Le të njihet kontributi i elitës myslimane shqiptare Shkruan: Shefqet Krasniqi

0
249

Që në fillim dua të theksoj se ky shkrim nuk ka karakter hulumtues, dhe, jo domosdoshmërish, ka të bëjë drejtpërdrejt vetëm me ata që u angazhuan për çështjen kombëtare. Kjo nuk mëton të minimizojë kontributin e atdhetarëve tanë në rrafshin kombëtar, e aq më pak të nënvlerësojë atë, ngase siç e dini, kauzës kombëtare i kanë shërbyer edhe shumë prijës fetarë myslimanë, si Hoxha Tahsini, Muhamet Çami, Myderriz, Imer Prizreni, Hafiz Ali Ulqinaku, Haxhi Ali Elbasani, Hafiz Ali Korça, Haxhi Mulla Zeka, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Adem Boriqi, Mulla Idriz Gjilani, Mulla Hasan Masurica, Haxhi Ismet Dibra, Mulla Isuf Kraja, Mulla Said Bajdeni, i njohur si Hoxhe Voka, Mulla Zekë Bërdynaj, Mulla Sinan Duga, Mulla Emin Miftari, Mulla Musë Dërguti, Tahir Efendi Lluka, Mulla Haki Sharofi, Mulla Hasan Nahi, Mulla Vesel Guta, Mulla Sadri Prestreshi e shumë e shumë të tjerë, madje këtë kontribut e nënvizon në formë poezie edhe Gj. Fishta në Lahutën e Malcisë, ku për një hafiz mysliman thurë këto vargje:

Shtrine te ngratin hafiz Myslimin, dhe ne dru e rrahen trimin

Sado qe ishte nje “ hafiz”“Jam shqiptar me gjuhe e fis”

Jam Shqiptar pergjigjet Hafizi deri qe ashti i kambes i krisi”

Ajo, që ne duam të prezantojmë tash këtu, në kohën kur për festimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë po bëhen studime të shumta për të zbardhur kontribute të personaliteteve shqiptare në fusha të ndryshme, andaj, duke qenë se ne jemi përfaqësuar në botë, sidomos në lindje, nga personalitet, emrat e të cilëve figurojnë ndër më të mëdhenjtë në fushën fetare, këtë shkrim e rezervuam për të qenë ekskluziv vetëm për ta.

Motiv për këtë shkrim kam një veprim të mençur të ndërmarrë nga KK-Pejë, e cila një nga rrugët e këtij qyteti e ka emërtuar me emrin e dijetarit të madh, kolosit të shkencave islame, eruditit Abdu-l-Kadir Arnautit. Konsideroj se, edhe pse një gjest simbolik, sidomos për kohën dhe rrethanat tona, është shumë domethënës. Ndaj, në vijim do t’iu paraqes emra nga ata me të cilët do të duhej të mburreshim si komb.

Ndër të parët dhe më të rëndësishmit është Shejh Nasirudin Albani, i lindur në Shkodër me 1914 dhe i shpërngulur më pas, në kohën e mbretit Ahmet Zogu, në Damask të Sirisë. Nasirudini shumë shpejt do të bëhet i njohur në Siri, për të lëvizur më pas në Medinën e Ndritur si mësimdhënës, e pastaj për të kaluar përfundimisht në Jordani, atje ku edhe do ta zinte vdekja.

Nasirudini ose Shejh Albani, siç njihet, ishte dijetari më i famshëm në botë i shekullit XX, në veçanti në shkencën e hadithit. La pas vete me qindra libra, shumica e të cilave janë të botuara dhe të shpërndara gjithandej nëpër botë. Sot nuk ka studiues i shkencave fetare anekënd botës që nuk ka dëgjuar për dijetarin e madh shqiptar dhe që nuk punon me dijen e tij të lënë pas vete. Krejt bota islame krenohet me hoxhën tonë, ndërsa ne shqiptarët as që e njohim bile. Ata na e kanë lakminë që ka qenë bir i yni, ndërsa ne shumë pak flasim për të. Shejh Albanin kam pasur fat ta takoj personalisht më shumë se një herë dhe të bisedojmë me të për Islamin në Kosovë dhe për gjendjen e shqiptarëve në përgjithësi në Ballkan.

Hiq më pak se Albani nuk është edhe shkodrani tjetër, Shejh Shuajb Arnauti, i lindur në Damask të Sirisë me 1928, familja e të cilit ishin shpërngulur nga Shkodra vetëm dy vite para se të lindte ai, pra më 1926. Edhe ky që nga fëmijëria filloi të merret me shkenca Islame dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të punoj me orë të tëra, ani pse gati i ka mbushur të nëntëdhjetat. Jeton dhe vepron në Aman të Jordanisë, ndërsa është autor i shumë librave me vlerë. Është, po ashtu si Albani, shumë i njohur në tërë botën Islame. Ka vizituar tokat shqiptare disa herë radhazi dhe vazhdon edhe sot të përkujdeset për shqiptar që jetojnë në Jordani, në veçanti për studentët të cilët studiojnë atje.

Bashkë me këta kolosë është edhe një kolosë tjetër shqiptar shumë i famshëm, një shkodran tjetër i quajtur me emrin Vehbi Sulejman Gavoçi, i cili po ashtu pati fatin sikurse shokët e tij, i lindur në Shkodër me 1923 e më pas i shpërngulur në Damask me familje, ku vazhdoi të mësoi e të punoi në Damask për një kohë të gjatë. Më pas kaloi si profesor në Medinën e Ndriçuar, pastaj në Rijad, më pas në Aman të Jordanisë, pastaj në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe së fundi në Damask, ku vazhdon të punon edhe më tej. Është shumë i njohur në shkencën e Fikhut – Jurisprudencës Islame. Ka shumë libra e punime shkencore.

Me të gjithë këta kolosë kam pasur rastin të rri dhe të marr dije nga ta. Lum toka shqiptare që i ka lindur këta bijë, lum populli që i ka. Andaj mendoj se duhet që sikurse këta kolosë t’ia paraqesim popullit tanë, në veçanti nxënësve dhe studentëve tanë, sepse këta na e kanë ngritur kokën lartë dhe kombin tonë e kanë bërë të njohur në katër anët e botës. Allahu i pastë mëshiruar ata ndërsa neve na bëftë ta ndjekim rrugën e tyre. Dhe së fundi falënderoi KK të Pejës për hapin e ndërmarr me shpresën se shembullin e tyre do ta ndjekin edhe të tjerët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here