MOS E DËSHIRO VDEKJEN PËR SHKAK TË FATKEQËSISË QË TË KA GODITUR

0
231

Nga Enesi radijAllahu anhu transmetohet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Askush prej jush të mos e dëshirojë vdekjen për shkak të një fatkeqësie që i ka rënë. E nëse patjetër duhet ta bëjë këtë, atëherë le të thotë: “O Zoti im, më bëj mua të jetoj derisa jeta të jetë më e dobishme për mua, por më bëj të vdes nëse vdekja është më e dobishme për mua!”[1] Muttefekun alejhi.

Shpjegimi:

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në këtë hadith e ka ndaluar njeriun që të dëshirojë vdekjen për shkak të ndonjë fatkeqësie që i ka rënë. Ndodh që njeriu përjeton një fatkeqësi që nuk mund ta përballojë dhe nga lodhja e tepërt dëshiron vdekjen duke e shprehur me gjuhë ose me zemër. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e ka ndaluar këtë veprim duke thënë: “Askush prej jush të mos e dëshirojë vdekjen për shkak të një fatkeqësie që i ka rënë.” Ndoshta ajo mund të jetë mirësi për të. Mirëpo nëse të ndodh ndonjë fatkeqësi, thuaj: -O Zoti im, më ndihmo të bëj durim në këtë, sepse do të jetë më mirë për ty. Ndoshta vdekja është më e keqe për ty, pasi jo çdo vdekje është e rehatshme, ashtu siç ka thënë poeti: Nuk është i vdekur ai që ka vdekur dhe është rehatuar, Por i vdekur është i vdekuri duke qenë gjallë. Kur njeriu vdes, ndoshta shkon në ndëshkimin dhe në dënimin e varrit, Allahu na ruajttë, por nëse jeton, mund të pendohet dhe të kthehet tek Allahu dhe kjo është më hajr për të. Nëse të bie ndonjë fatkeqësi, mos e dëshiro vdekjen. Nëse i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka ndaluar që njeriu ta dëshirojë vdekjen për shkak të një fatkeqësie që e ka goditur, çfarë do të ndodhë me atë që vret veten për shkak të ndonjë fatkeqësie? Ky njeri kalon nga një dënim në një më të ashpër se ai dhe nuk do të gjejë rehati. Ai është transferuar nga dënimi në këtë botë në një dënim më të ashpër sepse kush vret veten, do të dënohet në xhehennem me atë mjet që e ka vrarë veten, duke qëndruar në të përgjithmonë. Nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është transmetuar se ai që vret veten me ndonjë shpatë, thikë ose diçka të ngjashme, do të jetë në xhehennem duke e goditur veten me atë mjet. Nëse dikush e vret veten duke pirë helm, do ta shijojë atë edhe në zjarrin e xhehennemit. Nëse e ka vrarë veten duke u hedhur nga kodra, do t’i bëhet një kodër në xhehennem dhe do të hidhet nga ajo përjetësisht. E kështu me radhë[2]. Nëse i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e ndaloi që njeriu të dëshirojë vdekjen për shkak të një fatkeqësie që e ka goditur, atëherë vrasja e vetes është edhe më e madhe se kjo. Kur i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ndalonte diçka, e ka pasur zakon të përmendte ndonjë zëvendësim për atë ndalesë, nëse ekzistonte ndonjë zëvendësim i lejuar, siç thuhet edhe në Kur’an: “O besimtarë! Mos thoni “Ra’ina”, por thoni “Undhurnna!”, na shiko !…” (El-Bekare: 104) Allahu na ndaloi nga fjala “Ra’ina” dhe na sqaroi fjalën e lejuar duke thënë: “Por thoni “Undhurna!”, na shiko!”[3] Kur iu dhanë të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem hurma të mira, i refuzoi dhe tha: “Çfarë janë këto? Të gjitha hurmat e Hajberit janë kështu?” Ata thanë: “Për Allahun, jo o i Dërguari i Allahut, ne e blejmë një sa’[4] prej këtij lloji me dy sa’ ose dy sa’ me tre sa’ nga hurmat tona.” Atëherë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: “Mos e bëj këtë, por shiti hurmat e tua me para dhe më pas bli të tjerat me ato të holla”[5] Pasi i ndaloi, u tregoi edhe mënyrën e lejuar.

Këtu ka thënë: “Askush prej jush të mos e dëshirojë vdekjen për shkak të një fatkeqësie që i ka rënë. E nëse patjetër duhet ta bëjë këtë, atëherë le të thotë: “O Zoti im, më bëj mua të jetoj derisa jeta të jetë më e dobishme për mua, por më bëj të vdes nëse vdekja është më e dobishme për mua!”

