“Më vjen keq… Ju kanë mbetur vetëm edhe pak vite për të jetuar!”

0
542

Fjalët e mjekut peshojnë rëndë dhe godasin pacientin me tërë fuqinë. Ato qëndrojnë sikurse plumbi në hapësirë, përderisa domethënia e atyre fjalëve sa e thjeshtë po aq edhe tmerruese dalëngadalë shpon vetëdijen e pacientit,

i cili ende shpreson të mos i ketë dëgjuar mirë fjalët e mjekut. Por, heshtja e tij serioze dëshmon se ato me të vërtetë janë thënë. Vërtet…

Çka nëse jemi ne ata të cilëve u drejtohen këto fjalë? “Vetëm edhe pak vite…”

Pas kuptimit të rëndësisë së këtyre fjalëve, shumë njerëz do të fillonin të mendonin se si do të mund ta shfrytëzonin në mënyrë sa më kuptimplote kohën e mbetur të jetës së tyre. Por, çdo të thotë “kuptimplote” në jetën e ndonjërit nëse kjo jetë është e kufizuar?

A është thjesht “më shumë” dhe “më mirë” për të cilën mundohen shumica?! Çfarë shprese ngjall kjo?! Shpresë, për çka?! Që eventualisht të shijojnë sa më shumë kënaqësi nga përpjekja e tyre? Mandej?

Krijuesi i çdo gjëje dhe Dhënësi i të gjitha jetëve, Allahu ka përcaktuar shumë qartë në të gjitha shpalljet që ua ka dhënë të Dërguarve dhe Pejgamberëve që nga Nuhi e deri te Muhammedi (paqja qoftë mbi të gjithë ata) qëllimin e jetës njerëzore; Ta adhurojmë vetëm Allahun, duke mos i shoqëruar asgjë në adhurimin ndaj Tij dhe në të drejtën për të qenë Lavdiplotë.

Allahu i Lartësuar thotë: “Unë nuk i krijova xhinnët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Edh-Dharijat: 56)

Dhe thotë: “Adhurojeni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asnjë send.” (En-Nisa: 36)

Allahu, po ashtu, na sqaron se jeta e çdonjërit në këtë botë paraqet një provim. Iu nënshtrua njeriu vullnetit të Krijuesit të tij, duke pasuar të Dërguarin e kohës së tij dhe atë me të cilën ka ardhur ai, apo injoroi paralajmërimet e Tij dhe përgënjeshtroi të Dërguarin, shpalljen e Tij dhe argumentet për vërtetësinë e saj.

Për kalimin e këtij “provimi” Allahu ka vendosur për secilin një kohë të caktuar, e cila përfundon me vdekjen e që ne e quajmë “jetë”.

Njeriut i është caktuar vetëm një vdekje. Kjo vdekje është kalimi prej jetës së përkohshme dhe provimit në “këtë botë” në përjetshmërinë, llogarinë dhe shpërblimin ose ndëshkimin e “botës tjetër”.

Çdo gjë që e kemi arritur dhe tubuar në këtë botë me vdekjen do të bëhet e pavlerë, përveç asaj që na ruan prej dënimit të përhershëm.

Nga dënimi i përhershëm në botën tjetër na mbron vetëm besimi i sinqertë në njëshmërinë e Allahut në sundimin e Tij, në emrat dhe cilësitë e Tij, në të drejtën për t’u adhuruar dhe për të qenë Lavdiplotë dhe njëkohësisht pasimi pa kushte i të Dërguarit të Tij (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të). Kështu që, çdo vepër e zemrës, gjuhës dhe gjymtyrëve e cila ndërtohet mbi këto dy shtylla e që bëhet vetëm e vetëm për ta fituar kënaqësinë e Allahut na largon nga dënimi i dhembshëm i Tij.
Këto janë veprat me të cilat i nënshtrohemi vullnetit të Allahut në këtë botë dhe me të cilat e adhurojmë vetëm Atë.

Në momentin e vdekjes së tij, njeriu për herë të parë do t’i shohë ca gjëra, për të cilat kanë lajmëruar të Dërguarit e Allahut në këtë botë, mirëpo që janë të fshehura nga syri i njeriut. Por, atëherë nuk do të ketë më kthim..

Allahu i Lartësuar thotë: Thuaj: “Engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, jua merr shpirtrat, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj.”

“E, sikur ti shihje mëkatarët se si ulin kokat e veta pranë Zotit të tyre: “Zoti ynë, tash pamë dhe dëgjuam, na kthe pra edhe një herë e të bëjmë vepra të mira, se tash jemi bindur.“ (Es-Sexhde: 11,12)

I dashur lexues, se a do të jenë tash dy, dhjetë, 30 apo 60 vjet… Me keqardhje më duhet t’ju them se ju kanë mbetur vetëm edhe pak vite për të jetuar. Gjithashtu, një arritje të befasishme dhe të parakohshme të vdekjes assesi nuk duhet përjashtuar. Shfrytëzojeni atë që ka mbetur nga koha juaj e shkurtër në mënyrë kuptimplote. Përjetshmëria qëndron para jush!

