Transmetohet nga Nuaman bin Beshiri -Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve-, se ka thënë:
“Babai më dhuroi një dhuratë e cila e bëri Amrah bint Rauaha të thoshte: “Nuk jam e kënaqur me këtë që bëre, derisa të marrësh për këtë miratimin e të Dërguarit të Allahut -alejhi salatu ue selam- . Atëherë babai shkoi te Profeti -alejhi salatu ue selam- dhe i tha: “Unë i dhashë birit tim, të cilin e kam me Amrah bint Rauaha një dhuratë, por ajo më bëri që të vijë tek ti dhe ta dëshmosh (miratosh) këtë vepër.”
Profeti -alejhi salatu ue selam- e pyeti:
“A i ke dhënë fëmijëve të tjerë të njejtën gjë?” Jo, -u përgjigj ai. Atëherë Profeti -alejhi salatu ue selam- i tha:
“Kijeni frikë Allahun dhe tregohuni të drejtë me fëmijët tuaj!”
Pas kësaj (babai) e ktheu mbrapsht dhuratën.” (Buhariu dhe Muslimi)
Çfarë përfitojmë nga hadithi
-Nxitja e prindërve, që të kujdesen siç duhet në edukimin e fëmijëve, duke bërë që ata të duhen e që midis tyre të sundojë drejtësia.
-Nxitja e prindërve, që të sillen me fëmijët e tyre në atë mënyrë që do të fitojnë respektin nga ata dhe jo në mënyrën, që i çon fëmijët tek mosrespektimi i prindit të tyre.
-Nuk lejohet të dëshmohet (miratohet) diçka që nuk është ligjëruar.
-Nëse dikujt prej fëmijëve i ka dhënë Allahu mirësi, dhunti ose sjellje të veçantë që e dallojnë nga të tjerët, ose meriton kujdes sepse është më i vogël nga të tjerët apo është i sëmurë etj…, sërish kërkohet nga prindërit që të tregohen të urtë; pra të veprojnë duke mos ngjallur xhelozi në zemrat e fëmijëve të tjerë.
“Përzgjedhja e haditheve të normave dhe të moraleve” f. 232-233.
Burimi i Jetës