studiuesve tanë u vlerësua në superlativ, si: “ shembull për rajonin”, “pasuri e kultivuar” etj., por ka edhe të atillë që kanë pasur rezerva, por shpesh ky trajtim është nisur nga premisa iluministe dhe në funksion të komb-formimit, respektivisht të ndërtimit të unitetit shqiptar.

Shikuar në aspektin terminologjik, gjejmë emërtime e epitete të ndryshme nga studiuesit, si: “Tolerancë ndërfetare”, “ Mirëkuptim ndërfetar”, “ Harmoni ndërfetare”, “Bashkëjetesë”, etj.

Ndërkaq ne jemi ndalur vetëm në një periudhë të kufizuar kohore, në periudhën më dinamike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në vitet 1908-1912, dhe në një hapësirë të kufizuar territoriale, në Vilajetin e Kosovës. Kemi mendimin se ky fenomen në këtë hapësirë është trajtuar pak, e që për vitet që po flasim kishte rëndësinë e vet, për disa arsye:

E para – Vilajeti i Kosovës nga historiografia shqiptare konsiderohet si qendër e kryengritjeve në vitet 1908-1909. Në këtë kuadër, përbërja fetare luante rol mjaft domethënës në mbarëvajtjen e kësaj kryengritjeje dhe në mobilizimin e masave në luftën kundër xhonturqve.

E dyta – Vënia në pah e shembujve që do t’i potencojmë më poshtë, janë një dëshmi me interes për panoramën e tolerancës ndërfetare te shqiptarët, para më shumë së njëqind vitesh, në Vilajetin e Kosovës.

E treta – Ngjarjet që ndodhën me karakter fetar në Prizren dhe Gjakovë gjatë viteve 1908-1909 kishin shqetësuar jo vetëm konsujt e huaj në Prizren, sidomos ata austro-hungarez, por edhe administratën vendore dhe autoritetet e Prizrenit.

Personaliteti i Mulla Sherif Efendiut në mbarëvajtjen e mirëkuptimit ndërfetar në Prizren

Në vitin 1908, pas krijimit të rrethanave të reja politike te shqiptarët, ardhja e xhonturqve në pushtet, mospërmbushja e premtimeve ndaj shqiptarëve, zhgënjimi i shqiptarëve të cilët kishin dhënë kontribut për t’i sjellë ata në pushtet, krijuan mosbesim te popullata vendase dhe rivalitet midis shqiptarëve dhe xhonturqve, që kulmoi më pas edhe me kryengritje të përgjithshme.

Viti 1908 në Vilajetin e Kosovës, përveç të tjerash, po shënonte edhe disa fërkime ndërfetare që, padyshim, do të shkaktonin shqetësime jo vetëm te popullata vendase, por edhe te konsujt e huaj që në atë kohë ishin të vendosur në qendrat e ndryshme të Vilajeteve osmane me popullatë kryesisht shqiptare, posaçërisht te konsujt austro-hungarez që këto ngjarje i përcillnin me vëmendje, pasi Vjena angazhohej për ruajtjen e stabilitetit dhe status quo-së në Ballkan, ndërsa serbët dhe rusët, të cilët në Kosovë kishin përfaqësitë e tyre, synonin të destabilizonin situatën përmes provokacioneve të ndryshme. Në këtë linjë, serbët dhe rusët përpiqeshin të shfrytëzonin dallimet fetare në mesin e shqiptarëve, duke synuar që një konflikt të tillë ndërfetar ta shfrytëzonin për të krijuar terrenin e depërtimit të tyre drejt Kosovës.

Në rrethinën e Gjakovës, në vitin 1907 rrëmbehet një prift katolik(Luigj Paliqi N. A.)[2], më pas në fshatin Smolicë të Gjakovës kokat e derrave të therur hidhen në xhami ditën e Festës së Bajramit dhe me gjakun e derrave spërkaten muret e xhamisë. Sipas konsullit austro-hungarez në Prizren, Oskar Prohaska, masat nga popullata myslimane ndaj katolikëve ishin pothuajse të menjëhershme duke bojkotuar popullatën katolike, konkretisht dyqanet disa herë[3] për disa muaj.

Pothuaj me skenar të njëjtë sikurse në Gjakovë edhe në Prizren, në vitin 1908 në Festën e Bajramit në disa xhami hidhen kokat e derrave të therur dhe muret e xhamisë lyhen me gjak, fenomen ky i provokimit të popullatës myslimane në Kosovë në ditë të veçanta feste, që ka zgjatur, pothuajse pa ndalur, deri në luftën e fundit në Kosovë në vitin 1999, kur pjesa më e madhe popullatës së Kosovës nga forcat policore serbe janë nxjerrë jashtë kufijve pikërisht ditën e Festës së Bajramit.[4]

Kjo ngjarje do të rezultojë edhe me bojkotimin nga popullata myslimane të dyqaneve dhe mallrave të popullatës katolike në Prizren, dhe sipas konsullit austro-hungarez në Prizren, Prohaska, i cili e njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme austro-hungareze, veprimet e myslimanëve kishin shkuar deri në atë masë sa popullata myslimane ndaloi popullatën katolike edhe në punimin e tokës, në periudhën mars-korrik 1908.[5]

Duke e vërejtur këtë tensionim të situatës ndërmjet popullatës myslimane dhe katolike në Prizren dhe nga shqetësimi se ky problem do të marrë përmasa më të mëdha, myftiu i Prizrenit, deputeti i Parlamentit Osman, njeri me autoritet i kësaj ane, mulla Sherif Efendiu, më 13 korrik të vitit 1908 organizon në shtëpinë e tij në Prizren, kuvendin e krerëve fetarë shqiptarë myslimanë, ku vendoset, që nga ajo ditë, të ndërpritej bojkoti ndaj shqiptarëve katolikë.[6] Kjo marrëveshje u arrit falë kontributit dhe largpamësisë që treguan veçanërisht, mulla Sherif Efendiu, si përfaqësues i popullatës myslimane në atë kuvend.[7]

Mbi rolin e ulemave të Prizrenit rreth raporteve me popullatën katolike në këtë qytet dhe për disa incidente njofton edhe administrata e kohës në Prizren.[8]

Mulla Sherif Efendiu, si autoritet i kohës, duke analizuar gjendjen e krijuar dhe duke bashkëpunuar me krerët e fiseve të besimeve përkatëse, arrin që ta evitojë më të keqen.

