A lejohet përdorimi i nuskave dhe hajmalive?

0
267

► Na përcillet nga Ibn Mesudi r.a. se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s. të thotë: “Me të vërtetë yshtjet, hajmalitë dhe nuskat janë shirk.” Hadithin e përcjell Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Ky hadith ka një histori me tekst të Ebu Daudit: Na përcillet nga Zejnebi gruaja e Abdullah bin Mesudit, se ka thënë: “Abdullahi pa në qafën time një fije peri dhe më tha: “Çfarë është kjo?!” I thashë: “Kjo është një fije peri në të cilën më është kënduar rukje.” Ajo vazhdon: “Ai e mori, e këputi dhe pastaj tha: “Ju, familja e Abdullahit nuk ia keni nevojën shirkut[2]. Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s. të thotë: “Me të vërtetë yshtjet, hajmalitë dhe nuskat janë shirk.” I thashë: “Syri im lotonte dhe shkoja e vija tek filan çifut dhe kur më lexonte rukje, unë qetësohesha.” Abdullahu tha: “Kjo është punë e shejtanit. Ai e ngacmonte (syrin tënd) me dorën e vet dhe kur ai i lexonte rukje, ai (shejtani) ndalej. Por do të të mjaftonte të thuaje ashtu siç thoshte i Dërguari i Allahut a.s.: “Hiqe mundimin, o Zoti i njerëvze. Ti je Shëruesi, nuk ka shërim tjetër përveç shërimit tënd që nuk lë të sëmurë (pa shëruar).” Këtë hadith e përcjell Ibn Maxheh, Ibn Hibani dhe Hakemi që thotë: Është i saktë. Këtë e ka mbështetur edhe Dhehebiu.

Rreth thënies së Profetit a.s. “me të vërtetë yshtjet” autori thotë: “Ato quhen rukje, por argumenti ka përjashtuar ato rukje që nuk përmbajnë shirk. I Dërguari i Allahut a.s ka dhënë leje për rukjen e syrit dhe të helmit” duke treguar se rukjet që cilësohen si shirk janë ato rukje me të cilat kërkohet ndihmë nga dikush tjetër përveç Allahut, por nëse në të nuk përmenden vetëm se emrat e Allahut, cilësitë dhe ajetet e Tij, si dhe transmetimet e përcjella nga Profeti a.s. ajo lejohet ose është e pëlqyeshme.

Thënia e autorit “i Dërguari i Allahut a.s ka dhënë leje për rukjen e syrit dhe të helmit”, kjo është përmendur më lart në kapitullin e atij që realizon teuhidin. Gjithashtu i Dërguari i Allahut a.s. ka dhënë leje edhe për sëmundje të tjera, siç shënohet në Sahihun e Muslimit nga Auf bin Maliku që thotë: “Lexonim rukje në kohën e injorancës dhe thamë: “O i Dërguari i Allahut! Si e sheh këtë?” Tha: “M’i tregoni rukjet tuaja. Nuk ka asgjë te keqe për rukjen nëse nuk është shirk.” Në këtë kapitull ka dhe shumë hadithe të tjera.

Hatabi thotë: “I Dërguari i Allahut a.s. bënte dhe i bëhej rukje, ka urdhëruar që të bëhet dhe e ka lejuar atë. Nëse bëhet me Kuran dhe me emrat e Allahut, ajo lejohet dhe urdhërohet që të bëhet, por mospëlqimi ndaj saj dhe ndalimi janë përcjellë për ato rukje që bëhen në gjuhën e joarabëve, sepse ndoshta në të mund të ketë kufër ose fjalë që përmbajnë shirk.

Them se këto fjalë janë prej atyre fjalëve që i përdornin njerëzit në periudhën e injorancës, me pretendimin se i largonin të metat dhe se burimi i tyre është nga xhindet apo ndihmësit e tyre. Për diçka të tillë e ka fjalën Hatabi.

Shejhul Islam Ibn Tejmije thotë: “Çdo emër i panjohur, nuk i lejohet askujt që të bëjë rukje me të dhe jo më të lutet me të, edhe nëse ia di kuptimin, sepse nuk pëlqehet lutja në një gjuhë tjetër përveç arabishtes, por bëhet përjashtim për dikë që nuk e njeh arabishten mirë. Ndërsa vendosja e fjalëve joarabe si slogane, nuk është prej fesë Islame.”[3]

Sujuti thotë: “Dijetarët janë pajtuar për lejimin e bërjes së rukjes, nëse plotësohen tri kushte: të jetë me fjalën e Allahut, ose me emrat e Tij, ose me cilësitë e Tij, të jetë në gjuhën arabe dhe që i njihet kuptimi, si dhe të shoqërohet me besimin se rukja në vetvete nuk ndikon, por shërimi bëhet realitet me caktimin e Allahut të Lartësuar.”

