By: Muhamed El-ivedij
Falenderimet janë për Zotin, paqa dhe mëshira e Zotit, qofshin mbi profetin Muhamed a.s, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.
Në emisionin e kaluar i ftuari ynë ishte Dr. Sabri Demirdash, profesor shkencash në universitetin e Kuvajtit. Ai është i dhënë dhe ekspert në mrekullitë shkencore që Zoti i madhëruar ka përmendur në Kuranin famëlartë. Janë pikërshit këto mrekulli shkencore, ato që vënë me shpatulla për muri të gjithë kryeneçët që nuk e besojnë këtë libër, pasi pretendojnë se bazohen në faktet shkencore. Duke qenë se Kurani është libër i përshtatshëm për çdo kohë dhe vend dhe meqë jetojmë në kohën e teknologjisë moderne, qendrave studimore dhe shkencore, shpikjeve të reja… Kurani famëlartë, i ka kushtuar një rëndësi të veçantë dhe zbulimeve shkencore. Në emisionin e kaluar, ne pikërisht cekëm disa të vërteta të cilat i ka përmendur Kurani dhe që nuk janë zbuluar veçse në shekujt e fundit.
Doktor Sabri! Kur jam takuar me juve në vitin 1998, më keni thënë se po shkruani një libër mbi ekzistencën e Zotit, në formën e një dialogu dhe debati që zhvillohet në një familje mes prindërve dhe fëmijëve. Ky libër tashmë është botuar dhe shitet në librari dhe e keni titulluar “Ky univers e ka një Zot.”
Doktor i nderuar! Insektet dhe jeta e tyre, mbi të cilat folën emisionin e kaluar, na e shtuan kureshtjen për këtë botë. Prandaj duam që të dimë diçka më shumë në këtë emision mbi botën e insekteve.”
Dr. Sabri Demirdash:”Para se të filloj, dua të them se merrimangat nuk hyjnë tek insektet. Merimanga hyn në një familje tjetër, ku hyjnë akrepat, morrat etj… Kurse milingona hyn në familjen e bletës dhe grerëzave dhe të gjithë këto janë pickuese.”
Dr.Muhamed El-ivedij:”Thotë Zoti në Kuran:”Allahu nuk ngurron të japë shembull mushkonjën ose diçka më të vogël se ajo…” (Bekare: 26)
Ky ajet iu shpall Profetit a.s si pasojë e talljes së hebrenjve se Kurani merret me insekte dhe krijesa të vogla. Sipas jush dhe nën dritën e studimeve shkencore, përse Zoti e përmend veçanërisht mushkonjën?”
Dr. Sabri Demirdash:”Studiuesit që kanë studiuar anatominë dhe fiziologjinë e mushkonjës, e kanë përshkruar atë si një mrekulli më vete. Shkaku i shpalljes së ajetit të mësipërm, ashtu siç e theksove dhe ti, është se kur Zoti përmendi në Kuran disa të vërteta mbi disa insekte si bleta, miza, merimanga dhe milingona, hebrenjtë filluan të tallen me Kuranin. Ç’qenka ky libër me burim nga Zoti që merret me insekte?! Edhe poetët arabë nuk i përmendin në vjershat e tyre këto insekte, pasi janë të pështira, kurse Kurani i Muhamedit është i mbushur me emrat e këtyre insekteve!