Konflikte të tilla lënë dyshime të përfshirjes së konsullatës serbe dhe bandave të tyre në këtë ngjarje. Në lidhje me këtë, në një telegram të vitit 1908 të Konsullit austro-hungarez në Mitrovicë, potencohet propaganda e fuqishme që qarqet serbe dhe bandat e tyre propagandonin ndaj Austro-Hungarisë në Vilajetin e Kosovës dhe ishin shumë aktive, me qëllim të dështimit të misionit të tyre në Vilajetin e Kosovës.[9]

Duke pasur parasysh se Austro-Hungaria në atë kohë kishte marrëveshje për mbrojtjen e popullatës katolike në gjithë hapësirën e Perandorisë Osmane dhe në anën tjetër propaganda e fuqishme serbe kundër Austro-Hungarisë, siç duket kishte gjetur mjetin e përshtatshëm, futjen e konflikteve ndërfetare te shqiptarët me qëllim të realizimit të planeve të veta ekspansioniste, fatmirësisht nuk u arrit falë angazhimit dhe vetëdijes së prijësve fetarë e veçanërisht të atyre që i cekëm më lart.

Ndër kontribuuesit në mbarëvajtjen e tolerancës ndërfetare në Prizren, hasim edhe priftin katolik Imzot Lazër Mjedën, i cili nga viti 1909 ishte emëruar nga Vatikani në detyrën e arqipeshkvit të Shkupit me seli në Prizren[10], kontributi i tij është mjaft domethënës sidomos gjatë viteve 1912-1913, kur ushtritë serbo-malazeze ushtronin dhunë mbi popullatën myslimane dhe katolike, duke u bërë presion për konvertim me dhunë në fenë ortodokse. Lazër Mjeda ishte shumë aktiv në dërgimin e raporteve në Ministrinë e Punëve të Jashtme Austro-Hungareze dhe duke alarmuar opinionin ndërkombëtar për masakrat që po shkaktonin ushtritë e aleancës ballkanike,[11] raportet e të cilit, padyshim, që kur flitet për masakrat e lartcekura janë pikë reference jo vetëm për studiuesit vendore[12], por edhe për ata ndërkombëtarë.[13] Raportet e dërguara nuk janë selektive në aspektin fetar, por e tregonin përgjithësisht gjendjen e popullatës shqiptare,[14] qoftë të besimit katolik apo edhe mysliman.

Ngjarje të tjera të rëndësishme që ndodhën në Vilajetin e Kosovës janë edhe kryengritjet e viti 1908-1912, të udhëhequra nga Idriz Seferi e Isa Boletini.

Figura e Mulla Sinan Maxhres[15] dhe dom Mikel Tarabulusit[16]

Pas mospërmbushjes së premtimeve nga xhonturqit dhe padrejtësive sistematike sidomos në aspektin e mbledhjes së taksave, popullata shqiptare e Vilajetit të Kosovës kishte filluar përgatitjet e një kryengritjeje në vitin 1908, duke u ndeshur në grykën e Kaçanikut.

Pa hyrë në analizën e zhvillimit të luftimeve dua të ndalem te njëra nga figurat kyçe të kësaj kohe Mulla Sinan Maxhra[17], të cilit Idriz Seferi ia besoi postin e sekretarit personal të tij.[18]Fatkeqësisht kjo figurë, Mulla Sinan Maxhra, shumë pak i përmendur nga studiuesit tanë, njeri i cili nuk kishte pranuar t’i ndahej në momentet vendimtare as në frontin e luftës Idriz Seferit, dhe pas shuarjes së kryengritjes, e njohur si kryengritja e Idriz Seferit, nga ana e xhonturqve kapet dhe varet për së gjalli, domethënëse e rastit të përmendur është se Idriz Seferi, duke pasur parasysh se vendi ku u zhvilluan kryengritjet kishte popullatë të përzier myslimane dhe katolike, u tregua largpamës duke angazhuar edhe prijës fetarë të kësaj ane për mobilizimin e masave.

Përderisa nga myslimanët zgjodhi prijësit e njohur Mulla Sinan Maxhrën dhe Mulla Halimin[19], “Kleriku përparimtar e patriot Halim Ahmeti, njëri nga propagandistët e njohur të Lëvizjes Kombëtare në Moravë dhe njëri nga bashkëluftëtarët e Idriz Seferit në betejat e Kaçanikut e Karadakut, ku edhe qe plagosur, iu shtrua burgimit dhe torturave në Prishtinë”[20], nga popullata katolike kishte zgjedhur priftin Dom Mikel Tarabulisin, i cili përveç punës edukative dhe arsimore në Gjuhën Shqipe, do të bashkëpunojë ngushtë me Idriz Seferin dhe prijësit e tjerë fetarë myslimanë për mbarëvajtjen e tolerancës ndërfetare, që pa dyshim pati efektet e veta edhe në organizimet e kryengritjes kundër xhonturqve.

