A lejohet të këndojmë me def?

0
259

Pyetje: selam alejkum. Kam një pyetje për hoxhen, jam një motër muslimane dhe më intereson a lejohet me i mëshua defit? Sepse unë e kam degjuar një hoxhë që ka thënë se bën.

Përgjigje: Lavd-falenderimi i takon vetem Allahut…

Ue alejkum selam ue rahmetullah

Argëtimi në Islam nuk është i ndaluar, por kjo nuk d.m.th. që gjatë argëtimit nuk ka rregulla dhe parime. Defi është instrument muzikor dhe i tillë duhet trajtuar. Lidhur me instrumentet muzikore Buhariu shënon në Sahihun e tij se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Në Umetin tim do të ketë njerëz që do ta bëjnë hallall kurvërinë, mëndafshin, alkoolin dhe instrumentet muzikore”. Sipas këtij hadithi të gjitha instrumentet muzikore janë të ndaluara dhe nuk lejohet të përdoren, mirëpo lidhur me defin, përcillen edhe hadithe të tjera që argumentojnë se lejohet përdorimi i defit në disa raste, të cilat janë: festa e bajramit, dasma e martesës dhe ardhja e njeriut nga diku larg. Meqenëse disa dijetarë janë zgjeruar në këtë pikë dhe e kanë lejuar edhe me rastin e lindjes së fëmijës apo synetimit, e disa të tjerë e kanë lejuar me rastin e çdo gëzimi, prapë themi që më e sigurta është se defi lejohet në tri rastet e përmendura.

Argumentet lidhur me ato tri raste janë:

– Nëna Ajshe, Allahu qoftë e kënaqur prej saj, përcjellë se Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kishte ardhur tek ajo në ditët e Bajramit ku kishin qenë dy vajza që i binin defit dhe këndonin. Pejgamberi, alejhi salatu ue selem, gjendej aty dhe ishte i mbuluar. Ebu Bekri i qortoi vajzat dhe atëherë Pejgamberi e zbuloi fytyrën dhe tha: Lëri o Ebu Bekër, sepse këto janë ditë feste, janë ditët e Minasë. (Buhariu nr. 944 Muslimi nr. 892). Ditët e Minasë d.m.th. ditët e Bajramit sepse gjatë Haxhit, në ditët e Bajramit haxhiu duhet të qëndrojë në Mina.

– Rubejië bint Muavidh, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjellë: Në ditën e dhëndrisë kur erdhi Pejgamberi tek unë dhe u ulë në shtratin tim disa vajza të vogla filluan t’i binin defit dhe të këndonin për burrat e familjes time që u vranë në ditën e Bedrit, dhe duke kënduar njëra recitoi: Ne kemi pejgamber që e di të nesërmen – Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, reagoi dhe i tha: “Lëre këtë por vazhdo atë që ishe duke e kënduar”. (Buhariu nr. 4852).

– Burejde përcjellë: Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, doli në njërën nga beteja e kur u kthye erdhi një vajzë zezake dhe tha: O Resulullah! Unë jam zotuar që nëse Allahu të kthen shëndoshë e mirë, t’i mëshoj defit para teje dhe të këndoj.

“Nëse je zotuar mëshoji, e nëse jo atëherë lëre” – i tha Pejgamberi, alejhi salatu ue selam.

Ajo filloi të këndojë. Hyri Ebu Bekri, por ajo vazhdoi. Pas tij erdhi Aliu ndërsa ajo vazhdonte. Pastaj erdhi Osmani dhe ajo vazhdonte t’i mëshojë defit. Mirëpo, kur mbërrit Omeri, ajo me të shpejtë e hodhi defin dhe u ulë mbi def. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “O Omer, shejtani ka frikë nga ti, unë isha duke ndenjur dhe ajo i mëshonte defit, pastaj erdhi Ebu Bekri por ajo vazhdonte, pastaj Aliu por ajo vazhdonte, pastaj Osmani por ajo vazhdonte, e kur erdhe ti ajo e hodhi defin”. (Sahihu Tirmidhi nr. 2913).

Nëse vërejmë këto hadithe dhe të tjera me kujdes mund të konkludojmë po ashtu:

1. mëshuarja e defit lejohet vetëm nga ana e grave, ndërsa burrat e kanë të ndaluar të ngjasohen me gratë.

2. nëse ka burra që dëgjojnë këndimin e tyre, atëherë ato vajza duhet të jenë të vogla dhe jo të rritura.

3. defi nuk duhet të ketë xhinglat e hekurtë apo të bakërt që i vendosen zakonisht përreth defit.

4. tekstet e këngëve që përcillen me def duhet të kenë kuptime të mira dhe të lejuara dhe jo të thërrasin në haram, të lëvdojnë haramin, sikurse rakinë, diskotekën etj.

Allahu na bëftë të kënaqur me hallall dhe të panevojë për haram. Amin

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here