Nuk është e domosdoshme

0
256

Nuk është e domosdoshme të kesh mendimin tënd mbi çdo çështje të re, mesele apo problematikë.

Mirëpo, nëse ke mendim tëndin mbi diçka prej tyre, nuk është e domosdoshme ta shfaqësh atë.

E, nëse do ta shfaqësh, nuk është e domosdoshme t’ia shfaqësh gjithkujt a në çdo rast.

Dhe kur ta shfaqësh, nuk është e domosdoshme të ngërmohesh kur flet, a të jesh fanatik për të, apo ta mendosh si të vërtetë të cilën nuk e prek e kota nga përpara as nga prapa.

Dhe kur dikush nga njerëzit nuk pajtohet me mendimin tënd, nuk është e domosdoshme që ai të jetë armik, apo që të ka zënë pritën, apo hasetçi.

Nuk është e domosdoshme që kur ta kritikosh dikë, t’ia numërosh të metat, ta nënvlerësosh, ta dëmtosh e ta zhveshësh nga çdo e mirë.

Dhe nuk është e domosdoshme që kur të mos pajtohesh me dikë, ta armiqësosh atë, të bësh thirrje për armiqësimin e tij e ta përdhosësh sa të mundesh.

Nuk është e domosdoshme që kur të jesh me dikë në konflikt, ta përçosh konfliktin edhe tek ata që dinë për të, duke bartur sloganin: “Me mua ose kundër meje!”; mirëpo mjafton që konflikti të përkufizohet në mes ju dyve sa të jetë e mundur.

Nuk është e domosdoshme që kur të shkruash ndonjë artikull apo poemë, t’ia zgjasësh fjalët, faqet apo vargjet, por mjafton që ta përçosh idenë edhe nëse kjo arrihet me mundimin më të vogël dhe fjalinë më të shkurtër.

Nuk është e domosdoshme që kur të flasësh, të ndërhysh apo ta shfaqësh pikëpamjen tënde, ta teprosh në të folur, saqë t’i rëndosh dëgjuesit apo të pranishmit pa arsyetim, përderisa qëllimi nga të folurit është realizuar. Të thuhet: “Ah! Sikur të vazhdonte!”, është më mirë se të thuhet: “Ah! Sikur të pushonte!”. Sikur ky rregull të zinte vend në vetët e shumë njerëzve, do të shpëtonim nga tepricat e përsëritjes dhe mbingarkesës dhe nga kokëçarja e të zgjaturit dhe mërzitjes.

Nuk është e domosdoshme që të jesh në krye të çdo mexhlisi, i pari në çdo bisedë, edhe në paq arritur shumë në dije dhe edukim; sepse nuk është çdo ambient ambient i yti as çdo ditë dita jote.

Nuk është e domosdoshme që nëse ndonjë ditë bën diçka gabimisht, ose tregohesh i mangët në plotësimin e obligimit që ke karshi dikujt, ta marrësh si shkak për pëlqimin e mangësisë dhe ta lësh përsosjen e punës.

Nuk është e domosdoshme që nëse e urren dikë, t’ia thuash atij, me arsyetimin se je i sinqertë; në fakt ta mbash në vetvete është prej urtësisë, se “Ndoshta Allahu bën miqësi dhe dashuri ndërmjet jush dhe atyre që i armiqësonit.” [60:7]

Muhamed Ibrahim El Hamed
Përktheu: Driton Ajdin Xhezairi


Source link

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here