Një guxim tjetër kemi edhe nga një prift i kësaj ane që quhet Dom Tadej Ivanaj[21], prift me origjinë kroate po që shërbente në fshatin Stubëll të Vitisë së Epërme, i cili në momentin e largimit të popullatës myslimane të Gjilanit me rrethinë nga zullumi xhonturk, thuhet se kishte hapur dyert për strehimin e popullatës myslimane, duke i mbajtur me ushqim e duke u dhënë ndihmë të nevojshme.

Përfundimi

Si përfundim mund të konstatohet se për realizimin e objektivave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dukuria e tolerancës fetare luajti një rol unifikues kulturor dhe politik, duke u shndërruar në një potencial të fuqishëm për formimin dhe fuqizimin e identitetit kombëtar shqiptar në kohën e lëvizjeve që çuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Elementi shqiptar mysliman që përbënte shumicën, në Vilajetin e Kosovës në luftën për realizimin e objektivave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pavarësisht konflikteve sporadike të provokuara nga jashtë, ndërtoi një front të përbashkët me pjesëtarët e komunitetit shqiptar të besimit katolik. Ky tejkalim i dallimeve fetare ishte në funksion të realizimit të kauzës së përbashkët për çlirimin kombëtar nga sundimi pesë shekullor osman. Natyrisht, siç theksuam edhe më lart, në këtë kauzë dhe në këtë tolerancë fetare kontributi kryesor bie mbi prijësit politikë dhe fetarë, për të cilët përkatësia fetare ishte një çështje dytësore përballë përkatësisë etnike dhe idealit për bërjen e kombit dhe të pavarësisë së Shqipërisë. Meritë të veçantë në këtë aspekt kanë edhe prijësit fetarë shqiptarë, që ditën ta transmetonin fenë dhe parimet fetare tek të tjerët në mënyrën më të mirë dhe nuk lejuan keqinterpretimin e parimeve fetare.[22] Autoriteti dhe puna e prijësve fetarë, jo vetëm në Vilajetin Kosovës, por edhe në të gjithë hapësirën shqiptare, ishte vendimtare në fatet e kombit. Kjo u dëshmua edhe më 28 nëntor 1912, në Kuvendin e Vlorës, me pjesëmarrjen e krerëve fetarë si firmëtarë, por edhe duke iu besuar poste të rëndësishme në Qeverinë e Përkohshme të Ismail Qemalit.

[1]. Gazmend Shpuza, Kongresi Mysliman Shqiptar (1923), në: “ Kultura Popullore”, nr. 1-2, ASHRSH-IKP, Tiranë, 1997, f. 192-193.

[2]. Stefanaq Pollo, Në gjurmë të historisë shqiptare 2, ASHSH- IH, Tiranë, 2003, f. 117.

[3]. Nathalie Clayer, Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, Përpjekja (Përktheu nga origjinali: Artan Puto), Tiranë, 2009, f. 491.

[4]. Hysen Matoshi, Lotët për atdheun e robëruar, në: “Takvim”, nr. 42, BIK, Prishtinë, 2010.

[5]. Sylë Ukshini, Kuvendi i Ferizajt në burimet e proveniencës Austro- Hungareze, në: “ Vjetar”, nr. 41- 42, Arkivi Shtetëror i Kosovës, Prishtinë, f. 298.

[6]. Po aty, f. 299.

[7]. Nuridin Ahmeti, Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Vilajetin e Kosovës ( 1878-1912), IAP, Prishtinë, 2011, f. 209.

[8]. Başbakanlık Devlet Arşivleri Genel Müdürlügü-Osmanlı Arşivi Daire Başkanlığı,(BBA), Kodu; Y. MTV; Dosya nr. 308.

[9]. Sylë Ukshini, Kuvendi i Ferizajt në burimet e proveniencës Austro- Hungareze.., pun. i cit., f. 293.

[10]. Imzot Mark Sopi, Imzot Lazër Mjeda( 1860- 1935) shembulli i bariut të mirë dhe atdhedashës, në: “ Imzot Lazër Mjeda- mbrojtës dhe lëvrues i identitetit shqiptar”, Prishtinë- St.Gallen, 2011, f. 28; Albert Ramaj, Lazër Mjeda në Arqipeshkvinë Shkup-Prizren mes 1909-1921, në: “ Imzot Lazër Mjeda – mbrojtës dhe lëvrues i identitetit shqiptar”, Prishtinë- St. Gallen, 2011, f. 47- 172.

[11]. Gjon Berisha, Të dhëna nga Imzot Lazër Mjeda mbi gjenocidin e ushtrive të Aleancës Ballkanike në Kosovë gjatë viteve 1912-1913, në: “ Imzot Lazër Mjeda- mbrojtës dhe lëvrues i identitetit shqiptar”, Prishtinë- St. Gallen, 2011, f. 47-172.

[12]. Gjergj Gashi, Kosova altari i Arbërisë 1910- 1941, vëll. 2, Onufri, Tiranë, f. 79, 80.

[13]. Shih: Noel Malkolm, Kosova një histori e shkurtër, Koha-Prishtinë & Shtëpia e Librit-Tiranë, f. 264, 265, 266.

[14]. Gjergj Gashi, Kosova altari i Arbërisë 1910- 1941, vëll. 2, Onufri, Tiranë, f. 39, 40; Genti Kruja, Shqiptarët përballë sfidave të mirëkuptimit ndërfetar, Prizmi, Tiranë, 2008, f. 144; Mark Krasniqi, Toleranca në traditën shqiptare, ASHAK, Prishtinë, 2007, f. 67.

