Mëshira, cilësi hyjnore e Allahut (xh. sh.) dhe virtyt njerëzor i besimtarit

0
267
Muslims attend an evening communal prayer session called "Tarawih" to mark the holy fasting month of Ramadan at the Bajrakli mosque in Belgrade July 9, 2013. (Marko Djurica/Reuters)

Msc. Nasuf Strikçani

Falënderimi i takon Allahut (xh. sh.), Mëshira e të Cilit nuk ka kufi dhe përfshin të gjithë krijesat. Dëshmoj që nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Krijues i Plotfuqishëm, Bujar i Pashembullt, që i derdh mirësitë e tij mbi të gjitha krijesat. Dëshmoj që Muhamedi (a. s.) është rob dhe i dërguar i Zotit. Salavatet, përshëndetjet tona dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, të cilin Allahu e gradoi si mëshirë për të gjitha botët, mbi familjen e tij fisnike, shokët e tij besnikë dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Sa i përket mëshirës si koncept, shikuar nga muaji i Ramazanit, vlen të veçohet thënia e Pejgamberit (a. s.) e përcjellë prej Selman Farisiut (r. a.) ku thuhet: “Ramazani është muaj i atillë, fillimi i të cilit është zbritja e mëshirës, pjesa e mesme është falja prej Zotit dhe fundi i tij është shpëtimi nga zjarri.” (Mishkat, Libri i agjërimit) Mëshira është një cilësi që tregon se ai që është i pajisur me të ka shpirt të lartë e zemër të kulluar. Cilësia e mëshirës ka arritur kulmin në personalitetin e Muhamedit (a. s.), ku vetë Allahu në Kuran thotë : “Me mëshirën e Zotit (o Muhamed) ti u solle mirë me ata. Po të ishe i ashpër e zemërgur, ata do të largoheshin nga rrethi yt.” (Kaptina 3:159) Gjithashtu, në një ajet tjetër kuranor thotë: “Nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse mëshirë për tërë gjithësinë.” (Kaptina 21:107)

Mëshira është edhe një prej emrave të Zotit (Rahman) dhe besimtari fillon këndimin e çdo kaptine të Kuranit me Bismilahir-Rahmanir-Rahim (Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit). Gjithashtu, këtë frazë duhet ta përmendim në çdo punë të dobishme, porosi kjo e Pejgamberit të mëshirës.

Mëshira i shoqëron krijesat e Zotit që nga krijimi i gjithësisë deri në fundin e saj. Në një hadith kudsij, të transmetuar nga Ebu Hurejra (r. a.), përcillet se i dërguari i Allahut (a. s.) ka thënë: “Allahu kur e përfundoi krijimin, shkroi (rregullin) për Veten e Tij, duke e shkruar në librin e shtruar para Vetes: “Mëshira Ime tejkalon hidhërimin tim!” ( Buhariu dhe Muslimi) Fjala e parë që Ademi (a. s.) dëgjoi nga Zoti i tij ishte mëshira. Zoti e filloi krijimin e gjithësisë me krijimin e mëshirës; fjalët e para që ia tha njeriut ishin “mëshirë”; librin që e shpalli për njerëzit, e filloi me mëshirë dhe çdo kaptinë të Kuranit e fillon me mëshirë. Thotë i Dërguari (a. s.): “Asnjë prej jush nuk do të hyjë në parajsë me punën e tij.” Shokët e tij e pyetën “As ti, o i Dërguar i Zotit?” Ai tha: ”As unë. Në parajsë do të hyj vetëm nëse më përfshin Zoti me mëshirën e Tij.”

Islami na urdhëron që të kemi mëshirë dhe e ka bërë një prej cilësive të besimtarit të vërtetë. Myslimani duhet të ketë mëshirë për çdo krijesë. E tillë ishte edhe mëshira e të dërguarit të Allahut, pra gjithëpërfshirëse. Ai një ditë u tha shokëve të tij: “Betohem në Allahun, në duart e të cilit është shpirti im, se nuk do të hyni në Xhenet, derisa nuk duheni ndërmjet vete.” Shokët e tij të ndershëm thanë: “Të gjithë jemi të mëshirshëm, o i dërguar i Allahut”. I dërguari i Allahut (a. s.) tha: “ Mëshira për të cilën e kam fjalën unë, nuk është mëshira që kuptoni ju, mëshirë vetëm ndërmjet jush. Por, është mëshirë që i përfshin të gjitha krijesat, po, …. mëshirë që i përfshin të gjitha krijesat!” (Hakimi)

Mëshira e Muhamedit (a. s.) ishte aq madhështore, saqë kur iu dha mundësia që të lutej për të shkatërruar një vendbanim nga melaqja Xhibril, ai iu lut Allahut që atë popull ta mëshirojë dhe jo ta ndëshkojë. Për këtë i referohemi ngjarjes në vijim:

