Transmetohet nga Ibën Mes’udi radijAllahu anhu, i cili ka thënë: “Pas betejës së Hunejnit, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i dalloi disa njerëz në ndarje (të plaçkës së luftës). I dha El-Akra ibën Habisit njëqind deve, i dha edhe Ujejne ibën Hisnit. U dha disa njerëzve me autoritet nga arabët duke i dalluar atë ditë në ndarje. Një njeri tha: “Për Allahun, kjo ndarje nuk u bë me drejtësi dhe me këtë nuk ishte për qëllim kënaqësia e Allahut.” Unë thashë: “Për Allahun, do ta lajmëroj për këtë të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Shkova deri tek ai dhe e lajmërova për atë që kishte thënë. Në moment fytyra e tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ndryshoi, derisa u bë e tëra si e skuqur dhe më pas tha: “E kush do të ndajë drejtësi nëse Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk ndajnë drejtësi?” Pastaj tha: “Allahu e mëshiroftë Musain, është ofenduar edhe me më shumë se kjo, por bëri durim.” Thashë: “Vërtet nuk do t’i tregoj pas kësaj asnjë ndodhi.”[1]
Fjala kes-sirfi është ngjyrë e kuqe e përzier me blu.
Sqarimi
Në këtë hadith të përmendur nga autori, Allahu e mëshiroftë, Abdullah ibën Mes’udi radijAllahu anhu tregon se ishte beteja e Hunejnit, që ndryshe quhet beteja e Taifit, e cila ndodhi pas çlirimit të Mekës. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem luftoi dhe fitoi shumë pasuri- deve, dele, dërhemë dhe dinarë. Më pas i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u ndal në Xhiarr-rrane, një vend në përfundim të haremit (të Mekës), në anën e Taifit. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, pasi u ndal në këtë vend, filloi të ndajë plaçkën e luftës. Ndau për disa nga luftëtarët për t’i përfituar zemrat e tyre, d.m.th. që ishin nga fiset e mëdha, duke i tërhequr në Islam dhe kështu u dha shumë nga plaçka e luftës, saqë vetëm njërit prej tyre i dha njëqind deve.
Një nga të pranishmit tha: “Për Allahun, kjo ndarje nuk u bë me drejtësi dhe me këtë nuk ishte për qëllim kënaqësia e Allahut.” Allahu na ruajttë! Si mund të thuhet kjo fjalë për ndarjen që kishte bërë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem? Dashuria ndaj kësaj bote dhe nxitja e shejtanit e çojnë njeriun drejt shkatërrimit. E lusim Allahun të na falë! Kjo fjalë është fjalë kufri sepse i atribuon Allahut dhe të Dërguarit të Tij padrejtësi dhe se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem me këtë ndarje nuk kishte për qëllim kënaqësinë e Allahut. Por s’ka dyshim se Profeti me këtë ndarje dëshiroi kënaqësinë e Allahut, dëshiroi që t’i përfitojë zemrat e të parëve të fiseve në mënyrë që t’i përforcojë në Islam, se nëse të parët e popullit përfitohen dhe u forcohet imani, me këtë vijnë mirësi të shumta sepse ata pasohen nga fiset e tjera dhe kështu forcohet Islami. Por injoranca, Allahu na ruajttë, e shkatërron njeriun.