[15]. Mulla Sinan Maxhera u lind në fshatin Maxhere të Karadakut të Preshevës në vitin 1863, nga e ëma Ajetja dhe babai Bilali. Rridhte nga një familje me tradita patriotike. Mësimet e para i mori te hoxha i fshatit, ndërsa medresenë e mesme e mbaroi në Shkup, për ta vazhduar më vonë Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll. Si ushtar i Perandorisë Osmane mori pjesë në luftë kundër ushtrisë greke, ku edhe u plagos. Ka punuar si hoxhë në fshatin Caravajk, Pogragjë e Dobërçan, ku nxënësve pos lëndëve fetare u mbante edhe ligjërata me karakter kombëtar. Me autoritetin që gëzonte në popull, Mulla Sinani luajti një rol të rëndësishëm edhe në pajtimin e gjaqeve dhe në zhdukjen e hakmarrjes. Mori pjesë në luftën e prillit të vitit 1910 përkrah Idriz Seferit. Për trimërinë e treguar në këtë kryengritje populli i thuri edhe këngë. Pas shuarjes së kryengritjes, pushteti xhonturk do të organizojë ekspedita ndëshkuese kundër kryengritësve shqiptarë, me ç’rast Mulla Sinani do të arrestohet dhe do të burgoset në Kaçanik. Gjykata ushtarake xhonturke do ta dënojë me vdekje së bashku me 6 vetë të tjerë. Mulla Sinani u var në Kaçanik më 7 korrik të vitit 1910 dhe u varros në varrezat e vjetra të këtij qyteti. Katër muaj pas vdekjes, gruas së tij do i lindë djalë, të cilin familja e pagëzon me emrin Sinan. Sipas studiuesit Shaban Braha, Mulla Sinan Maxhera është varur tek “ Ura e Vezirit” në rajonin e Kukësit, shih: Shaban Braha, Idriz Seferi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, “8 Nëntori”, Tiranë, 1981, f. 95.

[16]. Dom Mikel Tarbulusi, Prejardhjen e kishte nga Prizreni, për vite të tëra ai shërbeu në Stubell e epërme si famullitar, ku kaloi një pjesë të mirë të jetës. Mikeli erdhi si prift, por shërbeu më tepër apo kryesisht si mësues e patriot shqiptar. Herët mori lidhje me Lëvizjen Kombëtare dhe me kohë u bë mik i vërtetë i Idriz Seferit. Qysh në fillim të shek. XX Mikeli e filloi aktivitetin kombëtar. Në vitin 1905 e hapi shkollën e parë shqipe në Stubllën e Epërme të Vitisë. Kishte guximin të fliste për çështje kombëtare, kishte marrëdhënie të ngushta e miqësore me shumë shqiptarë myslimanë dhe shpesh herë bisedonte haptazi për çështje thjesht patriotike, ja seç thoshte ai: Gjatë një viti kisha dëshiruar të jem, 6 muaj prift, 6 muaj hoxhë, e 12 muaj mësues”. Për shkak të qëndrimeve patriotike dhe kombëtare, u ndoq dhe u persekutua nga regjimet e ndryshme. Shkoi në këmbë për të marrë pjesë në solemnitetin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Për shkak të torturave, arrestimeve e ndjekjeve të regjimeve të ndryshme, u sëmur dhe vdiq nga tuberkulozi në vitet ‘20 të shek. XX. Sadullah Brestovci, vep. e cit., f. 130-186-187.

[17]. Shih: Shaban Braha, Vep. e cit., f. 132.

[18]. Sadulla Brestovci, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në kazan e Gjilanit – Islam Pira 1861- 1931, IAP, Prishtinë, 2008, f, 163, 164; Rexhep Selimi, Kontributi i Mulla Sinan Maxharës në lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në IH- Jeta dhe vepra e Idriz Seferit, Prishtinë, 2003, f. 113; Nuridin Ahmeti,Kontributi i klerikëve në kryengritjet e vitit 1910-1912 në Vilajetin e Kosovës, në: “Albanologji”, 1-2010, IAP, Prishtinë, 2011, f. 181-201.

[19]. Mulla Halimi u lind në fshatin Cërnicë. Babi i tij, Mulla Ahmeti dhe xhaxhai i tij Mulla Memishi, ishin njerëz përparimtarë të asaj ane. Ndonëse hoxhë dhe i biri i hoxhës, Mulla Halimi ishte njëri ndër luftëtarët më besnikë të Idriz Seferit, i cili dha prova si një kundërshtar i vendosur i pushtetit xhonturk, si në predikime, ashtu edhe në fushën e betejës. Ai, së bashku me disa të afërm të tij, do të marrë pjesë në kryengritjen e Kaçanikut të vitit 1910. Disa ditë pas betejës ishte zënë dhe ishte burgosur dhe si kundërshtar i zëshëm i pushtetit xhonturk ishte dënuar me tetë vjet burg. Në ato anë ishte i njohur si Mulla Halimi. Vdiq më 1942. Mulla Halimi, jo vetëm që ushqeu vetveten me ndjenja fetare e kombëtare, por këtë ndjenjë e përcolli edhe te pasardhësit e tij. Ata, duke i ruajtur me fanatizëm këshillat dhe urtësitë e Mulla Halimit, qëndruan një shekull nëpër burgjet e pushtuesve të Shqipërisë etnike, pa u pajtuar asnjëherë me robërinë. Sadulla Brestovci, vep. e cit., f. 164-165.

[20]. Shaban Braha, vep. e cit., f. 132.

[21]. Arkivi i Kosovës, ( AK), F. Sadulla Brestovci, K. 1, f. 10 (dorëshkrim).