“Secili njeri do ta shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen Ditën e Kijametit, e kush i shmanget zjarrit dhe futet në xhennet ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues.“ (Ali Imran: 185)

Sikurse çdo gjallesë tjetër edhe ne e kemi “sëmundjen vdekja”. Mirëpo, çfarë duhet të bëj që pas vdekjes sime t’i shpëtoj ndëshkimit të Allahut dhe ta kaloj një jetë përherë në lumturi?!

Në mënyrë që Allahu të na fal për mosbindjen ndaj Tij, qofshin ato mëkate apo mosbesim dhe përgënjeshtrim, dhe që pas vdekjes sonë të mos na marrë në përgjegjësi duhet t’i plotësojmë pesë kushtet paraprake të pendimit, të cilat po i cekim në vijim:

1. Pastrimi i qëllimit (Ikhlasi)

Kjo do të thotë të pendohemi duke kërkuar vetëm kënaqësinë e Allahut dhe të heqim dorë nga padëgjueshmëria ndaj Tij dhe jo për shkak të detyrimit apo duke shpresuar ndonjë përfitim të kësaj bote.

2. Pendimi i sinqertë

Kjo do të thotë të pendohemi sinqerisht për mosbindjen ndaj Allahut (qoftë ajo në formë të mëkatit apo të mosbesimit dhe përgënjeshtrimit) dhe ta shohim atë si mëkat të qartë.

3. Heqja dorë nga kjo mosbindje ndaj Allahut

Kjo do të thotë të fillojmë ta zbatojmë një obligim të papërmbushur ndaj Allahut (siç është falja e namazit, përqafimi i besimit, pasimi i Pejgamberit, etj.) dhe heqja dorë nga ndonjë mëkat eventual dhe mospërsëritja e tij.

Po qe se kemi shkelur një të drejtë të ndonjë personi, të cilën e ka vendosur Allahu (si p.sh. nëpërmjet mashtrimit, vjedhjes, përgojimit, etj.), atëherë përveç heqjes dorë nga ai mëkat duhet që mundësisht ta përmirësojmë dëmin dhe t’ia kthejmë të drejtën e plotë personit përkatës apo t’ia kërkojmë hallallin.

4. Qëllimi i sinqertë për të mos e përsëritur më kurrë këtë gabim (me vepër, fjalë apo besim).

5. Shfrytëzimi i kohës, në të cilën Allahu pranon pendimin

Kjo do të thotë të pendohemi para dy kohëve, pas së cilave Allahu nuk e pranon më pendimin dhe të kthehemi në rrugën e Allahut.

Kohët, pas arritjes së të cilave Allahu nuk pranon pendimin janë:

– Kur të paralajmërohet Dita e Gjykimit nëpërmjet lindjes së diellit nga perëndimi. Lidhur me këtë Allahu i Lartësuar thotë:

”A mos janë duke pritur tjetër ata (pas këtyre fakteve) vetëm t’ju vijnë engjëjt (t’ua marrin shpirtin), të vijë Zoti yt (urdhri për shkatërrim) ose të vijnë disa nga shenjat e Zotit tënd, (në) ditën kur vijnë disa shenja të Zotit tënd, asnjë njeriu nuk i vlen besimi i Tij nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë në besimin e tij kurrfarë të mire.” (El-En’am: 158)

– Kur të vijë vdekja. Për këtë Allahu i Lartësuar thotë:

“Nuk është pendim (i pranueshëm) i atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqija dhe vetëm atëherë kur t’iu vjen vdekja ndonjërit prej tyre, të thotë: “Unë tash u pendova!”, e as i atyre që vdesin duke qenë jobesimtarë. Ndaj tyre kemi përgatitur dënim të ashpër.” (En-Nisa’: 18)

Meqë askush nuk e di çastin e vdekjes së tij, çdo minutë e jetës së kësaj bote ka vlerë të paçmueshme. Me çdo minutë të kësaj jete mund të ndikojmë në atë se si do të jetë përjetshmëria për ne. Në qoftë se kjo minutë kalohet në kënaqësi të Allahut dhe në bindje ndaj Tij dhe të dërguarit të Tij na afron drejt një përjetshmërie në kënaqësi të pandërprerë. Por, nëse kjo minutë kalohet në hidhërim të Allahut, duke mos iu bindur Atij dhe të Dërguarit të Tij, atëherë kjo do të na afrojë dhe do të na fusë në përjetshmërinë e dhimbjeve, mallkimit dhe ndëshkimit.

Pra, ta shfrytëzojmë këtë kohë të shkurtër që na ka mbetur në mënyrë kuptimplote për ta fituar kënaqësinë e Allahut dhe duke pasuar atë që i është shpallur Pejgamberit tonë, Muhammedit (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të).

Allahu i Madhëruar na udhëzoftë në besimin, fjalët dhe veprat tona.

Lavdfalënderimi i takon vetëm Allahut dhe paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi robin dhe të Dërguarin e Tij, Muhammedin dhe mbi familjen dhe shokët e tij.

Shkroi: Muhammed S. Almani

Nga gjermanishtja: Jusuf Kastrati