► Hajmalitë janë sende që varen tek fëmijët kundër syrit, por nëse sendi i varur është prej Kuranit, disa nga të parët tanë e kanë toleruar, ndërsa disa të tjerë nuk e ka lejuar dhe e kanë konsideruar të ndaluar. Njëri prej tyre është Ibn Mesudi r.a.

Yshtjet janë rukjet prej të cilave argumenti ka përjashtuar ato që nuk përmbajnë shirk. I Dërguari i Allahut a.s. ka përjashtuar ato rukje që shërojnë nga syri dhe helmimi.

Nuskat janë sende që i punojnë me pretendimin, se e bëjnë gruan të dashur për burrin e saj dhe burrin të dashur për gruan e tij.

Na përcillet nga Abdullah bin Ukejmi (merfu): “Kush var diçka lihet në dorën e saj.” Hadithin e përcjell Ahmedi dhe Tirmidhiu.

Imam Ahmedi përcjell nga Ruejafa që thotë: I Dërguari i Allahut a.s. më tha: “O Ruejafa! Ndoshta jeta jote vazhdon gjatë, kështu që njoftoi njerëzit, se kush lidh mjekrën e tij, ose bën gjerdan fijet e harkut, ose pastron vendet e jashtëqitjes me bajgat e kafshës ose kockë, Muhamedi është i distancuar prej tij.”

Rreth thënies së Profetit a.s. “hajmalitë” autori thotë “Hajmalitë janë sende që varen tek fëmijët kundër syrit”. El-Halhaliu thotë: “Hajmalitë janë sende që varen në qafët e fëmijëve, qofshin këto rruaza apo kocka për t’i mbrojtuar ata nga syri. Ky veprim është i ndaluar, sepse të keqen mund ta mënjanojë vetëm Allahu dhe largimi i gjërave lënduese mund të kërkohet vetëm nga Allahu nëpërmjet emrave dhe cilësive të Tij.

Autori thotë: “…nëse sendi i varur është prej Kuranit, disa nga të parët tanë e kanë toleruar”.

Dihet se dijetarët prej sahabeve, tabiinëve dhe prej atyre që i ndoqën më pas, kanë patur mospajtime rreth varjes së hajmalive të cilat përbëhen nga Kurani, emrat e Allahut dhe cilësitë e Tij. Një pjesë e tyre janë të mendimit se kjo lejohet dhe ky është qëndrimi i Abdullah bin Amër bin Asit[4], e kjo është ajo që duket në transmetimin e Aishes r.a. Gjithashtu i këtij mendimi është Ebu Xhafer Bakir dhe Ahmedi në një transmetim prej tij. Ndërsa hadithin ata e kanë lidhur me hajmalitë që përmbajnë shirk.

Një pjesë tjetër janë të mendimit se kjo nuk lejohet. I këtij qëndrimi është Ibn Mesudi dhe Ibn Abasi dhe ky qëndrim vihet re në kuptimin fillestar të fjalës së Hudhejfes dhe Ukbetu bin Amirit. I këtij qëndrimi është edhe një pjesë e tabiinëve ku ndër ta janë ndjekësit e Ibn Mesudit dhe të Ahmedit në një transmetim tjetër prej tij. Kjo është përzgjedhja e shumë ndjekësve të medhhebit të tij, ndërsa dijetarët e mëvonshëm janë treguar të prerë në këtë qëndrim, duke u argumentuar me këtë hadith dhe me kuptimin e tij.[5]

Them se ky është qëndrimi i saktë, duke u nisur nga tri argumente që vihen re, nëse mediton thellë. Së pari, ndalesa është e përgjithshme (në hadith) dhe nuk ka asnjë argument që të bëjë përjashtime. Së dyti, mbyllja e shtigjeve të së keqes, sepse kjo i hap rrugë varjes së sendeve që nuk bëjnë pjesë në të këtë kategori. Së treti, nëse hajmalia varet në trupin e njeriut, ai domosdo mund ta marrë atë me vete në kohën që kryen nevojat personale, apo për të kryer pastrimin pas kryerjes së nevojës etj…[6]