[22]. Qemajl Morina, Identiteti fetar i shqiptarëve, në: “ Edukata Islame”, nr. 70, KBIK, Prishtinë, 2003, f. 6; Gazmend Shpuza, Bashkëjetesa ndërfetare midis shqiptarëve, në: “ Nga Perandoria Osmane në Shqipëri”, Tiranë, 2005, f. 46; Qani Nesimi, Toleranca fetare te shqiptaret, në: “ Univers”, nr. 7, Tiranë, 2005, f. 100.

nga Nuridin Ahmeti

SHEMBULLI I SHOKUT TË MIRË

SHEMBUJ NGA SUNETI PROFETIK

Ebu Musa, radijAllahu anhu, përcjell se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Shembulli i shokut të mirë dhe atij të keq, është sikurse shitësi i parfumit dhe i farkëtarit. Shitësi i parfumit ose do të parfumos, ose ti blen prej tij, ose do gjesh erë të mirë. Kurse farkëtari ose t’i djeg teshat ose do gjerë erë të keqe tek ai.”[1]

SHPJEGIM I HADITHIT

Nga urtësia e Allahut të Madhëruar mbi krijesat e Tija është se e bëri njeriun nga natyra e tij të jetë i varur , të përzihet me të tjerë, e të ulet me ta, e të takohet.

Këto takime kanë efektet e qarta në mendjen dhe metodologjinë e njeriut, në sjelljet e tija, e që ndoshta mund të jenë edhe shkaku pozitiv në ecueshmërinë e njeriut dhe lumturinë e tij në këtë botë dhe botën tjetër. Këtë e vërteton sheriati, logjika dhe realiteti.

I padrejti do pendohet ditën e Kiametit, e do i vije keq që ka shoqëruar të devijuarit, e që ishin shkak në devijimin dhe lajthitjen e tij “Dhe, atë Ditë zullumqari do t’i hajë gishtat e duarve të veta, e thotë: “Ah! Ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me Pejgamberin.” Furkan, 27.

Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ky hadith ndalon nga ndeja me atë i cili sjell dëm në fe dhe në çështjet e dynjasë poqëse njeriu ulet me të, dhe (ky hadith) nxit për të ndejtur me ata të cilët janë të dobishëm në të dyja.”

Neveviu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ky është një shëmbëllim nga i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, për shoqëruesin e mirë me bartësin e parfumit dhe shoqërusin e keq me farkëtarin. Këtu tregohet vlera e ndejës me njerëzit e mirë, bamirësit, njerëzit me virtyta të larta të moralit, modestë, të dijshëm e të edukuar, dhe ndalimi i ndejës me njerëzit e këqinj, bidatçinjët, me ata të cilët përgojojnë, apo të cilët janë mëkatarë, apo që humbin kohën, e të tjera nga gjërat e urryera.”

DOBI NGA HADITHI

Vlera e shoqërimit më të mirët, bamirësit, e nxitja në të, nga gjurmët e së cilës janë;
Se ai i cili qëndron me ta përfiton nga bereqeti që zbret tek ta, dhe kështu që e mira i përfshinë të gjithë edhe nëse vepra e ndokujt prej tyre nuk ka arritur gradën e tyre, ata janë një popull që nuk humb kushdo që ulet me ta.
Të ndikuarit prej tyre, ngase njeriu është në fenë e shokut të tij, andaj gjithsecili le të shikon se kë e shoqëron.
Shumë bukur është thënë;

Mos pyet për personin në fjalë por shiko kë ai shoqëron

Gjithsecili shoku shokun pason

Nëse je në mesin e një populli qëndro me të mirët

E mos shoqëro të ulëtin e të pësosh keqësim me të këqijtë

I pasqyrojnë atij të metat që ai t’i përmirëson, ngase besimtari është pasqyrë e besimtarit, nëse sheh tek ai gjë që nuk i pëlqen, e drejton dhe e forcon, e ndihmon, dhe e ruan në mosprezencë dhe kur ai është prezent.
Të mirët të njohtojnë me të tjerë, që janë po si ata, e kështu që njeriu përfiton edhe prej tyre.
Ndalojnë shoqëruesin nga mëkatet, ruajnë kohën e tij, dhe e plotësojnë me gjëra të dobishme.
Shikimi i të mirëve të përkujton Allahun, nëse kjo arrihet vetëm nga shikimi, e si është me ata që shoqërohen dhe ulen me të mirët.?
Të mirët janë zbukurim dhe dashamirë në gjendje rehatie, janë ndihmëtarë në sprova, dhe furnizim pas vdekjes me lutjet e tyre për shokun e tyre.
Ndeja me ta është shkak i përfitimit të dashurisë së Allahut, në hadith qëndron: “U është bërë obligim dashuria Ime atyre që duhen dhe shoqërohen për Mua.”[2]
Tërhejqa e vërejtjes nga të ulurit me të këqijtë, që prej dëmëve të tyre janë:
Ngase ai mund që të fut dyshime rreth besimit të shëndoshë, e ta largon nga ai, siç është halli i banorëve të zjarrit: “dhe njëri prej tyre do të thotë: “Unë kam pasur një shok (mohues), i cili thoshte: “Vallë edhe ti je nga ata që besojnë, që kur të vdesim e të bëhemi dhé e eshtra, me të vërtetë do të japim llogari?.” Safat, 51-53.
Andaj, shiko vdekjen e Ebu Talibit në mosbesim si shkak i shoqërisë të cilët i thanë atij: A dëshiron ta braktisësh fenë e AbdulMutalibit? Dhe vdiç si i tillë.

Shoku i keq e fton shokun e tij të vepron njejtë si ai, e të bie në mëkate e ndalesa, ngase personi i cili vepron të këqijat dëshiron që edhe të tjerët të pajtohen me të në ato vepra, dhe se shoqërimi me të të kujton mëkatin dhe të shpien drejt tij.
Ndikimi nga zakonet e këqija, sjelljet e pamoralshme.
Shoku i keq të njohton me shoqëri të keqe, që ndejave të tyre nuk u mungon përgojimi e bartja e fjalëve, dhe për këtë shkak privohet njeriu nga shoqërimi me të mirët, të cilët e ndërtojnë kohën e tyre me adhurim ndaj Allahut të Madhëruar dhe me përmendje të Tij.
Përktheu: Shpend Zeneli

[1] Buhariu 5534, Muslimi 2628.

