Në varr as me çorapë

0
521

Në kohën tonë jetonte një njeri i pasur, i cili ishte pronar i disa dyqaneve dhe butikëve. Ai kishte një djalë jo edhe shumë të sjellshëm, harxhonte shumë pasuri në gjëra të kota, pasuri të cilën babai i tij e fitonte me mund. Pasi që babai ishte i devotshëm dhe i ndershëm e këshillonte djalin e tij dhe e luste atë që të paktën të mos blinte alkool.

Shqetësohej gjithherë e më shumë kur e shihte të birin se sa i dhënë ishte pas kësaj bote. Nga këto shqetësime dhe brenga u sëmur, kështu që ia shkroi dy letra të birit dhe i tha atij që njërën nga to ta lexojë ditën e vdekjes së tij kurse tjetrën dy ditë pas varrimit.

Nuk kaloi shumë kohë dhe babai ndërroi jetë. Djaloshi ashtu i mërzitur filloi ta hapë dhe të lexojë letrën. Në letër shkruante: – Biri im i dashur, gjithmonë kam pasur dëshirë që të më varrosin me çorapë. Pasi që kohë të gjatë kam punuar me to dhe më së tepërmi nga ato kam fituar. Prandaj, të lutem që kur të më lëshojnë në varr të m’i mbathësh çorapet.

Djali këtë dëshirë të babait ia prezantoi imamit, por ai nuk e pranoi, pastaj vazhdoi te një imam tjetër dhe kështu e kaloi tërë qytetin duke kërkuar ndonjë imam që do t’ia plotësonte këtë amanet të babait, mirëpo të gjithë e refuzuan. Djali i pikëlluar nga kjo ngjarje, u ul në një vend dhe filloi të qante. Duke qenë në këtë gjendje ai vendosi ta hapte edhe letrën e dytë të babait. Kur e hapi atë e gjeti të shkruar në të: – Biri im i dashur, a e shef se në varr nuk më lejojnë të kem as çorapë në këmbë, a e shef se si është kjo botë kalimtare, sa do që të kesh pasuri, me vete nuk do të marrësh asgjë?!

Djaloshi u ndie i thyer nga këto fjalë, kishte një ndjenë të fajësisë dhe filloi ta brente ndërgjegjja. Pas kësaj, ai u pendua dhe filloi të shkonte hapave të babait të tij, duke u bërë kështu një musliman i vyer dhe i ndershëm, madje edhe fëmijët e tij i edukonte në këtë mënyrë.

Përktheu: Arsim SYLA