Oferta e PDK-së poshtron Ramushin !

Oferta e PDK-së poshtron Ramushin !

raKaq për AAK’në

Ramush Haradinaj nuk do të marrë ndonjë përgjigje pozitive sot nga Hashim Thaçi. Oferta e vetme e PDK’së për Aleancën është një post Zëvendëskryeministri dhe tri Ministri. Kjo është e papranueshme për AAK’në.

Ramush Haradinaj duket se as të hënën nuk do të marrë përgjigje pozitive nga Hashim Thaçi.

Ky i fundit nuk e ka ndërmend t’ia lë postin e Kryeministrit për të bashkëqeverisur vendin. Burime të Express kanë bërë të ditur se krejt çka mund t’i ofrohet AAK’së është një post Zëvendëskryeministri, e që tashmë është i lirë në Qeverinë aktuale, si dhe tri Ministri të tjera.

“Është fol për këto, por pa precizuar emra për ato poste apo për cilat Ministri është fjala. Ne vazhdojmë të qëndrojmë prapa asaj që pa e përmbyll procesin e brendshëm zgjedhor nuk flasim me AAK’në për koalicion”, ka thënë një zyrtar i lartë i Qeverisë nga radhët e PDK’së të dielën për Express.

Por, një gjë sipas tij është e qartë, PDK nuk e ka ndërmend t’ia japë Kryeministrinë Haradinajt.

“As që vjen në shprehje dhe as që do të jetë pikë diskutimi ajo çështje”, tha ai.

E, nga partia e Haradinajt thonë se nuk pranojnë asnjë lloj oferte tjetër.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Burim Ramadani, i tha të dielën Express, se zyrtarisht nuk kanë marrë ende përgjigje nga PDK dhe se janë në pritje.

Mirëpo sipas tij, asnjë ofertë tjetër, pos ajo të cilën i pari i AAK’së e ka bërë publike, nuk do të pranohet.

“Deri tani nuk kemi asgjë rreth ofertës që përmendet, por nëse ata nuk e kanë ndërmend me na dhanë Kryeministrinë e as ne pra nuk e kemi ndërmend me hy në koalicion”, tha Ramadani për Express.

I pyetur nëse një post Zëvendëskryeministror dhe tri Ministri do të ishin të pranueshme për AAK’në për të qeverisur vendin, dëshirë kjo për të cilën i pari i saj deklaruar kaherë, Ramadani dha përgjigje negative.

“A pranojmë a jo, dihet se e kemi thanë edhe më herët çka duam”, ka thënë ai.

Ndërkohë mundësia për t’ia dhënë AAK’së tri pozita qeveritare, pa e përfshirë postin e Kryeministrit, ishte përmendur edhe muaj më parë.

PDK si duket nuk e ka ndryshuar mendimin e saj në këtë drejtim, ndërkohë që sipas burimeve të gazetës kjo pritet të jetë edhe oferta zyrtare e Hashim Thaçit për Ramush Haradinajn.

Por kundërshtimin e një oferte të tillë Haradinaj e kishte bërë muaj më parë.

“Ju e keni në kujtesën e juaj, ju e dini se cilën ofertë e kemi dhënë. Në rast se ajo ndodh, jemi të gatshëm me marr përgjegjësi. Në rast se jo, kemi thënë se përgjegjësitë që i kemi në jetën politike do t’i marrim me kujdes duke e ruajtur vendin dhe duke ndihmuar që proceset të shkojnë me sukses”, pati thënë Haradinaj pas vizitës që ia kishte bërë familjes së dëshmorit Zahir Pajaziti në fshatin Turiqicë pak kohë pas kthimit të tij nga Haga.

E ndonëse shpresat për ta marrë postin e Thaçit duket se i janë shuar krejt, Haradinaj vazhdon të flasë me optimizëm rreth një përgjigje pozitive.

“Po shkojmë kah mundësia për t’i dhënë epilog mundësisë për një marrëveshje qeverisëse. Po pritet në këto ditë me i dhanë epilog. T’ju them të drejtën një dozë optimizmi e ruajmë, por nuk kemi sinjale që do të mbyllet për po”, ka thënë Haradinaj të premten.

Po të njëjtin ditë ai ka drekuar edhe me liderin e partisë më të madhe opozitare në vend, Isa Mustafën.

Por nga atje ka mohuar që do të mund të përfshihet në nismat e LDK’së, apo edhe partive të tjera opozitare për rrëzimin e Qeverisë aktuale.

Lideri i AAK’së ka thënë se deri kah e hëna do të presë përgjigjen e PDK’së e më pas për të vazhduar me agjendën partiake.

Sipas Haradinajt, nëse nuk mund të arrihet marrëveshje me PDK’në, atëherë partia e tij do të presë deri në zgjedhjet e ardhshme për ta kërkuar besimin e qytetarëve.

Me Isa Mustafën ndërkaq tha se ka biseduar për reformat zgjedhore. Ndërsa,

askush prej zyrtarëve të AAK’së nuk e ka mohuar se mes dy liderëve është biseduar edhe për një koalicion të mundshëm parazgjedhor.

Për një koalicion të mundshëm ndërkaq Haradinaj pati folur edhe me liderin e LDD’së Nexhat Dacin. Ky i fundit në një konferencë për medie ndërkaq pati thënë se në koalicion me AAK’në do të jenë tri parti, duke aluduar edhe në partinë e tij, por pa dhënë sqarime rreth së tretës.