Medito rreth këtyre haditheve dhe veprës së të parëve tanë r.a. dhe do të të bëhet e qartë sesa i panjohur është Islami, sidomos nëse njeh gabimin e madh në të cilin kanë rënë shumë njerëz pas kalimit të shekujve të mirë, siç është adhurimi i varreve, ndërtimi i xhamive mbi to dhe përgjërimi para tyre me zemër dhe fytyrë, dedikimi për to i pjesës më të madhe të lutjeve dhe adhurimeve, të cilat janë vetëm një e drejtë e Allahut dhe e askujt tjetër, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe mos iu lut dikujt tjetër përveç Allahut, dikujt që nuk të sjell dobi dhe as dëm. E nëse e bën këtë, dije se je prej të padrejtëve. Nëse Allahu të provon me ndonjë të keqe, atë s’mund ta largojë kush tjetër përveç Tij, po nëse dëshiron të të japë ndonjë të mirë, s’ka kush që mund ta pengojë mirësinë e Tij, me të cilën shpërblen atë që do nga robërit e Tij. Ai është Falës dhe Mëshirëplotë.”[7]Ajete të ngjashme në Kuran janë të shumta.

Rreth thënies së Profetit a.s. “nuska” autori thotë: “Nuskat janë sende që i punojnë me pretendimin se e bëjnë gruan të dashur për burrin e saj dhe burrin të dashur për gruan e tij.” Kështu e komenton edhe Ibn Mesudi r.a., përcjellësi i hadithit, siç shënohet në Sahihun e Ibn Hibanit dhe Hakemit: “Thanë: “O Ebu Abdurrahman! Yshtjet dhe hajamalitë i mësuam, por çfarë janë nuskat?! Tha: “Diçka që e punojnë gratë për të qenë të dashura për burrat e tyre.”

Hafidhi thotë: “Nuska është diçka nëpërmjet së cilës gruaja bëhej e dashur për burrin e saj. Ajo është një prej llojeve të magjisë.[8] Allahu e di më mirë.”

Ajo përbën shirk, përderisa nëpërmjet saj synohet largimi i së keqes dhe përfitimi i të mirave nga dikush tjetër përveç Allahut.

Thënia e autorit “përcillet nga Abdullah bin Ukejmi (merfu): “Kush var diçka lihet në dorën e saj.” Hadithin e përcjell Ahmedi dhe Tirmidhiu” e përcjell edhe Ebu Daudi dhe Hakemi.

Rreth Abdullah bin Ukejmit Buhariu thotë: “Ai e ka kapur kohën e Profetit a.s. dhe nuk njihet për dëgjim të saktë.” Ebu Hatimi thotë: Hatibi ka thënë: “Ai ka banuar në Kufe dhe ka ardhur në Medain gjatë jetës së Hudhejfes e ishte i besueshëm.” Ibn Sadi përcjell nga të tjerë se ai ka vdekur gjatë pushtetit të Haxhaxhit.

Thënia e Profetit a.s. “kush var diçka, lihet në dorën e saj”; varësia është me zemër, me vepra dhe me të dyja bashkë. “…lihet në dorën e saj” do të thotë që: Allahu a.xh. do ta lerë të mbeshtetet në sendin pas të cilit është lidhur. Ai që lidhet me Allahun, i lutet Atij për nevojat e tij, i përgjërohet Atij, i lë çështjet në dorë të Tij, Ai i mjafton dhe do t’i afrojë çdo gjë të largët dhe do t’i lehtësojë gjithçka të vështirë. Ndërsa ai që lidhet pas dikujt tjetër përveç Tij, apo ndihet i qetë në mendimin, mendjen, ilaçin dhe hajmalitë e tij, Allahu do ta lërë në dorë të tyre dhe do ta poshtërojë. Kjo është më se e njohur. Allahu xh.sh. thotë: “E kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij.”[9]

Imam Ahmedi thotë: “Na ka treguar Hishami nga Ebu Seid Muedebi, e ky nga dikush që ka dëgjuar Ata El-Hurasanin të thotë: “Takova Vehb bin Munebehin kur po bënte tavaf rreth Qabes dhe i thashë: “Më trego një hadith që ta mësoj prej teje në këtë vend. Tregoje sa më shkurt.” Tha: “Po. Allahu a.xh. i zbriti shpallje Daudit a.s.: “O Daud! Pasha krenarinë dhe madhështinë Time! Nuk ka rob prej robërve të Mi që të kapet fort pas Meje dhe jo pas krijesave të Mia e që e njoh prej qëllimit (nijetit) të tij dhe pastaj do t’i ngrenë kurth atij shtatë qiejt me gjithçka kanë brenda tyre dhe shtatë tokat me gjithçka kanë brenda tyre e që Unë të mos i gjej atij një rrugëzgjidhje. Pasha krenarinë dhe madhështinë Time, nuk ka rob prej robërve të Mi, që të mbështetet tek një prej krijesave e që e njoh nga qëllimi i tij e që mos t’ia shkëpus të gjitha shkaqet (lidhjet) e tokës dhe të qiellit nga duart. Do ta shemb tokën poshtë këmbëve të tij dhe pastaj nuk do të kujdesem se në cilën prej luginave të saj shkatërrohet.”