Në këtë mënyrë të ka hapur një rrugë të shëndoshë sepse dëshira për të vdekur tregon pakënaqësinë e njeriut dhe mosdurimin e tij ndaj caktimit të Allahut. Kjo lutje e bën njeriun që tij t’ia dorëzojë gjendjen e tij Allahut, pasi njeriu nuk e di të ardhmen. Shpresa për të vdekur është nxitim nga njeriu që Allahu ta ndërpresë jetën e tij, sepse ndoshta kjo e ndalon nga mirësi të shumta, e ndalon nga pendimi dhe shtimi i veprave të mira. Prandaj në hadith thuhet: “Çdokush, kur të vdesë, do të pendohet. Nëse ka qenë nga të mirët, do të pendohet sepse do të vazhdonte në vepra të mira, por nëse ka qenë nga gabimtarët, do të pendohet sepse ndoshta do të kishte kërkuar pendim.”[6] E nëse dikush thotë: -Si të themi “o Zoti im, më bëj mua të jetoj derisa jeta të jetë më e dobishme për mua, por më bëj të vdes nëse vdekja është më e dobishme për mua”? Ne themi që arsyeja është se Allahu e di të ardhmen, kurse njeriu jo. Allahu thotë: “Thuaj: “Askush, përveç Allahut, në qiell apo në tokë, nuk i di të fshehtat…”(En-Nemël: 65) “Asnjë njeri nuk e di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë.”(Lukman: 34) Ti pra nuk e di të ardhmen dhe mund të ndodhë që jeta të jetë më e mirë për ty, por ndoshta vdekja mund të jetë më e mirë për ty. Është mirë që njeriu kur të lutet për dikë për jetë të gjatë, ta kufizoj lutjen duke thënë “Allahu ta zgjattë jetën në adhurim ndaj Tij”, që të ketë mirësi në të. Nëse dikush thotë: -Në Kur’an thuhet se Merjemja, e bija e Imranit, e ka dëshiruar vdekjen kur tha: “Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar.”(Merjem, 23). Si ka bërë diçka që është e ndaluar?

Përgjigjja është: Së pari, është obligim të dimë se nëse na vjen diçka nga sheriati i atyre që ishin para nesh dhe në sheriatin tonë ka ardhur e kundërta, atëherë kjo nuk është argument sepse sheriati ynë ka shfuqizuar çdo ligj tjetër para tij. Së dyti, Merjemja nuk e dëshiroi vdekjen në atë moment, por e dëshiroi para se t’i ndodhte ajo ngjarje. E rëndësishme ishte të vdiste pa sprovë. Shembulli i saj ishte si fjalët e Jusufit alejhis-salatu ves-selam: “Ti (o Allah) je Mbrojtësi im në këtë botë dhe në botën tjetër! Më bëj mua që të vdes si musliman dhe më shoqëro me punëmirët (në botën tjetër).”(Jusuf: 101). Nga kjo nuk kuptohet që ai kërkoi nga Allahu ta bëjë të vdesë, por ai kërkoi që Allahu ta vdesë në Islam dhe këtu nuk ka diçka të keqe, sikur të thuash: -O Zot, më vdis në Islam, me iman, tevhid e sinqeritet ose më vdis kur je i kënaqur ndaj meje. Ose fjalë të ngjashme me këto. Duhet të bëjmë patjetër dallimin mes atij që e dëshiron vdekjen për shkak të një fatkeqësie që i bie dhe atij që e dëshiron vdekjen me një mënyrë të veçantë, me të cilën Allahu azze ve xhel-le është i kënaqur. E para është ajo që i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e ka ndaluar.

E dyta është e lejuar. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e ka ndaluar që njeriu të dëshirojë vdekjen nëse e godet ndonjë fatkeqësi sepse kush e dëshiron vdekjen në këtë gjendje, nuk ka durim. Durimi në vështirësi dhe të shpresuarit e shpërblimit nga Allahu azze ve xhel-le është obligim. Çdo fatkeqësi, qoftë ajo shqetësim, pikëllim, sëmundje apo diçka tjetër, të gjitha janë pastrim nga mëkatet e tua. E nëse ti shpreson shpërblimin, kjo do të t’i ngrejë gradat. Lëndimet, sëmundja apo diçka tjetër që e godet njeriun nuk mbetet përgjithmonë, do të mbarojë një ditë, kurse ti do të fitosh të mira duke shpresuar në shpërblimin e Allahut azze ve xhel-le dhe do të të falen të këqijat. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Çudi me çështjen e besimtarit. E tërë puna e tij është hajër, e kjo nuk është për askënd tjetër vetëm se për besimtarin. Nëse e godet ndonjë fatkeqësi, bën durim dhe kjo është mirë për të. Por nëse e godet ndonjë e mirë, falënderon (Allahun) dhe kjo është mirë për të.”[7] Besimtari në çfarëdo gjendjeje të jetë është mirë, qoftë në fatkeqësi apo begati.

KOMENTAR I LIBRIT “RIJADU SALIHIN” (1/251-254).

____________________________________

[1] Transmetojnë Buhariu (5671) dhe Muslimi (2680).

[2] Transmetojnë Buhariu (5778) dhe Muslimi (109).

[3] Për të kuptuar më mirë këtë shembull, shiko sqarimin e këtij ajeti në fusnotë tek përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe nga Hasan Nahu (sh.p).

[4] Masë e vjetër matjeje, e cila afërsisht peshon 3 kg (sh.p.).

[5] Transmetojnë Buhariu (2201), (2202) dhe Muslimi (1593), (95).

[6] Transmeton Tirmidhiu në kapitullin 59, hadithi 2403. Begaviu në Sherhus-Sun-neh (4309). Shuajb Arnauti ka thënë: “Në zinxhirin e transmetuesve të këtij hadithi gjendet Jahja ibën Ubejdullah, i cili është ibën Abdullah ibën Mevheb el-Medenij. Hadithi i tij është lënë dhe është i papranuar.” Hadithi gjendet po ashtu në librin Daiful-Xhami’ (5148).

[7] Transmeton Muslimi (2999).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here