Prinderit e mi janë ndarë dhe unë rri me babin, a është gjynah nëse nuk shkoj kurrë me ndejt te mami?

0
524

Pyetje: I nderuari hoxhë! Prinderit e mi janë ndarë dhe unë rri me babin, a është gjynah nëse nuk shkoj kurrë me ndejt te mami?

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon Allahut…

Më vjen keq për atë ndarje… Allahu ju ndihmoftë!

Kurse ti, e ke detyre te domosdoshme të rrish sa më shume te nëna jote, çdoherë që ke mundësinë, duhet ta shfrytëzosh të kalosh sa më shumë kohë me ate, sepse kur njëri e pyeti Pejgamberin, alejhi salatu ue selam: “Kush meriton më së shumti t’i bëj shoqëri të mirë?” Nëna jote – u përgjigj ai. Po pas saj? pyeti përsëri. Nëna jote – iu përgjigj. Po pas saj – pyeti për së treti. Nëna jote – iu përgjigj përsëri. Po pas saj – e pyeti për së katërti. Babai yt – i tha Pejgamberi, alejhi salatu ue selam.

Ti ose dikush tjetër mund të thotë se shkak për ndarje ishte nëna, prandaj nuk dua ta vizitoj dhe të qëndroj me të, por kjo arsye është e pavlefshme, sepse Pejgamberi, alejhi salatu ue selam ka urdhëruar të mbahen lidhjet me nënën, edhe nëse ajo është jobesimtare. Kur Esma, bija e Ebu Bekrit ishte në Medinë dhe nëna e saj (jobesimtare) erdhi për ta vizituar, kjo nuk deshi t’ia hapë derën, ashtu që shkoi e pyeti Pejgamberin: Nëna ime më do dhe ka ardhur për të më vizituar, çfarë të bëj? “Mbaji lidhjet me nënën tënde” – e urdhëroi Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem.

Kështu që nëse ke mundësi të shkosh te nëna, të kujdesesh për të, t’i shërbesh asaj, ta gëzosh atë, të bisedosh me të, ta përkrahësh atë dhe asnjërën nga këto nuk e bën atëherë ke bërë gjynah. Allahu të faltë dhe ta mundësoftë t’i bësh mirë nënës tënde.