Kur Abdullah ibën Mes’udi dëgjoi këtë fjalë për të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, e lajmëroi për këtë Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Ai e lajmëroi se një njeri tha atë që tha, por në atë moment fytyra e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ndryshoi derisa u skuq e më pas tha: “E kush do të ndajë drejtësi nëse Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk ndajnë drejtësi?” Të vërtetën thotë Profeti i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem! Nëse ndarja e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij nuk ka drejtësi, kush do të ndajë drejtësi atëherë?! Pastaj tha: “Allahu e mëshiroftë Musain, është ofenduar edhe me më shumë se kjo, por bëri durim.” Ajo që na nevojitet nga ky hadith është fjala e fundit, e cila tregon se Profetët alejhimus-salatu ves-selam fyheshin, por bënin durim. Profetit tonë sal-lAllahu alejhi ve sel-lem iu tha kjo fjalë tetë vite pas hixhretit, domethënë jo në fillim të misionit të tij, por pasi Allahu ia mundësoi triumfin, pasi ishte bërë i njohur sinqeriteti i tij, pasi Allahu i nxori në shesh shenjat e profetësisë në këtë gjithësi dhe në personalitetin e tij. Megjithatë, prapë iu tha se ndarja nuk u bë me drejtësi dhe me të nuk ishte për qëllim kënaqësia e Allahut. Kur kjo fjalë u tha nga një shok i Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, atëherë mos u çudit nëse dikush thotë për ndonjë dijetar “ky dijetar është kështu e ai dijetar është ashtu” apo i atribuojnë të meta, pasi shejtani i nxit dhe i përkrah që të shpifin për dijetarët. Kur ata shpifin për dijetarët, atëherë fjalët e dijetarëve nuk pranohen nga njerëzit dhe kështu nuk mbetet askush që t’i udhëheqë njerëzit me librin e Allahut. Kush do t’i udhëheqë ata me librin e Allahut nëse ata nuk u besojnë dijetarëve dhe fjalëve të tyre? Ata atëherë do t’i udhëheqë shejtani dhe partia e tij. Për këtë arsye, përgojimi i dijetarëve është mëkat shumë më i rëndë se përgojimi i të tjerëve. Përgojimi i të tjerëve është përgojim personal dhe nëse dëmtohet dikush, dëmtohet vetëm ai që është përgojuar, ndërsa përgojimi i dijetarëve i bën dëm gjithë Islamit sepse dijetarët mbajnë lart flamurin e Islamit. Nëse bie besueshmëria në fjalët e tyre, do të fundoset flamuri i Islamit dhe ky dëm do të përfshijë gjithë ummetin e muslimanëve.
Nëse përgojimi i njerëzve është si ngrënia e mishit të të vdekurit, atëherë përgojimi i dijetarëve është si ngrënia e mishit të të vdekurit duke qenë i helmuar, për arsye se në të ka dëm të madh. Atëherë mos u çudit nëse dëgjon dikë duke fyer dijetarët. Kur të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i është thënë ajo që i është thënë, atëherë bëj durim dhe shpreso shpërblimin tek Allahu az-ze ve xhel-le dhe dije se përfundimi është në të mirë të atyre që kanë frikë Allahun. Përderisa njeriu e ka frikë Allahun, përfill urdhrat e Tij dhe është në dritën e udhëzimit të Tij, pa dyshim që përfundimi do të jetë në të mirën e tij.
Ka njerëz që kur ndonjë shok apo i afërt gabon vetëm një herë, e cilësojnë se ka të meta dhe e fyejnë. Allahu na ruajttë nga ky gabim! Kush është cilësuar se ka ndonjë të metë, le të bëjë durim, le ta dijë se Profetët e Allahut janë fyer, janë keqtrajtuar dhe përgënjeshtruar, saqë u është thënë se janë të çmendur, poetë, fallxhorë, magjistarë etj. “Por ata ishin të durueshëm ndaj gënjeshtrave dhe torturave përderisa u erdhi ndihma Jonë.”[2] Kështu thotë Allahu az-ze ve xhel-le.
Ky hadith na argumenton se prijësi i muslimanëve ka të drejtë t’i japë atij që sheh se ka përfitim për Islamin, qoftë edhe nëse i jepet më shumë se të tjerëve, por jo nëse ka përfitim personal. Nëse sheh se prej saj ka leverdi Islami, i jep më shumë dhe kjo është e drejtë e tij dhe ai është përgjegjës për këtë para Allahut. Nuk lejohet për askënd ta kundërshtojë atë në këtë sepse kush kundërshton, vetëm se i ka bërë padrejtësi vetes.
Ky hadith gjithashtu na tregon se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem merrte mësim nga ata të Dërguar që ishin para tij dhe për këtë tha: “Musai është ofenduar edhe me më shumë se kjo, por bëri durim”, sepse Allahu i Lartësuar thotë: ”Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre.”[3] Pra, Allahu e urdhëroi Profetin e Tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem që të ndjekë rrugën e Profetëve para tij.
Edhe ne duhet t’i pasojmë Profetët alejhimus-salatu ves-selam në durimin ndaj sprovave dhe të shpresojmë shpërblimin tek Allahu, duke e ditur se kjo është ngritje e gradave tona me shpërblim dhe falje nga gjynahet. Vetëm prej Allahut është suksesi!
Komenti i librit Rijadus Salihin nga Muhamed ibën Salih el Uthejmin.
Përshtati: Sabahudin SELIMI
____________________
[1] Mutefekun alejh
[2] El-Enam, 34.
[3] El-Enam, 90.