Muhadithi i madhë shqipëtar shejkh Shuajb Muharrem Arnauti

0
219

(u84u)Shuajb Arnauti

Shuajb El-Arnauti është një prej dijetarëve më të njohur të kohës bashkëkohore e veçanërisht është i dalluar dhe i shquar në shkencën e hadithit, më saktësisht merret me autoktoninë apo ekzaminimin dhe vërtetësinë e hadithit.

Familja e Shuajb Arnautit ishin shpërngul prej Shkodrës për shkak të presionit dhe të orientimeve politike që kishte atë kohë Mbreti Zogu i Shqipërisë. Ndërsa Muharremi, i ati i tij, njihej si njëri fetar andaj edhe ishte cak i presioneve të asaj kohe, dhe kjo ishte arsyeja e shpërnguljes së tij.

Shuajb El-Arnauti, u lind në Damask të Sirisë në vitin 1928, rreth dy vite pas shpërnguljes së familjes së tij. U rrit dhe u edukua në gjirin e tij familjarë dhe nën një kulturë islame ku që në vegjëli kishte mësuar bazat e fesë islame dhe kishte mësuar shumë pjesë nga Kurani dhe ndoshta ky dhe dëshira për të kuptuar sa më mirë fjalën e Allahut xh.sh dhe për tu thëlluar sa më shumë në të kuptuarit e tij ishte nxitur që në moshë të re të mësojë gjuhën arabe. Andaj edhe për disa vite me radhë ka bredhur nëpër xhamitë dhe shkollat e Damaskut duke kërkuar mësim të gjuhës arab, të gramatikës, morfologjisë, sintaksës, leksikologjisë së saj.

Shuajb El-Arnauti kishte arritur, që fal zellit dhe përkushtimit të tij, të mësonte gjuhen arabe nga dijetarët më të njohur të kohës së tij e prej tyre ishte edhe dijetari i njohur me origjinë shqiptare Sulejman Gavoçi e Nuh El-Albani, e që ky mësim i mori diku rreth 8 vite.

Pas mësimit të gjuhës arabe, Shuajb El-Arnauti orientohet drejt mësimit të jurisprudencës islame e sidomos jurisprudencën e shkollës hanefite. Mësimi i jurisprudencës ia mori përafërsisht 7 vite ku së bashku me këtë kishte mësuar edhe komentim të Kuranit, terminologji të hadithit, baza të fesë, etikës etj.

Gjatë mësimeve të tij rreth jurisprudencës islame, Shuajb El-Arnauti kishte vënë re se dijetarët bashkëkohës të tij kishin një lloj ngecje në dallimin e haditheve autoktone prej atyre të hyra në fe apo prej atyre të dobëta dhe të shpifura. Para kjo ishte edhe arsyeja pse orientohet drejt mësimit të shkencës së hadithit dhe merret me kategorizimin e tij.

Shuajb El-Arnauti në vitin 1958 orientohet drejt bibliotekës islame në Damask të Sirisë ku edhe merr udhëheqjen e sektorit për studimin e hadithit e të cilën e udhëheq për afro 20 vite, gjatë kësaj kohe ai kishte arritur që të merret me vërtetësinë e mbi 70 vëllimeve. Në vitin 1982, Shuajb El-Arnauti shpërngulet në Aman të Jordanisë ku fillon punën si përgjegjës për vërtetësinë e hadithit në qendrën e një prej shtëpive botuese më të mëdha të vendit. Deri më tani ka nxjerrë mbi 240 vëllime të cilat kryesisht ndërlidhen me hadithin, por që ka edituar shumë nga veprat klasike dhe manuskripte nga trashëgimia islame.

Me tërë këtë bagazh të veprave të tij, më të vërtetë meriton të quhet edhe si dijetari i shekullit dhe një nga studiuesit më të famshëm të fushës së tij, ai ka edituar, ekzaminuar, përmbushur me shënime dhe gjykuar hadithet të shumë veprave ndër të cilët, ndoshta më i njohuri është Zad el Mead i Ibn Kajim el Xheuzisë edhe pse mendohet se kontributi i tij më i rëndësishëm skolastik gjendet tek editimi i tre veprave: Sharh el Sunna i Imam Bagauit, Sharh mushkil el athar të Imam Tahauit, dhe El Ihsan fi takrib Sahih ibn Hiban. Përgatitja e këtyre punëve, secila prej tyre me gjashtëmbëdhjetë volume, nuk ka qenë thjesht punë edituese. Për shembull, vepra e Ibn Hiban ka tetë volume dhe shehu me shënimet dhe komentet e tij shtoi tetë volume të tjera.

Teksa numri i dijetarëve të kualifikuar për të dhënë mësim këto vepra klasike të shkencave islame bëhet gjithnjë e më i pakët, Shuajb El-Arnauti shpreson se këto botime të zgjeruara do i shërbejnë nevojave të myslimanëve që do i lexojnë ato.

Shuajb El-Arnauti, e fletë mirë gjuhën shqipe dhe disa herë ishte për vizitë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni ndërsa për herë të fundit ishte në vitin 2011 ku edhe mbajti një mori ligjëratash në xhami dhe institucione të ndryshme të këtyre vendeve. Ëndrra e tij më e madhe është që shqiptarët të i sheh të bashkuar në një shtet dhe të kapur për islamin ashtu siç ishin në kohën e osmanlinjve e në lidhje me këtë thotë se ne shqiptarët ishim të panjohur si popull derisa nuk e pranuam islamin.

Ai jeton aktualisht në Aman të Jordanisë ku ende e drejton punën kërkimore dhe bibliotekën e shtëpisë botuese Muesasa El Risala.

Lusim Allahun xh.sh që ti dhurojë jetë të gjatë e shëndet të plot dhe të ia mundësojë që edhe më tutje të kontribuoj në fushën e hadithit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here