Këtyre përbuzjeve dhe talljeve, Zoti u dha përgjigje në ajetin e mësipërm. Ngurrimi që përmendet në ajetin e mësipërm, është pavendosmëria për të bërë diçka dhe mungesa e vendosmërisë, si rezultat i diçkaje të ndodhur. Zoti e mohon diçka të tillë për veten e Tij dhe pohon që është i gatshëm të sjellë çfarëdo lloj shembulli, në të cilin ka dobi. Kurse fjalët “ose diçka më të madhe se ajo” nënkuptojnë diçka më të vogël dhe më të imët se mushkonja. Këtë kuptim, e nxjerrim nga vetë konteksti i ajetit. Nëse hebrenjtë u tallën për insekte më të mëdha, Zoti u thotë që Ne nuk ngurrojmë të sjellim shembull as mushkonjën që është më e vogël dhe as krijesa të tjera që janë më të vogla se mushkonja. Sa më e vogël të jetë madhësia e një produkti, aq më fuqishëm e tregon madhështinë dhe mjeshtërinë e prodhuesit. Produkte si kompjuteri, radioja, televizori, celulari etj… në vitet e para të prodhimit ishin të një madhesie dhe përmasash shumë më të mëdha seç i gjejmë sot.
Dr.Muhamed El-ivedij:”U kam dëgjuar të pohoni se mushkonja arrin të bëjë dallime mes një beduini dhe një të civilizuari, mes një qytetari dhe një fshatari, mes një burri dhe një gruaje. Me të vërtetë që kjo është diçka e çuditshme. Dhe kam lexuar në një artikull tuajin që mushkonja pickon më së shumti gratë.”
Dr. Sabri Demirdash:”Më e veçantë se kjo është se vetëm mushkonja femër pickon, kurse mashkulli jo. Mashkulli i mushkonjës ushqehet me nektarin e bimëve.”
Dr.Muhamed El-ivedij:”Atëherë kuptojmë që mashkulli i mushkonjës është paqësor, kurse femra agresore. Pyetja që lind është:”Ku qëndron forca dhe energjia e mushkonjës?”
Dr. Sabri Demirdash:”Forca e saj qëndron në çdo pikë të fizikut të saj. Unë dua të bëj një replikë të shkurtër me të gjithë ata që tallen me faktet dhe ajetet e Kuranit famëlartë. Thotë Zoti në Kuran:”Allahu do të tallet me ata dhe do t’i lërë një kohë të gjatë që të bredhin verbërisht në mendjemadhësinë e tyre. Pikërisht këta janë ata që kanë këmbyer udhëzimin me humbjen, kështu që tregtia atyre nuk u solli kurrfarë dobie dhe as nuk ishin të udhëzuar në rrugën e drejtë.” (Bekare: 15-16)
Unë u them atyre që tallen me këto shembuj në Kuran, që secili prej nesh kemi dy sy. Kurse mushkonja ka mbi njëmijë sy. Ajo ka dy palë sy të përbërë dhe të gjithë sytë e insekteve janë të tillë. Kurse merimanga i ka sytë e thjeshtë, ngaqë nuk është insekt. Ajo mund të ketë gjashtë sy, katër, dy ose mund të jetë e verbër. Kurse sytë e mushkonjës përbëhen nga qindra sy të tjerë të vegjël shumë funksionalë, me qëllim që të garantojë një shikim sa më të qartë natën.
Diçka tjetër e veçantë është se mushkonja ka tre zemra. Një zemër qëndrore dhe dy të tjera anësore. Hunda e mushkonjës përbëhet nga shtatë pjesë dhe çdo pjesë ka thikat e saj prerëse. Ajo ka dhe një sistem si ai infrared, me atë të cilit dallon dhe zbulon prenë e saj me ngjyrë vjollcë. Nëse milingona e gjente prenë me antë të erës, mushkonja e gjen prenë me anë të ngjyrës. Me ta nuhatur prenë, ajo turret dhe e pickon. Ndonjëherë ajo gabon dhe përpiqet të pickojë sipër rrobave.”
Dr.Muhamed El-ivedij:”Po si mundet që mushkonja ta dallojë burrin nga gruaja? Mos vallë ka ndonjë ngjyrë të veçantë me të cilën e dallon apo si qëndron puna?