[2] Imam Ahmedi në “Musned” 5/233 me numër, 1711, shejh Albani e ka vlerësuar sahih në “Sahih el Xhami” me numër 4331. (albislam)

Kush qan për mua?

Një burrë i urtë, besimtar i mirë dhe njeri i drejtë ishte në prag të vdekjes. E gjithë familja u mblodh përreth tij dhe po qanin.
Ai u kërkoi ta ndihmojnë që të qëndrojë ulur dhe ata e ngritën nga shtrati. Pastaj, duke iu drejtuar të atit e pyeti:”O baba! A nuk më thua përse qan?”
I ati iu përgjigj:”O bir, qaj për faktin se po të humbas dhe do të mbetem vetëm!”
Ai iu drejtua të ëmës dhe e pyeti:”Po ti o nënë, përse qan dhe mërzitesh?”
Ajo iu përgjigj:”Nuk ka dhimbje më të madhe për një nënë sesa humbja e fëmijës!”
Ai iu drejtua të shoqes dhe e pyeti:”Po ti moj grua, përse qan?”
E shoqja iu përgjigj:”Sepse po humbas shtyllën e shtëpisë dhe do të më duhet të lidhem e martohem me një tjetër!”
Mandej, ai pyeti fëmijët:”Po ju, përse qani?”
Ata u përgjigjën:”Sepse do të mbetemi jetimë dhe nuk ka kushtë kujdeset për ne pas vdekjes tënde!”
Ai i pa të gjithë në sy dhe shpërtheu në të qara. Familjarët e pyetën gati njëzëri:”Po ti, përse qan?”
I urti u përgjigj:”Qas sepse nga përgjigjet tuaja kuptova se secili nga ju qan për veten e tij dhe jo për mua.
Kush prej jush qan për rrugëtimin tim të gjatë që më pret?
Kush qan për punët e mia të pakta që kam?
Kush qan për faktin që si shtrat do të kem dheun?
Kush qan për faktin se do të dal para Zotit të botës?
Kush qan se do të jap llogari për gjithçka që kam vepruar në këtë botë?
Mandej u shtri dhe nuk u ngrit më.

Si qëndron puna me femrat në xhenetin e begatshëm?

Pyetja:
Selamun alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!
Pasi muslimani nuk ngurron asnjëherë të pyesë dhe të interesohet për fenë e tij, edhe unë dëshiroj t’ju parashtroj këtë pyetje. Në shumë hadithe nga Pejgamberi s.a.v.s., në derse dhe bile edhe në shumë libra tregohet për xhenetin e begatë dhe të amshuar, për jetën në të dhe për rehatinë, bukurinë, huritë, etj.. Flitet se edhe shehidi do t’i ketë 72 huri, etj.. Unë as që do të mundem këtu të radhis as një thërrmijë nga ajo që kam lexuar dhe dëgjuar nga ato bukuri dhe berekete në xhenet. Pyetje konkrete është: Si qëndron puna me femrat në xhenetin e begatshëm dhe me gjendjen e tyre? Përkatësisht, me kë do të jenë bashkë:
1. vajza që ka vdekur pa u martuar (me kë do të martohet);
2. gruaja e shkurorëzuar dhe jo më e martuar;
3. gruaja që ka qenë dy herë ose tri herë e martuar (cilin burrë do të ketë atje);
4. gruaja që nuk e ka burrin prej atyre që janë në xhenetet e begatshme (p.sh. Asija, gruaja e Faraonit).
Por në përgjithësi edhe për femrën në xhenet, si do të jetojë atje, pasi me të vërtetë ndihem e pavlefshme kur i krahasoj huritë e xhenetit dhe nuk po e di gjendjen e grave të kësaj bote atje.
Allahu a.v.xh na bëftë prej atyre që do të jemi në xhenetet e begatë, ju dhe të gjithë muslimanët! Allahu a.v.xh ju shpërbleftë me xhenetin Firdeus!

Përgjigja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Sa u përket pyetjeve tuaja, do të mundohemi t`u përgjigjemi radhazi:
1. Vajza që ka vdekur pa u martuar dhe është nga besimtaret, atëherë ajo në xhenet do të martohet me atë që do të dëshirojë nga banorët e xhenetit. Nga ajo çfarë vërtetohet nga citatet që flasin për banorët e xhenetit, në përgjithësi mund të përfundohet se të gjitha femrat do të martohen.
2. Gruaja e shkurorëzuar dhe që ka vdekur pa u martuar më pas, gjithashtu do të zgjedhë burrë nga banorët e xhenetit.
3. Gruaja që ka qenë disa herë e martuar në këtë botë, në xhenet do të ketë rastin të përzgjedhë atë burrë që dëshiron, pasi Allahu i Lartësuar thotë për banorët e xhenetit dhe begatitë që do të kenë në dispozicion:“…për ju do të ketë aty (në xhenet) tërë atë që e dëshironi dhe gjithçka kërkoni.” (Fusilet, 31)
Disa nga dijetarët kanë përfunduar se ajo do to jetë në xhenet me burrin e fundit me të cilin është martuar në këtë botë dhe për këtë kanë sjellë hadithe të cilat aludojnë për këtë dhe, si vërehet, më e qëndrueshme është kjo sesa e para.
4. Gruaja besimtare, e cila e ka pasur burrin jobesimtar, në xhenet do të zgjedhë për burrë kë të dojë nga banorët e xhenetit. Dijetari Muhamed Bin Salih Uthejmin thotë: “Gruaja e cila është nga banorët e xhenetit dhe nuk është martuar, ose e ka burrin nga banorët e zjarrit, kur të hyjë në xhenet, do të martohet me ndonjërin nga banorët e xhenetit që nuk është i martuar.”
Kurse sa u përket grave të kësaj bote, të cilat do të jenë nga banoret e xhenetit, dhe krahasimit me hyritë e xhenetit (Huru In), nga hadithet të cilat flasin për këtë themi se gratë e kësaj bote në xhenet do të jenë më të bukura, më të mira dhe më të privilegjuara se hyritë e xhenetit. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata (burrat) dhe gratë e tyre do të jenë nën hijet të mbështetur në kolltukë.” (Jasin, 56). Gjithashtu thotë: “Hyni në xhenet, ju dhe gratë tuaja, të gëzuar!” (Zuhruf, 70)
Kurse për vlerën e tyre ndaj hyrive të xhenetit, Abdullah Ibën Mubareku transmeton një hadith ku Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Gratë e kësaj bote, të cilat do të hyjnë në xhenet, do të jenë më të vlefshme se hyritë e xhenetit për shkak të veprave që kanë bërë në këtë botë.” Transmetohet se Aishja, Allahu qoftë e kënaqur me të, ka thënë se gratë besimtare të kësaj bote janë më të privilegjuara se hyritë e xhenetit për këto arsye: “Ne jemi falur, kurse ato jo.