Kur shkoi në Taif për të përcjellë fenë islame, paganët injorantë dhe populli egoist i Taifit jo vetëm që nuk pranuan mesazhin e tij, por e gjuajtën me gurë, saqë e përgjakën. Melaqja e shpalljes, Xhibrili (a. s.), erdhi dhe i tha të dërguarit të Allahut (a. s.): “A do ta shkatërroj këtë popull duke i përplasur me njëri-tjetrin këto dy male?” I dërguari i Allahut (a. s.) nuk u pajtua me këtë ofertë të Xhibrilit (a. s.) dhe iu përgjigj: “ Jo, i lutem Zotit të Vërtetë që t’i bëjë pasardhësit e tyre një soj i cili do të adhurojë Allahun dhe nuk do t’i bëjë shokë Atij në besim…” (Buhariu dhe Muslimi)

Feja islame na porosit që fillimisht të jemi të mëshirshëm me të afërmit tanë, me të cilët kemi lidhje gjaku. Prandaj, detyrë e myslimanit është të sillet mirë me të afërmit dhe t’i ndihmojë ata, sidomos me prindërit, ku Allahu thotë në Kuran: ”Uli para tyre (prindërve) krahët e përuljes dhe të mëshirës dhe thuaj: ‘O Zot, mëshiroji ata sikur janë kujdesur për mua kur kam qenë i vogël.’” (Kaptina 17:24) Mëshira e besimtarit nuk duhet që të kufizohet vetëm se me të afërmit. Nga një thënie të Pejgamberit (a. s.) porositemi: “Ata që mëshirojnë, do t’i mëshirojë Allahu i Lartë, i cili është i Mëshirshëm (Rahman)…” (Tirmidhiu) Pra, porositemi që të kemi mëshirë ndaj jetimëve dhe të varfërve. Këtë më së miri e shohim kur Zoti i drejtohet Muhamedit (a. s.) dhe i thotë: “E sa për jetimin, mos e nënçmo dhe lypësin mos e qorto.” (Kaptina 93: 9-10) Transmetohet nga Ebu Hurejra (r. a.) se një njeri erdhi te Muhamedi (a. s.) dhe u ankua se ishte i ashpër dhe zemërfortë, me ç’rast Muhamedi (a. s.) i tha: ”A do që të të zbutet zemra jote dhe të të plotësohet dëshira… Mëshiroje jetimin, ledhatoja kryet atij, ushqeje me çka han ti; kështu të zbutet zemra dhe ia arrin qëllimit.”

Gjithashtu, jemi të porositur që të sillemi mirë dhe t’i mëshirojmë të sëmurët dhe ata që kanë të meta fizike dhe nuk mund të jetojnë një jetë të rregullt, kështu që atyre duhet t’ua falim gabimet dhe t’i mëshirojmë. Për më tepër, neve jemi urdhëruar që të sillemi mirë dhe të kemi mëshirë edhe për kafshët. Muhamedi (a. s.) na porosit që të mos i ngarkojmë rëndë dhe t’i ushqejmë mirë dhe të kujdesemi për to, kurse i qorton rreptë ata që i keqpërdorin kafshët. Porositë profetike na tregojnë që për mëshirën që derdhim ndaj të tjerëve, nga Mëshira e Zotit na shlyhen shumë prej mëkateve tona, edhe sikurse të mëshirojmë qoftë edhe një kafshë.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto ajete dhe hadithe të përmendura më lart, vlen të thuhet që mëshira më e madhe që ia ka dhënë Allahu (xh. sh.) njeriut më së pari është besimi në Njëshmërinë e Zotit. Mëshirë nga ana e të Madhit Zot është edhe dërgimi i Pejgamberit (a. s.) që nëpërmjet qenies së tij të ndershme të zbret Kuranin, mëshirë për besimtarët deri në përfundimin e gjithçkasë në këtë botë. Manifestim i mëshirës është edhe dashuria prindërore, planifikimi familjar, martesa etj.

Si fund, mund që të themi se në mungesë të mëshirës në përgjithësi dhe mes krijesave, vjen në pikëpyetje qetësia shpirtërore, materiale, jetësore, si dhe paraqitja e shumë dukurive negative si: krimi, urrejtja, zilia, vrasja, varfëria, pabarazia, egoizmi, ashpërsia – të gjitha këto në dëm të njerëzimit.

Krejt në fund, lusim Allahun (xh. sh.) përmes gjithë emrave të Tij të bukur, e veçanërisht përmes emrit Er-Rahman (Mëshirues), që të lëshojë mbi ne Mëshirën e tij të pafundme, si në këtë botë kalimtare, po ashtu edhe në botën e përtejme të ahiretit. AMIN!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here