Nëse Allahu e krijon edhe të mirën edhe të keqen, atëherë pse e keqja i atribuohet njeriut, ndërsa e mira Allahut

0
251

Shumë njerëzve u krijon huti kur lexojnë ajetin: “Çdo e mirë që të gjen ty o njeri, prej Allahut është, kurse e keqja që të godet, është prej vetes sate.” (En Nisa: 79)

Në këtë ajet e mira i atribuohet Allahut të Gjithmëshirshëm, ndërsa e keqja njeriut. Si duhet të kuptohet kjo?

Për ta kuptuar drejtë këtë ajet duhet ti kthehemi ajetit paraprak në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “Kudo që të jeni vdekja do t’ju kapë, po edhe në qofshi në pallate të fortifikuara. E nëse i qëllon ata (munafikët) ndonjë e mirë, thonë: “Kjo është nga All-llahu”. E nëse i godet ndonjë e keqe thonë: “Kjo është nga ti (Muhammed)”. Thuaju: “Të gjitha janë nga All-llahu!” C’është me këtë popull që nuk kupton gati asnjë send?”. “Çdo e mirë që të gjen ty o njeri, prej Allahut është, kurse e keqja që të godet, është prej vetes sate.” (Nisa, 78-79)

Në këtë ajet Allahu i Lartësuar demanton pretendimet e mynafikëve (dyfytyrëshave) të cilët ishin bashkë me besimtarët dhe gjatë luftërave e betejave me mushrikët kur ballafaqoheshin me vështirësi e mundime, ata paragjykonin e ndjellin se Muhamedi (salallahu alejhi ve selem) është shkaktar për këto mundime e të këqija; me një fjalë, e akuzonin se ai ishte fajtor për këto të këqija. Allahu i Lartësuar e demanton këtë pretendim duke thënë: “Thuaju: “Të gjitha janë nga All-llahu!”. Pra edhe të mirat edhe të këqijat janë të krijuara nga Allahu i Plotfuqishëm në bazë të urtësisë dhe diturisë absolute të Tij.

Ndërsa në vazhdim ta ajetit tjetër thuhet: “Çdo e mirë që të gjen ty o njeri, prej Allahut është, kurse e keqja që të godet, është prej vetes sate.” (En Nisa: 79).

Allahu i Lartmadhërishmë në këtë ajet, të mirat ia ka atribuuar vetës, kurse të këqijat njeriut për shkak se, të mirat janë begati e Allahut ndaj njeriut, Ai i dhuroi njeriut mirësi të shumta, pastaj Ai e do të mirën, është i kënaqur me të, urdhëron në të dhe ia atribuon Vetes.

Ndërsa të këqijat i krijon Allahu jo për shkak se Ai është i kënaqur me të dhe e do atë të keqe, por për shkak të rrethanave dhe urtësive të cilat ndërlidhen me njeriun dhe sjelljet e tij. Me fjalë tjera, Allahu i Lartësuar e cakton të keqen si rezultat i veprimeve dhe sjelljeve të cilat i manifeston njeriu. Prandaj Allahu i Lartmadhëruar thotë: “kurse e keqja që të godet, është prej vetes sate.”, pra ajo e keqe ndodh me caktimin e Allahut, si rezultat i veprimeve dhe sjelljeve tuaja.

Allahu i Madhëruar thotë: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.” (Shura, 30). Pra ajo e keqe dhe fatkeqësi ndodh me caktimin e Allahut si shkak i veprimeve të njeriut, prandaj edhe i atribuohet atij.

Alaudin Abazi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here