Ne kemi agjëruar, kurse ato jo.
Ne kemi marrë abdest, kurse ato jo. Ne kemi dhënë lëmoshë, kurse ato jo.”
Aishja thotë se me këtë gratë besimtare të kësaj bote do t`i mundin hyritë e xhenetit.
Prandaj, ky është përgëzim për gratë besimtare që do ta arrijnë xhenetin, pasi ato do të jenë zonjat e xhenetit, më të bukurat se të tjerat dhe do të jenë të privilegjuara dhe të lumtura përjetësisht. Allahu i Lartësuar në lidhje me to thotë: “(në xhenet) Ne i kemi krijuar ato (gratë e kësaj bote që do të hyjnë në xhenet) në një krijim të ri (formë të re shumë më të bukur). Dhe ato i kemi bërë virgjëresha. Të dashuruara (për burrat e tyre), të një moshe.” (Vakia, 35-37).

Alaudin Abazi

SIÇ JETON ASHTU EDHE VDES

Siç jeton ashtu edhe do të vdesësh (Shembuj praktik nga dijetarët islam)!

Hafidh Ibn Rexheb el Hanbeli,- Allahu qoftë i kënaqur me tê!,- duke komentuar koleksionin e përmbledhjes së haditheve të Imam Buhariut, arriti tek komenti i hadithit mbi kapitullin e Xhenazes dhe pastaj vdiq.
Vdiq Muhamed Emin esh Shenkiti,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- duke komentuar Kur’anin arriti tek ajeti :
أُولَٰئِكَ كَتَبَ فِي قُلُوبِهِمُ الْإِيمَانَ وَأَيَّدَهُمْ بِرُوحٍ مِنْهُۖ وَيُدْخِلُهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِنْ تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ خَالِدِينَ فِيهَا ۚ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُمْ وَرَضُوا عَنْهُ ۚ أُولَٰئِكَ حِزْبُ اللَّهِ ۚ أَلَا إِنَّ حِزْبَ اللَّهِ هُمُ الْمُفْلِحُون

“Ai, në zemrat e tyre ka mbjellë besimin dhe me shpalljen e Vet i ka fuqizuar ata, dhe Ai do t’i shpie ata në kopshtije, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta, por edhe ata do të jenë të kënaqur ndaj Tij. Ata janë ithtarë të (rrugës së) Allahut, e ata, ithtarët e Allahut, me siguri, janë fitues.” (El Muxhadele: 22).

Hafidh Ibn Haxher el Askalani,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- vdiq duke lexuar fjalën e Allahut:سَلَامٌ قَوْلًا مِنْ رَبٍّ رَحِيمٍ
“Selam!” – (përshëndetën ata) me fjalë prej Zotit Mëshirues.” (Jasin; 58).

Vdiq Shejhul Islam Ibn Tejmije,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- duke lexuar fjalën e Allahut:
إِنَّ الْمُتَّقِينَ فِي جَنَّاتٍ وَنَهَر فِي مَقْعَدِ صِدْقٍ عِنْدَ مَلِيكٍ مُقْتَدِرٍ
“Ata që i frikësohen Allahut me të vërtetë, do të jenë në kopshtet e xhennetit dhe pranë lumenjve, në vendin e kënaqësisë, te Sunduesi i Plotëfuqishëm.” (Kamer: 54-55).
Shejh Muhamed Rashid Rida,- Allahu qoftë i kênaqur me të!,- vdiq duke komentuar librin e Allahut(Kur’anin) dhe arriti tek ajeti 101 i sures Jusuf:رَبِّ قَدْ آتَيْتَنِي مِنَ الْمُلْكِ وَعَلَّمْتَنِي مِنْ تَأْوِيلِ الْأَحَادِيثِ ۚ فَاطِرَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ أَنْتَ وَلِيِّي فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ ۖ تَوَفَّنِي مُسْلِمًا وَأَلْحِقْنِي بِالصَّالِحِينَ
“O Zoti im! Ti më ke dhënë pushtetin dhe më ke mësuar komentimin e ngjarjeve! (O) krijues i qiejve dhe i Tokës, Ti je Mbrojtësi im edhe në këtë edhe në botën tjetër! Bën që të janë të mirë!.” (Jusuf: 101).