Dr. Sabri Demirdash:”Në këtë rast, ajo përdor nuhatjen e saj. Kështu, ajo bën dallimin mes burrit dhe gruas dhe mes një fshatari dhe një qytetari me anë të nuhatjes. Shqisën e nuhatjes ajo e ka shumë të fuqishme dhe arrin të nuhasë deri në gjashtë km.”
Dr.Muhamed El-ivedij:”Përse vallë mushkonja preferon thithjen e gjakut nga gratë?”
Dr. Sabri Demirdash:”Në fakt ajo thith gjakun e të dy gjinive. Unë prisja që pyetja të ishte përse vetëm femra thith gjak dhe jo mashkulli. Kjo, për shkak se femra ka nevojë për lëndë si proteinat dhe lëndët minerale që gjenden në gjak, për të ushqyer vezët e saj.
Ne në Egjypt, sa herë që vizitonim të afërmit tanë në fshat dhe në shkretëtirë, i gjenim shtëpitë e tyre të mbushura me mushkonja. Ndërkohë që banorët e shtëpisë ishin të zhytur në gjumë të thellë, ne hiqnim të zezat e ullirit duke u kruajtur nga pickimet e mushkonjave. Mushkonjat arrijnë t’i dallojnë dhe miqtë e shtëpisë dhe janë pikërisht këto preja e tyre më e preferuar atë natë.
Dr.Muhamed El-ivedij:”Po rreth fjalëve të ajetit “ose diçka mbi të (më të vogel se ajo)…” çfarë mund të shtoni?”
Dr. Sabri Demirdash:”Ajo që është mbi të, është se mbi kurrizin e mushkonjës jetojnë disa parazitë të vegjël, që nuk mund të dallohen veçse me mikroskop.
Kur mushkonja ulet mbi lëkurën e njeriut për ta pickuar dhe thithur gjakun, ajo fillimisht e mpin vendin, me qëllim që njeriu mos e ndjejë pickimin. Nëse nuk do të ishte kjo lëndë mpirëse, çdokush do e ndjente pickimin dhe do e vriste mushkonjën.
Dr.Muhamed El-ivedij:”Po dhimbja që shkaktohet pas pickimit dhe kruarjet, mos vijnë si rezultat i pickimit apo çfarë?”
Dr. Sabri Demirdash:”Dhimbja dhe kruarja nuk vjen nga pickimi. Kur mushkonja thith gjakun, ajo lëshon një lloj acidi që ndihmon në thithjen e gjakut me anë të hundës. Është pikërisht kjo lëndë ajo e cila shkakton dhimbje dhe kruarje.
Por mushkonja ka dhe një veçori tjetër, ajo është shumë qejflie dhe ia lejon vetes dhe jetën e luksit.”
Dr.Muhamed El-ivedij:”Çfarë do të thotë kjo?”
Dr. Sabri Demirdash:”Nëse gjaku që ka thithur nuk i pëlqen, ajo e vjell përsëri. Ajo është e pajisur me një aparat të posaçëm për diçka të tillë.”
Dr.Muhamed El-ivedij:”Me qëllim që të flasim dhe mbi mrekulli të tjera të sinjalizuara në Kuranin famëlartë, ne do e mbyllim bisedën tonë rreth insekteve, duke kaluar në një mrekulli tjetër, të cilën e përmend Kurani:”Betohem në çastin e perëndimit të yjeve, e ky është betim i madh, veç sikur ta dinit.” (Vakia: 75-76) Zoti i madhëruar në Kuran, nuk betohet veçse në krijesa gjigante dhe madhështore. Çfarë mund të na thoni rreth këtij ajeti?”
Dr. Sabri Demirdash:”Unë prisja të më pyesje më konkretisht, përse Zoti betohet në perëndimin e yjeve dhe nuk betohet në vetë yjet.
Dr.Muhamed El-ivedij:”Mirë, atëherë e saktësojmë pyetjen dhe ju pyesim:” Përse Zoti betohet në perëndimin e yjeve dhe nuk betohet në vetë yjet?”
