Kush ishte i pari që e ndërtoi shtëpinë e shenjtë (Qaben)?

Kush ishte i pari që e ndërtoi shtëpinë e shenjtë (Qaben)?

Pyetja e katërt nga fetvatë me numër (18648)

Kur Ibrahimi -alejhi selam- vendosi gurin e parë në ndërtimin e Qabesë, a ka qenë e ndërtuar më parë dhe më pas është prishur, apo ai ishte i pari që e ndërtoi atë?

Përgjigje: Nuk kemi ndonjë argument të qartë të na tregojë se Qabja ka qenë e ndërtuar para Ibrahimit -alejhi selam-, porse janë transmetuar disa fjalë nga të parët tanë të mirë të cilët i kanë marrë nga pasuesit e Librit (Çifutët e të Krishterët) se Qabja ka qenë e ndërtuar që në kohën e Ademit -alejhi selam- e më pas u rrënua, e pastaj e rindërtoi Ibrahimi -alejhi selam- me urdhër nga Zoti i tij i Lartësuar.

Ibn Kethiri – Allahu e mëshiroftë- në librin e tij të historisë “El Bidajetu ue Nihajetu” ka thënë:

“Nuk është transmetuar ndonjë argument i saktë që Qabeja ka qenë e ndërtuar para Ibrahimit -alejhi selam-. Ata që argumentohen me ajetin “vendi i shtëpisë (Qabesë)” se ka qenë e ndërtuar para Ibrahimit, në këtë ajet nuk ka argumet të qartë, sepse qëllimi është vendi i përcaktuar në diturinë e Allahut, i miratuar në caktimin e Tij dhe i madhëruar nga të dërguarit e Tij, prej Ademit e deri në kohën e Ibrahimit.
Ne kemi përmendur më parë se Ademi i vendosi (Qabesë) një kupolë dhe se melaiket i thanë atij: Ne kemi bërë tavaf para teje rreth kësaj Shtëpie. Dhe se anija (e Nuhut) është sjellë rreth saj (Qabesë) dyzet ditë, e gjëra të ngjashme me këto, porse të gjitha këto tregime janë nga pasuesit e Librit (çifutët e të krishterët) dhe ne kemi thënë për lajmet e tyre, se këto lajme as nuk i besojmë e as nuk i mohojmë, ndaj nuk mund të merren si argumente këto tregime, e nëse këto lajme bien ndesh me të vërtetën atëhere janë të refuzuara.
Prej Allahut vjen suksesi, paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi pejgamberin tonë Muhamedin, familjen, e shokët e tij.

[Komisioni i përhershëm për studime akademike dhe fetva].

Përktheu Ylli Rama