Vdiq Shejh Muhamed el Muhtar esh Shenkiti, babai i Shejh Muhamed bin Muhamed el Muhtar esh Shenkiti (Allahu qoftë i kënaqur dytë) duke ligjeruar në xhaminë e Muhamedit, alejhi selam, tema e cila ligjeronte ishte: “Vlera e vdekjes dhe varrosjes në Medine.”
Shembuj të këtillë kemi plot. Ata jetuan duke kërkuar diturinë dhe ashtu edhe Allahu ua mundësoi të vdesin.

E lus Allahun e madhërishëm të na mëshiroj, të na falë, të na mundësoj një përfundim të mirë dhe të na bashkoj në Xhenetin firdeus me pejgamberët, shehidët, dijetarët dhe njerëzit e mirë.

Nga arabishtja: Suad Shabani

BESIMI NË KADERIN E ALLAHUT ( 1 )

Kaderi është caktimi i Allahut për çdo gjë që ndodh dhe për çdo gjë që ekziston, të gjitha sipas diturisë së Allahut, dëshirës dhe urtësisë së Tij.
Besimi në kaderin e Allahut ngërthen katër gjëra:

Besimi se Allahu e ka ditur çdo gjë në përgjithësi dhe në hollësi para se t’i krijojë ato, qoftë ajo dituri e cila lidhet me veprat e Tija apo me veprat e robërve të Tij.
Besimi se Allahu e ka shkruar atë në Leuh el Mahfudh (pllakën e ruajtur).
Për këto dy çështje, thotë Allahu në Kur’an:

(أَلَمْ تَعْلَمْ أَنَّ اللَّهَ يَعْلَمُ مَا فِي السَّمَاءِ وَالْأَرْضِ ۗ إِنَّ ذَٰلِكَ فِي كِتَابٍ ۚ إِنَّ ذَٰلِكَ عَلَى اللَّهِ يَسِيرٌ)

“A nuk din ti, se Allahut – i është e njohur çdo gjë që gjendet në qiej e në Tokë? Të gjitha këto janë (shënuar) në Libër. Me të vërtetë, të gjitha këto, për Allahun janë lehtë.” (Haxh: 70)

Transmetohet prej Abdullah bin Amr ibn el-Asit,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se ka thënë: E kam ndëgjuar Muhamedin,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- duke thënë: “Allahu i ka shënuar caktimet e krijesave pesëdhjetë mijë vjet para se të krijonte qiejt dhe tokën”. (Shënon: Muslimi).

Besimi se të çdo gjë që ndodh, nuk ndodh përveç se me dëshirën e Allahut, qoftë ajo që ka të bëj me punët e Allahut ose me veprat e krijesave të Tij.
Në lidhje me punët e Tij, Allahu,- xhele ue ala!,- thotë:

(وَرَبُّكَ يَخْلُقُ مَا يَشَاءُ وَيَخْتَارُ ۗ مَا كَانَ لَهُمُ الْخِيَرَةُ ۚ سُبْحَانَ اللَّهِ وَتَعَالَىٰ عَمَّا يُشْرِكُونَ)

“Dhe, Zoti yt krijon ç’të dojë dhe Ai zgjedh; e, ata (adhuruesit e idhujve), nuk mund të zgjedhin. Qoftë i falenderuar Allahu dhe larg nga ato që i përshkruhen Atij për shok!.” (Kasas: 68).

(يُثَبِّتُ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا بِالْقَوْلِ الثَّابِتِ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَفِي الْآخِرَةِ ۖ وَيُضِلُّ اللَّهُ الظَّالِمِينَ ۚ وَيَفْعَلُ اللَّهُ مَا يَشَاءُ)

“Allahu besimtarët i forcon me fjalë të qëndrueshme, në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse zullumqarët i shpie në humbje; Allahu punon ç’të dojë.” (Ibrahim: 27).

(هُوَ الَّذِي يُصَوِّرُكُمْ فِي الْأَرْحَامِ كَيْفَ يَشَاءُ ۚ لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ)

“Ai ju formon juve në mitër ashtu si don Ai; s’ka zot tjetër përveç Tij, të Plotëfuqishëm dhe të Gjithëdijshëm! Ndërsa thotë për veprat e krijesave: “Sikur të donte Zoti yt, ata nuk do ta bënin atë, pra lëri ata dhe atë që e trillojnë”. (Imran: 6).

Besimi se çdogjë që ekziston është krijesë e Allahut duke përfshirë qenien e tyre, cilësitë dhe lëvizjet e tyre.
Allahu,- xhele ue ala!,- thotë :

(لَهُ مَقَالِيدُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ ۗ وَالَّذِينَ كَفَرُوا بِآيَاتِ اللَّهِ أُولَٰئِكَ هُمُ الْخَاسِرُونَ)

“Allahu është Krijues i çdo gjëje dhe Ai është mbikëqyrës i çdo gjëje.” (Zumer: 62).

(الَّذِي لَهُ مُلْكُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَلَمْ يَتَّخِذْ وَلَدًا وَلَمْ يَكُنْ لَهُ شَرِيكٌ فِي الْمُلْكِ وَخَلَقَ كُلَّ شَيْءٍ فَقَدَّرَهُ تَقْدِيرًا)

“Atij që i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës, i cili nuk ka fëmijë dhe i cili nuk ka shok në pushtet dhe i cili ka krijuar çdo gjë, e i ka rregulluar si duhet ato!.” (Furkan: 2).

Dhe thotë Allahu për të dërguarin e Tij, Ibrahimin alejhi selam!,- se ai ka thënë:

(وَاللَّهُ خَلَقَكُمْ وَمَا تَعْمَلُونَ)

“E Allahu ju krijoi juve edhe atë që e punoni.” (Safat: 96).

Vazhdon …

Autor: Shejh Muhamed ibn Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë.

Nga arabishtja: Suad Burhan Shabani.

Google search engine
0FansaPëlqeje
0NdjekësitNdjek
0AbonentëAbonohu

Recent Posts