[2] – Nga fillimi i hadithit e deri këtu pjesa nuk është në Sunenin e Ebu Daudit në kapitullin e varjes së hajmalive. Te Ibn Maxheh përcillet me tekstin: “Një grua e moshuar hynte tek ne, ngase vuante nga sëmundja e skuqjes. Ne kishin një shtrat me këmbë të gjata dhe kur Abdullahi futej aty, ai pastronte fytin dhe nxirrte zë. Një ditë ai hyri aty dhe kur ajo dëgjoi zërin e tij u mbulua që të mos e shihte. Pastaj erdhi dhe u ul pranë meje, më preku mua, pastaj perin dhe tha: “Çfarë është kjo?!” I thashë: “Më kanë kënduar rukje në të kundër helmimit.” Ai e tërhoqi, e këputi dhe pastaj e hodhi tej. Pastaj tha: “Familja e Abdullahit tani nuk ia ka nevojën shirkut. Kam dëgjuar Profetin a.s…” deri në fund të hadithit.

[3] – Si p.sh. fjalët që i thuhen njerëzve nga disa ndjekës të sufizmit: “Kerkeden, kerkeden dehde, asbauat, ehja, shehaheja xhelxhelut” apo fjalë të tjera, për të cilat ata pretendojnë se janë përkujtim i Allahut. Të gjitha këto nuk janë pjesë e fesë Islame, sepse Islami ka ardhur në gjuhën e pastër arabe. Një shembull i tillë dhe të tjerë si ai tregojnë se këto origjina e këtyre tarikateve është një mashtrim çifut, indian, persian dhe grek, si kurthe të ngrita kundër muslimanëve, duke i përçarë ata në grupe dhe parti dhe duke ua mbushur zemrat e tyre me shirk ndaj Krijuesit dhe adhurimit ndaj Tij. Kjo bëri që ata të arrinin qëllimet e tyre në shëmbjen e shtetit islam.

[4] – Një transmetim i tillë është i dobët dhe nuk tregon për një fakt të tillë, sepse aty thuhet se Ibn Amri ia mësonte atë fëmijëve të tij të mëdhenj, ua shkruante atë nëpër tabela dhe i varte në qafët e fëmijëve vegjël. Në realitet, duket se ai ua shkruante atë fëmijëve nëpër tabela që ta mësonin dhe jo si një hajmali, sepse hajmalia shkruhet më tepër nëpër letra dhe jo nëpër tabela. Argument për këtë është fakti që ai ua mësonte atë të mëdhenjve. Sido që të jetë kjo është një vepër individuale prej Abdulla bin Amër bin Asit, për hir të së cilës nuk mund të lihet mënjanë hadithi i të Dërguarit të Allahut a.s. dhe praktika e sahabeve të mëdhenj, që nuk kanë vepruar ashtu siç veproi Abdulla bin Amër bin Asi –Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.

[5] – Në “Kuretul Ujun” thuhet: “Qëllimi është sqarimi se këto vepra janë çështje shirku, edhe nëse nuk shfaqen, të cilat i ka ndaluar i Dërguari i Allahut a.s. dhe shokët e tij për shkak të njohjes së tyre të plotë rreth kuptimit të shprehjes la ilahe il-lallah, e cila mohon shirkun, qoftë ky i madh apo i vogël, për shkak të lidhjes që krijon zemra me dikë tjetër përveç Allahut në largimin e të keqes dhe përfitimin e të mirave. Kjo fatkeqësi është përhapur shumë dhe është më e rëndë. Ai që është në dijeni rreth gjërave të shirkut të përmendura në këta dy kapituj, do të mësojë se ajo që ndodh sot në të vërtetë është akoma edhe më e rëndë, se kjo që sqaruam më lart. Kjo tregon edhe pozitën e të Dërguarit të Allahut a.s. dhe shokëve të tij, të cilët tërhiqnin vëmendjen ndaj shirkut dhe tregoheshin të ashpër në kundërshtimin e tij; edhe nëse ishte një shirk i vogël, ai përbën gjynahun më të madh.