Dr. Sabri Demirdash:”Planeti më i afërt me tokën është dielli dhe ai është shumë më i madh se toka. Nëse do e krahasonim madhësinë e diellit me të tokës, do e krahasonim madhësinë e një elefanti afrikan me një njësi matëse 1 kg.”
Dr.Muhamed El-ivedij:”Duke pasur parasysh kohën e shkurtër, le të flasim mbi vendndodhjen e yjeve.”
Dr. Sabri Demirdash:”Atëherë, mendoj se Zoti betohet në vendndodhjen e këtyre yjeve, për dy shkaqe: Shkaku i parë është për vetë madhësinë dhe madhështinë e këtyre yjeve. P.sh, ylli Sirius është një nga yjet që arabët adhuronin më parë dhe është larg nesh nëntë vite dritë. Kurse ylli Antares është 270 vite dritë larg nesh.”
Dr.Muhamed El-ivedij:”Po një vit dritë, sa është?”
Dr. Sabri Demirdash:”Ajo është një njësi matëse dhe një vit dritë, është afërsisht gjashtë trilionë milje. Janë gjëra që nuk i përcepton dot mendja njerëzore. Ka yje të tjerë që janë larg nesh njëzet milionë vite dritë. Shkaku i dytë është një pyetje të cilën unë ua drejtova studentëve dhe profesorëve të një universiteti dhe që shkaktoi jo pak polemika. Unë i pyeta:”A e keni parë diellin?” dhe këtë pyetje unë ia drejtoj kujtdo që na dëgjon:”A e keni parë diellin?” Normalisht, gjithësecili me vete do të përgjigjet “sigurisht që e kam parë” Por unë dua t’ju them se asnjëri prej nesh nuk e ka parë diellin. Ajo që shohim ne, nuk është dielli, por është një vendndodhje ku ka kaluar më parë dielli. Që drita e diellit të arrijë tek ne duhen afërsisht tetë minuta, kështu kur ne shohim diellin, shohim vendndodhjen e diellit para tetë minutash dhe jo vetë diellin. Thotë Zoti në Kuran:”Dielli sillet në drejtimin e vet të caktuar. (Jasin: 38) Dielli është gjithmonë në lëvizje. Në çastin që unë shoh diellin, në fakt ai është mbi 13.000 km larg asaj që shoh unë. Dhe kjo padyshim është mëshirë nga ana e Zotit për njeriun, pasi nëse do mundeshim të shohim një yll, padyshim që do na verboheshin sytë. Kjo për shkak të rrezeve ultra-vjollcë dhe rezeve të tjera të dëmshme për shikimin. Kështu, nëse dikush del natën, larg dritave artificiale dhe në qetësi vështron yjet, në fakt ai nuk shikon yjet, por vendndodhjen e tyre. Drita që lëshojnë këto yje, mund të ketë miliona vite që udhëton për të arritur tek shikimi ynë në ato çaste. Vetëm Zoti e din se çfarë ka ndodhur me ato yje që ne shohim, disa prej tyre mund të kenë shpërthyer, disa të tjerë mund të jenë miliona vite dritë larg. Prandaj e theksojmë dhe një herë, askush prej nesh nuk mund të shohë të tashmen e yjeve dhe të qiellit, por vetëm të kaluarën e tyre.”
Dr.Muhamed El-ivedij:”Doktor i nderuar! Të bisedosh me njerëz si ju ëshët shumë e këndshme. Këto emisione që organizuam, ishin një përmbledhje dhe një përqasje e shkurtër mes asaj që ka thënë Kurani famëlartë dhe zbulimeve shkencore në ditët tona. Në emsionin e ardhshëm, unë dhe Doktor Demirdash, do të dalim në terren për të mësuar shumë gjëra rreth një krijese tjetër të Zotit.
U falenderojmë për vëmendjen dhe e mbyllim emisionin me përshëndetjen:
Esselamu alejkum.