Lexo me emrin e Zotit tënd…

0
368

Allahu xh.sh., përmes Kur’anit dhe Profetit a.s., iu bën thirrje besimtarëve të kërkojnë diturinë, herë në formë këshille e nxitje dhe herë në formë urdhërore. Vetë fakti që fjala e parë e shpallur ishte “Lexo”, tregon për vlerën dhe nivelin, në të cilin Islami e ngre diturinë. Në Kur’an, fjala dituri përmendet në 660 vende, ndërsa në fjalët e Profetit ajo llogaritet me vlerën e adhurimeve të kryera ndaj Allahut të Madhërishëm. Me shpalljen e ajetit të parë:

“Lexo, me emrin e Zotit tënd…” (Alek 1) dhe në shumë ajete të tjera të ngjashme, Kur’ani fton për hulumtim të gjithësisë dhe të rolit të njeriut në gjithësi, në mënyrë që të zbulohet harmonia dhe ligjet e kësaj bote, duke i hapur kështu njeriut rrugën e mendjes dhe zemrës për kah Krijuesi. Ky është, sipas fesë islame, qëllimi i jetës në këtë botë kalimtare dhe parakusht i lumturisë për në botën e amshueshme.

“Ikra – Lexo”, është një urdhër hyjnor, shpallur njeriut si qenia më e nderuar; është përgjegjësi dhe një ftesë e hapur për njeriun, për t’u bërë partner i përsosmërisë së pafundme dhe sakrifikues për arritjen e saj. Kështu pra, duke lexuar, njeriu do të arrijë të kuptojë, ndonjëherë do të kuptojë gabim, por mbi të gjitha do të fitojë përvojë, do t’i përftojë vetes bindje dhe besueshmëri, saktësi e siguri.

Tjetër gjë është të shohësh, tjetër të vëresh, tjetër gjë është të kuptosh, tjetër ta përvetësosh me vetëdije dhe zemër atë që e kuptove dhe, pas gjithë kësaj, është krejt tjetër ta praktikosh, ta vësh në zbatim dhe t’ua përçosh atë të tjerëve.

Prandaj, të jesh mysliman, do të thotë të jesh, në një këndvështrim, më përgjegjës sesa të tjerët, por edhe po aq i kujdesshëm dhe shpirtgjerë, sepse krahas respektimit të parimeve shoqërore, kërkohen dashuria dhe mirëkuptimi, dhembshuria dhe butësia; krahas durimit dhe tolerancës, kërkohen dijenia, vullneti, urtësia, ekuilibri, aftësitë përmbledhëse e plotësuese.

Të nxitur nga Kur’ani dhe porositë profetike, shumë myslimanë iu përkushtuan arritjeve të diturisë. Ata nuk studiuan vetëm shkencat islame, por edhe shkencat natyrore, humane e shoqërore. Në fund rezultatet nuk munguan, pasi arritjet e tyre kontribuuan në zhvillimin e shkencës moderne. Sot janë të njohur me qindra myslimanë që ndihmuan zhvillimin e shkencës. Falë kontributit të tyre janë ndërtuar edhe themelet e disa shkencave, siç është ajo e algjebrës. Fatkeqësisht, këtë stafetë, myslimanët e lanë në harresë dhe, po t’i referohemi shekullit të kaluar, shumica e arritjeve shkencore, teknike e teknologjike, nuk i përkasin botës islame.

Qëndrimi larg shkencave pozitive, me frikën se çojnë drejt ateizmit, është një kujdes i tepruar. Po ashtu, edhe trajtimi i tyre si pretekst që shpie në mohim, duke i konsideruar ato, në tërësi, si kontradiktore të fesë dhe besimit, është paragjykim dhe konservatorizëm.

Shkencat janë të dobishme për aq sa kontribuojnë në lumturinë tonë dhe sjellin zhvillim për njerëzimin. Njeriu nëpërmjet arsimit dhe shkencës kupton esencën e ekzistencës së tij, pasi zbulon vetveten, kupton gjithësinë dhe njeh Krijuesin e tij. Kjo qe arsyeja pse Profetit Muhamed a.s. ajetet e para i zbritën për studim e hulumtim, e jo për adhurim.

Dituria duhet patjetër t’i shërbejë njeriut. Po qe se nuk është në shërbim të tij, atëherë ajo është e padobishme dhe madje e rrezikshme. Asnjë fenomen, që ndodh në rruzullin tokësor, duke përfshirë natyrën, qiejt e tokën, nuk mund të kuptohet pa dije. Nëse dija nuk do të shfrytëzohej si duhet, atëherë nuk do të ishim në gjendje që të përfitonim prej favoreve të panumërta që Allahu i Madhërishëm na ka dhuruar e na dhuron pa ndërprerje.

Meqenëse jetëgjatësia e njeriut është e paracaktuar dhe mundësitë të kufizuara, është e pamundur që të mësohen të gjitha dituritë e shkencat, si dhe të përfitohet prej tyre. Nisur nga kjo, çdo individ duhet të mësojë dhe t’i vërë në punë dijet e përftuara, duke i vënë në shërbim të vetes, shoqërisë dhe kombit, pa qenë e nevojshme ta çojë dëm jetën me gjëra që nuk i vlejnë.

Qëllimi i të mësuarit, është që t’i bëhet njeriut prijës dhe udhërrëfyes, që t’i ndriçojë udhët që çojnë drejt përsosjes njerëzore. Për rrjedhojë, dituritë dhe shkencat që kanë anashkaluar aspektin shpirtëror, pse jo edhe duke e shmangur plotësisht atë, janë vetëm barrë mbi shpinë për njeriun.

Ja se si shprehet për këtë poeti i njohur turk Junus Emre:

Dituri do të thotë të dish,

Do të thotë veten të kuptosh;

E nëse ti veten s’e kupton,

Ç’të vlen kaq shumë të lexosh?

Dorian Demetja

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here