[6] – Kjo përbën talljen më të madhe me ajetet e Allahut*, bie në kundërshtim me atë që solli Profeti a.s. dhe është një armiqësi kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij, sepse Allahu e ka zbritur Kuranin udhëzim për njerëzit, si dhe argument për udhëzim dhe drejtësi, shërim për gjokset dhe i shton njerëzve të padrejtë vetëm humbje. Ai është përkujtim për të devotshmit, dëshpërim për jobesimtarët dhe ai është e vërteta e padiskutueshme. Kurani nuk ka zbritur që të kthehet në hajmali dhe nuska dhe as që të luajnë me të ata që hanë prej tij, duke e shitur për një fitim të pavlerë, siç janë ata që lexojnë nëpër varre apo të tjerë si ata, që nuk respektojnë shenjtërinë e tij.

* Fjala e tij “Kjo përbën talljen më të madhe me ajetet e Allahut”, ka vend për diskutim, sepse varja e hajmalive nuk është tallje me fenë, por shirk i vogël dhe ngjasim me veprat e njerëzve në periudhën e injorancës. Ajo mund të jetë shirk i madh në varësi të asaj që i thotë zemra njeriut, se ajo mund të bëjë dobi, ose mund të bëjë dobi dhe dëm përveç Allahut a.xh. apo bestytni të ngjashme me këto. Por nëse ai beson se ajo është një shkak për të shpëtuar nga syri apo xhindet, kjo përbën shirk të vogël, sepse Allahu i Lartësuar nuk e ka bërë atë shkak, por e ka ndaluar, ka tërhequr vëmendjen dhe e ka qartësuar nëpërmjet gjuhës së Profetit a.s. se ajo përbën shirk, për shkak të efektit që ajo jep kundrejt atij që e var, duke ia bërë zemrën që të mbështetet tek ajo dhe të lidhet me të. Nëse varja e saj do të ishte tallje me ajetet e Allahut, kjo do të kishte qenë kufër dhe dalje nga Islami, siç thotë Allahu a.xh.: “Thuaj: A me Allahun, ajetet dhe të Dërguarin e Tij talleshit? Mos kërkoni ndjesë, ku keni mohuar(keni bërë kufër) pas besimit tuaj.”

Nuk dimë që ndonjëri prej dijetarëve të ketë thënë se varja e hajmalive është tallje me ajetet e Allahut dhe realiteti i atyre që i varin bie ndesh me këtë; ata i varin hajmalitë e tyre me fjalë nga Kurani dhe Suneti, me shpresën se ato do të bëjnë dobi dhe do të sjellin begati dhe jo me qëllimin për t’u tallur me to. Kjo është më se e qartë për atë që mendon thellë. Tek Allahu kërkojmë ndihmë.

[7] – Junus; 106, 107.

[8] – Edhe nëse ata që i prodhojnë ato për gratë, pretendojnë se janë muslimanë të kapur pas feje dhe pse ajo që shkruajnë është nga Kurani nga emrat dhe cilësitë e Allahut, në të vërtetë ata e bëjnë këtë për ta humbur Kuranin dhe për ta mohuar atë, sepse ata e shkruajnë atë në mënyrën e çifutëve me shkronja të ndërprera dhe me një zgjatim të veçantë, i përziejnë me lutjet e kohës së injorancës, shkruajnë me shkrime për të cilat pretendojnë se janë në pamjen e vulës së Sulejmanit a.s., në të cilën ishte shkruar sekreti i mbretërisë së tij- ashtu siç pretendojnë çifutët, të cilët besojnë se Sulejmani ishte kafir, se i nënshtronte xhindet me fuqinë e magjistarëve dhe jo me mrekulli prej Allahut. Me këtë besim çifutësh, këta gënjeshtarë shkruajnë hajmali dhe nuska, duke pretenduar se shkronjat dhe emrat kanë shërbëtorë që kryejnë atë që u kërkohet prej punëve të magjisë dhe përdorin lojra të ndryshme tymrash dhe pajisje të veçanta, nëpërmjet të cilëve ata i zbresin shpallje shejtanëve të tyre. Të gjitha këto janë kufër i madh.

[9] – Talak; 3.

Shkeputur nga “Libri i Teuhidit”.
Autor i librit : Muhamed bin Abduluehab Et-temimi.
Perktheu Genc Plumbi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here